Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” nderon në një event madhështor, “Visaret e Skraparit” dhe personalitetet e trevës

379
Sigal

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u mbajt një aktivitet i organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”, ku u përurua libri “Visare të Skraparit”, me autor Viktor Bakillari. Aktiviteti zgjoi interes mes shumë të pranishmëve, ku fillimisht u promovua libri voluminoz. Kjo vepër sjell pasqyrimet e shumta ndaj vendlindjes, nxjerr në pah vlerat, mendësinë e njerëzve, veçantitë e tyre dhe folklorin e pasur të skraparasve. I pranishëm si në çdo aktivitet ishte edhe Presidenti i Nderit të Shoqatës ‘Tomorri” poeti i shquar Xhevahir Spahiu.

Për të folur për vlerat e këtij libri u ngjit në skenë, Prof. Dr. Zydi Dervishi dhe Prof. Dr. Sazan Guri. “Skraparlinjtë kanë patur shumë kontribute të veçanta në historinë politike, luftarake dhe të kulturës, – përmendi Dervishi.

Kryetari i shoqatës dega, Tiranë Z. Razim Hamzollari, foli për punën e shoqatës si promotore në lartësimin e figurave të kësaj treve dhe ruajtjen e vlerave të traditës së Skraparit.

Në aktivitetin, ku u fol gjerësisht për kulturën dhe traditën e skraparasve, nuk mungoi as koncerti artistik, që z. Hamzollari drejton me shumë profesionalizëm. Të pranishmit u gjendën përballë tingujve të këngëve të Asamblit Folklorik “Demir Zyko” – Nderi i Kombit. Emrat e shquar të artistëve popullor që nga i mirënjohuri Dule Malindi, deri te Bukurie Hysaj, të cilët i dhanë një frymë alegrie eventit.

Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Engjëll Musai, në fjalën e tij gjatë promovimit të librit ka thënë se: “Ky takim vjen pas një periudhe të gjatë Covidi, që na penalizoi në organizimin e shumë aktiviteteve. Nderimi dhe promovimi i librit “Visare të Skraparit” është një vlerë e shtuar, pasi është i rallë në llojin e tij, ku figura më emblematike Viktor Bakillari, ka mundur të promovojë ato vlera të trevës së Skraparit, sot dhe gjatë historisë së saj. Promovimi i figurave të shquara është një vlerë, pasi ne nuk mund të ecim përpara pa kthyer kokën mbrapa. Ndaj respekti dhe mirënjohja për miqtë, shokët, dashamirësit tanë, ato që sot nuk jetojnë , ato që kanë hedhur një gur themeli që në krijimin e kësaj shoqate, por edhe ato që do vijnë pas nesh, është një detyrim moral dhe shoqëror për të gjithë.

Z, Musai nuk la pa përmendur kontributin e vyer të Kasem Hysenbelliu, emri i të cilit emocionoi të pranishmit dhe familjarët e tij. “Kur po bëja motivacionet për të dekoruarit që ne do t’i shikojmë më vonë, më të vështirën e kisha për Kasemin. Edhe për shkak të lidhjeve shoqërore dhe miqësore prej vitesh. Sado që të shkruajë motivacioni është i vogël”. Musai bëri me dije që ky aktivitet do të pasojë dhe me shumë aktivitete të tjera.” Unë mendoj dhe besoj që këto aktivitete do i kemi më të shpeshta. Do kemi një tjetër aktivitet në fund të tetorit dhe në fund të dhjetorit një aktivitet mbarëkombëtar”.

Viktor Bakillari: Me Skraparin kudo me vete, në mendje dhe në zemër

 

Dikush e pyeti autorin e librit Viktor Bakillari (lidhur me hasjen e shpeshtë të Skraparasve gjithandej): “…sa milion jeni ju të Skraparit, në Shqipëri?”. Përgjigjen, ai e ndau mes dhjetra e dhjetra të pranishmëve në ceremoninë e përurimit të librit voluminoz me afro 696 faqe të titulluar “Visare të Skraparit”. Një kumtesë që duhet lexuar prej jush, që mbart Skraparin kudo me vete, ashtu siç bën edhe ai.

