Pali Nito: Korrupsioni galopant po bën kërdinë, organet ligjzbatuese nuk e prishin terezinë

138
Sigal

 

Të gjithë jemi dëshmitarë se si u grabitën dhe avulluan jo pak, por 260 milionë euro gjatë ndërtimit të rrugës së kombit, prandaj organet ligjzbatuese duhet të reagojnë , të zgjohen nga indiferenca dhe gjumi letargjik dhe të veprojnë në zbatim të ligjit                 

Ndërsa korrupsioni është përhapur dhe vazhdon turra vrapin e tij galopant kudo e gjithandej në çdo fushë të veprimtarisë politike dhe ekonomiko sociale ka jo pak raste që ai shikohet ashiqare dhe as denoncohet dhe as kritikohet. Dhe kur shikon që ndodh diçka e pakëndëshme dhe e dëmshme për qytetarët dhe shoqërinë dhe hesht, atëherë heshtja as më shumë e as më pak është bashkëfajësi. Fatkeqësisht tek ne ndodhin korruptime marrramendëse ku bëhen gjithëfarë allishverishe, xhonglime dhe akrobacira të neveritshme në dëm të qytetarëve e të shoqërisë tonë ende në tranzicion dhe në shpërnganjat e demokracisë. Nuk mund të ketë kurrësesi besim qytetar ku në mesin e politikanëve e të pushtetarëve tanë ka jo pak prej tyre që janë përfshirë dhe molepsur në afera korruptive, kur po këta pushtetarë dhe politikanë duke filluar nga piramada qëndrore qeverisëse dhe vendore për moral kanë demagogjinë, gënjeshtrën dhe hipokrizinë, intrigat dhe pandershmërinë, djallëzinë, cinizmin, pabesinë, egoizmin, mburrjet, lëvdatat dhe dinakërinë. Korrupsioni na ka zënë frymën dhe po asfiksohemi nga kjo sëmundje ngjitëse dhe kanceroze e që është i pranishëm kudo dhe gjithandej dhe implikon dhe infekton politikanë, pushtetarë, oligarkë, qytetarë, financierë, doganierë, policë, mësues, mjekë, sanitarë dhe infermierë ,tenderistë dhe inceneratoristë. Në median e shkruar, por edhe në vëndet publikë përflitet kudo dhe gjithandej për njerëz të korruptuar e sidomos për politikanë dhe pushtetarë e zyrtarë të lartë që dëshmohet katërcipërisht në pasuritë marramendëse që ata disponojnë si troje, makina lluksoze, llogari bankare brenda dhe jashtë vëndit, apartamente, toka bujqësore, vila lluksoze etj, që do t’i kishin zili edhe sheikët me veladonë të bardhë të Katarit e të Dubait. Natyrshëm shtrohet pyetja legjitime: Po organet ligjzbatuese si policia e shtetit, prokuroria, byroja hetimore spaku, gjykatat ku janë dhe pse i bëjnë karshillëk këtij fenomeni? Përballë këtij realiteti qytetarët e hedhin vështrimin nga drejtësia dhe kërkojnë drejtësi dhe ndëshkueshmëri ndaj kujdo, që vepron në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe interesat e qytetarëve e si për ironi të fatit organet ligjzbatuese tregohen indiferente, mbyllin sy e veshë përballë të korruptuarve. Por ka akoma edhe më keq kur edhe nga radhët dhe brënda vetë organeve ligjzbatuese ka jo pak të korruptuar si oficerë policie të rangjeve të ndryshme, apo prokurorë që prishin rendin dhe disiplinën brenda rendit të policisë dhe prokurorisë. Pa dyshim dhe që të jem korrekt dhe nuk i fus të gjithë në një thes, sepse kemi edhe policë dhe prokurorë që janë shëmbullorë, që punojnë me disiplinë, me profesionalizëm, me impenjim, përkushtim e mobilizim maksimal madje edhe vetmohim duke sakrifikuar jetën e duke u bërë shembull frymëzimi e inkurajimi për të tjerët e që duhen përgjithësuar e që duhen vlerësuar jo vetëm moralisht, por edhe financiarisht. Personalisht mendoj se në këtë çështje kemi mangësi e difekte për indiferencë dhe mos vlerësim dhe propogandim të shëmbujve pozitivë të kuadrove shëmbullorë, që punojnë në organet ligjzbatuese. Shpesh shohim vlerësime me çmime të ndryshme për artistë e sportistë dhe shumë mirë bëhet, ndërsa nuk e kuptoj përse nuk veprohet me të njëjtat standarte edhe për kuadrot e policisë së shtetit gjë që duhet të praktikohet vlerësimi dhe përgjihësimi i shëmbujve positive edhe në polici. Shpesh me anë të medias, por edhe në vëndet publike dëgjojmë për politikanë dhe pushtetarë të përfshirë dhe të implikuar në afera korruptive, në rryshfet e mitmarrje dhe allishverishe të ndryshme, por autorët që janë kapur e ndaluar në këto veprimtari të kundraligjshme numërohen me gishta. Të gjithë jemi dëshmitarë se si u grabitën dhe avulluan jo pak por 260 milion euro gjatë ndërtimit të rrugës së kombit, por kjo shumë e konsiderueshme bashkë me atë që grabiti ikën në drejtim të paditur, prandaj organet ligjzbatuese duhet të reagojnë , të zgjohen nga indiferenca dhe gjumi letargjik dhe të veprojnë në zbatim të ligjit.