Prof. Bardhosh Gaçe: Pa arsim, kombi zhduket

 

I pamësuari është i mërzitshëm, pedanti është i padurueshëm

Sigal

Qemal Isufaj: “Pa arsim kombi zhduket, dituria digjet”

Nga Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Dalja në dritë e monografisë “Jeta ime”, të mësuesit veteran Qemal Isufaj nga Mallakastra, në prag të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, të fut në meditime të thella për të parë më nga afër rrugëtimin e shkollës shqipe në Mallakastër për gjatë shek. XX e deri në kohët tona. Veterani mësues Qemal Isufaj është një emër i përveçëm në trevën e Mallakastrës, një familje e mrekullueshme që ka dhënë kontributin e vet në luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, por edhe në emanciimin dhe kulturimin e mallakastriote. Kujtimet e tij, shënimet dhe esetë në librin më të ri të tij nxjerrin në dritë rolin e arsimit në edukimin patriotik dhe kulturor të mallakastriotëve, përpjekjet e mëdha të Qemal Isufaj dhe mësuesve të tjerë për t’i dhënë dritë e dituri Mallakastrës. Kontributi i tij në shkollën e Graçanit, Greshicë, Drenovë, “5 Shkurti”, “Ismail Klosi apo gjimnazi “Dervish Hekali” dhe teknikumin e naaftës në Ballësh, dëshmojnë përkushtimin e tij të rrallë në shërbim të arsimit dhe pajisjes së nxënësve me dije bashkëkohore. Për këtë kontribut ai është nderuar me titullin e lartë “Mësues i merituar” më 1987. Mësuesi veteran Qemal Isufaj krahas zhvillimit të arsimit dhe kulturës në Mallakastër është marrë dhe me gjurmime të traditave, zakoneve dhe historisë së kësaj krahinë kombëtare, të cilat shënohen edhe në botimet e tij “Graçani ynë”; “Besëlidhjet e popullit të Mallakastrës”, “Historia e luftërave për liri në Mallakastër” e mjaft artikuj e botime të tjera, të cilat dëshmojnë lashtësinë dhe kontributin e mallakastriotëve në Luftën e Vlorës dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në tërë krijimtarinë e tij zënë vend ngjarje e personazhe të shquara mallakastriote, të cilat janë pjesë e historisë sonë kombëtare. Brenda tyre është edhe mendimi dhe shpirti i bardhë i një veterani që i flet kohës sonë me mesazhe atdhedashëse.

Në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës shqiptare gjatë shek. XX kanë nxjerrë krye edhe ngjarje e njerëz, të cilët me veprimtarinë e tyre kanë lënë gjurme për dritësimin e brezave dhe fisnikërimin e tyre. Ashtu si në mbarë vendin dhe në krahinën e Mallakastrës, nën frymën e Rilindjes Kombëtare mësues si Qemal Isufaj dhe të tjerë i kanë bërë një shërbim të vyer arsimit kombëtar, ai mbetet model edhe për arsimin e sotëm. Qysh në rininë e tij, i pajisur me atdhetarizëm e guxim, duke mbartur idetë antifashiste të luftës NACL, Qemal Isufaj mori fytyrën e kohës duke u bërë misionar i dritës dhe i diturisë. Ishte ky portreti i tij, që shpaloset edhe në këto kujtime e shënime eseistike, ku na jepet një tablo e gjerë e jetës tradicionale, arsimore e kulturore e Mallakastrës, e cila, ringjallet prej tij në mjaft ngjarje bëma e njerëz, që Mallakastra i mban në gjirin e vet si gurë xhevahiri. Qemal Isufaj është një emër i përveçëm jo vetëm i arsimit kombëtar, por edhe si idealist e veteran që përherë i flet kohës dhe njerëzve me mesazhe dashurie dhe paqeje, ku ngjizet Atdheu dhe fisnikëria për të. Kujtimet e Qemal Isufajt janë copëza të një jetë plot vrull dhe dinamizëm të Mallakastrës dhe brezave të rinj, që u rritën mbi supet e këtij trualli dhe fluturuan anekënd atdheut. Ai thoshte: “Pa arsim kombi zhduket, dituria digjet”. Mjaft prej nxënësve të tij sot janë deputetë, mësues, agronom, ekonomist, naftëtar, ushtarak, inxhinierë, të cilët thonë: Faleminderit Qemal Isufaj për urtësinë dhe mençurinë që ke përcjellë te ne. Brenda këtyre shënimeve historike gëlon shpirti atdhetar dhe fisnik i një njeriu si Qemal Isufaj me krenarinë e atdhedashurisë.