Ekonominë nuk e rritin shpenzimet e konsumit, por prodhimi

321
Sigal

 Prof.Alqi Naqellari: Ekonominë nuk e rritin shpenzimet e konsumit, por prodhimi. Ku shkojnë, si klasifikohen shpenzimet që bën qeveria për PPP, borxhi dhe përse nuk kemi rritje ekonomike. Rritja selektive, pagat dhe deklarata monumentale e ish-Presidentit Regan për Qeverinë amerikane.

 

Ku shkojnë, si klasifikohen shpenzimet që bën qeveria për PPP-të dhe për koncesionet? Përse nuk kemi rritje ekonomike

 Përfundimisht ekonomia nuk rritet me rritjen e shpenzimeve të konsumit, por rritet me rritjen e prodhimit dhe përpunimit të karburanteve, energjisë, mineraleve, me rritjen e prodhimit dhe riorganizimit të prodhimit bujqësor.

 Është e habitshme që vazhdon akoma prej drejtuesve të institucioneve të larta shtetërore dhe të Bankës Qëndrore të thuhet se rritja ekonomike do vijë nga rritja e shpenzimeve të konsumit krahas rritjes së shpenzimeve për investime. Për rritjen e 2022 thuhet se 2.3% e rritjes ekonomike do vijë nga rritja e shpenzimeve të konsumit. Ky është një gabim, sepse rritja ekonomike nuk vjen nga rritja e shpenzimeve të konsumit, por nga rritja e kursim-investimeve, e prodhimit. Shpenzimet e konsumit janë reflektim i shitjeve të prodhimit, janë mënyrë e llogaritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe jo faktor ndikues e përcaktues në rritjen e tij. PBB në Shqipëri llogaritet si shuma e KF (Konsumit final) + FBKF (Formacion Bruto i Kapitalit Fiks) + NGJ (Ndryshimi gjendjeve) + NX (Eksport Neto). Vetë konsumi ndahet në tri grupe, Konsum final i popullatës (FC) + Konsum i administratës publike (GC) + Konsum nga Organizatat jo fitimprurëse (NPSHs) ose C = (X + M) – (N + I + G + E) ku  X = prodhimi, M = importet, N = Konsum i ndërmjetëm, I = FBKF, G = Ndryshim i gjendjeve dhe E = Eksporti). Kështu nuk mund të ndikojë rritja e shpenzimeve të konsumit në rritjen ekonomike. Shifrat tregojnë që nuk ka ndikuar, sidomos rritja e shpenzimeve qeveritare.

Llogariteni që në Shqipëri ka 688 mijë pensionistë dhe pritet që çdo vit ky grup të rritet me të paktën 40 mijë veta. Rritja ekonomike nuk e ka justifikuar rritjen e pensioneve.

Konsumi final nga 2013 në 2021 është rritur me 25.6% ndërsa Formacioni Bruto i Kapitalit Fiks 7.1%, Kërkesa e Brendëshme me 21.5%, PBB-ja me 25.3% dhe E ardhura Kombëtare Bruto me 21.6%. Kjo do thotë se konsumi është rritur me rritëm më të lartë se PBB-ja. Konsumi Final i Administratës Publike është rritur me 29%. Të dhënat tregojnë se edhe rritja e shpenzimeve qeveritare nuk ka ndikuar as 1/1 në rritjen e PBB-së. Në këtë mënyrë të pretendosh se me rritjen e shpenzimeve të konsumit do rritet ekonomia është një gabim i madh. Ky gabim e ka burimin te Teoria Keynsiane, te përdorimi i multiplikatorit. Por le ta aplikojmë me të dhënat tona këtë teori (MPC, M) dhe të shikojmë se çfarë rezultatesh do kemi. MPC(Prirja Marxhinale për Konsum) për 2014/2013 është 1.66, 2015/2014 është 0.69, 206/2015 është 0.92, 2017/2016 është 0.94, 2018/2017 është 0.83 dhe 2019/2018 është 1.84. Pra kemi 2 vite me MPC mbi 1 që do të thotë se kemi shtesë shpenzime konsumi më shumë se shtesa e të ardhurave. Kjo ndodh jo vetëm me Të ardhurat Kombëtare, por edhe me PBB. Të nxjerrësh MPC duke marrë në konsideratë PBB-në në 2016 dhe në 2019 kemi MPC më të lartë se 1, në 2019 ka qenë 1.17. Kjo do thotë që nëse llogarisim Multiplikatorin e thjeshtë ai do jetë përkatësisht -1.19 dhe -5.8. Nëse do përfshijmë taksat që e kthejnë PBB-në në Vlerë të shtuar Bruto do kemi një multiplikator  nga -0.61 në 2019 deri në 0.17 në 2017. Pra shihet qartë se nuk kanë fare ndikim shpenzimet e konsumit në rritjen e ekonomisë.

