Mustafa Koçerri: Nënë Nuria nga Koçerrajt e Vërmikut që i dha gji dhe rriti babain e Heroit të Popullit Zigur Lelo

Një nga traditat e zakonet e mira të shqiptarëve kudo ku banojnë në trevat shqipfolëse ka qënë dhe është se kur lind një fëmijë në një familje përveç emrave të tjerë ata vendosin edhe emra ilir, të qyteteve, maleve dhe lumenjve tanë si Vlora, Saranda, Berati, Drini, Shkëlzen,Vjosa, Gramoz etj si këto. Përveç të tjerave kjo tregon edhe për atdhe dashurinë që kanë shqiptarët për vendin e tyre duke u lidhur edhe shpirtërisht me vendin e tyre të dashur. Në shtëpinë e Seftedin Zigurit në Mesaplik të Labërisë më 18 prill 1961 lind djali dhe ja vënë emrin Tomorr, emrin e malit me të njëjtin emër. Mali i Tomorrit është i dëgjuar për legjendat ,ai është një mal i shenjtë ku vizitohet gjatë gjithë vitit jo vetëm nga shqiptar, por dhe nga të huaj. Ai është i rrethuar me shumë fshatra si Dardha, Tomorri, Lubesh, Kapinova, Bargullas, Bogova, Dobrusha, Trebla, Shpatanji, Ujaniku ,Gradeci, Luathi etj, të cilat janë të vendosura në fund të këtij mali dhe duken sikur ai i mban në prehërin e tij. Nisur nga emri i mirë, nga gojëdhënat për këtë mal i vendosën edhe djalit që lind në Mesaplik emrin Tomorr.

Sigal

Pak histori për Mesaplikun dhe familjen e Tomorr Lelos

Në ditët e fundit të dhjetorit 2023 rastësisht në “Rrugën e Re” të qytetit të Vlorës më del përpara Tomorr Lelo. Ndalem dhe e përshëndes. Megjithëse isha takuar edhe herë tjetër i them se jemi patriot, unë jam nga Koçerrajt e Vërmikut. Në bisedën e shkurtër i shpreha,- ju jeni person që ju njohim si këngëtar dhe si i tillë gëzoni respekt dhe dashuri nga shumë njerëz. Ai menjëherë më shpreh me buzë në gaz e dashamirësi, me ju Koçerrat e Vërmikut kemi një lidhje të vjetër. Për arsye kohe i them do vi të te takojë një ditë tjetër për të mësuar më hollësisht. Ai u tregua I gatshëm dhe më tha, mua më takon në lokal Çipini po në rrugën e re. Pas vitit të ri 2024 në janar shkova te lokali ku ai preferon te pijë kafe apo të takohet me shok e miq të tij. Ai ishte ulur në një tavolinë dhe më ftoi të ulesha edhe unë. Që në pamjen e parë kur e takon do të shohësh një burrë trup madh, të bëshëm, të pashëm, gjigant si dhe mali i Tomorrit. Hera herës kur bisedon ai tregohet buzë gaz dhe i qeshur, veti kjo e njerëzve të çiltër, shpirtmëdhenj e të mirë, ashtu si e ka përshkruar i madhi Lefter Çipa

Nënë krahët e Tomorrit,

njëmije burra si zë plumbi.

Ai është bashi i vaporrit.

