Seit Alikaj: Letra që i dërgova Adil Çarçanit për ndërtimi e ujëmbledhësit të Paretit dhe vlerësimi i Enver Hoxhës

777
Sigal

INTERVISTA/ Flet Seit Alikaj, ish- drejtor drejtor i NB “17 Nëntori” në Tiranë

Në NB Kamëz, rezultate që na sollën si shembull

Në NB “17 Nëntori” shkova me urdhër të Hysni Kapos

Simon Stefani më tha, s’është punë dëshire, partia të do në ndërmarrjen e re

Si u ndërtuan me punë heroike ujëmbledhësi i Paskuqanit dhe i Sarkozës

U mbollën plot 30 mijë rrënjë ullinj, direktivë direkte e partisë

Letra që i dërgova Adil Çarçanit për ndërtimin e ujëmbledhësit të Paretit

Si më përgëzuan për mendimin, por ai ujësjellës nuk u ndërtua kurrë

Si gjithmonë në socializëm anonimët të prishnin shumë punë

Si është vlerësuar puna jote si agronom më vonë?

Pasi më hoqën nga rinia më çuan kryeagronom në NB Kamëz, nga prilli i vitit 1975 deri në 1979. Punova me profesionalizëm për sistemimin e tokave fushore e kodrinore, çeljen e kanaleve kulluese, ujitëse e parcelimin e fushës së Kamzës dhe të Laknasit, Kodrave të Tapizës dhe të Çerkezës. Punova dhe futa nën ujë 2200 ha tokë arë, duke shfrytëzuar me elektropompa burimet e shumta ujore natyrore  të kësaj ekonomie.  Si ekonomi u dalluam për përsosjen e strukturës së kulturave bujqësore foragjere dhe arritëm të sigurojmë bazën ushqimore të balancuar, sipas nevojave energjetike dhe proteinike, duke kultivuar misrin me kalli, tërfilin, jonxhën, kolëzën e hasllat, gjë që bënë, që ndërmarrja e Kamzës zuri vendin e parë në republikë për prodhimin e qumështit.

Pse u largove nga Kamza?

Një ditë kur isha në zyrë në ndërmarrjen e Kamzës, më morën në telefon nga Ministria dhe më thanë  se më kërkonte Simon Stefani.  Kur shkova në zyrë, ai më uroi për detyrat dhe më ofroi një detyrë të re. Më tha, kemi menduar të të çojmë Drejtor të Ndërmarrjes bujqësore “17 Nëntori”. Unë i thashë se jam mirë, pasi kam akoma shumë punë për të bërë në Kamëz. Por ai ndërhyri menjëherë dhe më tha se kam porosi nga shoku Hysni Kapo, për këtë punë.  Pra po themelohet Ndërmarrja e re Bujqësore “17 Nëntori” dhe kërkojnë drejtues me përvojë. Atëhere nuk luhej me urdhërat. Dakord thashë, do zbatoj urdhërin e shokut Hysni. Do mundohem të jap maksimumin. Ai qeshi, dhe më shtrëngoi fort dorën.

Kur u emërove në këtë detyrë?

