Monopoli i kolaudimit të makinave, ka “kolauduar xhepat” e 3 ministrave dhe 9 deputetëve

1087
Gazeta “Telegraf”, po vijon të publikoj fakte skandaloze heshtjeje e pazaresh shtetërore, lidhur me abuzimet që bënë shërbimi monopol i kolaudimit të automjeteve. Nëse ka një shërbim “torturë” e zhvatës për shqiptarët, pas çmimeve të energjisë elektrike, ujit, biletave të avionëve, trageteve, ushqimeve, ilaçeve, shërbimit mjekësor e deri shërbimet funerale, ky është kolaudimi vjetor i automjeteve. Është shërbim i detyrueshëm. Por është edhe detyrim, që këtë shërbim kontrolli teknik, duhet ta kryesh vetëm në një kompani private koncesionare të huaj. 
Sigal

Kolaudimi/ 6 vite “torturë” në radha, çmime të larta, gjoba “teknike”, shpërfillje nga shteti

Prej 6 vitesh, kompania zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), ka “ngulur kthetrat” mbi këtë shërbim monopol gjigand e “minierë miliardash”, nëpërmjet përfitimit mafioz e të kundërligjshëm të koncesionit, pas pazareve të pista me ish-shtetarët shqiptar dhe pas pazareve të heshtura me shtetarët aktualë, të cilët prej 20 muajsh po e lejojnë të abuzoj këtë biznes “banditesk”, duke shfrytëzuar detyrimin ligjor për të bërë kolaudimin e mjeteve. Ky monopol, ka nisur në datën 3 shtator 2009, për një periudhë 10 vjeçare, me të drejtë përsëritje të kontratës edhe për 10 vite të tjerë, deri në 4 herë (40 vjet). Qysh prej 3 shtatorit të vitit 2009, kur kompania zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), nisi aktivitetin koncesionar të kolaudimit të automjeteve, shqiptarët janë përballur me një shërbim skandaloz si kohë shërbimi me radhë të gjata deri 10 ditore në pritje të kolaudimit dhe me çmime 70-140% më të larta se në vendet e BE. Por në qendrat e kolaudimit dhe zyrat e firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), shqiptarët që i çon ligji dhe detyrimi për kontroll teknik të automjeteve, janë përballur edhe me skandalin e përsëritjes së qëllimshme të kolaudimit të automjeteve, me qëllim që të paguajnë nga 2, 3 e 5 herë për një kolaudim, ku vetëm për vitin 2014, janë mbi 982 mijë raste pagesash shtesë prej kthimit për “mangësi” të shpikura nga punonjësit e firmës zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS)! Këto abuzime në përsëritje kontrolli teknik, radhët e gjata me ditë e javë për një kolaudim dhe shpërfillja e ankesave të qytetarëve, ndodhin mbasi kompania zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) është e vetmja që e kryen këtë shërbim në Shqipëri, pra monopol kombëtar lodhës, stresues e zhvatës financiarisht ndaj shqiptarëve. Shteti, në vend që të veprojë me masa ndëshkimi deri në heqje licence ndaj abuzimeve të firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), po vazhdon ta “përkëdhel” këtë firmë abuzive, për të cilën thuhet, se në këto 20 muaj ka “kolauduar” edhe xhepat e 3 ministrave dhe 9 deputetëve që kanë në dorë vendimet, urdhrat, ligjet dhe vendimet për fatin e koncesioneve, dy prej të cilëve janë Haxhinasto dhe Cani!