Mbi sup i ulet pëllumbi

dridhen mbi çibuk me gunga

bejtet shtëllunga shtëllunga

Tomorri ka më se 30 vjet që bën pjesë në Ansamblin Folklorik Çipini. Ai ka dalluar dhe dallon si krijues, interpretues dhe organizator i këtij ansambli. Në repertorin e këtij ansambli numërohen disa qindra këngë të interpretuara me pasion dhe profesionalizëm. Ato janë një thesar i çmuar i këngës labe ku i këndojnë njeriut, atdheut, krahinës së labërisë, dashurisë, trimërisë, patriotizmit etj. Një nga këngët e fundit të kënduara është edhe ajo kushtuar Dulo Shurdhaj. Bolena. Ai më tregon se origjinën e hershme e kanë nga fshati Bashaj i Smokthinës dhe më pas janë vendosur në fshatin Shalës Mesaplik të Vlorës. Si gjithë fshatrat e tjerë të Labërisë edhe Mesapliku ka merita e kontribut të veçantë në historinë e kësaj krahine, por edhe të Shqipërisë. Në vizitat dhe takimet që ka patur Ismail Qemali me banorët në krahinën e Labërisë në Mesaplik ai ka shkuar dy herë. Në tetor 1908 nga fshati Gumenicë ai shkon në Mesaplik dhe ndalet në rrepet e bukur. Këtu ai bën takimin me krerët e patriotëve ku marin pjesë 200-250 vetë. Në Mesaplik ishin bërë edhe kuvende të tjera, por ai ishte zgjedhur edhe për vetë pozicionin që ka si një nyje lidhëse për krahinën. Vizitën e dytë Ismail Qemali e beri në vjeshtën e dytë të vitit 1913, kur ai ishte në moshën 70 vjeçare. Pasi kishte qenë në fshatin Bolenë ai vjen në fshatin e bukur të Mesaplikut. Edhe në këtë kuvend morën pjesë 200-300 veta, nga Mesapliku dhe fshatrat për rreth. Në 20 mars 1920 po në Mesaplik bëhet kuvendi për organizimin e luftës së 1920-ës. Pjesë e këtij kontributi të kësaj krahine është edhe ai i familjes Lelo, jo vetëm në luftën NÇL në luftën e 1920, por edhe para këtyre, në kohën e pushtimit otoman, për të cilën Tomorri flet me pasion dhe respekt për të parët e tij. Burra nga ky fis kanë qenë  përkrah dhe në ball, bashkë me shumë patriot e kapedanë të zot, të cilët interesat e Shqipërisë i kishin prioritet të jetës dhe aktivitetit të tyre. Njëri nga këta burra të fisit Lelo, është Zigur Lelo, gjyshi i Tomorr Lelos. Ai lindi në vitin 1865 në Bashaj të Smokthinës. Ai ja kushtoi jetën e tij mbrojtjes së pamvarsisë dhe tërësisë tokësore të vendit. Është pjesmarës në Luftën e 1920, ku edhe u vra i pari në luftime në Kotë të Vlorës. Si veprimtar i shquar për liri ku dha edhe jetën, ai mban dekoratën më të lartë të “Heroit të Popullit” si edhe atë të ” Nderit të Kombit “. Një patriot tjetër nga ky fis është edhe Jazo Kapo. Lelo, i cili ka qenë në krahë të Zenel Gjolekës, Cane Miftar Smokthinës,Tartar Memushit, Dule Zotos, Sinan Mezurit etj. Aktiviteti dhe veprimtaria e tyre kanë qenë kundër reformave të Tanzimatit. Rreth viteve 1820-1830 si rezultat i përndjekjes të ekspeditave turke, pas rënies së Ali Pash Tepelenës dhe për të shuar lëvizjen e Ismail Qemalit (i parë) në vazhdën e masakrave digjet shtëpia e Jazo Kapo Lelo në fshatin Bashaj i vogël, duke shkrumbuar çdo gjë të saj. Në këtë kohë Lelua djali i tij ishte 6 muajsh, ndërsa të tjerët morën armët dhe ikën maleve.