Nga janari i vitit 1979 deri në, prill 1988,  u emërova drejtor i NB “17 Nëntori” në Tiranë. “Në këto vite, unë si drejtor i kësaj ndërmarrje, e njoha nga afër dhe bashkëpunova ngushtë për zhvillimin dhe përparimin e bujqësisë së Tiranës. Në tërë këtë veprimtari, isha një nga specialistët korrekt të bujqësisë shqiptare. Punova me përkushtim për transformimin dhe modernizimin e ndërmarrjes bujqësore “17 Nëntori” në Tiranë. Kjo ndërmarrje me vlera të rralla kombëtare ishte me të vërtetë një muze kulturash dhe degësh bujqësore. Në këtë ndërmarrje përfshiheshin 7000 punëtorë dhe rreth 25 000 banorë. U desh një punë kolosale mendore, teknike e shkencore, që në mënyrë figurative ndërmarrja quhej, një fabrikë gjigante e bujqësisë dhe të blegtorisë shqiptare. Riorganizimi administrativ i ndërmarrjes, teknologjia e lartë e kultivimit të bimëve të arave, pemëtarisë e blegtorisë, janë fryt i punës dhe i energjive të punëtorëve. Si rezultat i punës së tij kjo ndërmarrje u kthye në një laborator eksperimentesh. Ishte e vetmja ekonomi në atë kohë, e cila zbatonte eksperimente ne fushën e drejtimit, organizimit dhe të shpërblimit. Për shumë vite, kjo ekonomi u bë shkollë e përvojës së përparuar kombëtare. Me punë u arrit që ndërmarrja ” 17 Nëntori” të bëhej bazë e furnizimit të kryeqytetit me perime e produkte të tjera bujqësore e blegtorale. Çdo vit aty prodhoheshin 120000 kv perime, 80000 kv qumësht, 60000 kv rrush. Për plotësimin e këtyre detyrave,  u arrit të ndërtohej  ujëmbledhësi i Paskuqanit, me 15 milion m3 ujë, ai i Gjokaj nr.2  me 3,5 milion m3 ujë, i Sarkozës me 500 mijë m3ujë, të cilët rritën sipërfaqen nën ujë nga 20%-90%.

Si u ndërtuan këto vepra ujore?

Historia e ndërtimit të këtyre veprave ujore, që vunë mbi baza shkencore bujqësinë në Tiranë, është e tillë; me ndarjen e ndërmarrjes bujqësore “Gjergj Dimitrov” në dy ndërmarrje bujqësore, në atë ekzistuese NB “Gj Dimitrov” dhe në NB ” 17 Nëntori”, në janar 1979, filluan të dalin problemet që kishim për plotësimin e detyrave, probleme të cilat i ngrinim me forcë në organet drejtuese: në rajon, në rrethe, në dikastere, siç është ai i sipërfaqes nën ujë që për NB “17 Nëntori” ishte 20% e tokës arë, në një kohë që kërkonte më shumë. Sipërfaqja prej 20% nën ujë bënte shumë përshtypje për ata që e dëgjonin për herë të pare këtë fakt. Kur erdhi zv/ministër i Ministrisë së Bujqësisë, inxhinieri i talentuar  Kudret Arapi e zgjidhi këtë problem. Ai propozoi që të mbingarkohej ujëmbledhësi i Kasharit, por pati edhe një propozim nga zoti Kovi Kita, që të ndërtohej ujëmbledhësi i Paskuqanit. Duke e ditur që Kovi bënte letra e bënte zhurmë nëpër zyrat e qeverisë, ai mbështeti atë, duke ngritur grupin e projektimit me Gene Konicën si inxhinier, topograf  Elmaz Hasani e Sokrat Mahmuti. Këta u shkëputën nga puna për 3 muaj dhe bënë projektin e ujëmbledhësit të Paskuqanit me kapacitet 15 milion m3 ujë, i pari i këtij kapaciteti në Tiranë, projekt të cilin e miratoi Kudret Arapi dhe Instituti i Veprave Ujitëse e Kulluese me drejtor zotin Dhimitër Vogli. Dikasteri i vuri detyrë ndërmarrjes së bonifikimit në Tiranë me drejtor zotin Tahir Radovicka, që të ndërtohej brenda vitit, detyrë e cila me ndihmën e madhe të Dhimitër Varkovës,  u plotësua. Kështu u hap rruga për ndërtimin e veprave të tjera, pasi kishin mbështetjen e Kudretit dhe Dhimitrit, të cilët bënin argumentime të plota teknike e shkencore për leverdishmërinë e ndërtimit të veprave ujitëse, sepse qenë specialistë të pasionuar e të kualifikuar për ujitjen e kullimin e tokave.

Po tjetër ujëmbledhës  ku u ndërtua?

Me ndihmën e tyre u ndërtua edhe ujëmbledhësi i Farkës po me 15 milion m3ujë e shumë vepra të tjera të Tiranës, siç është ujëmbledhësi i Gjokajt nr.2, apo ai i Sorkozës, ujëmbledhësi i kurorës së Vaqarrit, i Pinetit apo i Tapizës etj.

