Jovan Bizhyti: Urani Rrumbo, mësuese e shquar e shkollës shqiptare në fillimet e shek XX-të

Urani Rumbo, lindi në dhjetor të vitit 1895 në Stegopul, një fshat jugor shqiptar në krahinën e Lunxherisë- Gjirokastër. Vinte nga një familje e madhe patriote dhe arsimdashëse. I ati, Spiro Rrumbo, ishte ndër mësuesit e parë, po ashtu mësues ishin dhe xhaxhai, Koçua, vëllai i saj, Kornili, motra Emilia, kushuriri Fotua, pra një armatë e tërë arsimtarësh e familjes Rrumbo të Stegopulit të Gjirokastrës.

Urania kreu gjashtë klasat e arsimit fillorë në shkollën ku i ati ishte mësues, në fshatin Filat të Çamërisë. Ajo ishte një nga nxënëset më të mira të shkollës, e talentuar sidomos në letërsi dhe e prirur tek poezia, Urania shumë shpejt u njoh me veprat e folkloristëve shqiptarë të asaj kohe si, Spiro Dine dhe Thimi Mitko, si dhe me jetën e krijimtarinë e shkrimtarëve, Naum Veqilharxhi dhe Konstandin Kristoforidhi. Urania, së cilës iu desh të luftonte në radhë të parë në familjen e saj për t’u lejuar që të ndiqte shkollën e mesme në Janinë, besonte fuqimisht se arsimi ishte mënyra më efektive për të përmirësuar jetën dhe statusin social të grave. Ajo që në shkollë të mesme në Janinë, (qytet në Greqinë veriperëndimore) ku studjoi, midis të tjerave, u njoh dhe me veprat e Homerit dhe Sofokliut të Greqisë së lashtë..

Sigal

Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, ajo mësoi rrjedhshëm shqip e greqisht dhe filloi t’u mësonte shqipen e shkruar edhe familjarëve e njerëzve për rreth saj. Gjuha u bë një nga çështjet më të rëndësishme politike në një vend siç ishte Shqipëria, që luftonte për gjuhën, arsimin, shkollën, pavarësinë nga Perandoria Osmane 500 vjeçare dhe që rezistonte ndaj strategjive pushtuese dhe të fqinjëve të saj, sidomos shovinizmi grek.

Nga viti 1910, Urania ndoqi një shkollë të lartë në Janinë, por arsimimi i saj u ndërpre, për shkak të luftërave Ballkanike dhe më pas Lufta e Parë Botërore. Gjatë kësaj periudhe, si autodidakte, ajo mësoi më së miri veç gjuhës shqipe me alfabetin e saj dhe gjuhë të huaja si, italishten, frëngjishten dhe latinishten. Në vitin 1916, filloi punën si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Dhoksat, një qytezë në Jug të Shqipërisë. Kështu, ajo nisi të renditet që në hapat e para, midis mësuesve më të nderuar të Lunxherisë.

Ashtu si motrat Qiriazi, flamurtare të arsimit, shumë shpejtë dhe figura e Urani Rrumbos u njoh, jo vetëm në Lunxheri e në Gjirokastër, por dhe në krahina të tjera të vendit për arsimimin dhe edukimin e gruas shqiptare. Në vitet 1917-18 punoi si mësuese në fshatrat Nokovë e Mingul të Lunxherisë. Që në moshë të re, bëhet anëtare e shoqërisë “Drita” të Gjirokastrës, e formuar që në vitin 1908. Urani Rrumbo shumë shpejt u shqua dhe si veprimtare për të drejtat e gruas shqiptare, për arsimimin dhe emancipimin e mëtejshëm të saj. U angazhua fuqishëm në promovimin e të drejtave të grave shqiptare të asaj kohe. Ajo në 23 nëntor të vitit 1920, së bashku me Hasibe Harshovën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Bilalin, të gjitha nga Gjirokastra, themeluan “Lidhjen e Gruas”, një nga organizatat e para të shquara të grave shqiptare, që luftoi për barazi dhe emancipim të grave. Deklaratën në formë proteste kundër deskriminimit të grave e vajzave, e dalë nga kjo organizatë, e botuan në gazetën “Drita”, një gazetë e kohës, që botohej në Gjirokastër, e themeluar në 1920, e drejtuar nga Veli Harshova, e cila ishte gazeta e parë që ngriti lart flamurin e lartësimit të gruas.

Pas Luftës së Parë Botërore, rreth viteve ’20-të, ajo shkoi në Gjirokastër ku hapi shkollën fillore femrore pesëvjeçare për vajza, “Koto Hoxhi”, e themeluar me ndihmën e mbështetësve patriotë nga shtresa e ulët dhe e mesme shoqërore. Ambientet e kësaj shkolle do të frekuentoheshin nga vajza, të cilat vinin nga krahina të ndryshme të Gjirokastrës. Ditën e hapjes së shkollës, Urania mbajti një fjalë tepër prekëse. Midis të tjerave ajo theksoi: “Gëzimi im më i madh është se vendosa në një bankë e krah për krahë vajzën myslimane të Manalatit me atë të Varoshit, si motra të pandara nga njëra-tjetra”. Pra, ajo ishte mësuesja “feministe”, që bashkoi besimtarët e feve të ndryshme në një shkollë, e në një bankë.

