Ëngjëll Musai: Zgjedhja e Avokatit të Popullit, proces kushtetues apo kaos politik i organizuar?!

288
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf

Zbulohen 11 kandidaturat e propozuara nga deputetët e opozitës për t’u votuar në seancë plenare për të zgjedhur Avokatin e Popullit.

Ligji parashikon se procesi përzgjedhës i Avokatit të Popullit hapet 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të funksionarit në detyrë, dhe Avokati i ri i Popullit në më të keqin rast zgjidhet jo më vonë se 1-muaj nga përfundimi i mandatit të atij ekzistues. Pra Kuvendi duhet ta kishte përfunduar maksimalisht këtë proces deri në 22 qershor 2022 !

Kuvendi ka hyrë në muajin e 8 (tetë) që mban ende të hapur dhe pa rezultat procesin e zgjedhjes të Avokatit të Popullit: proces ky që duhej të përfundonte sipas ligjit përpara datës 22 maj 2022. Pikërisht në këtë datë i ka përfunduar mandati kushtetues Avokates aktuale të Popullit zj. Erinda Ballanca, e cila u zgjodh në këtë post si rezultat i marrëveshjes së 17 majit 2017 (Basha-Rama), që prodhuan ndryshime edhe në kabinetin qeveritar Rama 1, ku në qeveri u përfshin edhe ministra të propozuar nga Partia Demokratike dhe qëndruan në detyrë deri në shtator të atij viti kur kabineti Rama 2, rimori detyrën. Arsyet e tejzgjatjes së procedurave parlamentare për emërimin e Avokatit të ri të Popullit edhe sot, janë qartësisht të kuptueshme. Por tanimë, kjo gjëndje është krijuar pikërisht edhe pse vendi nuk ka ende një opozitë të unifikuar prej shumë kohësh.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit, që kërkon domosdoshmërisht një shumicë të cilësuar (84 vota) dhe që praktikisht kërkon një dialog të diktuar midis forcave politike, është sot më i rëndësishëm se zgjedhja e Presidentit të Republikës, proces ky i fundit më i lehtësuar në dialogun politik pozitë-opozitë.

Në muajin mars të këtij viti Kuvendi shpalli thirrjen për aplikime për këtë pozicion kushtetues. Për këtë thirrje shprehën interes 13 kandidatë. Pas përfundimit të afatit të thirrjes, Komisioni i Ligjeve për aq sa është bërë publike, nuk vijoi me procedurën e verifikimit dhe vlerësimit të kandidaturave të paraqitura, por duke pranuar “nën zë” se kishte nevojë për më shumë kohë apo për më shumë alternativa, rihapi edhe njëherë thirrjen për aplikime me një afat shtesë prej një muaj. Nëse do ta përjashtonim këtë veprim të Kuvendit, nga lista e shkeljeve, në përfundim të thirrjes së dytë Kuvendi nuk bëri ndonjë publicitet se cili ishte numri dhe emrat e kandidatëve, që aplikuan në “kohën shtesë”, por vendosi ta shtyjë edhe një herë thirrjen për aplikime me një tjetër afat 30 ditor shtesë. Krahasuar me kërkesat e ligjit, këto veprime të Kuvendit, përpos se janë të habitshme nuk gjejnë asnjë bazë ligjore, megjithatë në rrafshin apo ambientin çoroditës politik shqiptar, këto veprime nuk janë risi dhe nuk përbëjnë asnjë habi. Është e qartë që Kuvendi po kërkonte ta shtynte në kohë këtë process. Nga njëra anë dukej sikur  mazhoranca po tregonte tolerancë ndaj opozitës dhe po i jepte kohë asaj, e cila edhe pse e ndarë prej muajsh në disa grupime e fraksione, do duhej që të unifikonte qëndrimin e saj mbi një kandidat potencial lidhur me plotësimin e kësaj vakance: kandidat që do mund të gjendej edhe përtej listës së aplikantëve që ju përgjigjën thirrjes së parë, apo dhe thirrjes së dytë. Pra mazhoranca dukej se po i përgjigjej pozitivisht çdo deputeti të opozitës, i cili kërkonte kohë shtesë për rihapjen e thirrjes së kishte gjetur një kandidat/e cilësore opozitare. Kjo mund të ketë qenë një arsye, por një tjetër arsye e fortë ishte se përgjatë të njëjtës periudhë maj-qershor do të zgjidhej dhe Presidenti i Republikës dhe Kuvendi u përfshi në ethet politike të mistershme të këtij procesi. Cilado të ketë qenë, e para apo e dyta, apo të dyja bashkë, asnjë prej këtyre nuk ka lidhje me respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës, sigurinë juridike, transparencën. Kaosi politik, kishte