Më vonë cilat ishin objektivat e NB ” 17 Nëntori”?

Siç përmendëm më lart, NB kishte për detyrë të prodhonte çdo vit rreth 80000 kv qumësht nga 2600 lopë të racës laramane të zezë, duke siguruar pothuaj të gjitha ushqimet brenda ekonomisë siç janë 30000-50000 kv koncentrate drithë, kryesisht misër 400-500 mijë kv të njoma, ku vend kryesor zinin kulturat e vjeshtës, të cilat rriteshin me lagështirën e pranverës, duke mbjellë haslla të përziera me tërfil skuro dhe tagji, apo kombinime të tjera, si dhe duke prodhuar misrin për silazh me kalli, perko, lakër foragjere etj. Ushqimet e thata siguroheshin nga parcelat me foragjere si: jonxhë, lolium, por duke shfrytëzuar dhe barin nga vreshtat e pemëtoret. Një punë e kujdesshme është bërë për sigurimin e bërsive të ndryshme nga mbetjet e industrisë ushqimore si: pambuku, panxhari, luledielli etj. Problem ishte sigurimi i bazës ushqimore, por edhe në mbarështimin e blegtorisë. Kështu bashkëpunova me zooteknikë e mjekë veteriner nga më të shquarit. Po kështu në Babrru, Katundi i Ri dhe Marikaj, zhvilluam disa ceremoniale të festës së rrushit ku, në këtë kulturë për çdo hektarë u morën 100 kv për ha rrush në 400 ha vresht.

Cilët do të veçosh nga bashkëpunëtorët e tu?

Emrat e bashkëpunëtoreve janë të shumtë si: Qazim Stafa, Maliq Bulku, Isuf Dervishi, Bajram Shima, Jaçe Canko, Naun Laska, Murat Sipri, Shefqet Aliko, Medi e Agim Subashi, Kimete Subashi, Adem Zajmi, Thoma Mema, Asllan Subashi, Vatudin Balaj, Zeno Çeloaliaj, Dhimosten Papa, Skënder Konçi, Bujar Subashi, Ilia Kote, Misar Subashi. Edhe në sektorët që kultivoheshin perime në Allias, ai punoi me përkushtim së bashku me Adem Dedën, Sazan Canko, Liri Silla, Pajtim Selimi, në serat me ngrohje me Viktor Priftin, Mihallaq Zamon, Xheladin Dunga, Aristidh Vuçani, Xhevair Biba etj, ku i mbështeti fuqimisht për prodhimin e perimeve të fushës dhe atyre në ambiente të mbrojtura me sera me xhama. me ngrohje diellore dhe plastmasë. Kontributi i veçantë është ai i ndërtimit të serave diellore me xhama prej 32 ha në Allias, 6 ha në Gjokaj dhe 6 ha në Marikaj, si dhe për ndërtimin e serave me plastmase prej 5 ha në Konie-Marikaj dhe 10 ha në Zalte-Yzberisht.

Thuhet se keni pas një përvojë në ndërtimin e tarracave..

Po, sipas përvojës që fitova në Kuç, në këtë ndërmarrje kam bërë një punë apasionuese, duke zbatuar projekte sistemimi me nivel të lartë shkencor, për tarracimin e masiveve kodrinore të tokave të Marikaj, Yzberisht, Kantundit të Ri, Kuç, Gjokaj, Vorë, Marqinet etj, me një sipërfaqe mbi 1000 ha dhe krijuam bllokun e ri të pemëve frutore, ullinjve e mandarinave me 500 mijë rrënjë. Ky masiv u krijua në zonën e Vorës, pas njohjes së kushteve ekologjike të kësaj zone. Kjo zonë kishte përparësi nga të gjitha zonat e tjera të Tiranës, ku punohej për tarracimin e tyre, sepse ajo është afër Saukut e të Vaqarrit, për mbi të gjitha, ato janë zona të populluara me fuqi punëtore, kuadro e specialistë të kualifikuar e të aftë për kultivimin e ullirit, agrumeve, vreshtave e pemëve frutorë, si asnjë zonë tjetër në Tiranë.

