Speciale/ Albert Zholi : Si ra qeveria e Ismail Qemalit më 22 janar 1914, shkaqet dhe pasojat

814
Sigal

Qeveria e Ismail Qemalit mbetet e para qeveri kombëtare që u formua pas Shpalljes së Pavarësisë. Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës që në mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912. Në seancën e tij të 5-të më 4 dhjetor 1912, Kuvendi me kërkesë të Ismail Qemalit e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. I. Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të ministrit të Jashtëm përkohësisht. Anëtarë të Qeverisë u zgjodhën: Dom Nikollë Kaçorri nënkryetar, Myfit bej Libohova për Punët e Brendshme, Abdi bej Toptani për Financat, Mehmet pashë Deralla për Luftën (për mbrojtjen), Petro Poga për Drejtësinë, Luigj Gurakuqi për Arsimin, Mit-hat Frashëri për Punët Botore, Pandeli Cale për Bujqësinë dhe Lef Nosi për Postë-telegraf. Përbërja e qeverisë ishte heterogjene. Krahas elementit të shëndoshë atdhetar kishte edhe përfaqësues të rretheve çifligaro-borgjeze, përçues të ndikimeve të huaja. Kuvendi zgjodhi po ashtu Pleqësinë që duhej të kryente funksionet e një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë. Me këto masa Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e organizimit të Shtetit të ri Shqiptar duke u mbështetur në forcat kombëtare. Ndonëse në kushte jashtëzakonisht të vështira të vazhdimit të Luftës I Ballkanike (shih), shumë prej krahinave u bashkuan me Q. e P. të V. duke e njohur atë si qeveri të gjithë Shqipërisë. Nga pikëpamja e shtrirjes efektive të pushtetit të saj ajo veproi në fillim në një zonë të ngushtë, kryesisht në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë. Luftoi për bashkimin rreth saj të krahinave të çliruara nga pushtimi serb. Prej pranverës 1913 qeveria filloi të shtrijë autoritetin e vet në Shqipërinë e Mesme e në një pjesë të mirë të Shqipërisë Veriore. Kjo qeveri arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror. U ngritën disa njësi të forcave të rendit publik (xhandarmëria) dhe u morën disa masa organizative paraprake për të mëkëmbur një ushtri kombëtare. U vunë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1913.

Akti më i rëndësishëm juridik

Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Q. e P. e V. ka qenë «Kanuni i përtashëm i administratës civile të Shqipërisë» që u botua në nëntor 1913. Ky akt përmbante një rregullim mjaft të hollësishëm të përbërjes dhe kompetencave të hallkave kryesore të administratës lokale në Shtetin e ri. Por ai nuk kishte vlerën e një kushtetute në kuptimin e plotë, përderisa linte pa prekur probleme të tilla themelore si forma e qeverisjes (monarki apo republikë), organet më të larta të pushtetit, kompetencat, raportet midis tyre. Kjo shpjegohet me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në organizimin e brendshëm të Shtetit të ri. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (shih) këto shpallën qëllimin e tyre për ta marrë vetë në dorë organizimin e Shqipërisë. Këtë e bënë me anën e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (shih), të cilit iu ngarkua detyra e përpunimit të një projekti të hollësishëm të degëve kryesore të administratës shtetërore. Q. e P. e V. u ndesh në veprimet separatiste të Esat pashë Toptanit (shih) në Shqipërinë e Mesme. Ajo nuk qe në gjendje të përballonte presionet e vazhdueshme të Fuqive të Mëdha. Në këtë drejtim ndikuan negativisht edhe kufizimet politike klasore të qarqeve patriotike të kohës. Këto kufizime gjenin shprehje në mbivlerësimin e kombinacioneve diplomatike dhe në pavendosmërinë për ta bërë organizimin e shtetit të ri një vepër jo thjesht të një elite kombëtare, por edhe të masave të gjera popullore. Në përgjithësi I. Qemali «neglizhoi forcimin e pushtetit brenda» dhe i dha «rëndësi më të madhe politikës së jashtme* (Enver Hoxha, Vepra, vëll. 23, f. 154). Q. e P. e V. zhvilloi një veprimtari të gjerë diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si pranë Fuqive të Mëdha, ashtu dhe pranë shteteve fqinje. Vetë I. Qemali (i shoqëruar nga L. Gurakuqi e I. Boletini) bëri një udhëtim nëpër kryeqytetet e Fuqive të Mëdha të Evropës (prill-maj 1913), dhe u ndal veçanërisht në Londër, ku pati takime me personalitete të ndryshme, burra shteti e diplomatë. Konsekuente në qëndrimin e tyre të mosbesimit ndaj elementit kombëtar, Fuqitë e Mëdha nuk e njohën Qeverinë e Vlorës dhe kjo ra në një izolim të plotë. Në janar 1914 Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e implikoi atë në të ashtuquajturin komplot të Beqir Grebenesë gjë që e çoi në dorëheqjen e detyruar të I. Qemalit më 22 janar 1914. Pushteti kaloi në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Bilanci i veprimtarisë së Qeverisë së Vlorës si brenda vendi-t ashtu edhe në plan ndërkombëtar ka qenë i kufizuar. Megjithatë ajo ka qenë e vetmja qeveri kombëtare e dalë nga vetë gjiri i lëvizjes së Pavarësisë. Ajo mishëronte idealin kombëtar shqiptar dhe me veprimtarinë e saj konkrete, tregoi se Shteti i ri Shqiptar i ngritur mbi themele kombëtare do të kishte dalë nga stadi embrional po të mos ishin faktorët pengues të politikës së Fuqive të Mëdha.

