Flet për “Telegraf”, Ylli Baka/ Këngëtari i mirënjohur rrëfen situatën që po përjetonë muzika gjatë pandemisë. Në 4 muajt e fundit kam realizuar 3 këngë të reja: “Vitet që nuk harrohen”, “Trimat që bënë histori” dhe për “Nderin e Kombit”, Demir Zyko. Këngët patriotike, ato të dashurisë dhe jetës së përditëshme janë më të preferuarat dhe më bukurat e repertorit tim

1224
Sigal

Flet këngëtari i mirënjohur i kombit, Ylli Baka: Në 4 muajt e fundit kam realizuar 3 këngë të reja

“Vite që s’harrohen”,  “Trimat që bënë histori” dhe një këngë për “Nderin e Kombit”, Demir Zykon

-Asnjëherë nuk do ndalem se fansat presin këngë të reja nga unë

-Këngët patriotike janë pjesa më e bukur e repertorit tim

Albert Z. ZHOLI

Edhe pse situata në botë është e vështirë nga Covid-19, sërish këngëtari i mirënjohur Ylli Baka, në asnjë rast nuk neglizhon me profesionin. Në 4 muajt e fundit ai ka realizuar 3 këngë të reja që kanë tërhequr vëmendjen e publikut  dhe hedhja e tyre në “Youtube”  ka marrë mijëra klikime. Edhe në këto situatë ai punon me të njëjtin ritëm dhe sjell gjithmonë këngë interesante për të gjitha trevat e Shqipërisë. Ai i këndon Tepelenës, Konispolit, Korçës, Përmetit, Tropojës, Kosovës, dhe të gjitha trevave të tjera, duke e vënë theksin tek tekstet me përmbajtje kombëtare. Thuajse gjysma e këngëve të tij i kushtohen patriotëve, Shqipërisë, figurave historike, trevave të lavdishme, luftërave për çlirim, dhe heroizmave në shekuj të popullit tonë. I dashuruar me atdheun ai ka dhënë koncerte apo ka qenë i ftuar në çdo skaj të Shqipërisë dhe në çdo vend ku ka emigrantë shqiptarë. Dhe jo më kot, pasi tematika e këngëve të tij përmbledh gjithë trevat shqiptare ndaj dhe atë e duan të gjithë.

  • Sa ka ndikuar izolimi nga Covid-19 te Ylli Baka?
  • Të them nuk ka ndikuar, gënjej. Them ndikim në lëvizje, në marrëdhënie me publikun e gjerë, me koncertet, me spektaklet, pra në këtë mënyrë ka ndikuar. Në këtë kohë mund të isha në Amerikë, Kanada, Itali, Australi, por në fakt jam në Shqipëri. Kam 20- vjet a më shumë që jam mësuar vetëm me lëvizje  dhe ky izolim na ka bërë më të vakët, më të ngathët, më të tërhequr. Kjo mënyrë jetese nuk është në natyrën time. Unë dua jetë të gjallë, lëvizje, koncerte, njerëz që të gëzohen, të brohorasin dhe ta gëzojnë jetën. Kjo situatë është paksa e trishtë dhe do shumë kujdes. Por sërish nuk kam qëndruar duarkryq. Kam  bërë të njëjtën mënyrë pune duke realizuar këngë të reja për të cilat  kam mënyra të ndryshme përhapjeje.

-Cilat janë këngët tuaja të fundit në këtë kohë izolimi?

Janë tre këngë të reja, “Vite që s’harrohen” realizuar me bashkëmoshatarin tim Artur Metollari, “Trimat që bënë histori” një këngë që i dedikohet “Heroit të Popullit” Selam Salaria, e realizuar me grupin polifonik të qytetit Tepelenës dhe Salarisë, dhe një këngë për “Nderin e Kombit” Demir Zykon.

– Mund të na thoni disa fjalë për secilën këngë?

“Vite që s’harrohen” realizuar me bashkëmoshatarin tim Artur Metollari, përcjell kujtimet tona të vegjëlisë. Janë kujtime të paharruara ku ne si fëmijë, loznim me çka kishim në atë kohë, ku ambientet sportive ishin tepër të varfëra, terrenet sportive nuk kishin kushte të mira, ishim të varfër në përgjithësi, por kishim një shoqëri të shkëlqyer. Kishim marrëdhënie të rralla, varfëria sikur mbulohej me dashurinë njerëzore. Ne respektonim shumë mësuesit, prindërit, dhe ndihmonin shumë njeri-tjetrin. Kujtimet e vegjëlisë janë të rralla, sa kur i mendon loton. Në ato kushte ne sërish këndonim, mblidheshim mes miqsh. Që në fëmijëri e kam nisur rrugën e këngës ndaj s’e harroj vegjëlinë. Të rritur me sakrifica, por me  frymë miqësore. Kjo këngë është një baladë që ka disa nota nostalgjie që duken pesimiste por jo, ka forcën për të treguar një realitet që na formoi si karakter.