Rritja ekonomike sigurohet nga rritja e kursimeve dhe investimeve. Investimet nga 2013 deri në 2021 janë rritur vetëm 7.1%, çfarë mund të pritet me një ritëm të tillë të investimeve? Sa i përket sferës së kursimeve mjafton të themi se në vitet e fundit depozitat me afat në lekë janë ulur ndërsa janë rritur në mënyrë të shfrenuar PJB (Paratë Jashtë Banke) që do të thotë se është rritur ekonomia jo formale, është rritur evazioni fiskal. Nga 2018 – 2021 depozitat me afat në lekë ishin 252.7 mld, 234 mld, 225 mld dhe 217 mld në tetor të 2021 ose me -14%. PJB janë rritur nga 275.8 mld në 358 mld në tetor 2021 ose me +30%

  1. Çfarë thotë Teoria Keynsiane për rritjen ekonomike?

Teoria Keynsiane për rritjen ekonomike thekson se ekonomia rritet e para, nga shpenzimet Autonome që nuk varen nga PBB-ja, dhe e dyta nga rritja e MPC ose Prirjes Marxhinale për Konsum. Domethënë sa më shumë të rriten shpenzimet qeveritare nëpërmjet borxheve, dhe sa më shumë të konsumojnë njerëzit nga prodhimi vjetor i PBB-së aq më shumë do rritet ekonomia. Kjo teori është e gabuar, sepse nuk niset nga prodhimi, por niset nga konsumi, nuk niset nga struktura e kostos, por modelin e Barazisë dyfishe të prodhimit e interpreton si model ekuilibri në fushën e konsumit. Nuk merr në konsideratë kursimet dhe investimet e brendëshme. Të vlerësosh shpenzimet autonome, ku përfshihen borxhet, pagat fikse, detyrimet e tjera pavarësisht sa realizohen të ardhurat nga taksat është një marrëzi në interes të atyre që japin borxh, veçanërisht në një ekonomi të kalbur si ekonomia shqiptare. Të paktën duhet menduar që rritja e borxhit të shoqërohet me të njëjtin rritëm të rritjes ekonomike, në mënyrë që faktorët e tjerë të ndikojnë për ta kaluar këtë shifër dhe të mos merret borxh për shlyerjen e borxhit. Po çfarë ka ndodhur në Shqipëri?. Në Shqipëri merret borxh për të shlyer borxhet dhe jo në sensin e rritjes ekonomike. Shpenzimet qeveritare nuk e rritin dot ekonominë, ato e mbështesin biznesin, sepse nga bizneset sigurohet rritja ekonomike. Qeveria nuk realizon dot, sidomos qeveria shqiptare, investime prodhuese, si ringritja e Kombinatit të Ballshit, etj. Qeveria shqiptare pronën shtetërore, ndërmarrjet shtetërore i konsideron si socialiste dhe kërkon që gjithçka ta privatizojë. Ky mentalitet, ky koncept  ekziston tek ata njerëz që nuk e dinë fare se çfarë është kapitalizmi.