Në SHBA nuk bëhet kolaudim, në 22 vende të BE bëhet në qendra serivisi

Shteti shqiptar, që predikon “ditë e natë”, se po përdor përvojat dhe modelet më të mira evropiane në shërbimet publike, nuk po hedh asnjë hap konkret për të “kopjuar” modelet e vendeve të BE. Një nga këto shërbime në Shqipëri, që nuk ngjason fare me modelet e shërbimeve në vendet e BE, por që është edhe më keq se shërbimet në vendet e Afrikës, është kolaudimi i automjeteve. Është një shërbim monopol dhe i dhunshëm në çdo aspekt. Të duhen disa ditë në radhë, për të kolauduar makinën. Duhet të paguash ato çmime që dikton firma monopoliste. Duhet të kthehesh e të përsëritësh kontrollin kundrejt pagesave të përsëritura, aq sa herë dëshiron të fitoj (vjedh) firma. Duhet të bësh ato shërbime teknike në automjet, që të dikton firma. Nuk merr përgjigje për ankesat që bënë, as tek firma “Societe Generale de Surveillance” (SGS), as tek ministria “Haxhinasto”, as nga “posta antikorrupsion” e qeverisë, as nga institucionet e drejtësisë kur denoncon e hap procese gjyqësore ndaj kësaj firme, që duket se ka “kolauduar” gjithë shtetin. Një herë në vit, duhet të shkosh të bësh kolaudimin e automjetit atje ku gjenden qendrat e kontrollit teknik të firmës zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Përse duhet ta bësh atje dhe vetëm atje? Nuk themi që kjo firmë të mos ketë të drejtën e licencës për kolaudim mjetesh, por të mos ketë monopolin e kolaudimit të afro 600 mijë mjeteve që janë në Shqipëri, 40% prej të cilave i detyron të përsëritin me pagesa shtesë kolaudimin për shkaqe…kot! në vendet e BE, kontrolli teknik i mjeteve, ose kolaudimi siç quhet “popullorçe”, bëhet nëpër pika servisi e garazhe automekanike të licencuar. Në SHBA, p.sh., nuk bëhet fare kolaudim mjetesh. Në Itali, Gjermani, Francë, Austri e në Zvicër prej nga është kompania zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), kolaudimi i mjeteve të reja bëhet 1 herë në 5 vitet e para pas daljes në qarkullim dhe 1 herë në dy vjet pas 5 vitesh nga kolaudimi i parë dhe përherë bëhet nëpër servise të licencuar. Në vendet e BE nuk paguan taksë të dytë, në rast kthimi për plotësim mangësish në automjet. Ndërsa në Shqipëri, kjo firmë shërben si monopol, që gjithë mjetet duhet të kolaudohen vetëm tek ajo. Që pas çdo kthimi për mangësi e defekte, duhet të paguash aq herë sa kthehesh. Që kontrollorët e kësaj firme të nxjerrin defekte në pjesët dhe pajisjet elektrike, motorike e xhenerrike të shtrenjta, mbasi janë lidhur me forma tregu të auto-pjesëve të këmbimit në Tiranë, të cilave u kanë punësuar edhe ekspertë të instruktuar për të kthyer mjetet në kolaudim me detyrimin për të ndërruar pjesët dhe pajisjet e këmbimit. E për këto nuk kërkon askush llogari edhe pse ka denoncime të shumta.
———————————————————-

Ja vendimi me 9 detyrat e lëna nga Autoriteti Konkurrencës në datën 18 prill 2014, për liberalizmin e kolaudimit të makinave, të cilat ministri Haxhinasto nuk i zbaton

Pa asnjë koment, po citojmë pjesë nga rekomandimet që Autoriteti i Konkurrencës i Shqipërisë, i ka dërguar Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto për zbatim, pas denoncimeve të shumta nga qytetarët për abuzimet në kolaudimin e automjeteve dhe pas kontrollit të bërë prej këtij autoriteti në këtë shërbim monopol. Ja rekomandimet:

VENDIM Nr. 312, datë 18.04.2014

“Për disa rekomandime në lidhje me funksionimin e tregut të shërbimit të kontrollit teknik të automjeteve”. 

