Vangjush Saro: Shqipëria, në zhvillim apo në rrugë pa krye?

221
Sigal

 Duke përfituar nga kaosi në krahun e Opozitës, si dhe njëlloj prirjeje e aleatëve për të mbyllur sytë për hir të termit stabilitet, Kryeministri Edi Rama dhe gjithë klani i tij, nëpër Shqipëri apo në Bashkinë e Tiranës, po kalojnë një periudhë qetësie dhe mbrothësie, çka do të thotë se “punët e tyre shkojnë vaj”. Në të gjitha temat delikate për të cilat media dhe përfaqësues të Opozitës kanë ngritur zërin, nuk ka përgjigje bindëse, nuk ka një bisedë serioze dhe me argumente. Ka vetëm demagogji dhe polemika në të cilat “fiton” kush bërtet më shumë; ose “ai që ka topin”. M. Friedman thotë: “Si mund të përfitojmë nga premtimi  i qeverisë dhe ndërkohë të evitojmë kërcënimin e saj ndaj lirisë? Së pari, fusha e veprimtarisë së qeverisë duhet të jetë e kufizuar…” Këtu mbaron filmi, s’ka qenë e mundur asnjëherë, askund, ca më shumë te ne.  Por ndërkohë, me këmbëngulje duam të kuptojmë nëse vendi po përparon, po zhvillohet, apo në të kundërtën ka hyrë në rrugë pa krye. Kjo pyetje është rënduar shumë këto kohë. Janë disa tema ku po përplas kokën qytetari dhe shtetarët. Sipas shtypit, afera e inceneratorëve (mediat janë marrë gjerë me këtë temë) është një skandal i përmasave të paimagjinueshme. Është një investim që kushtoi mbi 400 milionë euro dhe paqe nuk ka. U tha se në dokumentacionin e kontratave koncesionare “ka shkelje ligjore”, po bëhen hetime nga SPAK, ka një Komision Parlamentar që gjithashtu po rreh të gjejë çfarë ka ndodhur me inceneratorët. Për atë të Elbasanit u fol se digjte vetëm një pjesë të papërfillshme të mbetjeve (!) Për atë në Tiranë vlerësimet janë të ndryshme, për të Fierit thuhet se është në proces kolaudimi. Gjithsesi, ende nuk ka një shpjegim të vërtetë nga ata që, për tema të tjera, s’u mbyllet goja. Po ashtu, pikëpyetjet janë bërë gri mbi qiellin e Durrësit dhe… mbi Portin e Durrësit. Prapë nuk ka përgjigje dhe pak e vështirë të ketë aso edhe më tej. Vihet re, ndërkaq, një zell i madh për të ndërtuar me çdo kusht – duke përballuar çdolloj pengese – ndërkohë që popullsia e vendit vetëm rudhet… Këtë e tregoi shembja e atij pallatit prapa Ministrisë së Punëve të Jashtme; (u tha për shkak të “gjurmëve” nga tërmeti). Këtë e tregon sidomos “lufta” e madhe që po bën Bashkia e Tiranës por edhe vetë Kryeministri me banorë të lagjes “5 Maji”, të cilëve, rast pas rasti, shefi i Qeverisë u kthen përgjigje, duke e justifikuar tërbimin ndërtues me… nevojat për strehim. Anipse, e pranoj, jam i dyzuar në këtë përplasje, për shkak të pikëpyetjeve rreth pronësisë mbi tokën dhe qëllimeve reale të Qeverisë, po ndalem në një nga batudat e Kryeministrit, sipas të cilit “zhvillimin dhe strehimin e familjeve në nevojë nuk e merr dot peng askush…” Etj. Nëse e zgjerojmë vështrimin sa i takon fushës, i bie që i gjithë ky zell ndërtues dhe këto kulla që mbijnë njëra pas tjetrës, kanë si objektiv… strehimin e familjeve në nevojë dhe pra, këtë dukuri (sipas Kryeministrit këtë nevojë, hë?) nuk e merr dot peng askush… Po a është kështu? Qytetarët gjithnjë janë ankuar se mungojnë hapësirat sociale; (temë e rrahur modestisht edhe nga autori i këtyre radhëve). Nga ana tjetër, kemi lexuar që mosha e tretë, dalëngadalë, po bëhet “moshë e parë” ose shumicë në popullsinë e shumë qyteteve. Pra, pak mund të besojmë se janë ata “qytetarët dhe familjet në nevojë” (për strehim.) Ani. Meqë mbërritëm këtu, le të na tregojnë, Kryeministri dhe ata që janë pas tij, sa (shumë) apartamente e pallate të ndërtuar gjithë në këtë “zulëm”, janë… bosh (fjalë turke?) të zbrazët, të pashitur, pra. Nuk kemi një evidencë apo shpjegim as në këtë temë. Si i bëhet? Eseisti dhe kolumnisti amerikan S. Strunski thotë se zemra e demokracisë janë statistikat. Sigurisht që është një pohim i saktë. Ca më lart, i qamë me lot ato. (Nuk matet përparimi me import… bananesh, as me investime pompoze, që… bien erë.) Por le të kërkojmë edhe gjetkë. Ka pasur ndryshime të gjithkohshme në disa aspekte: rrugë, tunele, shkolla, hoteleri, disa shërbime shtetërore. Por në tregues të tjerë, jo: Të ardhurat për frymë. Paga minimale. Situata e krimit. Mjedisi dhe ndotja. Gjelbërimi. Numri i nxënësve për një mësues a klasë, etj. Për këto ngecje nuk ka përgjigje ose argumente inspiruese; ka demagogji. Dhe siç na kujton F. Kafka, “të besosh te progresi, nuk do të thotë të besosh që është bërë vërtet ndonjë aso.” Tani, si për të vënë ndonjë pikë mbi I, meqë qarkullon “para e madhe”, shumëkujt i pëlqen të thotë se vendi po zhvillohet, anipse ka disa mënyra për ta matur këtë zhvillim; (sikundër ka prirje për ta fshehur burimin e parave.) E habitshmja është se njerëzit e pushtetit, sido që të vërtiten argumentet, thonë që ja, po hetohet… Po pse more, zotëri, kohë e pa kohë duhet të shkojmë zdruq-zdruq për hetime? Kështu do ta kalojmë ne, duke vjedhur, duke gënjyer, duke hetuar?  Ndërkaq, statistikat, për të cilat u fol më lart në parim, janë një mënyrë (në fakt, e vetmja) për të treguar zhvillimin (ose jo) të një vendi. Këtu e në gjitha sa parashtruam, mund të thonë ndonjë fjalë e mund të bëjnë ndonjë investigim më tej: edhe mediat që rëndom laçojnë hire femrash soj-soj; edhe ambasadorët disa prej të cilëve janë aktivë në çdo hollësi, por siç thotë i urti Krillov, nuk shohin elefantin; edhe KLSH, Avokati i Popullit, AMF, SPAK, BKH, etj., se me këto të fundit jemi mirë edhe si statistikë…