Shpendi Topollaj:   Ali Pashë Tepelena sfiduesi trim dhe i mençur i Perandorisë më të madhe

267
Sigal

Viktor Hygoi, e ka quajtur Ali Pashën si “njeriun që mbeti më madhështor për kohën e vet”

(Rreth librit “Policia sekrete e Ali Pashës” të autorit Irakli Koçollari)

 

 

Pa asnjë mëdyshje mund të themi se askujt tjetër më shumë se Ali Pashë Tepelenës, nuk do t`i përshtateshin fjalët e zgjuara të Nikolo Makiavelit se “Njerëzit dinakë të të gjitha kohrave e të të gjitha vendeve e dinë shumë mirë se rregulli i parë i artit të tyre është që të mos ua zbulojnë të tjerëve sekretet e lojës së tyre”. Dhe natyrisht, në rastin e Ali Pashait, në këtë lojë madhore, përfshihen si veprimet për të nënshtruar me dorë të hekurt popullin e pashallëkut të tij, ashtu edhe ato që për shumë arsye të njohura e të lashta, që atij ia kishin mësuar vitet dhe udhët e vështira të mbijetesës, duheshin përdorur për të larguar rreziqet që mund t`i vinin nga larg, deri nga kryeqytetet bujëmëdha si Stambolli, Londra, Parisi e Moska.

Ali Pashai, me bëmat e tij të çuditshme dhe gati të pabesueshme, që me kalimin e kohës, vishen dhe me një tis të këndshëm romantik, është një nga kapitujt më interesantë dhe më të bukur të historisë tonë. Në faqet e historisë, ai ka mbetur si sfiduesi trim e kokëkrisur i një Perandorie nga e cila trembeshin edhe shtetet më të fuqishme.

Duke qënë një figurë komplekse dhe shumë planëshe, edhe pse për jetën dhe veprën e tij janë shkruar nga një mori autorësh të huaj kujtime etj, edhe pse tek ne Sabri Godo ka shkruar një roman të mrekullueshëm dhe të tjerë shkrimtarë e historianë me emër, kanë botuar deri libra të posaçëm për të, përsëri libri i doktor Irakli Koçollarit “Policia sekrete e Ali Pashës”, ishte më se i domosdoshëm, jo vetëm për ndriçimin e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, i cili siç thotë autori “Shfaqej miqësor kur ndjente nevojë, kur kishte interesa apo dallonte miq të sinqertë, por kthehej në cinik, barbar dhe gjakësor kur ndjente pabesi apo kurthe të kurdisura nga dikush”.

Duke qenë kontradiktor dhe harmonik njëkohësisht, deri në kufijtë e të paimagjinueshmes, cilido autor, edhe sikur të ishte bashkëkohës a pjestar i oborrit të tij, përsëri do të ngatërrohej aq keq në shtjellimin e këtij karakteri kaq të dyzuar, sa nuk do t`i shpëtonte dot tundimit për t`ja zmadhuar a zvogëluar sipas rastit, cilësitë, duke rënë dashje pa dashje, në subjektivizëm, gjatë skicimit të portretit të pangjashëm me askënd, të këtij pashai tipik shqiptar. Mundet që kësaj gracke ka dashur t`i shpëtojë edhe autori i këtij libri, përderisa nuk është ngutur, por ka punuar me një durim të respektueshëm për gati njëzet vjet me radhë. Nga ana tjetër, kjo është dhe mënyra më e drejtë për të ndjekur deri në fund këshillën e K. Klarkut se “Duke studiuar historinë e qytetërimit, duhet të përpiqemi të mbajmë drejtpeshimin ndërmjet gjenisë individuale dhe kushteve morale ose shpirtërore të shoqërisë”. Duke ju përmbajtur rigorozisht linjës së dy autorëve që e kanë njohur nga afër, siç janë Pukëvili dhe Ibrahim Mansur Efendiu, Irakli Koçollari, pa kaluar në ekzaltime, vetitë e Pashait të Janinës, nuk i ndan nga konteksti i gjithë klimës ku merrte oksigjen kombi. Kështu ai me shumë mprehtësi shprehet “…Aliu e mbështeti besimin për rritjen dhe fuqizimin e pushtetit të tij kryesisht te shqiptarët … Ai i kishte marrë (ata) në rrugën e gjatë të viteve nga heshtja në zgjimin e vrullshëm, nga nënshrimi i pagjunjëzuar në qëndresë, nga varfëria në rrugën e begatisë, nga përgjumja në shpresën e rizgjimit”. Dhe aty nga fundi i volumit të dytë, ai konkludon: “Roli që patën luajtur shqiptarët (e jo Aliu – shënimi është i imi SH.T.) në këtë tronditje dhe çarje të madhe që pësoi për herë të parë Perandoria Osmane ishte e pariparueshme. Kishte filluar shthurja e kufijve të saj europianë”.

Afërmendësh që këtu, një rol të dorës së parë luajti puna e shërbimeve sekrete të ndërtuara nga Aliu, i cili po të perifrazojmë një thënje të Çarls Uajtonit te “Spiunët më të mëdhenj të botës”, si në kohët e vjetra nuk shihte një vijë demarkacioni midis diplomacisë dhe spiunazhit, çka nuk e habiste më as ushtarakun anglez Devanport, i cili i raportonte eprorëve të tij se:

“Unë tashmë jam i bindur dhe kjo është konfirmuar si një e vërtetë e pakontestueshme, që asnjë ngjarje e rëndësishme, qoftë kjo dhe një e vetme që mund të ndodhë në Stamboll, në skutat më të fshehta të Divanit, që të mos njihet brenda tetë ditësh në sarajet e Janinës”.