Komisioni i Konkurrencës, me pjesëmarrjen e Lindita Milo (Lati) kryetare, Rezana Konomi zv/kryetare, Servete Gruda anëtare, Koço Broka anëtar, Iva Zajmi anëtare, në mbledhjen e tij të datës 10. 04. 2014, shqyrtoi çështjen me objekt: “Shqyrtimi i “Raportit të monitorimit në tregun e shërbimit ekskluziv për kontrollin teknik të automjeteve dhe rekomandimet përkatëse” në zbatim të Ligjit Nr 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ( i ndryshuar), baza ligjore Ligji nr 9121, datë 28. 07. 2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), neni 24, shkronja “f”, si dhe neni 70, pika “2”, ka konstatuar:
1. Ministria e Transportit, në kohën kur ka nënshkruar marrëveshjen për dhënien e koncesionit “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë”, nuk e ka zbatuar detyrimin e parashikuar në nenin 69, pika “1” shkronja “b” të Ligjit për të kërkuar vlerësimin e Autoritetit te Konkurrencës për dhënien e të drejtës ekskluzive të kontrollit teknik të automjeteve.
2. Ky shërbim, sipas ligjit dhe kontratës koncesionare, i është dhënë e drejta e ushtrimit të kësaj veprimtarie vetëm një operatori në mënyrë ekskluzive, e cila përbën një kufizim sasior për hyrjen në këtë treg.
3. Shqetësimi publik lidhet përgjithësisht me kufizimin sasior të pikave të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm vjetor sidomos për rrethet e mëdha, kryesisht Tiranë, që ka sjellë si pasojë radhë të gjata.
4. Shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve, për sa i përket tarifave në Shqipëri, rezulton se janë më të larta se ato të aplikuara para nënshkrimit të kësaj marrëveshje (janë rritur) dhe se tarifat në shumë nga vendet e BE.
5. Kontrolli teknik i automjeteve në vende të ndryshme të BE dhe të botës, ofrohet i decentralizuar, ku kontrolli teknik kryhet nga disa operatorë, të cilët kryejnë dhe shërbimin e servisit.
6. Në Shqipëri, nuk zbatohet Legjislacioni i ri i Bashkimit Evropian/direktiva e re për koncesionet e miratuar nga Këshilli në datën 11 Shkurt 2014 (32014L0023) Direktiva 2014/23/EU e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Evropës e datës 26 Shkurt 2014, mbi dhënien e kontratave të koncesioneve tip OJ L 94, 28/03/2014, p. 1–64). Kjo direktivë përcakton standardet për kontratat e koncesionit, për të siguruar një konkurrencë të drejtë dhe për të siguruar përdorimin më të mirë të fondeve publike.
7. Komisioni i Konkurrencës, bazuar në Nenin 24, germa (f), nenin 69, pika 1, neni 70 pika 2, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, (i ndryshuar, vendosi, të kërkojë për zbatim prej Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, që në një periudhë afat-shkurtër (3-4 muaj), të kërkojë nga koncesionari “Societe Generale de Surveillance” (SGS) të krijojë më shumë se një alternativë për zgjedhjen e konsumatorit për kryerjen e kontrollit të detyrueshëm teknik vjetor të automjeteve në qytetin e Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Gjirokastrës.
8. Të krijohet mundësia e ofrimit të kontrollit teknik të automjeteve nga disa operatorë.
9. Të zbatoj menjëherë, Direktivat BE të datës 11 Shkurt 2014 dhe datës 26 Shkurt 2014, lidhur me rregullat e reja për koncesionet duke zbatuar parimin e transparencës dhe konkurrencës së lirë dhe të përcaktoj kriterin e “tenderit me avantazhin më të mirë ekonomik.
———————————-

Ja 22 vendet e BE, ku kolaudimi bëhet në qendra servisi 

1. Austri
2. Belgjikë
3. Bullgari
4. Kroaci
5. Çeki
6. Danimarkë
7. Estoni
8. Finlandë
9. Francë
10. Gjermani
11. Greqi
12. Hungari
13. Irlandë
14. Itali
15. Luksemburg
16. Maltë
17. Norvegji
18. Poloni
19. Portugali
20. Sllovenia
21. Spanjë
22. Suedi
———————————————————–

Në numrat e ardhshëm, do të lexoni:

1. Si janë tarifat e shërbimit të kolaudimit në Shqipëri, në krahasim me vendet e BE?
2. Sa pika kontrolli teknik duhet të kishte hapur firma zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në Shqipëri, sipas detyrimit të kontratës koncesionare?
3. Përse u rritën çmimet e kolaudimit në gusht 2013, kur sipas kontratës nuk do të rriteshin për 10 vite?
4. Sa fiton dhe sa të ardhura vjetore raporton në organet shtetërore shqiptare “Societe Generale de Surveillance” (SGS)?
5. Çfarë tregon një bilanc vjetor i kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS)?
6. Sa përqind detyrime fitimi vjetor, arkëton kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS) dhe prej sa vitesh nuk arkëton këtë detyrim?
7. Si e “qetësuar” kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS), një kontroll të krimit ekonomik?
8. Sa pika të kontratës, ka shkelur dhe sa pika ka ndryshuar kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në pazar me shtetin shqiptar?
9. A ka raportuar dhe ku ka raportuar kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS), për aktivitetin e saj koncesionar në këto 6 vite?
10. Cili është abuzimi (vjedhja) që u bëhet qytetarëve, me periudhën kohore të kolaudimit?
11. A ka “dorë”kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS), në bllokazhin e distributorëve të tregut të makinave, për të mos bërë kolaudime?
12. cilat janë të dhënat e kompnisë kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në dosjet e tatim-taksave shqiptare? 
13. Kush e mbron aktivitetin abuziv të firmës dhe me me çfarë e ka “konvertuar” mbajtjen e licencës koncesionare monopol, kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS)?
—————————————-

