350 veliera prekën këtë verë brigjet e Sarandës

502
Sigal

Një shtim kaq i madh e i menjëhershëm i tyre, më shumë se dyfishi i një vere më parë, ka vënë në lëvizje mendimin për të plotësuar infrastrukturën e munguar deri sot- 

 SARANDË. Prekja e brigjeve të Sarandës nga një numër i madh velierash dhe skafesh me turistë të huaj, është një tjetër risi e kësaj vere. Nga burime portuale dhe agjenci detare e turistike në Sarandë, konfirmohet se këtë verë numri i velierave dhe skafeve me turistë të huaj në bord, ka shkuar deri tani në 330 mjete të tilla lundruese e turistike. Krahasuar me vitin e kaluar, kur numri i tyre ishte rreth 150, kjo rritje përfaqëson më shumë se dyfishim të velierave dhe skafeve turistikë, thotë Agim Zholi, administrator i agjencisë detare “Jonianët” në Sarandë.

Sipas tij, Saranda rezulton tani e përfshirë në zonën e frekuencës së lartë të turistëve të velierave dhe skafeve. Kjo zonë nis nga Palermo, përshkon Sarandën dhe shtrihet deri në Ksamil. Nga burime portuale mësohet se në masë dërmuese, velierat dhe skafet që kanë prekur brigjet e Sarandës, vijnë nga brigjet italiane. Mendohet se ky fluks turistësh, që vijnë në Sarandë me veliera e skafe, ka ardhur pas eksplorimit të kryer prej tyre apo nga miq të tyre, si dhe falë informacionit të marrë nga burime të besueshme, që janë mediat e huaja, si revista të specializuara etj.

Një ndikim jo të vogël mendohet se ka luajtur informacioni dhe eksperiencat individuale, që janë përjetuar në udhëtimin e italianëve me veliera e skafe private drejt Sarandës. Aq sa thuhet se në se ka ardhur dikush nga Sicilia, surprizat e këndshme të udhëtimit dhe të asaj që ofron Saranda si destinacion turistik, nuk ka mbetur personale, por është përhapur ndër miq e shokë dhe kjo ka bërë që flukset të shtohen. Për të gjithë turistët e këtij lloj turizmi, kanë shërbyer si kartë besimi dhe motiv atraksioni elementët që gjejnë këtu, siç janë: siguria në port e në bregdet; mjedisi miqësor që i shoqëron kudo që shkojnë; ushqyerja me produkte bio e të kuzhinës tradicionale; çmimet që vlerësohen të mira.

Prirja e atyre që vijnë me veliera e skafe në Sarandë, janë pushimet 10-ditore. Në krye të pikave të interesit të tyre turistik qyteti antik i Butrintit, monumenti natyror i Syrit të Kaltër, Ksamilit etj. “Risia e pranisë së kaq shumë vizitorëve të Sarandës me veliera e skafe – thotë kryetari i Bashkisë, Stefan Çipa – është tregues i rëndësishëm i asaj se çdo ditë e re e kësaj vere, na largon gjithnjë e më shumë nga e kaluara e cilësimit si “vend i surprizave të këqija” dhe është provë bindëse se të huajt, deri dhe kategoria e të pasurve, na shohin tani si vend normal”. Kjo ka nisur të pasqyrohet me realizëm edhe në sistemin elektronik të vendeve europiane, nga të huajt marrin mesazhe sigurie për Shqipërinë. E vërteta është se heqja e “moratoriumit të skafeve” ka bërë që të qarkullojnë e të shtohen edhe skafet e shqiptarëve.

I gjithë ky fluks, me një shtim të menjëhershëm, ka nxjerrë edhe një problematikë të re. Është e dallueshme pamjaftueshmëria e vendeve të parkimit të tyre, pasi velierat nuk kanë mjaftueshëm një vend publik, ku të mund të parkojnë. Po kështu, kjo risi bën edhe më të ngutshme nevojën e ngritjes së marinave përgjatë bregut të detit, që Saranda e ka shumë të afërt me qytetin. Po aq e munguar është mundësia e siguri-mit të ujit publik në portin e kruazierave. Aktualisht ka vetëm 2 orë ujë në port dhe nevoja është për të shtuar të paktën një orar furnizimi edhe pasditeve. Llogaritet se një skaf konsumon 200 litra ujë dhe merret me mend edhe leverdia e plotësimit të këtij kushti, duke qenë se çdo sasi paguhet e ky duhet parë edhe si një burim për shtim të ardhurash. nevojën e ngritjes së vend-strehimeve të nevojshme edhe në periferi të Sarandës, në shërbim të udhëtimit turistik që kryejnë velierat dhe skafet turistike. Në itinerarin Ftile-Orikum, që është një gjatësi detare prej 80 milje, nuk ka aktualisht asnjë vend strehimi për mjete të tilla lundruese.

Thoma Nika