Shoqata “Tomorri” dhe “Labëria” promovojnë librin e Ervehe Hasanaj, “Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës”

23
Sigal

Albert Z. ZHOLI

Ditën e shtunë datë 30 prill,  Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit” dhe Shoqata “Tomorri” promovuan librin monografik “Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës” Në këtë promovim morën pjesë intelektualë me emër me tituj si “Nderi Kombit”, profesorë, poetë, shkrimtarë, miq të autores, kritikë letrare dashamirës së librit etj. Veprimtaria filloi me egzekutimin e Himnit Kombëtar që solli  një emocion të veçantë.

Kush ishin risitë e librit të Ervehesë?

Në këtë rrëfim jete, shpalosur aq bukur e me origjinalitet nga autorja Ervehe Hasanaj, çdo lexues do të përjetojë ndjenja të holla dhe një përshkrim realist e mjaft prekës të jetëve tona. Të gjitha faktet, ngjarjet, portretizimet njerëzore, janë një dëshmi e autores, e cila tregon se si ka ndodhur çdo gjë dje në jetët tona, e si ndodh e zhvillohet sot, e si do të vazhdojë të shkruhet ky lloj rrëfimi në të ardhmen nga fëmijët dhe nipat e sotëm. Edhe pse kemi të bëjmë me fakte e ngjarje personale, familjare, farefisnore e shoqërore në punë e kolektiva punonjëse të caktuar, ato dalin nga caku i ngushtë i personales dhe marrin një tingëllimë të përgjithshme. Kësisoj ato dëshmojnë një kohë, një histori, që e kemi jetuar e përjetuar thuajse të gjithë. Pra, në atë rrëfim, nuk është vetëm autorja Ervehe që tregon, por jemi e marrim pjesë të gjithë në rrëfimin e fateve dhe jetëve tona, të gëzimeve, shpresave dhe zhgënjimeve. Dhe të gjitha këto shpalosur në dy kohë e në dy vende: në Shqipërinë e monizmit, dhe atë të pluralizmit politik, por dhe në emigracion në Itali. Libri në fjalë, nuk ka ndonjë pretendim të madh për ndonjë “letërsi të madhe”… Ai është rrëfim nga zemra, një lloj publicistikë e kohës sot, që po njeh interes e sukses në tranzicionet e zgjatura që po kalon njeriu shqiptar dhe vet Shqipëria. Autorja, me ndershmëri e sinqeritet të spikatur, flet për veten dhe fëmininë e saj, për dramat familjare, për vitet e shkollës, për marrëdhëniet njerëzore në atë kohë, parë nga syri i një fëmije jetim pa baba, por edhe i një adoleshenteje plot ëndrra e emocione. Ajo dëshmon aq bukur lindjen e dashurisë së saj me burrin që iu bë shoku i jetës! Për dasmat magjike të Malindit, të Tomoricës, të gjithë Skraparit, për këngët e vallet skraparçe, dhe një psherëtimë na del natyrshëm nga shpirti: “Ahh…!”. Me mjaft interes ajo përshkruan dhe dëshmon marrëdhëniet në punë, ato mes qytetarëve dhe institucioneve partiake e shtetërore, prej të cilave, herë merrte inkurajim e mbështetje, por herë edhe zhgënjim e trishtim. Sidoqoftë, ajo në çdo kohë, si në monizëm edhe në demokraci, si në Shqipëri edhe në Itali ku jeton si emigrante, ka kërkuar e çmuar lart moralin, traditën e vyer shqiptare të familjes, të besnikërisë dhe miqësisë, të nderit e të mikut, të dashurisë e respektit mes fëmijëve dhe prindërve, të sakrificës dhe solidaritetit.