TOMORRI

-Por gjithmonë nuk i ndaheni heronjve, njerëzve që kanë dhënë jetën për atdheun?

E drejtë. Heronjtë janë në shumë këngë të miat. Veprat e tyre më frymëzojnë. Sa herë më  ftojnë për të bërë një këngë për heronjtë nuk nguroj. Nuk them kurrë jo, Ata më japin frymëzim, më ngacmojnë, më  ngjallin një respekt të madh për vendin tim. Heroizmi i tyre të duket i pabesueshëm. Dhe kënga e fundit ishte për Selam Musanë apo Selam Salarinë siç i thonë. Një Hero për të cilin kam dëgjuar mijëra vargje, një Hero që gjithmonë  sjell diçka të re për historianët poetët dhe shkrimtarët. Kjo këngë më mori me vete. Edhe në mbrëmje kur flija më dilte figura e tij me gunën përmbi tela. Çfarë heroizmi, çfarë jete mitike. Këtë këngë e realizova me grupin Polifonik të qytetit të Tepelenës dhe të Salarisë. Madje shkova dhe në Salari. Një fshat interesant, i ashpër, me njerëz krenarë dhe mikpritës. Ai fshat vetiu të jep forcë dhe energji. Heronj të tillë të bëjnë një thirrje të heshtur ta duash atdheun, Shqipërinë. Jo më kot populli thotë: “Kush ka  rënë për atdhe, nuk ka vdekur por ka le”.

-E treta për këngëtarin e madh të Skraparit, bilbilin e asaj krahine dhe të Shqipërisë Demir Zykon?

Unë kam mbaruar shkollën në Poliçan. Emri i Demir Zykos për ne ishte i shenjtë. Sa herë e dëgjoja habitesha me zërin e tij. Një timbër i veçantë, një vibrim zëri si instrument, një përhapje zëri që të bënte të mendoje se ishte magji. Karakteristikat e zërit të tij gjithmonë më kanë bërë përshtypje dhe më kanë vënë në mendime, Sot këngëtarë të tillë janë të rrallë. I tillë ishte zëri i tij që na emociononte dhe na bënte të ndiheshim krenarë. Ne këngëtarët duhet të këndojmë dhe për njeri- tjetrin. Është një detyrim që ndaj këngëtarëve të mëdhenj të ngresh një këngë. Ata ishin këngë dhe me këngë duhet të nderohen. Njerëz të tillë duhen vlerësuar sepse janë pjesë e ndërgjegjes së kombit. Ata në çdo rast formojnë kulturën tonë të veçantë kombëtare.

-Me mbarimin e këtyre tri këngëve Ylli do pushojë?

Për mua kënga është pushim. Kur shkoj në studio dhe filloj këngën e re më duket se pushoj. Kur rri, më duket sikur jam i pavlefshëm. Kënga më jep kurajë, më zgjon ide, më lidh me jetën me njerëzit. Si mund të lë unë fansat e mi në pritje të gjatë. Si mund t’i largoj unë ata që më japin jetë, energji, shpresë, frymëzim?! Si mund të distancohem në kohë, kur ata gjithmonë presin diçka të re nga unë? Pa fansat e mi jeta do ishte e plogësht, pa ritëm pa intensitet, pa emocion. Ndaj unë tashmë me grupin e parodistëve të Vlorës dhe këngëtarin vlonjat Artur Dhamo, po përgatisim një potpuri apo kolazh të këngëve qytetare vlonjate. Kënga qytetare vlonjate ka histori…Kam lexuar Prof. B. Gaçen për këtë histori ndaj dua të hyj në këtë Tempull të ri. Kam lexuar dhe mësuar se Bilbil Ceno, Arsim Ceno, Themistokli Mome, me në krye Reshat Osmanin, e emancipuan këngën vlonjate, duke plotësuar mozaikun mbarëkombëtar të muzikës qytetare, me një kolorit të ndezur, siç e ka karakteristike kultura labe. Reshati me  Themistokli Mone përgatiti “Trion Vlonjate” për të dalë në publik si një formë e re e këngës qytetare. Trioja vlonjate lindi si një formacion spontan folklorik, por më vonë u kthye në një ansambël të vërtetë vokal, duke sjellë vlera të arrira estetike e artistike. Me muzikalitetin dhe mjeshtërinë e interpretimit kjo “Trio Vlonjate” ndikoi ndjeshëm edhe në brezat e tjerë të këngëtareve të mirënjohur vlonjatë si Kleopatra Skarço, Milika Meminaj e Milika Nerënxi. Pra të gjitha këto këngë ne do t’i sjellim në kohë, me një frymë të re, me një ritëm ndryshe por duke u kombinuar me Parodistët e shkëlqyer vlonjatë që kanë lënë gjurmë të thellë në humorin shqiptar. Kjo është ajo që po bën tani Ylli Baka.