Plani për aleancën osmano-bullgaro-shqiptare

Qeveria xhonturke në fuqi caktoi Grebenenë që të krijonte një lëvizje për kthimin e Shqipërisë nën syzerenitetin osman duke synuar kompensimin e humbjes së territoreve perandorake gjatë luftës dhe fuqizimin e saj në Ballkan sërish. Pakënaqësia e zgjedhjes së monarkut për Shqipërinë e dha këtë mundësi. Autoritetet osmane e nisën Grebenenë, asokohe me gradën binbash/kolonel, nga Stambolli në Sofie për në Shkodër i shoqëruar nga Zija bej Gjakova dhe Zenel bej Peja, nëntorin e 1913 me 5,000 napolona ar që të fitonte përkrahës, biseda diplomatike dhe komunikim telegrafik me Stambollin. Grebeneja ia doli të bindte parinë e Shkodrës që të përkrahnin Ahmed Izet Pashën që të vinte si mbret i Shqipërisë, por sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit kjo nuk qëndron. Më pas udhëtoi në Durrës ku u takua me Esad pashë Toptanin, prej ku i nisi një letër Stambollit që t’i nisnin trupa dhe armatime.

Si emisar i Izet Pashës, kontaktoi Ismail Qemalin, që kishte shpallur pavarësinë shqiptare nëntorin e 1912 gjatë Luftës Ballkanike. I parashtroi planin për rikthimin osman në një veprim ushtarak të trupave osmane, shqiptare e bullgare kundër Serbisë dhe Greqisë. Shpërblimi tokësor për shtetin shqiptar do të ishin viset e Kosovës dhe Çamërisë që Konferenca e Londrës ua kishte dhënë Serbisë dhe Greqisë. Qemali iu zotua Grebenesë për besnikëri ndaj Izet Pashës dhe garantimin e futjes së trupave dhe armatimit osman në viset shqiptare për një luftë guerrile ndaj serbëve e grekërve. Pas këtyre negociatave, Grebeneja kontaktoi Stambollin dhe i kërkoi 200-300 kuti me armatime me plumba, katër mitraloza dhe katër topa që t’i dërgoheshin në Vlorë. Janarin e 1914 mbi 200 ushtarakë osmanë veshur shqiptarisht zbarkuan nga anija Maran në skelën e Vlorës që të shtienin në dorë qytetin gjatë natës dhe të shpallnin Izet Pashën mbretin e Shqipërisë. Serbët i ranë në erë komplotit dhe konsulli serb në Vlorë, Gavrilović, ia raportoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. KNK-ja autorizoi oficerët hollandezë, si trupë neutrale e caktuar nga Fuqitë e Mëdha, që të shpallnin gjendjen e emergjencës dhe të ndalnin Grebenenë. Gjatë kontrollit në portin e Vlorës, u zbuluan 11 oficerë dhe 200 trupa osmane. Edhe 20 të tjerë u arrestuan, së bashku me Grebenenë dhe Çerçiz Topullin. Gjatë gjyqit, doli në pah komploti dhe gjykata ushtarake e KNK-së me në krye gjeneralin De Veer e dënoi me vdekje, më pas u fal me burgim të përjetshëm, ndërsa Ismail Qemali dha dorëheqjen. Pas përpjekjeve të autoriteteve osmane, Grebeneja më 18 gusht 1914 u lirua. Më pas u transferua në frontin e Kaukazit, ku luftoi dhe vdiq në betejën e Sarikamishit gjatë Luftës së Parë Botërore. U varros me nderime ushtarake në Erzurum, në lindje të Turqisë. Pas la dy djem, Qemalin dhe Muzafer Grevena.