Nuri Çuni: Fisi Hasanaj, fis intelektualësh dhe atdhedashës

Në takim pas hapjes promovuese e mori fjalën miku i Bektash Hasanaj, z. Nuri Çuni një ndër themeluesit e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”. Ai theksoi se me Bektashin bashkëshortin e Ervehesë ka patur një miqësi të madhe. Ai përcolli dhe gjithë historinë e dy fiseve të Bektashit dhe Ervehesë, lidhjen e fiseve të tyre me lëvizjet patriotike dhe luftën N-Ç.  Në Skrapar kanë lindur burra që i kanë dhënë shumë kombit me penë dhe pushkë. Historia e kësaj treve është e lavdishme pasi ka pasur intelektualë si Bektash Hasanaj. Bektashi ka qenë një ndër miqtë e mi, i cili ishte i lidhur shumë me librin, me punën, me shkollën, me familjen me atdheun. Ndoshta ai ishte ndër intelektualët me vizionarë të Skraparit në sistemin monist. I dashur, korrekt, mirënjohës dhe shumë i matur në fjalë. Cilësia e parë e tij ishte ndershmëria dhe sinqeriteti.

-Një përshëndetje special përcolli dhe  kryetari i Shoqatës “Tomorri” z. Ëngjëll Musai.

Ai theksoi se: Më 1906 u krijua Shoqata Tomorri në Rumani dhe pas 118 vitesh pikërisht në Mars 2024, Ervehe Hasanaj, me librin “Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës ” na ringjall shpresën për të menduar, kujtuar e vlerësuar të gjithë bashkëkombasit tanë kudo ku ndodhen në botë. Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”, bashkë me urimin, i dorëzoi sot Znj.Ervehe Hasanaj dhe djalit të saj Dritan Bektash Hasanaj edhe Kartat e Anëtarësimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” për Degën më të re të Pizës -Itali… Një vlerësim dhe mirënjohje speciale shkon për ikonën e Sh.A.K.”Tomorri” z. Nuri Çuni. Zoti e bekoftë trevën e Tomorrit dhe Labërinë që treguan, se Shqipëria për Identitetin Kombëtar është një dhe e pandarë… ! -Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat. Më thuaj çfarë lexon të të them se kush je?

Prof. Dr. Ago Nezha “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut””

