Vladimir Duraj: Petraq Koroveshi, piloti që fluturoi me supersonik deri ditën e daljes në pension

11
Sigal

Vladimir Duraj

Pohimi në titullin e këtij shkrimi është sinjifikativ. Janë të rrallë pilotët te ne dhe në botë që dalin në pension direkt nga kabina e supersonikut. Mes të rrallëve është edhe Petraq Koroveshi, pilot i klasit të dytë. Për pilotët ekzistonte edhe klasi i parë, maja e profesionalizmit dhe njerëzores së arrirë në këtë fushë, por te ne, dhënia e klaseve si tregues i sa më sipër u ndërpre dhe nuk ekzistonte më atëhere kur Petraqi do të duhej ta bënte të tijin këtë titull. Kësisoj, Petraqi, piloti me të dhëna të veçanta, nuk mund të merrte më shumë se klasin e dytë, sikur edhe vet Çkallovi të ishte.

Një tjetër pohim i veçantë për Petraqin është fakti i qenies së tij për 14 vjet rresht si zv/komandant skuadrilje në skuadriljen e supersonikëve Mig-19. Qenia në këtë detyrë për një kohë kaq të gjatë është rrjedhojë e karakteristikave të veçanta njerëzore dhe profesionale, të cilat te Petraqi ishin me tepricë. Këto karakteristika të Petraqit njeri dhe pilot mundësuan për të krijimin e një portreti ekselentë, shumë të dashur, të nderuar e respektuar nga të gjithë pilotët dhe ku, pjesa më e suksesshme e të cilëve, stadin e arritur ia dedikojnë edhe qenies “studentë” të “Profesor” Petraqit. Këtu mund të përmendim pilotët Asim Bine, Delo Isufi, Perlat Binaj, “studentë” të Petraqit në skuadrilje, të cilet arritën deri në detyra të larta si komandant dhe komisar Regjimenti dy të parët dhe komandant Aviacioni i treti.

Përmenda më sipër qenien e Petraqit Pilot i Klasit të Dytë dhe pamundësinë objektive për të marrë titullin “Pilot i Klasit të Parë”. Por nëse si pilot nuk arriti ta merrte klasin e parë për arsye që s’vareshin prej tij, si ish pilot i dashuruar marrëzisht pas qiellit dhe fluturimit, pas shqiponjave të ajrit dhe teknikës së përdorur prej tyre, ai arriti majën, arriti të marrë titullin “Marubi i Aviacionit”, akorduar nga një Juri e veçantë, një Juri fantastike, më plebishitarja, Juria e Aviacionistëve Shqiptar. Nuk di se si influencoi zanati dhe qenia “Babai i Fotografisë Shqiptare” te Marubi i Shkodërloces, por që te Petraqi i Aviacionit, pasionanti i mirësisë, bukurisë dhe fisnikërisë, e di mirë…ky “klas i parë”, në këtë fushë dhe moshë, e ka rinuar, e ka bërë më të ri në shpirt dhe fizik.

Petraqi hyn te të lindurit për Pilot, me një shëndet të plotë dhe bukuri të veçante, karakter të fortë dhe zgjuarësi spikatëse. Qysh fëmijë i “lexoheshin” kollaj sa më sipër. Petraqi lindi në Durrës më 1 Prill 1940 dhe pas 6 vitesh transferohet në Tiranë. Këtu kryen shkollën 7 – vjeçare te “Hoxha Tasim” dhe të mesmen te Politeknikumi “7 Nëntori”. U evidentua si nxënës i shkëlqyer qysh nga klasa e parë dhe vijoi si i tillë edhe në Politeknikum. Me mbarimin e Politeknikumit çfaq dëshirën për t’u bërë Pilot, thua se e parandjente që ishte “gatuar” për këtë profesion. Në vitin 1960 përzgjidhet për të studjuar në njërën nga shkollat e Aviacionit dhe pikërisht në atë të Batajskut në ish Bashkimin Sovjetik. Për Petraqin 20 vjeçar, student për pilot në Batajsk, piloti dhe shkrimtari Niazi Nelaj, tregon :

“- Petraq Koroveshi ishte nga të paktët djemë kryeqytetas dhe neve që vinim nga provincat na dukej tjetër njeri. Ai kishte trup pak nën mesataren, por të ngjeshur e të shkathët, siç kërkohet të jenë pilotët. Faqet i kishte “ buçko”, flokët kaçurrela, të zinj sterrë e tiparet e fytyrës – simpatike. E thënë pak ndryshe, bukuria fizike e Petraqit, e hijeshonte grupin tonë djaloshar.”