Abuzimet dhe shpërdorimet më të mëdha bëhen pikërisht nga qeveria. Në Shqipëri kjo është më e theksuar. Nga kontrolli që ka ushtruar Komisioni i Kontrollit të Shtetit në 7 vjet janë shpërdoruar 6.5 miliardë euro. Nëse do të ishin në duar të privatit këto shuma monetare ai do kishte investuar në sektorin prodhues dhe jo në objekte pa kurfatë efektiviteti dhe ku mund të abuzohet lehtësisht me shpenzimet

Si qëndron raporti midis rritjes së borxhit dhe rritjes ekonomike?

Në vitin 2013 PBB-ja ishte 1350 mld/All ndërsa borxhi 884 mld/All. Për vitin 2021 PBB-ja ishte 1681 mld/All dhe borxhi ishte 1370 mld/All. Kështu rritja në shumë absolute e PBB-së nga 2013 në 2021 ishte 332 mld/All dhe borxhi 486 mld/All. Shifrat absolute tregojnë se rritja e borxhit është më e lartë se rritja e PBB-së. PBB-ja është rritur me 19.7% dhe Borxhi publik është rritur me 35.5%. Në këtë mënyrë borxhi ka shkuar për të shlyer borxhet dhe jo për rritjen ekonomike.

b)Kush shpenzon më me efektivitet qeveria apo biznesi?

Përgjigja është se me efektivitet shpenzon biznesi dhe jo qeveria. Vetë qeveria është problem i qeverisë. Abuzimet dhe shpërdorimet më të mëdha bëhen pikërisht nga qeveria. Në Shqipëri kjo është më e theksuar. Nga kontrolli që ka ushtruar Komisioni i Kontrollit të Shtetit janë miliarda lekë shpërdorime:

Viti           Vlera e shpërdoruar në All(lek)

2014    24,491,418,000.00

2015    161,075,127,000.00

2016    72,325,000,000.00

2017    110,500,000,000.00

2018    213,900,000,000.00

2019    130,511,594,000.00

2020    88,060,971,000.00

Në 7 vjet janë shpërdoruar 800,864,110,000.00 lekë ose me kursin e 2020,(123.77All/1euro) shpërdorimi është 6,470,583,420.00, pra rreth 6.5 miliardë euro shpërdorim në 7 vite. Nëse do të ishin në duar të privatit këto shuma monetare ai do kishte investuar në sektorin prodhues dhe jo në objekte pa kurfatë efektiviteti dhe ku mund të abuzohet lehtësisht me shpenzimet.

Çfarë konsideratash ka dhënë Presidenti Amerikan Ronald Regani për Qeverinë?

Në vitin 1981, Ronald Reagan na tha: “Qeveria nuk është një zgjidhje për problemin tonë; Qeveria është problemi.” Në vitet 1990, Bill Clinton pretendoi se “epoka e qeverisë së madhe ka përfunduar”. Donald Trump fajësoi për vështirësitë e kombit “shtetin e thellë”.

Për 40 vitet e fundit, udhëheqësit e lartë Amerikanë e bindën publikun amerikan se qeveria është shumë e madhe dhe shumë, shumë e keqe. Ata vulosën marrëveshjen e qeverisë së vogël me shkurtime pafund taksash, shkurtime shpenzimesh dhe privatizim të sektorit publik.

Sipas Pew Research Center, besimi i amerikanëve në qeveri ra nga 73 përqind në 1958 (Eisenhoëer), në 54 përqind në 2001 (G.W. Bush) në një nivel më të ulët historik prej 17 përqind në 2019 (Trump).

Në fjalimin e tij të 11 marsit, Presidenti Biden u ankua: “Ne humbëm besimin nëse qeveria jonë dhe demokracia jonë mund të japin gjëra vërtet të vështira për popullin amerikan”. Me Planin e tij të Shpëtimit Amerikan prej 1.9 trilion dollarësh, zoti Biden pranoi se rivendosja e besimit të publikut te qeveria dhe besimi në demokraci kërkon, fillimisht, riparimin dhe forcimin e rrjetës së sigurisë të kombit të copëtuar rëndë.