Aliu bënte shumë kujdes në zgjedhjen e ministrave. Po të shohësh listën e tyre të paraqitur nga Irakliu, do vësh re se ata janë shumë të shkolluar e të kulturuar. Por, për caktimin e Thanas Vajës, i cili qe dhe besnik deri në vdekje i tij, në krye të policisë së fshehtë, Aliu do të jetë menduar gjatë.

Nga natyra vetë Ali Pashai ishte dyshues. Sot është për të qeshur, por unë dua t`u kujtoj vetëm atë ngjarjen e zjarrit që ra brenda kalasë së Tepelenës. Si i u dogj shtëpia, Aliu u shndërrua papritur në një lypës mjeran. Më parë, si finok që ishte, për t`i nxitur të pasurit që t`i jepnin sa më shumë, u dha para disa të varfërve që ata t`ja jepnin si nga ana e tyre ato, por tani publikisht. Më pamje të përvuajtur edhe në këto kushte, Pashai lypës, thosh: “Në qoftë se Zoti merr e jep, mua do të më japë përsëri dhe atëherë unë do mund të dalloj se cilët janë miqtë, e cilët janë armiqtë e mij.” Përfytyrojeni tani këtë mjeshtër të shtirjes, në ofiqin plot pushtet të një sundimtari që e ndiente veten të denjë për të sfiduar vetë sulltanin, për të cilin Irakliu shkruan:

“Ndoshta instinkti njerëzor sjell bashkë me kurorëzimin e çdo monarku edhe reagimin  për mbrojtjen e privilegjit, kurorës dhe pasurisë që bien pushtetet. Ndoshta fronëzimi u sjell mbretërve vegimin e frikshëm se kurora e tyre është gjahu më joshës për shumë pretendentë dhe rivalë, ndaj shikojnë çdo rang të afërt me ta dhe oborrtarë si të dyshimtë, konkurentë dhe kundërshtarë”. Dhe nuk ka pse të çuditemi, kur këtë dukuri e vërejmë edhe te liderët e sotëm të veshur me petkat e kohës moderne.

Tridhjetë vjet më parë, kur rasti e solli që të vizitoja në ishullin e famshëm, shtëpinë ku Ali Pashai burrërisht, bëri rezistencën e fundit ku dhe u vra, teksa shihja atë liqen aq paqësor në dukje, mbuluar se di pse nga një shtresë e trashë vaji dhe m`u kujtua mbytja e Frosinës, mbesës së bukur të Dhespotit që ish e dashura e djalit të Aliut, Myftarit, sepse më erdhi ndër mend që të njëjtën gjë kishte bërë dikur edhe Cari Ivan i Katërt, i mbiquajturi i Tmerrshmi, me Maria Dollgorukin, që pasi e kishte hipur në një karrocë të tërhequr nga dy kuaj të hazdisur, pasi i kishte uruar me tallje rrugën e mbarë, e kishte lënë të mbytej në një pellg të madh uji. Duke m`u shfaqur dhe të tjera mizori, teka tragjike, por dhe veti të dallueshme si burra shteti, sepse pashë shumë afri mes tyre.

Është fakt i njohur që Ali Pashai tërbohej kur dikush i fliste për rusët. Kështu që ka të ngjarë që nuk e dinte fare se kur u kthye në Kremlin Ivani i Tmerrshëm, në 2 shkurt të vitit 1565, krijoi krahas administratës tradicionale edhe “opritchninën”, duke u bërë kështu, i pari në Europë, që ngriti një polici shteti që kishte si “ideologji” “Frikën e Madhe”. E megjithatë, pavaërsisht se nuk kishte kulturën e këtij Cari, dhe ndofta pa njohur fare funksionimin e këtij shërbimi gjatë Dinastisë së tetëmbëdhjetë (1580 – 1380 p.e.s.) në Egjipt, pa lexuar ndonjëherë metodat bazë të spiunazhit, të kodifikuara nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë etj, dhe ndofta, pa pasur asnjë dijeni për shërbimet sekrete të Perandorisë Bizantine, ai siç thuhet në libër “organizoi një polici sekrete të panjohur në pjesët e tjera të Turqisë europiane”.

Natyrisht që është ashtu siç arsyeton doktor Koçollari, se pas dhjetë vjeçarit të parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Ali Pashai ynë, kishte përqasje të madhe me Pasvanoglunë e Bullgarisë veriore. Por, qoftë dhe duke u ndalur në sa thotë ai në librin e tij më se prestigjioz, të krijohet përshtypja se dhe unë kam të drejtë kur them se ai, pra Ali Pashai, ishte i pangjashëm me askënd.

Në qoftë se përmenda Ivanin e Tmerrshëm, këtë e bëra jo dhe aq për të treguar pikat e takimit mes këtyre dy sundimtarëve, por për t`a lartësuar siç e meriton, pas këtij krahasimi, Ali Pashë Tepelenën, i cili nuk ushtronte pushtetin mbi territoret e pafundme të Rusisë, as mbi popullsinë e strërmadhe të atij vendi, fundja të pavarur, por mbi një pashallëk të vogël dhe gjithsesi nën suzerenitetin e Perandorisë më të fuqishme – Turqisë. Por, sido që të jetë, ne nuk kemi se ç`t`i shtojmë përcaktimit që i ka bërë atij, Viktor Hygoi, i cili e ka quajtur Ali Pashë Tepelenën si “njeriun që mbeti më madhështor për kohën e vet”.