Gjenden disa predha në Lumin Mat, dyshohet të jenë mbetje nga tunelet e municioneve luftarake

388
Sigal

Një ditë më parë në shtratin e lumit Mat u konstatua e paplasur një predhë mortaje. Ishte një banor i zonës i cili e pikasi dhe menjëherë njoftoi policinë e cila shkoi në vendin e ngjarjes. Predha ishte e mbështjellë me një leckë, ndërsa rezultoi që të kishte në të edhe djegorja e cila rrezikonte shpërthimin.

Policia dhe strukturat Vendore të Mbrojtjes Civile në Klos njoftuan menjëherë Ministrinë e Mbrorjtjes e cila dërgoi një grup të repartit të xhenios.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes forcat xheniere kanë bërë edhe një krehje tjetër të zonës ku kanë konstatuar edhe dy predha të tjera. Ata bënë shpërthim të kontrolluar duke shmangur rrezikun për banorët. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Civile në Bashkinë Klos, Nerim Dema ju bëri apel banorëve që zbresin në shtratin e lumit Mat, të bëjnë kujdes, pasi mund të ketë edhe predha të tjera.

Predhat dyshohet se mund të jenë mbetje nga tunelet e municioneve luftarake tek ish pazari i vjetër, tunele të cilat u çertifikuan të pastra nga ish ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Por nuk përjashtohet mundësia që ato të jenë hedhur nga banorë të cilët në vitin 1997 morën municione luftarake nga këto tunele.