Roland Regani përmblodhi efektin e ndërhyrjes së qeverisë tek të varfërit duke thënë: “Disa vite më parë qeveria federale i shpalli luftë varfërisë dhe varfëria fitoi.” (Washington, D.C.” “Për dekada ne kemi grumbulluar defiçit mbi defiçit, duke hipotekuar të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë për lehtësinë e përkohshme të së tashmes. Të vazhdosh këtë prirje të gjatë do të thotë të garantosh trazira të jashtëzakonshme sociale, kulturore, politike dhe ekonomike”.

Thënia më e famshme e tij është shprehur në fjalimin e parë inaugurues, që shkroi vetë Regani. Ai iu drejtua gjendjes së keqe ekonomike të vendit duke argumentuar: “Në këtë krizë të tanishme, qeveria nuk është zgjidhja e problemit tonë; qeveria është problem (In this present crisis, government is not the solution to our problem; government is the problem). Herë pas here ne jemi tunduar të besojmë se shoqëria është bërë shumë komplekse për t’u menaxhuar nga vetëqeverisja, se qeverisja nga një grup elitar është superiore ndaj qeverisë nga dhe për popullin. Por nëse askush nga ne nuk është i aftë të qeverisë veten e tij, atëherë kush prej nesh ka aftësinë të qeverisë dikë tjetër”. (20 janar 1981, Washington DC).

Për situatën  e ekonomisë thekson” “Koha për të rimarrë fatin tonë”. Fjalimi për pranimin e nominimit presidencial në Konventën Kombëtare Republikane të vitit 1980. Lidhur me kundërshtarin demokrat Jimmy Carter ai tha: “Recesioni është kur fqinji juaj humbet punën e tij. Një depresion është kur ju humbni tuajën. Dhe rimëkëmbja është kur Jimmy Carter humbet të tijën.”(17 korrik 1980, Detroit MI).

Ndërsa për madhësinë e qeverisë është shprehur: “Kalifornia dhe problemi i rritjes së qeverisë”. “Kostoja e qeverisë së Kalifornisë është shumë e lartë. Kjo ndikon negativisht në klimën tonë të biznesit. Ne do të shtrydhim, shkurtojmë dhe shkurtojmë derisa të ulim koston e qeverisë.”(5 janar 1967, Sakramento). Ne jemi një komb që kemi një qeveri – jo anasjelltas. Dhe kjo na bën të veçantë mes kombeve të tokës. Qeveria jonë nuk ka fuqi përveç asaj që ia ka dhënë populli. Është koha për të kontrolluar dhe rikthyer rritjen e qeverisë, e cila tregon shenja se është rritur përtej pëlqimit të të qeverisurve”.

Ndërsa objektivin e parë të qeverisë së tij ai cilëson: “E pra, objektivi i kësaj administrate do të jetë një ekonomi e shëndetshme, e fuqishme dhe në rritje, e cila ofron mundësi të barabarta për të gjithë amerikanët, pa pengesa të lindura nga fanatizmi ose diskriminimi. Të kthesh Amerikën në punë do të thotë të kthesh në punë të gjithë amerikanët. T’i japësh fund inflacionit do të thotë të çlirosh të gjithë amerikanët nga terrori i kostove të arratisura të jetesës”.

Henry I Miller në një analizë të tij (Pse qeveria është problemi (dhe çfarë duhet bërë për të) shprehet: P.J. O’Rourke, satiristi politik dhe autori, ka thënë se t’i japësh para dhe pushtet qeverisë është si t’u japësh uiski dhe çelësa makinash djemve adoleshentë. Jam dakord, por ai ngre një pyetje qendrore të trajtuar nga shumë këndvështrime në këtë vëllim: Pse është qeveria problemi?