Kush u kujdes dhe rriti këtë foshnjë 6 muajsh

Vërmikasi Sinan Mezuri, i cili kishte lidhje me Jazo Kapo Lelo dhe me kapedan e patriot të tjerë , mori përsipër që foshnjën e vogël ta çonin në shtëpinë e një bashkëfshatari të tij në Vërmik, në shtëpinë e Mustafa Koçerit, të cilit nuk kishte shumë kohë që i kishte vdek një fëmijë i vogël. Kjo familje me ndjenja të larta humane dhe njerëzore e mori fëmijën e vogël dhe nënë Nuria ishte nëna që i dha qumësht nga gjiri i saj dhe e rriti deri në moshën 11 vjeç. Pas kësaj periudhe vëllezërit e Lelos dhe babai i tij Jazua që ishin kaçak maleve u rikthyen në fshatin e tyre dhe e rindërtuan shtëpinë. Në shenjë respekti për kujdesin dhe rritjen nga familja Vërmikase të djalit të vogël, atij i thërrisnin Lelo Vërmiku. Edhe kur u rrit ai asnjëherë nuk i humbi lidhjet me  familjen që e rriti, me vërmikasit e në veçanti me shokun e tij të fëmijërisë Haxhi Bletën, të cilin e ndihmoi dhe e sistemoi në Veliqot të Tepelenës dhe me ndihmën e kaçakëve bleu mullirin e famshëm të Ali Pashë Tepelenës që u shërbeu si bazë strehimi e furnizimi. Rreth viteve 1864 kur u martua Lelua, lindi djali i tij i madh Ziguri, emër, të cilit ju vu i tillë pasi familja ishte në zi. Ishin në zi pasi jo vetëm ishte varur në litar Jazua, por ishte vrarë edhe  vëllai i Lelos, Zeneli i cili kryesonte çetën e fshatit Bashaj, e cila luftonte për mbrojtjen e tokave dhe territoreve shqiptare. Për këtë populli ka përjetuar në këngë

Polli Bashi e bëri buall,

Zeneli si dash përçuar.

Ditën e diel kur dualën

Kul e kuqe përkundruar!

Shumë u fut e keq u suall,

se kur doli i fituar

me dy tri koka në duar

u godit në kraharuar.

Po kaq prekëse janë  fjalët,

që e qau nëna Zenelin:

Ç’e qanë Kadria në shkallë

e derëzeza o djalë.

Ç’të të qajë nëna më parë;

sos për plumbat a për kranë?

Se dhe krahu të kish dalë

që kur vajte flamurtarë.

Në këto kushte, pasi u shkatërruan trojet e tyre, Lelua u largua nga Bashaj dhe u vendos në fshatin Shalës Mesaplik. Në shenjë respekti për familjen që e rriti derisa u bë 11 vjeç vendit ku u vendosën e quajtën Koçerr dhe i vendosi emrin Mustafa njerit nga fëmijët e tij, dhe la amanet që të mos vihen më emra të trashëguar, pasi nuk kanë jetëgjatësi. Fisnikëria dhe bujaria e fisit Koçerraj ka rrjedhur dhe ka vazhduar edhe pas këtij rasti që u përmend më lartë. Kështu Jakup Koçerri rreth vitit 1925 në marrveshje me familjen e saj merr për të rritur vajzën e vogël Haxhire Alimuçi me banim në Vërmik, pasi nëna e saj e kishte të vështirë për të rritur pesë fëmijë jetim. Pas disa viteve kjo fisnikëri rishfaqet përsëri dhe Jakup Koçerri merr për të rritur e kujdesur nipin e tij Demir Rudi derisa ai u bë zot i vetes  duke krijuar familje më vete. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, afro 150 vjet, ajo nënë ka ndërruar jetë, unë e vlerësoj këtë veprim human e tepër njerëzor që ajo ka bërë duke i dhënë qumësht gjiri një fëmije jo të saj dhe me siguri shpirti i saj prehet i qetë. Veprimi i saj është vlerësuar nga banorët duke u shprehur:

Nënë Nuria e Koçerre,

Ëngjëllore e asaj dere!

Po kështu është për t’u vlerësuar e falenderuar veprimi i familjes patriote Lelo, duke përjetësuar humanizmin dhe veprimin e asaj nëne dhe familjes Koçerri nga Vërmiku duke i vënë vendit ku u vendosën në Shalës Mesaplik emrin Koçerraj si dhe djalit që lindën Mustafa. Falenderoj edhe patriotin tim dhe këngëtarin e mirënjohur Tomorr Lelo, i cili u tregua i gatshëm, për të njohur dhe mësuar këtë histori të vjetër, por shumë humane e njerëzore, ç’ka trgon se edhe ai vetë është një njeri me zemër të madhe e të mirë.