Si u zbatua direktiva e partisë për ullinjtë?

Në vitin 1980 ndërmarrjes ju vu detyrë të mbillte 30 000 rrënjë ullinj, të cilët i tërhoqën dhe i shtratifikuan nga fidanishtja e Mifolit të Vlorës. Dhamë urdhër dhe organizuam punën që të 30000 rrënjët e ullinjve të mbilleshin në tarracat e kodrat e Marikajt në drejtimin që i rrihte era e ngrohtë e detit. Për këtë detyrë organizoi punën ku 3000 punëtorë çelën për 20 ditë 154 km tarraca dhe u mbollën 30000 rrënjët e ullinjve në kushte të mira, në tokë kodrinore të tarracuar. Për ndërtimin e tarracave dhe shtrirjen e masivit në 1000 ha, duke e ndërtuar atë me nivel të lartë teknik e shkencor, një ndihmesë të madhe ka dhënë grupi i topografëve të sektorëve si: Sokrat Mahmuti, Genci Konica, Bukurie Memoçi, Zana Ruka, Gjergj Laçi, Murat Koni, Tefik Koçi, Hamit Xhetoni etj, që drejtoheshin nga shkencëtari, pedagogu dhe kryeagronomi i NB, zoti Fejzo Pashai, që ishte miku i Seitit dhe një specialist me personalitet të lartë shkencor. Me vlera të pallogaritshme ka qenë puna e shokëve Ruzhdi Pelivani, Shpëtim Gari, Adelina Murati, Shejnaze Bedo, Ferdinand Alia, Eglantina Rizvanolli. Pra këta specialistë të zotë, të nderuar nga të gjithë punonjësit e ndërmarrjes, drejtonin me nivel të lartë teknik e shkencor degën/e prodhimit Bujqësor.

Kush e nxiti më shumë këtë punë?

Për ndërtimin e masivit, një frymëzim të madh morën specialistët dhe punonjësit nga vizita që bënë/në këtë masiv Kryeministri Adil Çarçani e Ministria Themie Thomai, Xhelil Gjoni, të cilët na mbështetën për mbjelljen e agrumeve, por sidomos për dhënien e fondeve për ndërtimin e ujëmbledhësit të Gjokaj nr.2, me kapacitet 3,5 milion m3 ujë, që u ndërtua me 13 milion lekë dhe vuri nën ujë gjithë ijnasivin kodrinor të Vorë-Marikaj, duke përdorur stacione elektroporripash dhe zbritësa në tuba plastike e çeliku në të dyja anët e kodrës. ,

Megjithë këto rezultate ju çuan Kryetar të Kooperativës së tipit të lartë Baldushk-Tiranë?

Po! Nga l5~prilli i vitit 1988, deri në 30 nëntor të vitit 1989, kam punuar si Kryetar i Kooperativës së tipit të lartë Baldushk-Tiranë. Në këtë ekonomi ndërtuam brenda vitit kanalin 51 km të gjatë të ujësjellësit të zonës së Baldushkut nga shtrati i lumit Erzen, afër parcelës së Petrelës e ngjitet në Telefel, në repartin ushtarak, ku është depo qendrore e ujit dhe zbret në luginën e Baldushkut, ku marrin ujë të pijshëm 14 fshatrat e ekonomisë së bashkuar. Ndërtuam urën mbi lumin Erzen me 4 hapësira, me vlerë 800 mijë lekë duke lidhurrrugën automobilistike Tiranë-Baldushk. U asfaltua 5 km rrugë nga ura e Farkës-Dumje, u ndërtua Pallati i Kulturës në qendër të Baldushkut me sallë prej 500 vendesh, me vleftë 800 mijë lekë, u ndërtuan dy kanale ushqyese të ujëmbledhësve të Rovit dhe të Bajzës, lavagrani i grurit në Mustafa Koç, rikonstruktimi i furrave të bukës në Balhaxhias e Mustafa Koç etj… Ky popull ka patur drejtuesit e vetë të zotë siç janë: Murat Dapi, Fatmir Vrapi, Sherbet Ferhati, Petrit Allmuça, Pëllumb Rama, Sabri Ismaili, Hamit Allmuça, Fatmir Lloçi, Neim Karaj, Sami Vrapi, Ali Kaxhaja, Seit Lami, Xhaferr Rama, Esat Tresa, Eduart Dhimarko, Shkëlqim Lame etj, kuadro e specialistë, që punonin në kooperativë të Baldushkut.

