Gëzim Zilja: Patronazhistja Resmie

18
Sigal

Telegraf.al / Në lagjen ku banoj, njerëzit kanë frikë. Jo nga polici, jo nga gjyqtari, as nga komshiu gjysmë i çmendur, që bërtet në shkallët e pallatit për parkingun, madje as nga qentë e shumtë që shëtisin në qytet. Jo, Jo! Në lagje kanë frikë vetëm nga patronazhistja Resmie, madje më shumë sesa dikur nga agjentët e policisë sekrete të diktaturës. Ajo di numrat e celularëve të banorëve, ku punojnë, sa e kanë pagën, cilët janë të papunë në një familje, problemet që kanë me gjykatat, kadastrën, dashnoret e burrave dhe dashnorët e grave, ku studiojnë fëmijët, cilët pedagogë u japin mësim etj, etj dhe bën trysni mbi njerëzit për t’u marrë votën. Në rininë e saj, nuk ka qenë si patronazhistet e sotme bishtpërdredhura, të bukura, të silikonosura, me shalë kilometrike e minifunde, që bëjnë karrierë, apo kërkojnë favore pa iu trembur syri, duke mashtruar, spiunuar e intriguer, por edhe duke hapur këmbët, në motel, në hotel, mbi lavaman, mbështetur në mur, mbi tavolinën e punës, prapa derës së banjos apo kolltukun e zyrës së shefit.

Sot Resmia është një femër 70 vjeçare: E gjatë, e thatë si shkop ulliri i përcëlluar, me një gjoks dërrasë qysh në rini, hundë krrute, vetulla të rruara, e këmbët e holla si zogjtë peshkatarë të kënetave. Flokët në rini ka pasur dëshirë t’i mbajë të gjata deri në mes, po nuk ia doli se ishin të trasha si fije zhuke, e nuk kalonin kurrë poshtë qafës së hollë si lëfyti i ibrikut prej teneqeje, ku spikasin edhe sot ca damarë të trashë, që fryheshin kur fillonte e bërtiste. Vithje nuk ka pasur kurrë e fustani i tundet lirshëm pa u harkur as para e as prapa si në rini dhe tani në pleqëri. I ati, ish oficer sigurimi, (qen bir qeni, shfryn nën zë njerëzia edhe sot, që ka vajtur në atë botë) mburrej se një vëlla i ishte vrarë në luftën e dytë botërore. Të gjithë e dinin se ishte një derdimen që e kishte vrarë lopa në haur, ku rrinte fshehur.

Plasi sa i vuri emrin e vëllait një rruge në qytet. Qysh në shkollë të mesme Resmija, i raportonte rregullisht të atit se ç’thuhej e ç’bëhej në shkollën e saj veçanërisht mësuesit. E kishte bërë krenare familjen, kur kishte spiunuar, që mësuesi i fiskulturës vishte pantallona të ngushta të modës së huaj, dhe dëgjonte muzikë perëndimore. Sa të sqaroheshin gjërat mësuesi u transferua në një fshat malor, ku mungonte rruga automobilistike. Ky ishte suksesi i saj i parë. U pranua në parti sapo mbushi 18 vjeç dhe tre vjet më vonë mbaroi shkollën e lartë të partisë. E caktuan në arsim si drejtoreshë shkolle ku jepte lëndën e marksizëm-leninizmit. Nga që asnjë mashkull nuk ia hidhte sytë, i telendiste mësueset e bukura ose që mbaheshin, kur vinin me dy minuta vonesë, u gjente kur mundej ndonjë kleçkë ose shpikte ndonjë kushëri të dënuar a të internuar. I ulte në detyrë dhe me vendim partie i degdiste në fshat ose për riedukim në gjirin e klasës punëtore. Gjeti një burrë nga fshati: familje komunisti, një tutkun, që nuk nxirrte qimen nga qulli me diplomë universiteti. Pas vendosjes së demokracisë, kur fitoi partia socialiste sa s’plasi sa e bëri dekan në universitetin e qytetit.

Gjithë tenderat dhe punësimet e universitetit i bënte vet, duke mos zbatuar asnjë ligj apo rregull. E denoncuan nja dy herë burrin po Resmia ia doli të fitonte gjyqet. E mbushi administratën me socialistë dhe vuri një kufi prej mijëra eurosh për të pranuar student ose pedagogë jashtë ligjeve e rregullave. E kishin dekoruar nga bashkia dhjetë vitet e fundit me certifikatën “Nderi i Qytetit” për ndihmesën e madhe që jepte në fushatat zgjedhore. Sa më shumë plakej e shëmtohej aq më e egër dhe e ligë bëhej. Ditë më parë e pashë në një karrocë invalidësh, duke e shtyrë burri tutkun, tashmë edhe shurdh, aty në shëtitore. Më pa gjithë, urrejtje dhe më tha:

-T’u bë qejfi që me pe në karrocëëë? Vetëm këmbën kam thyer…

-Jo,-i thashë, i trembur nga sytë e qeltë si të një nepërkeje helmuese, gati të më kafshonte. Duke u larguar dëgjova zërin e saj:

– Mos u gëzo! Deri sa të vijnë zgjedhjet e reja, këmba do më shërohet. Aty do jem dhe më 2025. Nuk e lëshojmë pushtetin! Prindërit tanë kanë derdhur gjak…