Në këtë shkollë Petraqi dallohet për rezultate të larta, rregull e disiplinë të lartë, mprehtësi e zgjuarësi, cilësi këto që e bënin atë të dallohej mbi shokët. Fluturoi me tregues të lartë cilësorë me Jak-18A, me instruktorin Rapajev, një emër me peshë në Aviacionin Sovjetik të asaj kohe. Prishja e marrdhënieve shtetërore mes nesh dhe ish B.Sovjetik e detyruan Petraqin me shokë të ndërprisnin  studimet dhe të ktheheshin në atdhe në Shtator të vitit 1961, për të vijuar studimet në Shkollën e Lartë të Aviacionit, e rihapur pas një ndërprerje të detyruar. Edhe këtu, ashtu si në Batajsk, Petraqi shkëlqen. Në provimin e “Fluturimit”, në përfundim të shkollës, Petraqi vlerësohet “Shkëlqyeshëm” nga emërmadhi si pilot e si njeri, piloti i klasit të parë, Bardhyl Taci. Ai, bashkë me Koço Bikun, u propozuan për të marrë gradën “Toger”, vlerësim ky në përputhje me stadin e lartë të kualifikimit të pilotëve. Në fund të vitit 1963, Petraqi titullohet “Pilot Gjuajtës Bombardues”.

Në vitin1964, Petraqi emërohet pilot në Regjimentin e Aviacionit, Rinas. Këtu, cilësive të shkëlqyera fluturuese të Petraqit i’u mbivendosën edhe asistenca dhe prania e dinosaurëve të pilotimit shqiptar si Niko Hoxha, Komandant Regjimenti, Kosta Neço Dede, komandant skuadrilje, Gëzdar Veipi, zv/komandant skuarilje dhe Çobo Skënderi, komandant katërshe, të katër pilotë të klasit të parë. Në Rinas Petraqi fluturoi në aeroplanët reaktivë, Mig 17 F, gjuajtës – bombardues dhe mori titullin “Pilot i Klasit të Tretë”.

Në pranverë të vitit 1966, skuadrilja e MIG-17F transferohet në Regjimentin e ish Q.Stalin dhe bashkë me të u transferua edhe piloti Petraq Koroveshi. Pikërisht këtu, në ish Q.Stalin, Petraqi shkëlqen si kudo më parë dhe arrin të bëjë të tijin titullin “Pilot i Klasit të Dytë”. Por vetëm kaq, me “klaset” nuk mund të vijohej më tej. Siç e them në hyrje të këtij shkrimi, dhënia e “klaseve” për pilotë u ndërpre njëlloj si edhe heqja e gradave në ushtri.

Në Kuçovë nis “njohja” ime me Petraqin. Jo njohje e drejtpërdrejtë, më saktë i mësova emrin, dëgjova për të. Petraqin e kishte bekuar perëndia në gjithçka dhe, si shpërblim i asaj çfarë ai ishte, i kishte dhënë si shoqe jete një mrekulli, një bukuri dhe mirësi të veçantë, Teftën, mësuesen time të Gjuhë – Leximit në 8 – vjeçare. Ishte 29 Nëntori i 1969-ës, 25 vjetori i çlirimit, dita e fluturimit të 9 avionëve nga regjimenti i Kuçovës në Paradën e zhvilluar atë ditë. Njëri prej pilotëve të përzgjedhur për atë eveniment domethënës, krahas emrave të Bardhyl Taçit, udhëheqës i formacionit me 9 avionë, Qirjako Dhimës, Vasil Andonit, Sokrat Priftit, Harilla Rebit, Hamza Koçit, Vangjel Llazarit dhe Viktor Vangjelit, ishte edhe Petraq Koroveshi. Ishte pikërisht kjo veçori, pjesëmarrja e Petraqit në atë Paradë, arsyeja e mësimit të emrit të tij nga unë e të tjerë nxenës të klasës.