U bë kohë që nuk jemi mbledhur kështu. Ky qerrata fat, paska dashur që të mblidhemi për një libër për Skraparin tonë. (Në fakt nuk është Skrapari yni, jemi ne të atij!) Po mblidhemi për një libër-thesar që po bën kohë që është botuar. Por të flasësh për Skraparin para Skraparasve që njohin shumë mirë tiparet, karakterin, botën e brendshme të tij nuk është aspak e lehtë. Vështirësia, domethënë emocionet, shtohen kur njeh shumë miq e shokë që s’ua ha qeni shkopin. Kalojmë në bërthamë të librit-thesar. Në fakt, ky libër është policentrik (shumëqendrash). Një ndër qendrat e tij është bleu (vëllimi) i këngëve. Ky libër ka rreth 400 këngë. Libër më vetë. Këngë shumë të bukura. Njëra me tekst më të bukur nga tjetra. Merita më e madhe për mbledhjen e këtyre këngëve u takon Neim Mustafaraj- Radëshit dhe Gjergj Komnino Përmetarit, të cilët qysh në vitet 1950 i kanë rënë Skraparit tonë, pashë më pashë, për të mbledhur nektarin folklorik liriko-kapedanesk të Skraparit

Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” vlerëson ish themeluesin e Fax News Z. Kasem Hysenbelliu

Gjatë ceremonisë së përurimit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” të librit “Visare të Skraparit”, janë dhënë disa vlerësime për figura të çmuara që kanë dhënë kontribute jo vetëm për shoqatën, por edhe për Shqipërinë. Ndër to ishte edhe vlerësimi për ish presidentin e Fax New‰s, Kasem Hysenbelliu si personalitet i shquar që ka kontribuar në fushën e arsimit, të vlerave ushtarake dhe të medias dorë‰zuar nga kreu i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Engjëll Musai: “Do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit si një ndër personalitetet e shquara në fushën e arsimit, të vlerave ushtarake, mbrotjes kombëtare, si dhe shkëlqimin dhe menaxhimin e mediave shqiptare atë të shkruar dhe vizive. Drejtues i shkëlqyer i gazetës “Panorama”, televizionit News24 dhe themelues i televizionit Fax News. Kontributi i tij në shoqatën Tomorri dhe organet drejtuese si anëtar i kuvendit të përgjithshëm dhe këshillit drejtues të shoqatës, ishin një vlerë e shtuar dhe do mbeten përjetësisht të gdhendura në historinë e shoqatës atdhetare kulturore “Tomorri”-thuhet në vlerësimin e dhënë për ish presidentin e Fax News, Kasem Hysenbelliu.

“Dua t’ju falenderoj të gjithëve në emër të familjes time. Gjithashtu edhe shoqatën “Tomorri”. Do doja të ishte vetë babai im ta merrte këtë titull, do e vlerësonte jashtë mase. Për mua ishte pika e dobët, ishte si të gjithë baballarët, shtylla e shtëpisë, të cilit po ia ndjejmë jashtë mase mungesën. Por me ndihmën tuaj ne përpiqemi ta kalojmë dhe ndihemi vërtet të vlerësuar”-u shpreh Kevin Hysenbelliu i cili ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së përurimit dhe dhënies së vlerësimit.

Për kontributet e dhëna, çmime morën Ylli Hoxha nënkryetar i shoqatës “Tomorri”, Shaban Lajthia, Hysen Caka dhe Spartak Nano

Një figurë qytetare, një atdhetar që ka dhënë kontribut në modernizimin e ekonomisë shqiptare, por edhe në fushën e humanizmit është Spartak Nano. Dekoratën ia dorëzoi Presidenti i Focus Media Group Z.Irfan Hysenbelliu, i cili tha se është privilegj i madh të vlerësosh Spartak Nanon, për gjithë kontributin e tij dhënë shoqërisë. Z.Ramis Hamzollari i dorëzoi titullin z. Ylli Hoxha. Nuri Çuni, i dorëzoi titullin z. Shaban Lajdhia. Nuk mungoi as poeti i shquar Xhevahir Spahiu, i cili i dorëzoi titullin, z Hysen Caka për veprimitarinë e shquar humane./Biora Vojka