REFLEKSIONE PËR LIBRIN “ JETA IME MES ÇOROVODËS DHE PIZËS TË AUTORES ERVEHE HASANAJ

Nuk ka familje pa biografi dhe histori personale. Kur mora në dorë librin e autores Ervehe Hasanaj, nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Albert Zholi, njëherazi dhe redaktor i librit, konceptualisht mendova që është një rrëfim i zakonshëm, i mbresave, kujtimeve, përjetimeve që çdokush i mbart me vete në rrugëtimin e tij jetësor. Por pa mëdyshje, do pohoja, që në këtë libër janë derdhur kujtimet dhe emocionet me vërtetësi, saktësi dhe romantizëm, me një stil lakonik letrar dhe ky është misioni human i letërsisë së vërtetëJeta e autores e vendosur në dy brigje të urës së kujtesës, mes Çorovodës të Skraparit dhe Pizës të Italisë, është përshkruar me ndjesi, vërtetësi, dashuri, nostalgji, ndershmëri, e ndjeshmëri rrënqethëse. Ajo tregon kalvarin e jetës së saj duke kaluar në të gjitha stacionet, nga fëmijëria e plagosur, e mbetur jetime me humbjen e babait, te adoleshenca dhe rinia me privacione, që ju vranë ëndrrat dhe dëshirat duke e pjekur para kohe, për të ndihmuar e lehtësuar barrën e rëndë të nënës, që mbeti e ve në moshën 33 vjeçare, për të rritur pesë fëmijë të mitur dhe deri te emigracioni që e vuri në një provë sfilitëse. Loti ju tha në sy, por nuk ja errësoi shikimin, për ta parë jetën në tërë shkëlqimin e saj. Autorja flet me zë poetik, për tërë rrugëtimin që ka bërë monopateve të jetës. Mjafton të sjell për ju një syth shkëputur te rubrika “Adoleshenca”, ku autorja shkruan se: “ Adoleshenca pranverë, është vetë parfumi i moshës, është vallëzim pa muzikë, është lumturi në ëndërrim”. Në rrethanat e saja familjare, edhe pse e re në moshë, nisi punën në librarinë e qytetit të Çorovodës. Puna me librin është dashuria e saj e parë, pasi ka kryer shumë punë të tjera në Skrapar, duke qarkulluar në qytet e në fshat. Por marrëdhëniet me librin i ka të shenjta. Librin ajo e shikon si mikun dhe mësuesin më të mirë. Ajo e do librin, se libri na mëson pa na qortuar, na këshillon pa na fyer, na kritikon pa na lënduar. Libri është një krijesë universale dhe zëri i arsyes njerëzore. Të duash librin do të thotë të duash jetën. Brezi i Ervehes, para dhe pas saj, e kanë vlerësuar librin në formimin dhe pajisjen e tyre me dije. Ndërsa brezi i sotëm pothuajse e ka braktisur librin duke ju përkushtuar internetit. Ciceroni  ka thënë se: “Një shtëpi pa libra, është si një trup pa shpirt”. Ky libër është një teatër jetësor, ku secili gjen veten në të gjitha rolet. Në faqet e tij shpalosen gëzimi dhe hidhërimi, buzëqeshja dhe trishtimi, vuajtja dhe sakrifica, suksesi dhe dështimi. Nëpërmjet jetës së saj, ajo tregon se kush nuk ka provuar të hidhurën, nuk shijon dot as të ëmblën. Ajo që zbulon lexuesi nga jeta e saj, tregon se Erveheja ka ecur me hapa të matura, duke u udhëhequr nga arsyeja, para pasionit. Në jetë, askush nuk ka shpëtuar pa u përplasur me dallgët, me paudhësitë, e padrejtësitë shoqërore. Por aftësia është, që të ngrihesh mbi to. Erveheja, na njeh me vuajtjet e sakrificat e kohës, por dhe me cinizmin, ligësitë, sjelljet perverse dhe padrejtësitë e pushtetarëve vendor, ku është përballur me dinjitet. Njeriu ka ardhur në jetë të punojë, përballojë e sfidojë, plot të papritura, jo thjesht të ekzistojë, e vegjetojë. Kur njihesh me jetën e trazuar të Ervehes, sheh qartë, se nuk e ka lejuar frikën ta udhëheq në veprimtarinë e saj, por është përballur me të papriturat që i kanë dalë para dhe i ka sfiduar ato, me maturi e zgjuarsi dhe ka dalë fitimtare në breg të suksesit. Me sqimën e saj të hollë, duke i parë fenomenet me sytë e mendjes, evidenton cilësitë morale të dy epokave, si atë të monizmit, ku respekti për prindërit, familjen, mësuesit, shokët dhe shoqet, ishte maksimal dhe atë të pseudodemokracisë, ku këto cilësi kanë bjerrur dhe kanë humbur shkëlqimin e tyre si vlerat zakonore, familjare, tradicionale, kombëtare. Dashuria dhe respekti për prindërit, të afërtit, bashkëshortin, shfaqen maksimalisht në tiparet dhe karakterin e Ervehes, gjë që është themeli i të gjithë virtyteveAutoren e mundon mendimi se jeta në emigracion të privon dhe cënon privatësinë dhe kënaqësinë shpirtërore. Krejt ndryshe është në vendin tënd, që rrethohesh nga dashuria e të afërmve, miqve dhe shokëve. Gëzimet dhe hidhërimet në vend të huaj, kanë peshë tjetër, që të stresojnë. Erveheja në emigracion, ka humbur dy njerëz të dashur, nënën dhe bashkëshortin. Duke qenë në Piza është detyruar të plotësojë amanetin e tyre, për t’i prurë të prehen në vendlindje. Realiteti i jetës së emigrantëve, e përligj këtë shqetësim. “Emigranti lind në një vend, plaket në një vend tjetër dhe kur del në pension është i huaj për të dy vendet”., shkruan Mark Tuain.

**

Pas fjalës së profesorit në ekran u paraqit një filmim i Nderit Kombit” Margarita Xhepa për librin e autores. E gjithë salla pas intepretimit të Xhepës shpërtheu në duartrokitje. Një interpretim brilant i saj që solli tjetër atmosferë.

**

Publicisti Sejdo Harka:

Libri është shok që nuk të bën hipokrizi, nuk mërzitet duke qëndruar me ty, nuk të qorton nëse e anashkalon dhe nuk të përhap sekretet kurrë.