Jo vetëm kaq, intelektualja dhe aktivistja e shquar, Urani Rrumbo, filloi të punonte për të luftuar dhe analfabetizmin femëror dhe praktikën borgjeze të kufizimit të lirive dhe të drejtave të grave në zona të veçanta të Lunxherisë e të gjithë Gjirokastrës.

Për herë të parë, shkolla e hapur nga Urania, bëri bashkë njerëz me fe të ndryshme. Gazetat e Gjirokastrës “Demokratia” dhe “Drita”, nën botimin e tyre, do të hidhnin dritë mbi problemet me të cilat përballeshin gratë shqiptare, veçanërisht mungesën e arsimimit të tyre. “Shkollimi është edukimi i shpirtit”,- shkruante në faqe të parë gazeta “Drita”, më 20 maj të vitit 1921.

Më pas ajo formoi shoqatën “Motërmate”, që kish qëllim bashkim-vëllazërimin e grave. Mendimet e saj përparimtare ajo i shfaqi në organet e shtypit që dilnin në Gjirokastër. Më 8 gusht 1920, me nismën e Uranisë e të patrioteve të tjera të shoqatës “Motërmate”, organizohet në Gjirokastër e para mbledhje e grave, të cilat kërkonin dritë, arsim e përparim. Urania më 20 nëntor 1920 harton një manifest në emër të grave gjirokastrite dhe e boton në organet e shtypit të kohës. Në të ngrihej problemi i barazisë së burrit me gruan. Në disa raste ajo ka shkruar në shtypin e kohës edhe me pseudonimin “Trumpeta”, siç ishte rasti i një artikulli në gazetën ”Drita”, ku ajo ngrihet ashpër kundër robërimit të gruas dhe e përfundoi artikullin me fjalët, “Përpara! Të përpiqemi të realizojmë përparimin!” Përpjekjet për përparimin e gruas po shkonin mbarë dhe më 25 korrik 1924, organizon shoqërinë e grave të quajtur “Përmirësimi”, ku edhe u zgjodh në krye të saj.

Urani Rrumbo deklaronte në statutin e Përmirësimit, se gratë intelektuale, mësueset, prindërit dhe nxënësit duhet të takohen për të diskutuar mbi problemet dhe padrejtësitë e veçanta, që hasin zakonisht gratë. Lëvizja e grave në Gjirokastër po forcohej asokohe, ndeshur në një klimë të karakterizuar nga pretendimet e feve ortodokse dhe islame dhe të regjimit politik obskurantist, ku thuhej se statusi më i ulët shoqëror i grave ishte “i pandryshueshëm” nga këto zakone. Në të njëjtën kohë, Urania do të niste një fushatë edhe kundër mbulesës së femrës në emër të grave dhe vajzave gjirokastrite.

Në përpjekje të vazhdueshme, ajo organizoi dhe kurse arsimore për gratë e shtresave të ndryshme shoqërore, gjithashtu mori pjesë aktive dhe si anëtare e shoqërisë përparimtare “Drita” të Gjirokastrës. Në riorganizimin e “Lidhjes së Mësuesve të Shkollave Fillore” të Gjirokastrës, në mars 1924, ajo ishte në komisionin nismëtar dhe u përpoq për mësimin laik në shkolla, si dhe zhvillmin e teatrit, për edukimin kombëtar të fëmijëve, po ashtu u përpoq për t’i dhënë ngjyra kombëtare dhe liceut francez të hapur në vitin 1923.

Një tjetër angazhim i saj, lidhej dhe me organizimin e shfaqjeve teatrore në shkolla. Në këtë mënyrë, vajzat mund të inkurajoheshin që të merrnin pjesë në ngjarje publike dhe të rrisnin vetëbesimin e tyre. Në një klimë patriarkale ku vajzave u ndalohej të merrnin pjesë në kurse teatrale dhe të qenit aktore, konsiderohej e turpëshme, Urania futi kurse teatrore në shkolla dhe shkroi pjesë teatrale. Njëkohësisht, ajo drejtoi dhe shfaqjet e, “Agamemnonit”, “Kuleta e Neqezit”, “Fiqtë dhe dituria”, apo “Nipi i këpucarit” e tjera. Në këto të fundit trajtoheshin dhe histori shqiptare dhe dëshirën e grave për arsimim. Vdiq në Gjirokastër më 26 mars 1936.

Për kontributin e madh që Urani Rrumbo dha në fushën e arsimit e të emancipimit të grave e vajzave, në mars të vitit 1961, ajo u nderua me titullin më të lartë, “Mësuese e Popullit”, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RP të Shqipërisë në regjimin e kaluar komunist.