Ka një sërë arsyesh. Në rrënjë të shumë prej tyre është interesi vetjak burokratik dhe komercial në konflikt me interesin publik. Në këtë kapitull marr parasysh marrëdhëniet midis industrisë së bioteknologjisë (siç përfaqësohet nga shoqatat e saj tregtare) dhe agjencive federale; dhe sistemi i stimujve burokratike, dekurajimeve, shpërblimeve dhe ndëshkimeve brenda FDA dhe EPA që ndikon në vendimmarrjen e zyrtarëve”.

c)Shpenzimet efektive rriten nga rritja e popullsisë dhe rritja e të ardhurave jo selektive.

Kemi dy faktorë kryesorë që ndikojnë në rritjen e shpenzimeve të konsumit: është rritja e numrit të popullsisë dhe rritja e të ardhurave, paga-pensione. A janë rritur këto tregues në Shqipëri në mënyrë që të kemi rritje të të ardhurave. Përgjigja është jo, është ulur numri i popullsisë nga viti në vit, jo vetëm nga largimi jashtë vendit, por edhe nga ulja e lindjeve në krahasim me numrin e vdekjeve.

Nga viti 1990 deri në 2021 nga Shqipëria janë larguar mbi 1.7 milionë njerëz. Nga viti 2013 deri në vitin 2020 janë larguar mbi 381 500 njerëz në moshë pune.

Njerëzit largohen për shumë arsye: E para, mungesa e besimit për të ardhmen, e dyta, situata e keqe ekonomike, e treta, trajtimi i pabarabartë i njerëzve të ndarë prej partive politike, e katërta, nepotizmi, e pesta, korrupsioni, e gjashta, kriminaliteti etj.

Të ardhurat në Shqipërim mund të jenë rritur, por kjo nuk ka ardhur nga rritja e parashikuar e PBB-së, por nga ulja e numrit të frymëve. Norma e papunësisë mund të jetë ulur, por kjo jo nga rritja e të punësuarve, por nga largimi i krahëve të aftë për punë.

Si ndikon hendeku i të ardhurave në shpenzimet e konsumit?

Në Shqipëri 31.5% e popullsisë përfshihen në persona me të ardhura nën 5.5$, pra në grupin e njerëzve nën nivelin minimal të varfërisë. Rreth 51% janë në prag të varfërisë. Atëhere pyetja shtrohet kush shpenzon? Të pasurit, të varfërit? Të ardhurat nuk janë rritur njësoj dhe paga mesatare nuk tregon të vertetën, sepse ka diferencime shumë të mëdha midis pagës maksimale dhe pagës minimale me dhjetra dhe qindra herë. Nga një analizë që i kemi bërë Pasqyrës së pageave duke i ndarë në dhjetë grupe mund të themi.

Çdo grup ka nga 63000 punonjës. Këtu shihet diferenca midis grupit të parë dhe të dhjetë. Paga mesatare ndryshon me 10.5 herë. Tre grupet e fundit kanë pagën mesatare  shumë më të lartë se grupet e tjera.

31500 të punësuar ose 5% e numrit të punonjësve kanë 6,139,698,667.00 lekë ose 20.6% të stokut të pagave gjithsej. Nga 100 mijë e lartë janë 41486 ose 6.5% dhe kanë një fond prej 7,178,321,609.00 ose 24.2%.

80780 ose 12.7% nuk raportojnë asnjë lek pagë. Me pagë 30 mijë lekë janë 149835 punonjës ose 23.5% dhe marrin 15.1% të fondit të pagave(4,495,080,000.00). Nga 10 mijë deri në 30000 janë 43487, 6.8% dhe kanë 3.1% të fondit të pagave(933,139,507.00). Më pak se 10000 janë 98061 punonjës , 15.4% dhe kanë 79,087,766.00 lekë ose 0.27% të fondit të pagave. Fondi i pagave gjithsej është mbi 29 miliardë lekë. 1598 kanë nga 1 deri në 1001 lekë. Nën 30 mijë janë 141555 punonjës. Nga 0 deri në 30 mijë janë 291390 punonjës ose 45.7% e punonjësve. Këta janë nën pagën minimale. Nëse marrim pagën 32 mijë lekë si pagë minimale atëhere nën pagën minimale janë 48.3%. Nëse do marrim nën 5.5 $ (5.5* 107* 30= 17655All) nivelin e varfërisë atëhere në Shqipëri janë  17.4% e të punësuarve ose 111088 punonjës janë në nivelin e varfërisë.

