Stiljan Dedja: Përse heshtet për kontributin çam gjatë LANÇ

250
Sigal

Historia e shqiptarëve të Çamërisë dhe Shqipërisë, është një histori kontributi dhe lufte për liri dhe pamvarësi, si në Çamëri ashtu edhe në Shqipëri, kontribut, i cili nuk është vlerësuar asnjëherë ashtu siç duhet. Ata kanë vendin dhe meritën e tyre në çlirimin e Greqisë dhe Shqipërisë nga okupatori fashist italian dhe atij nazist gjerman. Çamët e Çamërisë gjatë pushtimit italian dhe gjerman u mobilizuan, duke krijuar batalione, të cilët dhanë kontributin e tyre në këtë luftë. Edhe në Shqipëri ata kanë qenë aktiv në luftën antifashiste Nacionalçlirimtare nga pushtuesit nazi- fashistë. Nuk kishte batalion në Shqipëri gjatë luftës, që të mos kishte partizanë çam në gjirin e tij. Krahas kontributit të tyre si njerëz të shquar në çdo fushë të jetës, ata kanë dhe një histori tragjike të internimit të tyre nëpër kampet e frikëshme gjermane si dhe të shpërnguljes masive nga teritori i tyre gjatë sundimit grek fill pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë nga popullsia çame u vranë dhe u masakruan, si dhe u përzunë me forcë nga trojet e tyre për qëllime ekspansioniste territoriale të shtetit dhe kishës Greke. Historia e tyre është e trishtueshme dhe njihet tashmë në shumë kancelari në mbarë botën. Historia e luftës dhe e shpërnguljes së Çamërisë është një histori dhe një trashëgimi kulturore dhe historike e popullit shqiptar, prandaj si e tillë ajo duhet ruajtur, kujtuar dhe transmetuar brez pas brezi. Në fakt kjo histori dhe trashëgimi e tyre duket sikur është harruar, fashitur, apo lënë pas dore nga shteti, shoqata kombëtare Çamëria apo partia e saj PDIU. Një heshtje dhe indiferentizëm ka pushtuar tërë organet shtetërore dhe shoqatat në lidhje me këtë çështje. Shohim që data historike të luftës së tyre antifashiste, apo data, që lidhen me shpërnguljen e tyre, harrohen apo lihen pas dore. Është e çuditëshme pasi ne duhet të krenohemi me çamët, me luftën e tyre, qëndresën dhe krenarinë e tyre përballë shovinizmit grek.