Kush ishte problem në Kooperativë?

Uji për vaditje. Propozova të ndërtohej ujëmbledhësi i Paretit me një kapacitet 5 milion m3ujë, ujëmbledhës që vinte nën ujë 1200 ha tokë të punueshme në luginën e Baldushkut, ku 80% e saj ujitej në formë shiu me vetërrjedhje. Për projektin e kësaj vepre, u angazhuan Instituti i Hidrocentraleve e veprave ujore me drejtor Egon Gjadri, që është projektuesi i hidrocentraleve të Luginës së Drinit. Kur u njoh me ujëmbledhësin e Paretit të Baldushkut tha, se ky ujëmbledhës, duhej të ishte ndërtuar para 30 vjetësh dhe habitem pse nuk fillon puna për ta ndërtuar atë. Këtë proces e pengonte shefi i bujqësisë dhe nënkryetari i Komitetit të KP të rrethit, mendimet e prapambetura të të cilëve i përkrahte edhe sekretari i parë për PPSh për Tiranën. Për këto kundërshtime, u desh ndërhyrja më e lartë, prandaj u ngrit leverdishmëria ekonomike e kësaj vepre para të deleguarit të Byrosë Politike, duke argumentuar, se për futjen nën ujë të 1200 ha tokë, do të harxhohej nga shteti 9 mijë lekë për ha, ndërsa për ato që donin drejtuesit e pushtetit e të partisë të rrethit do të harxhoheshin 50 mijë lekë për ha dhe viheshin nën ujë tokat zhavorishte të Priskës e tokat kodrinore të Pinetit, duke përdorur tuba çeliku për ngritjen e ujit në kodra dhe ujitja do të bëhej tërë jetën 100% me energji elektrike. E kundërta qe problemi për tokat në fushën e Baldushkut, që do të ujiteshin me vetërrjedhje, por argumentët teknik e shkencor, leverdishmëria ekonomike e tyre, nuk hynte në veshin e të deleguarit të Byrosë Politike. Ai donte të mos ta prishte me miqtë e vetë. Të bëjnë përshtypje qëndrime të tilla nga njerëz që e hiqnin veten koka e kombit, por në të vërtetë i kishte lënë koha mbrapa dhe duheshin larguar me kohë nga funksionet drejtuese, që kishin, pasi qenë velur dhe nuk i binin dot bilbilit që të bëheshin arbitra të ndershëm, që të bëhej ajo që duhej.

Si veprove?

Për këtë qëndrim bëra një letër, ia dhashë mikut tim Sadik Bocajt, që ishte një veteran që e kishte ndihmuar shumë argumentimin e ndërtimit të veprave ujitëse pranë aparateve të larta të Qeverisë. Letrën ia drejtova Kryeministrit Adil Çarçani, ku i argumentoja leverdishmërinë e ujëmbledhësit të Paretit dhe kundërshtoja ndërtimin e ujëmbledhësit të Pinetit të pa leverdishëm e aq më tepër ujitjen e tokave të Priskës, që ishin zgjidhur keq në projektin që kishim bërë, duke ujitur me elektropompë nga uji i hidrocentralit të Selitës, duke ja hequr këtë ujë të mrekullueshëm popullit të Tiranës e industrisë ushqimore të saj, e cila përbënte një marrëzi të vërtetë e do të ngrihej uji përpjetë tërë jetën me energji elektrike, në vend që të futej kjo tokë me ujë me vetërrjedhje. Rezultati i letrës qe i drejtë, por nuk u mor asnjë masë për ndërtimin e tij, megjithëse projekti u bë në kohë.