kohë që kishte filluar, dhe rendi e rregulli brenda organit ligjvënës dukej ende një kohë e lartë edhe për këtë proces. Mazhoranca dukej qartë se po ndihmonte fraksionin brenda opozitës të drejtuar nga zoti Alibeaj duke i dhënë këtë dakordësi për shtyrjen e procesit në kohë, edhe për të mos mbivendosur këto dy procedura kushtetuese emërimi të reja (President i Republikës-Avokat i Popullit). Duke i dhënë mundësi apo duke e përfshirë fraksionin opozitar të drejtuar nga zoti Alibeaj, në procesin politik të zgjedhjes së Presidentit, kjo e ndihmonte këtë fraksion të dukej në publik apo në rrafshin ndërkombëtar se ky proces po ecte në diskutim me opozitën dhe kjo e fundit, saktësisht fraksioni Alibeaj kishte një pozitë shumë herë më të konsoliduar politike. Ndërkohë që, nga ana tjetër shtyrja në kohë e procesit të zgjedhjes së Avokatit të Popullit do të shmangte mbivendosjen me procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke shmangur publicitetin se sa të pavenda dhe sa pa kuptim ishin ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, rezultat i marrëveshjes politike. Do të dilte në pah pikërisht fakti se zgjedhja e Avokatit të Popullit, që kërkon domosdoshmërisht një shumicë të cilësuar (84 vota) dhe që praktikisht kërkon një dialog të diktuar midis forcave politike, është sot më i rëndësishëm se zgjedhja e Presidentit të Republikës: proces ky i fundit më i lehtësuar në dialogun politik pozitë-opozitë. Presidenti i Republikës pas raundit të tretë të votimit mund të zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë të mazhorancës me 71 vota, dhe mazhoranca mund ta zgjidhte vet, ashtu siç dhe ndodhi në rastin e zgjedhjes së zotit Begaj. Pra nëse këto procese sot në vitin 2022 do të zhvilloheshin paralelisht opozita duhet të pranonte gabimin që kishte bërë në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Sepse nëse do të kishim ato parashikime kushtetuese përpara marrëveshjes politike (PS-PD), sot mazhoranca do të ishte e detyruar të negocionte emrin e Presidentit të ri, ose në të kundërt do ishte e detyruar të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohëshme: një dëshirë kjo aq shumë e dëshiruar prej opozitës, por që nuk mund t’i realizohet pikërisht për fajet e saj të njëpasnjëshme. Pra, e gjithë loja politike e shahut, e nisur me ndryshime rregullash në vitin 2008, prodhoi si atëherë, si tani fitues vetëm mazhorancën, e cila duke spostuar në kohë zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në fakt nuk forcoi pozitat politike të fraksionit Alibeaj në procesin politik të zgjedhjes së Presidenti, por e dobësoi edhe më keq atë, duke e bërë atë pjesë të atij procesi, por pa e pyetur apo e pritur fare atë për kandidaturat, që si “opozitë ligjore” mund të propozonte. Çdo lëvizje politike e opozitës, i shërbeu vetëm mazhorancës, pasi edhe pse Alibeaj nuk kishte asgjë në dorë, u përfshi në procesin e zgjedhjes së Presidentit, por në fund nuk propozi asnjë kandidaturë, duke humbur shumë pikë nga kredibiliteti politik, pa arritur të paktën politikisht asgjë. E gjithçka po i ndodh opozitës prej shumë vitesh, e po ripërsëritet çdo sezon. Kjo vjen pikërisht nga fakti se ajo është e përçarë, e vetpërçarë dhe me një të keqe që vjen gjithmonë nga brenda radhëve të saj. Duket se, ajo, opozita e ka harruar thirrjen se “bashkimi bën fuqinë”. Mazhoranca, e cila udhëheq pa as më të voglin siklet politik, jo vetëm qeverisjen e vendit, por dhe zhvillimin apo rritjen politike të disa deputetëve opozitarë, pasi zgjodhi zotin Begaj si President të Republikës, riaktivizoi më pas procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke nisur verifikimin e 20 kandidatëve, që kishin shprehur interes për këtë pozicion. Një prej kandidaturave dha dorëzoheqjen, ndërkohë që 19 kandidatët e tjerë të vlerësuar paraprakisht nga administrata e Kuvendit se i plotësonin kushtet dhe kriteret ligjore për kandidim. Ata u thirrrën nga Komisioni i Ligjeve duke realizuar një dëgjesë