Ekspertët dhe qytetarët: Liberalizimi i kolaudimit, emergjencë

Qysh në privatizimin e këtij shërbimi, qeveria e ka përqendruar kolaudimin, në një dorë të vetme kontrolli e administrimi. Në këtë lloj shërbimi, faktet e këtyre 6 viteve pas kalimit me koncesion privat, po tregojnë se në kolaudim-regjistrimin e automjeteve në Shqipëri, nuk ndryshoi cilësia dhe struktura funksionale teknike e shërbimit ndaj mjeteve e qytetarëve, por ndryshoi vetëm emri i pronarit: nga pronësi shtetërore, në pronar koncensionar privat të huaj me emërtesën “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Specialistët i kanë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëjnë apel qeverisë e Ministrisë së Transportit e konkretisht ministrit Haxhinasto, që të ndërhyjë urgjentisht për të bërë një riformatim tjetër të këtij shërbimi, me tregues funksional e cilësor, sipas Legjislacionit të ri të BE, konkretisht Direktivës së re për koncesionet, miratuar nga Këshilli Evropës në datën 11 Shkurt 2014 (32014L0023) dhe Direktivës 2014/23/EU të Parlamentit Evropian e KE, të datës 26 Shkurt 2014, mbi dhënien e kontratave të koncesioneve “tip” OJL94, datë 28/ 03/ 2014. Ekspertët, theksojnë, se ka ardhur koha dhe është tepër emergjente, që ky lloj shërbimi të shkëputet nga monopoli i një firme të vetme, duke u liberalizuar, për të eliminuar kohë-vonesat e shërbimit, të cilat përveç qëllimit korruptiv e abuziv të punonjësve, shkaktojnë dhe vonesa shërbimi prej numrit të madh të mjeteve e kategorive të mjeteve. Fakti që sektori i transportit rrugor ka marrë një zhvillim në sasi e llojshmëri, dikton liberalizmin e këtij shërbimi. Siç e kemi theksuar, kërkesa, hapësira dhe lehtësi për liberalizim të këtij shërbimi ka shumë, por shteti nuk e aprovon, edhe pse ligji e lejon dhe e dikton këtë prishje monopoli bllokues, zhvatës e stresues. 

Kontrollorë që krijojnë kaos

Kupola e këtij “skenari” me praktikat e shërbimit të kolaudim-regjistrimit primitiv e rrumpallë që lodh, zhvat, shkatërron biznesin dhe që “ha” kohën e qytetarëve është firma zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Sipas ekspertëve të fushës së transportit teknik rrugor, nuk ka asnjë motiv konkret që të krijohet kjo gjendje e rënduar në këtë shërbim të rëndësishëm e përcaktues për zhvillimet e biznesit dhe të organizimit të jetës publike të qytetarëve. Pra, nuk ka asnjë arsye objektive, që në këtë lloj shërbimi të ketë kaos e padrejtësi, abuzime dhe vonesa të qytetarëve. I vetmi shkak është skema e qëllimshme, që ka ndërtuar kupola drejtuese e kësaj firme koncensionare monopoliste në Shqipëri, për të përfituar deri abuzivisht sa të mundet dhe si të mundet prej kolaudimit e regjistrimit të mjeteve. Mjafton të vëzhgosh vetëm një orë praktikën rutinë të shërbimit në këto qendra dhe vërtetohen gjithë ankesat që bëjnë qytetarët. Punonjësit në këto qendra edhe pse janë me shumicë, nuk kryejnë secili detyrën e tyre, madje as qëndrojnë në vendet e punës. Drejtuesit e mjeteve, nuk kanë asnjë mundësi konkrete, ku të parkojnë makinat, mbasi mungojnë hapësirat e mundshme dhe mbushin korsitë anësore të rrugës nacionale.