Nuk duhet të harrrojmë që shumë çamë u dërguan në kampet e përqëndrimit nazist apo “kampet e vdekjes” bashkë me hebrenjtë e Epirit, të cilët u internuan po në këto kampe. Nuk duhet të harrojmë: Nuri Zane, Hajri Fetahu, Osman Zenel Taka, Mezan Jonuzi e plot të tjerë. Krahas shumë hebrenjëve në datën e 25 marsit të vitit 1944 trupat gjermane në Greqi të ndihmuara edhe nga trupat e xhandarmërisë greke, si dhe atyre të bataljoneve të sigurimit grek të komanduara nga kryeministri kuislig Joani Ralli, dërguan në kampet famëkeqe sëbashku me hebrenjtë edhe disa familje antifashiste dhe patriote nga Çamëria. Ndër shumë të tjerë ishte dhe z Nuri Zane nga Filati, i cili u dërgua me forcë në kampet naziste të përqëndrimit, në fillim në kampin Mat’hausen të Austrisë dhe më vonë në Dakao të Gjermanisë. Këtë gjë e pohon me dhimbje vetë djali i Nuriut z Hyqmet Zane, i cili deklaron se:” Babai im ishte njëri ndër shumë çamët që u internuan në Itali dhe Gjermani si: Hajri Fetahu, Osman Zenel Taka, Mezan Jonuzi dhe plot të tjerë”. Për Nuri Emin Zanen vuajtjet nuk do të mbaronin këtu! Atë do ta priste një tragjedi ndoshta edhe më e madhe se kjo që kaloi: Ai së bashku me familjen e tij do të masakroheshin dhe do përziheshin nga shtëpia në Filat dhe nga trojet e tij. Por këtë herë nga ushtria greke EDES e komanduar nga famëkeqi Napoleon Zerva si dhe nga Mitropoliti i Paramithisë- Dhorotheos.z Nuri Emin Zane mbas zbritjes në Athinë u kërkoi autoriteteve greke ta çonin të jetonte në vendin e tij të lindjes dhe banimit në Filat, por përgjigja e tyre erdhi brutale dhe e pabesueshme. Ata i thanë se:” Do t’i prisnin këmbët me shpatë, nqs do të kërkonte të shkonte në Filat”, por Nuriu shkoi në Filat ku u takua me shokët e tij, të cilët kur e panë u habitën që ai ishte akoma gjallë. Mbasi u shmall me shtëpinë e babait të tij, ai piu një kafe me shokët e tij, të cilët e rekomanduan të largohej sa më parë nga Filati, pasi andartët vijnë shpesh në qytet dhe ndonjeri mund ta spiunonte si njeri i fesë muslimane dhe mund ta arrestonin. Kjo ishte arsyeja, që antifashisti i Luftës së Dytë Botërore z Nuri Zane bashkë me shokët e tij të internimit hyri në Kakavijë dhe Shqipëri. Ai nuk përfundoi në shtëpinë e tij në Filat, por në kampet e përqëndrimit në Gjirokastër. Më pas ai shkoi në Delvinë ku u bashkua me familjen e tij, me babain e tij Eminin me motrat si dhe me gruan e tij Nailen, me të cilën ishte martuar në shtator të 1942. Në vend që të gëzonte si antifashist dhe të shijonte ditët e lirisë, në bazë të kontributit të tij në këtë luftë, ai pësoi një jetë me dritë- hijet e saj. Në fillim punoi si këpucar, por më 1964 ai u dënua me 6 vjet burg si: “Anëtar i grupit armiqësor të çamëve”, të Teme dhe Taho Sejko, Tahir e Shaban Demit. Është tragjike dhe antikombëtare fakti, që edhe në këtë periudhë njerëz të sigurimit të shtetit mbronin dhe kishin në mendjen e tyre tezën greke se: “çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve”!! Kjo ndodhi kur një punonjës i sigurimit të shtetit ia shprehu këtë z Nuri, kur ai do të dilte në pension më 1974. Nuriu u paraqit në zyrat e shtetit shqiptar, si një njeri që kishte qenë i internuar në kampet e gjermanisë, në mënyrë që sipas ligjit të përfitonte pension suplementar lufte. Ai e argumentonte këtë me anë të një vërtetimi të lëshuar nga kolonel Jashar Kasimati në Gjirokastër. Ndërkohë ky njeri i besuar i sigurimit të shtetit do të deklaronte gjoja me kompetencë se: “Ata që shpëtuan gjallë nga kampet naziste të përqëndrimit në Gjermani, u bënë spiunë të gestapos”. E çuditshme kjo tezë dhe ky “argumentim”, dhe aq më tepër të thuhet nga një njeri apo punonjës i shtetit shqiptar, e cila jo rastësisht përputhet me tezën greke të pabazë se : “Çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit gjatë pushtimit gjerman të Greqisë”. Kjo tezë greke e pabazë bëri që z Nuri Zane të mos përfitonte pension suplementar lufte. Historia tragjike e z Nuri Zanes është vetëm një copëz e vogël e historisë tragjike të shqiptarëve të çamërisë. Ata që prej shumë kohësh vuajtën persekutimin, masakrimin dhe burgosjen në Greqi  dhe në Shqipëri. Antifashistët e Çamërisë dhe të gjithë Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë një krenari dhe një vlerë kombëtare. Ata paguan një çmim gjaku dhe sakrificash të panumërta. Nuk mund të harrohen apo të hidhet baltë mbi këta njerëz. Shoqata Kombëtare Çamëria si dhe partia PDIU duhet të ngrihen mbi interesat personale si dhe të shkundin pluhurin e harresës njerëzore. Është e çuditëshme dhe jo rastësore, që kjo shoqatë apo parti të mos përmendin dhe vlerësojnë luftën antifashiste çame në Greqi dhe Shqipëri, si dhe internimet e tyre në kampet naziste gjermane. Kjo është një difekt, që duhet ndrequr. Këta njerëz duhen kujtuar dhe vlerësuar vazhdimisht si një thesar i historisë së popullit çam dhe shqiptar. Dekorimi i z Nuri Zane nga Presidenti i Republikës z Alfred Moisiu pas vdekjes me: “Medaljen e artë të shqiponjës, në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë  kundër pushtuesve nazifashistë në krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën dhe vuajtjet, si i internuar në kampin e përqëndrimit në Dakaos”.