publike në datë 15 korrik 2022, ku secili kandidat shpalosi platformën, vizionin dhe arsyet e kandidimit për këtë pozocion. Është për t’u nënvizuar fakti se: në përfundim të kësaj seance dëgjimore, e cila përkonte dhe me mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve për sesionin e kaluar parlamentar, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, njoftoi se komisioni i ligjeve pas realizimit të dëgjesave, është në pritje të administrimit të mbështetjes dhe propozimit të kandidaturave prej minimumi nënshkrimin e 28 deputetëve opozitarë, në mënyrë që kandidaturat e kualifikuara të përfshihen për votim në seancën plenare. Në këtë njoftim, nuk u saktësua as për publikun, as për anëtarët e komisionit të ligjeve, dhe as për kandidatët se cili do të ishte afati që Komisioni i Ligjeve caktonte dhe, që brenda të cilit deputetët e Kuvendit mund të paraqisnin sipas ligjit mbështetjen për kandidatët e tyre të preferuar! Ky detaj në dukje i parëndësishëm, fshihte dhe kleçkën ku do të rrotullohej ky proces pambarimisht, derisa ndonjë kandidat apo kandidate simpatike për njërën apo tjetrën palë apo deputet të mund të siguronte mbështetjen e deputetëve. Ky detaj i kohës shtesë pa kufij të krijuar, do të krijonte mundësinë që ky proces të tejzgjatej pambarimisht dhe terrenin ku palët politike përmes deklaratave politike të intimidonin, anatemonin, apo sulmonin njëra tjetrën, sigurisht jo në interes as të kandidatëve dhe publikut, por vetëm për përmbushjen e diskursit politik të ditës. Ndërkohë, kushtet, kriteret, procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit janë të parashikuara në nenin 61 të Kushtetutës, nenin 9 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”. Në këto akte parashikohet se Avokat i Popullit mund të jetë çdo person, që është shtetas shqiptar, me njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit, që shquhet për aftësi profesionale me një figurë të pastër etiko-moral, i padënuar penalisht, dhe që nuk është deputet në legjislaturën e Kuvendit, që bën propozimin apo zgjedhjen e tij. Në ligjin për avokatin e popullit parashikohet gjithashtu se, në përfundim të procesit dëgjimor, komisioni i ligjeve miraton listën e plotë të kandidatëve të paraqitur së bashku me vlerësimin për përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature ku kandidaturat për Avokat të Popullit i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë, kandidatura këto të përzgjedhura në radhët e kandidatëve që përmbushin kriteret kushtetuesee ligjore dhe meritën. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat (84 vota) e të gjithë anëtarëve të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit. Pra Kushtetuta dhe Ligji kërkojnë detyrimisht që: seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ketë në garë dhe të votojë midis disa kandidaturave, pra më shumë se 1 (një) kandidaturë që plotëson kushtet dhe kriteret. Këto kandidatura i propozohen seancës plenare për votim nga jo më pak se 28 deputetë. Ligjvënësi ka përdorur fjalën “kandidaturat”, pra numrin shumës duke përcaktuar se në procesin e votimit, duhet të jenë disa kandidatura, pikërisht për të nxitur konkurencën, rujalitetin politik, për një përfaqësim sa më real të vullnetit opozitar, si dhe për të nxitur dialogun politik diktuar kjo nga shumicë e cilësuar, që kërkon zgjedhja e këtij funksioni. Pavarësisht se njohuritë dhe veprimtaria e shquar në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit, janë kërkesa kumulative, që prezumojnë se një kandidat për Avokat të Popullit duhet të jetë me patjetër jurist. Në garën për këtë pozicion kanë aplikuar dhe kandidatë që nuk e kanë një formim të mirëfilltë juristi. Kjo kërkesë e Kushtetutës, nuk i ka penguar as disa nga deputetët e opozitës që të ofrojnë mbështetje dhe për kandidatë pa formim juridik, apo që nuk e kanë ushtruar të qënit një jurist në administratën publike apo atë shtetërore. Do të duhet të presim raportin e komisionit të