Shpendi Topollaj: Kosova sot ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë

99

Ajo që neve duhet të na shqetësojë është reagimi i qeverisë tonë në Shqipëri, e cila me gojën e kryeministrit shprehet se i bashkohemi apelit për të mos shkuar në këtë rrugë të rrezikshme dhe t`i rikthehemi dialogut. Po me kë të dialogosh; me ata që deklarojnë se asnjëherë nuk do ta njohim Pavarësinë e Kosovës apo se ajo është pjesë e Serbisë dhe se kurrë nuk do të lejojnë që t`i copëtojnë?

Sigal

 

 Zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë kanë hyrë në qorrsokak. Situata po përkeqësohet deri atje, ku asnjë njeri me gjykim normal nuk e dëshiron, dhe mospajtimet mes saj dhe republikës Serbe mesa duket, sa vinë e po agravohen. Gebelsi i kohës tonë Aleksandar Vuçiç, tani që bota pret veprime konkrete për zbatimin e asaj që u quajt Marrëveshja e Ohrit, duke nuhatur tulatjen e diplomacisë perëndimore, vijon me amplitudë shpërfillëse spërdredhjet e tij politike, pa iu dridhur fare qerpiku. Pasi nxiti dhe provokoi kundërvënien agresive ndaj rendit kushtetues në Veri të Kosovës, zuri të trimërohet duke ngritur zërin kërcënueshëm se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi për atë që nuk i pëlqen nga hapat korrektë të qeverisë së zotit Kurti, nuk do të rrinë duarkryq. Deri këtu nuk ka asgjë të papritur dhe askush nuk ka pse të çuditet. Ajo që nuk pritej dhe që të çudit është qëndrimi i diplomacisë ndërkombëtare ndaj qeverisë së Kosovës, e cila nuk përkrahet në vendosjen e të zgjedhurve në institucionet e disa komunave me shumicë serbe.

Dhe akoma më e çuditshme është deklarata e sekretarit të shtetit zotit Antony Blinken, i cili e qorton Kryeministrin e Kosovës që të jetë i kujdesshëm në hapat që hedh, madje edhe e urdhëron që të ndalojë menjëherë masat e dhunshme. Dhe masa të dhunshme, ai quan ruajtjen e rendit publik deri në hedhjen e bombave me gaz lotsjellës ndaj agresivitetit të qytetarëve rebelë e të dhunshëm. Natyrisht që në të njëjtën linjë është edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, si dhe Richard Grenell, i dërguari i Posaçëm i SHBA në dialogun Kosovë – Serbi, i cili fjalëve dashamirëse “Njerëzit e Kosovës meritojnë më shumë” i shton fajësimin pa faj se “Albin Kurti po i izolon”. E thënë më shqip e më qartë, Albini nuk duhet të ushtrojë detyrat e tij, por të tërhiqet si frikacak dhe të lejojë anarkinë që serbët synojnë të realizojnë për ta minuar administratën e Kosovës dhe dëmtuar autoritetin e saj deri në atë pikë, sa nën efektin domino, nesër ta vënë atë nën presion e vështirësi, në lëshime pas lëshimesh, çka do të sillte pasoja të pariparueshme. Nga administrata mike dhe aleate e SHBA pritej një përgjigje e vendosur ndaj kërcënimeve të Vuçiçit, duke ia përplasur në fytyrë atij se nëqoftëse e gënjen mendja që të ndërsejë sërish opinionin dhe forcat ushtarake kundër popullit kosovar, përgjigja do të jetë njësoj si ajo e atyre 78 ditëve kur këtë aventurë e orkestronte krimineli Sllobodan Millosheviç. Mirëpo, ne nuk mund të marrim përsipër as t`i japim këshilla DASH dhe as të korrigjojmë politikën dhe deklaratat e saj. Ajo që neve duhet të na shqetësojë është reagimi i qeverisë tonë, e cila me gojën e kryeministrit shprehet se i bashkohemi apelit për të mos shkuar në këtë rrugë të rrezikshme dhe t`i rikthehemi dialogut. Po me kë të dialogosh? Me ata që deklarojnë se asnjëherë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës apo se ajo është pjesë e Serbisë dhe se kurrë nuk do të lejojnë që t`i copëtojnë? Po vërtetë ka njerëz aq naivë sa dëshirat t`i marrin për realitet dhe të besojnë se udhëheqësit e Serbisë janë aq të sinqertë dhe të besueshëm për dialog e paqe? Kurrë nuk ka për të ndodhur kjo! Të huajt kanë synimet dhe interesat e tyre, por ne duhet ta shohim problemin me serbomëdhenjtë, shqiptarisht. E njohim historinë, i dimë krimet kafshërore dhe gjenocidin, që ai vend ka ushtruar mbi popullsinë e Kosovë, sikurse e dimë edhe urrejtjen e përbuzjen që kanë për ne. Prandaj, si mund të mos mbështesim qeverinë e Kosovës tonë, e cila pret përkrahjen nga Shqipëria në këto ditë të vështira? Zullumi i serbëve me fërkime krahësh, do trashet dhe nuk do të mbesë te heqja dhe vënia e flamurëve si në komunën e Zveçanit. Po sikur nesër, larg qoftë, ushtria dhe paramilitarët serbë të sulen në mbrojtje të protestuesve të pakicave serbe në veri të Kosovës e më tej, ne do të vazhdojmë t`u japim ment kosovarëve për vetpërmbajtje? Serioziteti i kësaj që po ndodh, është në dritën e diellit dhe nuk e sheh ose ai që është i verbër ose ai që nuk do.