Të flasësh për monografinë ‘’Jeta ime mes Çorovodës dhe Pizës’’ së Italisë, shkruar nga  Ervehe Hasanaj, është, si të gdhëndësh një statujë, ku gjallojnë njerëzish e karaktere, që ndeshen me një jetë  sa të vrullshme aq dhe të vështirë, herë të lumtur e të gëzuar dhe herë plot dhimbje e të trazuar, në luftë për mbijetesë dhe zhvillim, pa iu trembur syri. Erveheja, vërtet nuk është, as poete dhe as pozatore  e njohuar, që të ketë bërë emër me artin e fjalës së rrallë, por është  një bijë, bashkëshorte, intelektuale dhe nënë  e rrallë e këtyre anëve, e cila kudo që punoi dhe jetoi la respektin dhe emrin e saj të mirë. Ajo është një bashkëshorte shëmbullore që tërë jetën, gëzimet vështirësitë, ëndrrat dhe hidhërimet e saj i ndau me bashkëshortin e saj të mirë e të ditur, deri sa një sëmundje e pashërueshme, fatkeqësisht, i ndau, para kohe nga njeri-tjetri. Është një nënë, që rriti dhe edukoi dy djem të mrekullueshëm, me të cilët shkëmben respekt e mirëkuptim, dashuri dhe përkushtim për të kapërcyer pengesat, vuajtjet dhe fatkeqësitë. Janë këto, disa nga arësyet, të cilat zgjuan nga gjumi kujtesën dhe muzën krijuese të kësaj gruaje të guximshme, për të shkruar këtë monografi të bukur, e cila, me gjuhën e ëmbël, rrëfimin intrigues, dhe redaktimin krijues e të përgjegjshëm të redaktorit Albert Zholi, të nxit për ta lexuar me një frymë. 

 Në këtë monografi, autorja shpalos si në një dokumentar me ekran të gjerë copza të gjalla jete nga qyteti i saj i lindjes, Çorovoda e bukur dhe Malindi i largët, ku Erveheja, për të ndjekur këmbakëmbës bashkëshortin e saj të dashur, lë qytetin e lindjes dhe shkon për të jetuar e punuar përgjithnjë në fshat, pa marë parë parasysh vështirësitë dhe paragjykimet e kohës. Nga puna dhe jeta në këtë fshat ajo trgon shumë ngjarje, por unë do të përmed vetëm dy episode pikante. Ajo s’ka për të harruar ditën e parë të punës në këtë kooperativë, kur duke korrur grurë, nga mungesa e përvojës për punët e fshatit, pret gishtin e dorës, dhe e trembur nga rrjedhja e gjakut mendoi se puna në fshat nuk dashka vetëm djersë, por edhe gjak. Episodi i dytë, është përshkrimi i një dite të ethshme, kur në Malindin e largët kishte ardhur kryeministri i Shqipërisë së asaj kohe Mehmet Sheu . Ishte koha kur Erveheja punonte si ekonomiste në këtë koperativë. Rreptësia, me të cilën ai u kishte kërkuar llogari  drejuesëve dhe administratës së kooperativës për detyrat përkatëse, iu duk sikur në sallën ku bëhej mbledhja, kishte rënë një tërmet i fuqishëm. Por, shkruan ajo, tërmetin më të fuqishëm e ndjeva disa vite më von, kur dëgjova se njëshi i  tmerrshëm i qeverisë së asaj kohe, i hekurti Mehmet Shehu, kishte vrarë veten dhe ishte cilësuar armik i popullit dhe agjent i të huajëve. Në këtë moment, thekson autorja e këtij libri,  edhe pse sinqerisht më erdhi keq për fundin e hidhur të atij burri të tmerrshëm, ndjeva lëkundjet e tërmetit më të madh, që paralajmëronte rrënimin e atij sistemi,  që po i vinte fundi.