ligjeve, të përbërë nga më së shumti juristë, nëse do ta vlerësojnë të përmbushur këtë kusht kushtetues, edhe për kandidatët jo-juristë, dhe nëse po, cili do të jetë interpretimi brilant i këtij komisioni për togfjalëshin e kushtetutës “të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, apo këta kandidatë jo juristë nuk do kualifikohen për vijimin e kandidimit. Çdo avokat është më së pari jurist, po ai i Popullit, ka në fokus edhe mbikqyrjen, efikasitetin procedurial dhe funksionin administrativ të proceseve, që realizohen nga administrata publike në tërësi. Se çfarë mendon Kuvendi nën këtë llogjikë?,- pritet të shohim! Vetë koha e tejzgjatur e këtij procesi (ekzaktësisht 8 muaj) dhe, mungesa e transparencës ka krijuar dyshime mbi vetë thelbin e tij, por ka shtuar interesin publik të ndjekjes së mëtejshme të ecurisë së tij. Ligji parashikon se procesi përzgjedhës i Avokatit të Popullit hapet 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të funksionarit në detyrë, dhe Avokati i ri i Popullit në më të keqin rast zgjidhet jo më vonë se 1-muaj nga përfundimi i mandatit të atij ekzistues. Pra Kuvendi duhet ta kishte përfunduar maksimalisht këtë proces deri në 22 qershor 2022.

Duke qenë se procesi politik në Kuvend ka sjellë së pari shkeljen e çdo lloj afati të arsyeshëm, (4 muaj përtej afatit ligjor) dhe gjatë kësaj kohe nuk është treguar transparencë me publikun duke mos e informuar atë se cilat janë kandidaturat, që kanë siguruar mbështjetjen me nënshkrim të 28 deputetëve. Redaksia u interesua dhe përmes burimeve të saj, ka mundur të sigurojë informacionin se, nga lista e 19 kandidatëve, që zhvilluan seancën dëgjimore me Komisionin e Ligjeve në datë 15 korrik 2022, deputetët opozitarë përmes nënshkrimeve të tyre kanë ofruar dhe siguruar mbështetje për votim për të paktën 11 kandidatë, duke i mbështetur ata zyrtarisht dhe duke i’a propozuar seancës plenare për votim. Edhe pse këtë detyrë duhet ta kishte përmbushur Kuvendi, i cili me dashje e la këtë proces të hapur në kohë, sërish në faqen e tij të internetit nuk gjendet asnjë informacion i kësaj natyre. Renditja që bën redaksia në tabelën e mëposhtme nuk duhet të merret si renditje vlerësimi. Ky listim bazohet në rendin kronologjik të numrit të protokollit, dhe datës së administrimit të propozimit mbështetës për secilin kandidat, prej 28 deputetëve në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Numri i lartë i kandidaturave të mbështetur me 28 nënshkrime të deputetëve të opozitës, pavarësisht se nuk ndalohet nga kushtetuta e ligji, tregon edhe në këtë rast se sa e përçarë dhe në çfarë krize rakordimi dhe mosunifikimi qëndrimesh është opozita! Pikërisht për shkak të fraksioneve dhe grupimeve, që shfaqen brenda saj, opozita sot nuk ka fuqi dhe, as mundet të tregojë kapacitet solid negociator përkundrejt mazhorancës. Edhe në këtë proces reflektohet se, opozita është prekur nga fenomeni i dëshirave apo nxitjes individuale prej deputetëve individualë të saj, e cila ka prodhuar nga njera anë kandidime fiktive (fenomen ky i dukshëm në kohën shtesë, që mazhoranca i dha opozitës në shtyrjen dy herë të thirrjes në muajin prill-maj), dhe nga ana tjetër mungesë vullneti të disa individëve brenda opozitës për t’u unifikuar dhe për të mbështetur disa kandidatura tek të cilët vërtet kanë integritet profesional dhe moral dhe që referuar eksperiencës së tyre kanë treguar se nuk janë të lidhur dhe as mund të jenë apo shdërrohen në shërbëtorë të mazhorancës aktuale. Duke përfituar nga ky kaos organizativ opozitar disa deputetë të saj, duket se mundohen që të krijojnë terren që të mundësojnë emërimin në këtë pozicion të njohjeve personale, duke e dëmtuar edhe më rëndë këtë proces, që kurrsesi nuk duhet të prodhojë një funksionar shtetëror të futur nën sqetullën politike të partive, apo të veshur me parzmoren partiake, që do t’i japin të veshë: për ta veshur dhe zhveshur sa herë ta urdhërojnë që të sulmojë apo të bëjë paqe dhe rehat me qeverinë.

