ARRSH zbraz thesin e dytë, 36 milionë euro për 306 patronazhistë që do numërojnë makinat me kamera

70
Sigal

Ja milionat për Qendrën e Monitorimit të Trafikut që do numërojë makinat me kamera e radarë, akset që do monitorohen dhe si do mblidhen tarifat e  rrugës në Tunelin e Llogarasë

 

Për milionat nuk ka trafik, nga 2022-2024 vëshojnë tenderat për ngritje godinash e pajisje në rrugë për t’i monitoruar makinat , lexuar targat apo për të punësuar “patronazhistë”. 36 milionë euro “avullojnë” për numërimin e makinat me kamera në 400 km rrugë nga rreth 15.000 km të rrjetit rrugor shqiptar.

NOA

1- Faza e dytë e vjedhjes: Tenderi 12 mln euro për Qendrën e Monitorimit të Trafikut që do numërojë makinat me kamera

Babëzinë me rrugët vetëm drejtësia e re nuk e sheh, pasi qytetarët kudo e nisin mëngjesin me stresin e vargut të makinave që i pret. Përpos kësaj, tenderët e rrugëve qofshin ndërtim apo mirëmbajtje janë shndërruar në një vjedhje skandaloze, që jepen me 99% të vlerës, ditën për diell rruga e re Korçë-Ersekë me kosto 60 mln euro u shemb duke u bërë e pakalueshme . Situata me trafikun është edhe rrezik i madh shëndetësor për qytetarët që do të thërrasin autoambulancat , sirena e të cilave “çan ajrin”, por e ka të pamundur të çajë rrugën.

Megjithatë, për milionat nuk ka trafik, ato e gjejnë rrugën. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për fazën e dytë të ndërtimit të Qendrës së Monitorimit të Trafikut. Limiti i fondit kap vlerën 12 milionë euro dhe është parashikuar që punimet të zgjasin dy vite. Në segmente të caktuara rrugore do të zbatohet Sistemi Inteligjent i Transportit dhe do të ndërtohen 6 stacione të mbledhjes së tarifës së rrugës në Tunelin e Llogarasë. Rreth 213.7 km rrugë të përzgjedhura me prioritet gjeografik për zbatimin e Sistemit Inteligjent të Transportit në këtë fazë të dytë, janë:

Milot – Lezhë – Shkodër – Hani i Hotit 76.3 km

Levan – Tepelenë – Gjirokastër – Kakavijë 110.8 km

Orikum – Dukat (hyrja në tunel) 14.7 km

Tunel Llogara – Palasë 7.4 km

Palasë – Dhërmi 4.5 km

Projekti ka si komponentë kryesorë sistemet, punimet dhe instalimet në rrugë, si dhe sistemet e komunikimit me pikat në rrugë. Instalimet në pikat e kontrollit do të konsistojnë në ndërtimin e urave metalike mbi rrugë, instalimin e pajisjeve të monitorimit si dhe të sinjalistikës, lidhjen e instalimeve me rrjetin elektrik dhe informatik. Mbi urë (në pjesën e poshtme të saj) dhe në kollona betoni në formë piramidale do të vendosen dhe të instalohen kamerat LPR për leximin e targave.

2-  Historiku 2-vjeçar i babëzisë

Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi në vitin 2022 tendera për ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Trafikut në disa rrugë në Shqipëri. Tenderi i parë ka të bëjë me ngritjen e një godine, brenda ARRSH-së, ndërkohë që tenderi kryesor është vendosja e disa pajisjeve në këto rrugë për t’i monitoruar. Por, të dy tenderët kanë një vlerë plot rreth 24 milionë euro. Por, nuk mbarojnë këtu shpenzimet , pasi në këtë qendër, që do të marrë emërtesën QMT, do të punësohen plot 306 punonjës. Por, nëse shteti ynë ka kaq para’ për të monitoruar trafikun apo për të punësuar “patronazhistë”, përse nuk bën një rrugë tjetër apo t’u vijë në ndihmë familjeve në nevojë?!

3- Ja rrugët që do monitorohen nga faza e parë, 200 km( kilometra – 22 mln euro)

Sipas dokumenteve, projekti në këtë faze fillestare kërkohet të fillojë ndërtimin e një Qendre Kombëtare, QKMT dhe 200 km të parë zbatimin e ITS, të cilat janë një nëngrup i rrjetit rrugor. Pra, për vetëm 200 kilometra nga 15 mijë km rrugë që ka gjithsej Shqipëria. Mësohet se projekti do të shtrihet në 13 segmente, ndërsa do të ketë 50 rampa. Në dokumente sqarohet se rrugët që do të impelentohen janë Tiranë – Durrës, Tiranë – Elbasan, Durrës – Plazh, Durrës – Kavajë, Kavajë – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Lushnje, Lushnje – Fier, Fier – Vlorë, Vorë – Ahmetaq, Qafë-Kashar-Rinas-Ahmetaq. Në dokumente shkruhet se rrjeti rrugor shqiptar ka një gjatësi totale prej rreth 15.000 km në vitin 2017. “Rrjeti kryesor i rrugëve kombëtare është 3.400 km dhe administrohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Krahas gjithë këtyre shpenzimeve për monitorimin apo edhe për punësimin e qindra punonjësve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar të tjera para’. Sipas dokumenteve ka zgjidhur “qesen”, duke hapur tenderin me objekt “ndërtim i godinës së Qendrës së Monitorimit të Trafikut”. Fondi për këtë tender është 205.543.896 lekë pa TVSH, ndërkohë që godina pritej të ndërtohet për 12 muaj. Por jemi në prill 2024 dhe ende nuk kemi ndonjë njoftim për finalizimin e kësaj godine.