Dhimbje të thellë ndjeu Erveheja,  kur u  largua nga vendlidja dhe Atdheu. Kam qarë, shkruan ajo, kur ika nga Çorovoda ime e dashur, sepse e dija  që do të ndahesha për gjithmonë nga ky vend i bekuar. Do më mungonin edhe gurët edhe drurë, edhe njerëzit e mij të mirë, edhe eshtrat e të parëve tanë. S’thotë kot populli: ‘’Malli për vendlindjen dhe mëmëdheun, bren edhe gurin ‘’. Ndërsa i madhi Faik Konica thotë: ‘’Kush ndodhet larg Atdheut, e ndjen më shumë dashurinë dhe mungesën e mallin për të’’. Ndaj, tregon Erveheja, kur u rikthyem për herë të parë nga Piza për në Shqipëri, nëna ime, sa shkeli në trojet tona psherëtiu: ‘’ Ah, moj Shqipëri! Pse Zoti na ndau për së gjalli nga ti’’?! Vend të dukshëm në këtë monografi, do të zënë dashuria  dhe respekti për familjarët, miqtë, njerëzit e mirë, me të cilët punoi e jetoi, dhe dhimbja që ata lënë pas, kur ndahen papritur nga jeta . Autorja e këtij libri s’ka për të harruar  ditën e ndarjes nga jeta të  nënës së saj të dashur nga kovidi i pabesë. Ndaj Erveheja, në shënjë homazhi, për nënën e saj të rrallë shkruan:’’E shihja nënën time se si  stërmundohej nga agonia, dhe në ato çaste i lutesha Zotit:’’Merëmë dhe mua. Nuk dua të  përjetoj më, atë dhimbje të tmerrshme, që  po më sëmbonte shpirtin’’. Akoma më të tmershme  e ka ndjerë Erveheja dhimbjen për humbjen e parakohshme të bashkëshortit të saj të dashur. Erdhi një çast , shkruan ajo, që të mendoja, se për mua s’kishte mbetur gjë tjetër veç Zotit dhe lotit. Kisha humbur dashurinë e përjetshme dhe dritën e syve. Por kur u thellova , e mora veten. Ai më kishte lënë frytin e dashurisë sonë të përjetshme, dy djemtë e mij të mrekullueshëm, që më duan dhe i dua si sytë e ballit. Por dhurata më e ëmbël që ma solli Zoti, vazhdon ajo, është Berna, mbesa ime më e mirë dhe e vetme. Kot s’thot populli:’’Fëmija e fëmijës është si mjalti i mjaltit’’. Ata janë melhemi që të shërojnë çdo plagë e brengë.

 

Z.Elsan Hasanaj: Bektashi ishte i ditur, me humor dhe i rrethuar me libra

Ndihem shumë i emocionuar sot. Një ditë e bukur për fisin tonë. Erveheja ka bërë një libër të bukur që nderon fisin tonë, fisin e saj, por dhe Skraparin. Në atë libër nuk janë vetëm kujtimet e saj, por dhe kujtimet tona, kujtimet e njerëzve dhe të fisit tonë janë një pjesë e bukur e historisë sonë pse jo dhe e Skraparit. Erveheja ka shkruar me kulturë dhe përpikëri shumë detaje jetësore që na e sjellin afër, Bektashin tonë, nënën e saj, Çorovodën e atyre viteve, por dhe jetën tonë në dy sisteme. Një libër që ka kujtime aq të bukura, aq të detajuara sikur i përjetëson sot. I urituri nuk ia di vlerën ushqimit pa mos u ngopur më parë. Kështu është puna edhe me lexuesin pasi lexon librin Ndihet i uritur të lexojë më shumë…

**

-Muzika është poezi dhe poezia muzikë. Ato janë binjakë në udhëtimin drejt përsosmërisë. Kënga merr ngjyrat hyjnore me vargje dhe zë të bukur. Në këtë promovim kaq të bukur  pas këtyre diskutimeve kaloi në një atmosferë tjetër. Këngëtari Dule Malindi dhe Shqipe Zani me këngët dhe zërin e tyre elektrizuan sallën.

Në fund fjalën e mori autorja Ervehe Hasanaj. Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi se kurrë nuk kishte ëndëuar se promovimi do të sillte kaq shumë personalitete dhe njerëz të artit, kulturës, shkencës. Mes lotësh ajo duke u përulur shprehu mirënjohjen e thellë për respektin dhe fjalët e mira për librin duke ju uruar të gjithëve shëndet, lumturi në familje dhe suksese në punët e përditshme.