Të mendosh se nuk ka asnjë rrezik për ne shqiptarët është krejtësisht e papranueshme. Qeveria jonë më shumë shqetësohet për konfliktin Rusi – Ukrainë, të cilin e ka gjetur si justifikim dhe arsyen prej nga na vinë gjithë të këqiat, deri dhe rritja galopante e çmimeve, kurse lëvizjet e qeverisë së Serbisë, që duken ashiqare në pragun e derës tonë, nuk i bëjnë asnjë lloj përshtypje. Shteti serb po përqendron forcat ushtarake në kufi me Kosovën, po ne a kemi Ministri të Jashtme dhe të Mbrojtjes, dhe çfarë duhet të ndodhë tjetër që edhe ne të shqetësohemi, si në aspektin diplomatik e politik ashtu edhe në atë ushtarak? Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura a nuk duhet të mbledhë menjëherë Këshillin e Mbrojtjes? Mos vallë kërcënimi, që i bëhet Pavarësisë së Kosovës, nuk ka lidhje me ne? A nuk është edhe ajo realisht Shqipëri? Dhe para këtyre situatave, që gjithmonë do të jenë të pranishme, edhe pse jemi vend anëtar i Traktatit të NATO – s, a nuk na shtrohen detyrat për ta forcuar, modernizuar e shtuar fuqinë e strukturave tona ushtarake? NATO nuk është kopshti pa drekë ku edukatoret përgjigjen deri më një për sigurimin e jetës së vogëlushëve të pambrojtur. Çdo shtet i Aleancës, së pari duhet të ketë ushtrinë, armatimet, municionet dhe taktikat e veta dhe pastaj të presë ndihma nga të tjerët. Nga ana tjetër, shtetit serb nuk mund t`i falen mëkatet, sidomos kur nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka paguar për dëmet, që shkaktoi. Roli i indulgjencave që i takonin mesjetës, sot nuk vlen për asgjë. Ato kanë ikur pesëdhjetë vjet më pas se Martin Luteri formuloi ato tezat e tij, që u vendosën në derën e kishës së Vitenbergut në 31 tetor të vitit 1517 (Reformacioni). T`i dëgjojmë aleatët, por edhe ata të na dëgjojnë ne, madje edhe të na kuptojnë, pasi në radhë të parë, problemi është yni dhe sidomos i vëllezërve tanë të Kosovës. Se nuk mund ta quash veten aleat, pa të drejta të barabarta e pa marrëdhënie reciproke. Nuk mund të shkohet në pafundësi me tërhiq e mos e këput! Politika serbe po e thotë mjaft kthjellët bindjen e vet; askush nuk na detyron dot neve të bëjmë e të sillemi si duan ata apo të vendosim sanksione ndaj të tjerëve, duke nënkuptuar motrën e tyre të madhe Rusinë ortodokse – fashiste. Mund të bëhen edhe ndryshime në kreun e Partisë Përparimtare të Serbisë dhe në vend të një Vuçiçi të vijë Vuçeviçi. Por kjo asgjë nuk ka për të ndryshuar, madje edhe po iku fare Presidenti i tanishëm i atij vendi. Atëherë, përse nuk e mbledhim mendjen ne shqiptarët, por duke mos e përkrahur Kryeministrin Albin Kurti e detyrojmë të përpëlitet mes vështirësive, duke garantuar administrata komunale multi – etnike, multi – kulturore, multi – gjuhësore dhe multi – partiake? Këto tani i di edhe bufi e ca më shumë, vetë serbët. Por ata nuk duan t`ia dinë për rrugë paqësore. Nuk ishin negociatat, që e detyruan Sllobodan Millosheviçin të ndalte luftën dhe të kapitullonte. Por këtë duket se nuk po e kuptojnë ende edhe vetë ata që janë në krye të NATO – s. Kryediplomatia shqiptare me të drejtë flet në Bruksel dhe dënon konfliktin që përmenda më sipër, midis Rusisë dhe Ukrainës në takimin e jashtëzakonshëm të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO – s, dhe rrezikun që vjen prej saj në Evropë, por akoma më me forcë duhet ta ngrejë zërin për vringëllimin e armëve nga ushtria serbe në veri të Kosovës, se edhe nga këtu nisi lufta e Parë Botërore. Ajo duhet të thotë se si do të sillej vetë Serbia, sikur këto protesta të dhunshme të bëheshin nga shqiptarët e atyre tre komunave të Luginës së Preshevës. Në takimin e nëntorit të vitit 2014 Aleksandar Vuçiçi kërceu përpjetë kur kryeministri Edi Rama foli me të drejtë për Pavarësinë e Kosovës si diçka e pamohueshme. Kjo, dhe vetëm kjo gjuhë do përdorur me ta. Ralph Waldo Emersoni një herë ka thënë se “Paqja s`mund të arrihet me dhunë, ajo mund të mbahet vetëm me mirëkuptim”. Ne gjithmonë e kemi dashur këtë. Po me kë ta gjesh mirëkuptimin? Me ata që shtrëngojnë grushtat, mallkojnë e vringëllijnë armët, duke përfituar nga zbutja e toneve të ndërkombëtarëve, të cilët në plan të parë, kanë dhe hallet apo interesat e tyre? Imperativi i kohës e kërkon pa asnjë mëdyshje përputhjen e mendimeve, qëndrimeve dhe veprimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Por kjo kërkon burra dhe jo frikacakë, atdhetarë dhe jo puthadorë, vizionarë dhe jo karrieristë.