Shpërndarja e pagës mesatare sipas 10 grupeve të marra në konsideratë

Pasqyra ku tregohet paga mesatare dhe minimale në sektorin shtetëror.

  Paga mesatare mujore në sek.shtetëror, All. Paga minimale e miratuar, All
2013 52,150.00 22,000.00
2014 53,025.00 22,000.00
2015 54,000.00 22,000.00
2016 54,488.00 22,000.00
2017 59,813.00 24,000.00
2018 61,023.00 24,000.00
2019 63,084.00 26,000.00
2020 64,389.00 26,000.00
2021 68,196.00 30,000.00

Burimi: Raportet Statistikore të BQ

Dinamika e pensioneve 2015-2020

  Vitet Pensioni në qytet, lek Rritja në % Pensioni në fshat, në lek Rritja në %
1 2015 14,585.00   8,330.00  
2 2016 14,873.00 2.0 8,556.00 2.7
3 2017 15,527.00 4.4 8,808.00 2.9
4 2018 15,875.00 2.2 8,792.00 -0.2
5 2019 16,254.00 2.4 9,165.00 4.2
6 2020 15,732.00 -3.2 9,205.00 0.4

 

Llogariteni që në Shqipëri ka 688 mijë pensionistë dhe pritet që çdo vit ky grup të rritet me të paktën 40 mijë veta. Rritja ekonomike nuk e ka justifikuar rritjen e pensioneve.

Rritja në përqindje nga 2015 në 2020 është 7.8% pensioni i qytetit ( 15,732.00/ 14,585.00*100 =107.86), pensioni i fshatit u rrit me 11.5%. Në shifra absolute pensioni i qytetit u rrit me 1,147.00 lekë dhe i fshtatit me 875.00 lekë. Të dhënat tregojnë se janë rritur shumë pak duke dhënë pak ndikim në rritjen e shpenzimeve e konsumit. Këto grupe kanë ndikimin e vet në rritjen e shpenzimeve të konsumit për zërin e parë ushqime e pije jo alkoolike dhe në zërin shëndetësi .

Atëhere shtrohet pyetja kush shpenzon në Shqipëri që janë rritur shpenzimet e konsumit kolektiv në shpenzimet qeveritare? Një pyetje tjetër që shtrohet është : Ku shkojnë, si klasifikohen shpenzimet që bën qeveria për PPP-të dhe për koncesionet? A përfshihen këto në shpenzimet e konsumit. Përgjigja është e thjeshtë Po! Këtu përfshihen prandaj kemi edhe rritje të shpenzimeve të konsumit, dhe prandaj nuk kemi rritje ekonomike, sepse këto janë shpenzime jo eficiente.

Kontratat kryesore të PPP

Shërbimi laboratorik 90,000,000.00 euro

Koncensioni cheek up 90,000,000.00 euro

Sterilizimi 100,000,000.00 euro

Dializa 70,000,000.00 euro

Gjithsej 350,000,000.00, pra 350 milionë euro shërbime. Këto shpenzime përfshihen në shpenzime konsumi, sepse në investime nuk përfshihen. Pyetja është sa do ndikojnë këto shpenzime në rritjen e ekonomisë? Përgjigja është e thjeshtë fare. Ato do ndikojnë zero.

Përfundimisht Ekonomia nuk rritet me rritjen e shpenzimeve të konsumit, por rritet me rritjen e prodhimit dhe përpunimit të karburanteve, energjisë, mineraleve, me rritjen e prodhimit dhe riorganizimit të prodhimit bujqësor. Të hiqet nga mendja se Shqipëria do bëhet me turizëm. Turizmi vetëm sa harxhon energji dhe po boshatis fshatrat. Dubain nuk e bëri turizmi, por e bëri nafta. Shqipërinë do ta bëjnë nafta, mineralet, energjia, bujqësia dhe jo turizmi.