Në vitin 1970 Petraqi rikthehet në Rinas, por tashmë si Pilot i MIG-19. Filloi si pilot i thjeshtë, komandant çifti, komandant katërshe, për të përfunduar zv/komandant skuadrilje për fluturimin, ku në këtë të fundit, siç e them edhe në fillim të këtij shkrimi qëndroi plot 14 vjet. Ka një gamë të gjërë detyrash të kryera nga Petraqi, si bombardim e qitje në terren fushor e malor, qitje me raketa ditën dhe natën, fluturime në stërvitje taktiko – fluturuese dhe në bashkëveprim me forcat tokësore, ngritje në ajër pa u përgatitur në tokë etj.

Si pilot dhe zv/komandant për fluturimin, Petraqi ishte strikt, tepër korrekt dhe i përpiktë në zbatimin e rregulloreve. Ai dha një ndihmë të madhe për kualifikimin e pilotëve të rinj. Kush nuk e ka njohur e nuk e ka ndjerë rolin përcaktues të Petraq Koroveshit, si drejtues i çështjeve të fluturimit, në skuadrile dhe si instruktor fluturues, apo si kontrollues i teknikës së pilotimit, në kushte të ndryshme të situatës e të motit. Miku i tij i Batajskut e në vijim, Niaziu, thotë për Petraqin:

“- I papërtuar, për të kryer çdo detyrë, nga më komplekset e me shkallë të lartë vështirësie, Petraqi, për një kohë të gjatë, jo vetëm kreu detyrat individuale si pilot i kualifikuar, por, në masë të ndryshme kompensoi dhe ndonjë boshllëk të krijuar. Kur flet për Petraq Koroveshin, si pilot, lipset të mbahet parasysh ajo ngarkesë e pazakontë që ka përballuar, gjatë zgjidhjes të detyrave ajrore nga më të ndryshmet, pa pretendime, si dhe kapërcimin e disa ndodhive të pazakonta, në ajër, të cilat i ka zgjidhur me qetësi, kompetencë e parrezikshmëri. Petraqi ka përballuar, me sukses disa të meta teknike që i janë shfaqur gjatë pilotimit, duke dalë fitimtar e faqebardhë mbi rreziqet që i kanoseshin.”

Dhe kështu vijoi Petraq Koroveshi deri ditën e pensionit, kur mbushi 50 vjeç. Kreu fluturimin e fundit me atë shqiponjë gjigande që bënte të “mendoheshin” mirë edhe 25 – 30 vjeçarët e jo më 50 – vjeçarët, e puthi në “ballë” dhe i premtoi se nuk do të ndahej prej saj dhe “shoqeve” të saj sa të kishte frymë.

Dhe ashtu bëri, pas asaj dite Petraqi ka “jetuar” çdo dekikë me aviacionin, me shokët e tij ne pension dhe të tjerë në detyrë. Petraqi krijoi histori në aviacion, ai si askush tjetër tregoi se pensioni ndërpreu kontratën e tij de jure me avionin dhe aviacionin, por de fakto, atë marrdhenie të çmendur dashurie me këtë armë pensioni as mundej dhe as arriti ta zhbëjë. Petraqi çfrytëzoi si pak kush mundësinë e ofruar nga teknologjia dhe krijoi në fb faqen Albumi i Pilotëve”, ku në perditshmëri kujton e përshkruan ngjarje dhe situata të ndryshme për pilotë, teknikë dhe oficerë të Aviacionit. Urimet e përditëshme për ditlindje dhe ditë të tjera të shënuara për secilin aviacionistë, përshkruar me shumë ndjenjë e dashuri e klasifikojnë Petraqin në pol – position të “shkruesve” aviacionistë.

Mund të zgjatesh sa të duash me të thëna e të shkruara për Petraqin dhe përsëri pak do të duket…dhe e di përse? Sepse është ekselent kudo dhe, çështë më kryesorja, është kryeekselentë si njeri.

Petraq Koroveshi, për atë ç’ishte e bënte, në atë kohë ia vinin foton në stendën e më të mirëve në Repart, por ndryshe nga të tjerët, fotoja e Petraqit nuk u hoq më…të tjerat hiqeshin e ndërroheshin nga viti në vit, kurse fotoja e Petraqit ishte “salduar” me profesionalizmin e arrirë dhe fisnikërinë njerëzore.