Pra nëse këto procese sot në vitin 2022 do të zhvilloheshin paralelisht opozita duhet të pranonte gabimin që kishte bërë në vitin 2008, me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Sepse nëse do të kishim ato parashikime kushtetuese përpara marrëveshjes politike (PS-PD), sot mazhoranca do të ishte e detyruar të negocionte emrin e Presidentit të ri, ose në të kundërt do ishte e detyruar të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Duke përfituar nga ky kaos organizativ opozitar disa deputetë të saj, duket se mundohen që të krijojnë terren që të mundësojnë emërimin në këtë pozicion të njohjeve personale, duke e dëmtuar edhe më rëndë këtë proces, që kurrësesi nuk duhet të prodhojë një funksionar shtetëror të futur nën sqetullën politike të partive, apo të veshur me parzmoren partiake që do ti japin të veshë, për ta veshur dhe zhveshur sa herë ta urhërojnë që të sulmojë apo të bëjë paqe dhe rehat me qeverinë. Mazhoranca çdo muaj përsërit thirrjen hipokrite se, “presim propozimin e opozitës për avokat të popullit”, ndërkohë që, sipas ligjit, propozimet e deputetëve opozitarë dhe mbështetja për secilën kandidaturë është depozituar ligjërisht në Kuvend, prej datës 21 korrik deri në 8 shtator 2022. Mazhoranca së fundmi, shkon më tej shton “presionin” apo “kërkesën politike” përkundrejt opozitës duke përsëritur thirrjen mbi atë pjesë të opozitës të drejtuar nga zoti Alibeaj, shoqëruar dhe me  shpërndarjen e lajmit se,  “nuk do ta presim pa fund opozitën, do ta zgjedhim vet Avokatin e Popullit”, ndërkohë që individë brenda këtij fraksioni opozitar i përgjigjen mazhorancës pa vonesë duke bërë publik lajme, se opozita ka realizuar “primare” midis dy kandidaturave, shoqëruar dhe me lajme “bombastike” ku titulli kryesor është “merr fund saga e zgjedhjes së avokatit të popullit, ja kush është kandidatura e opozitës për avokat populli”. Ky teatër duhet të marrë fund. Dhe këtu pyetjet themelore ku fshihet dhe dobësia e atij fraksioni opozitar dhe kaosi politik brenda tyre janë; Kush është opozita?, Cila kandidaturë për Avokat të Popullit do ti përfaqësonte realisht dhe më mirë interesat e popullit?, pse jo përfshi dhe ato të opozitës dhe të kazuave të drejta të bëra publike saj? Apo cila do të ishte ajo kandidaturë që nëse zgjidhej, i gjithë kampusi opozitar, nuk do të kishte asnjë argument për ta kundërshtuar dhe do të pranonte brenda vetes zgjedhjen e tij/saj? Nëse çdo grupim brenda opozitës do t’ia bënte vetes këtë pyetje, por njëkohësisht dhe do ti përgjigjej vetvehtes në mënyrë të sinqertë, do të kishte arritur me kohë në një konkluzion llogjik, të drejtë, kushtetues dhe që moralisht do ta lartësonte atë sadopak, përballë atyre që bën të mundur përfaqësimin e tyre në Kuvend, pra përballë popullit, pikërisht të atij që u  dha shansin të jenë në Kuvend, dhe ata duhet tia shpërblejnë me zgjedhjen e një Avokati të vërtetë që do të mbrojë interesat e tij. Prandaj sot , edhe pse me shumë shumë vonesë, lind nevoja që të unifikohet në qëndrimet e saj jo vetëm për këtë çështje. Avokati i Popullit nuk mund të futet nën sqetullën e njerit apo tjetrit deputet, apo fraksioni opozitar. Ashtu siç ka sinjale pozitive të komunikimit në gjithë kampin opozitar për daljen me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet në zgjedhjet vendore, ashtu dhe për zgjedhjen e Avokatit e Popullit, gjellë kjo që po gatuhet prej 7-muajsh, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike duhet të thërrasë konsulta me të gjithë