Prof. Dr. Adrian Civici
Rektor i UMSH
Diploma që merrni sot është dëshmia se keni ndërtuar një themel të fortë mbi të cilin mund të ngrini karrierën, por edhe jetën tuaj si individë të lirë, të përgjegjshëm dhe aktivë në shoqëri.
UMSH ka qenë i përkushtuar në këtë mision. Ne kemi investuar në cilësinë e mësimdhënies, në modernizimin e kurrikulave, në ndërlidhjen e vazhdueshme me tregun e punës, në integrimin e teknologjisë dhe inovacionit si pjesë e formimit tuaj profesional.

Diplomimi i studentëve në tërësi dhe ai i Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë (UMSH) në veçanti është një moment që shënon jo vetëm fundin e një etape të rëndësishme të jetës suaj, por edhe fillimin e një kapitulli të ri, të mbushur me mundësi dhe sfida. Ky është një çast solemn, ku historia personale e secilit prej jush lidhet me historinë e vetë universitetit dhe me horizontin e së ardhmes që të gjithë së bashku jemi duke ndërtuar.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka synuar gjithmonë të jetë më shumë sesa një hapësirë mësimdhënieje. Ai është ndërtuar mbi bindjen se dija është forca më e madhe që mund të transformojë individin dhe shoqërinë. Siç thoshte Albert Ajnshtajni: “Edukimi nuk është thjesht mësimi i fakteve, por ushtrimi i mendjes për të menduar.” Ne kemi kërkuar t’ju japim jo vetëm njohuri, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të pyetur, sfiduar dhe mbi të gjitha për të guxuar.
Arsimimi universitar , është arma më e fuqishme për studentët në këtë udhëtim të ri. Ai nuk është vetëm një pasaportë për karrierën profesionale, por edhe një mjet për zhvillimin tuaj personal, për rritjen e ndërgjegjes qytetare, për kultivimin e mendimit kritik dhe të pavarur. Diploma që merrni sot është dëshmia se keni ndërtuar një themel të fortë mbi të cilin mund të ngrini karrierën, por edhe jetën tuaj si individë të lirë, të përgjegjshëm dhe aktivë në shoqëri.
UMSH ka qenë i përkushtuar në këtë mision. Ne kemi investuar në cilësinë e mësimdhënies, në modernizimin e kurrikulave, në ndërlidhjen e vazhdueshme me tregun e punës, në integrimin e teknologjisë dhe inovacionit si pjesë e formimit tuaj profesional. Të dashur studentë, tregu i punës që ju pret nuk është ai i brezit të prindërve tuaj, apo qoftë dhe ai i 5-10 viteve më parë. Profesione të reja lindin çdo ditë – në inteligjencën artificiale, teknologjinë digjitale, energjinë e qëndrueshme, ekonominë kreative, ekonominë qarkulluese, atë blu e të gjelbërt. Profesione të tjera po zhduken ose po transformohen thellësisht. Në këtë realitet, sfida juaj nuk është vetëm të gjeni vendin tuaj në tregun e punës, por të krijoni role të reja, të ndërtoni rrugë të reja, të jeni sipërmarrës të ideve dhe inovatorë të së ardhmes.
Sot, më shumë se kurrë, universitetet përballen me sfida të mëdha: Si t’u përgjigjen profesioneve të së ardhmes, si të integrojnë inteligjencën artificiale në mësimdhënie e kërkim; Si të formojnë mendim kritik te studentët që të mos jenë vetëm konsumues të teknologjisë, por krijues e drejtues të saj. UMSH e ndjen këtë përgjegjësi dhe e ka vendosur si prioritet. Përmes modernizimit të kurrikulave, laboratorëve të inovacionit, projekteve të përbashkëta me industrinë dhe kërkimit shkencor të aplikuar, ne synojmë të mbajmë studentët tanë gjithmonë në vijën e parë të zhvillimit akademik dhe profesional.

Një dimension i rëndësishëm i kësaj strategjie është marrëdhënia me alumni. Ju, të diplomuarit e sotëm, tashmë, shumë shpejt do të jeni pjesë e një komuniteti që nuk mbaron me ceremoninë e diplomimit. Alumni-t janë ambasadorët tanë më të mirë, ura që lidhin universitetin me tregun e punës, burimi i shembujve frymëzues për gjeneratat e ardhshme. Nëpërmjet jush, UMSH mëson, përshtatet dhe përmirësohet. Sfida jonë është të forcojmë këtë marrëdhënie, të krijojmë rrjete të qëndrueshme bashkëpunimi dhe të ndërtojmë një platformë të gjallë shkëmbimi përvoja dhe idesh.
E di që shpesh tregu i punës është i pamëshirshëm, me konkurrencë të lartë dhe pasiguri. Por pikërisht aty qëndron edhe mundësia: ju nuk jeni vetëm kandidatë për një punë, por krijues të së ardhmes. Ju mbani me vete jo vetëm dije, por aftësinë për të menduar ndryshe, për të parë mundësi aty ku të tjerët shohin barriera. Kjo është pasuria juaj më e madhe.

Në këto vite, ju keni përjetuar një formim ku teknologjia dhe inovacioni janë bërë pjesë e pandarë e edukimit tuaj profesional. Ju keni mësuar të ndërveproni me dijen digjitale, të kuptoni sfidat e inteligjencës artificiale, të përfshini teknologjinë në fushat tuaja të studimit. Ky është formimi që ju bën të aftë të përballoni sfidat e profesioneve të së ardhmes që kërkojnë gjithnjë e më shumë dije e kompetenca komplekse ndërdisiplinore. Siç thotë Peter Drucker: “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë.”
Të dashur studentë, diploma që mbani në dorë është më shumë sesa një dokument. Ajo është një çelës që hap dyer, por edhe një sfidë që ju fton të hapni rrugë të reja. Mos harroni kurrë se mësimi nuk mbaron sot; ai sapo ka filluar. E ardhmja do t’u përkasë atyre që vazhdojnë të mësojnë, të përshtaten dhe të krijojnë. Në emrin tim personal dhe të gjithë stafit akademik të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ju përgëzoj nga zemra për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ju uroj që në çdo hap të jetës suaj të ruani pasionin për dijen, guximin për të sfiduar kufijtë dhe vizionin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten, shoqërinë dhe vendin tuaj. Mos prisni të ardhmen. Bëhuni krijuesit e saj. Sot është dita juaj ! Festojeni me krenari dhe le ta shndërrojë kjo ditë udhëtimin tuaj të ardhshëm në një histori suksesi.