deputetët, grupeve apo të partive, të grupimeve politike të përfaqësuara në Kuvend, për ta diskutuar seriozisht këtë çështje. Edhe në këtë proces opozita duhet të jetë një, nuk ka mundësi reale, të jetë as dy, as tre, as katër grupime nëse do të ketë rezultat pozitiv për të gjitha  palët. Le të jetë procesi i përzjedhjes së kandidatit për Avokat të Popullit, pikëtakimi i parë i të gjithë faktorëve të opozitës, dhe një provë e përpjekje bashkimi drejt rrugës së unifikimit për zgjedhjet e afërta vendore. Kujdes!!!! Mazhoranca sot i ka 78 vota, asaj i duhen vetëm 6 vota për të zgjedhur Avokatin e Popullit. Nëse opozita nuk unifikohet secili kandidat i parapëlqyer prej mazhorancës, përmes fraksionimeve apo individualisht mund të sigurojë një mbështetje me 6 deputetësh opozitar. Nëse situata aktuale vijon kështu kuturu, pa zhvillime pozitive, mund të thuhet veç një gjë e sigurtë, opozita do të dalë sërish e humbur dhe në atë pozicion të rëndësishëm kushtetues nga një Avokat Populli të vërtetë me integritet  dhe të besueshëm nga të gjithë që duhet të kemi, shumë shpejt mund të  emërohet një prurje e Kryeministrit Rama, që nuk ka aspak lidhje me mbrojtjen e interesave të popullit dhe të kauzave të tij, dhe një funksionar të rëndomtë që do ta trajtojë shpejt veten, si rrogtar i nivelit të ulët, që do të bjerë të flejë, ndërkohë që duhet të flasë.

Gazeta Telegraf e sjell këtë opinion e analizë me qëllim informimin e plotë jo vetëm të publikut shqiptar, por dhe të faktorit ndërkombëtar, e atij diplomatik prezent në Tiranë dhe jo vetëm. Këta të fundit çuditërisht ende nuk kanë mbajtur publikisht ndonjë qëndrim publik mbi këtë çështje, pavarësisht se për nga rëndësia dhe të drejtat që  i jepet Avokati i Popullit është po aq  kryesor  dhe  ndikues në mbikqyrjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut, sa Gjykata KUshtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria. Faktori ndërkombëtar prezent në Tiranë, e di shumë mirë se, në vendet që ata përfaqësojnë zgjedhja e Avokatit të Popullit, shoqërohet nga një proces transparent, bazuar në meritë, dhe ndiqet me shumë interes të lartë nga publiku. Edhe vet Komisioni Evropian, Komisioni i Venecias, i ka kushtuar vëmëndje mbrojtjes dhe promovimit të Institucionit të Avokatit të Popullit. Jo vetëm ndërkombëtarët që duhet ta  ndjekin këtë proces, por edhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet që t’i referohet parimeve themelore të Komisionit të Venecias,  dhënë në opinionin e tij nr. 897, “Për mbrojtjen dhe promovimin e Institucionit të Avokatit të Popullit”, të miratuar në mars 2019 nga ky komision, por dhe të pranuar dhe nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në muajin maj 2019. Nëse e duam, vërtet Shqipërinë, ky proces përpos Kushtetutës dhe Ligjit në fuqi, duhet të realizohet nga Kuvendi udhëhequr nga këto parime, ndërkohë qëndërkombëtar kanë rol të pazevendësueshëm në monitorimin e aplikimit të tyre. Nëse jo, do shkelim sërish keq, siç dhe kemi bërë me dekada me radhë, dhe ky proces do degragojë në produkt. Gjatë viteve të fundit, opozita është tërhequr nga shumë procese vendimtare për vendin duke i sjellë dëme të konsiderueshme popullit, ndaj është momenti të tregojë se ajo nuk është më në atë drejtim, por është kthyer në misionin publik që i takon asaj të bëjë. Në të kundërt edhe ky institucion kushtetutes, si shumë të tjerë do të uzurpohet nga mazhoranca, duke finalizuar kështu kapjen e shtetit në 100 % të institucioneve themelore të tij!