Aforizma për politikanët që dëgjojnë (Pj.II)

160

Prof. Lisen Bashkurti

-Nëse, për arsye të ndryshme një politikan nuk i ndihmon dot të tjerët me suksesin e tij, lypet të jetë i kënaqur që i lë trashëgimi gabimet e tij për të mos u përsëritur nga pasardhësit.

-Njerëzit lypet t’i ruhen politikanëve që premtojnë shumë, sepse pa pikë dyshimi janë gënjeshtarë të mëdhenj.

-Një politikan që fillon të mendojë për veten e vet, se është i pathyeshëm, lypet ta kuptojë se ka hyrë në fazën e rënies së tij të pashmangshme.

-Në politikë, deliri i madhështisë të shpie në butafori që prodhohet nga mbivlerësimi i vetvetes dhe nënvlerësimin i të tjerëve.

-Madhështia e një politikani qëndron jo në atë që mendon ai për veten e vet, por në atë që të tjerët mendojnë për të.

-Arroganca politike në demokracinë liberale është, në thelb, shprehje e politikanit kompleksiv që me anë të saj përpiqet të mbulojë paaftësitë, dobësitë dhe dështimet e tij.

-Arroganca e politikanit rrënon marrëdhëniet njerëzore, që përbëjnë themelet afatgjata të suksesit dhe të trashëgimisë së të tij. Pra, sjellja arrogante është vetëvrasje politike.

-Një politikan i fuqishëm nuk e demonstron forcën ndaj të popullit, opinionit publik dhe medias. Ndaj atyre demonstron vetëm qetësi, qetësia e mban fuqinë politike nga brenda dhe reflekton butësi nga jashtë.

-Politikani arrogant i trembet transparencës, prandaj i kundërvihet opinionit publik dhe medias, duke tërhequr kështu përbuzjen e tyre dhe duke thurur vetizolimin.

-Politikani arrogant përfundon në paranojak, sepse jashtë vetes së tij të gjithë i duken armiq e, kur nuk ka të tillë, i shpik vetë ata.

-Politikani arrogant mbështetet vetëm tek servilët dhe mediokrit që janë patericat më të paqëndrueshme të pushtetit të tyre.

-Politikani arrogant kur e sheh se nuk hyn dot në histori me vepra të humane të mëdha, tenton të hyjë në gjeografi me vepra materiale të vogla.

-Politikani arrogant prodhon dukuri dramatike për të tjerët, por përfundon në mënyrë komike për veten e vet.

-Politikani arrogant tenton të fusë nën kontroll gjithçka, por me këtë veprim, në fakt, humbet kontrollin mbi çdo gjë.

-Politikani arrogant sundon me goditjen e pushtetit nga lart-poshtë, por në fund të fundit bie prej goditjes së pushtetit nga poshtë-lart. 

-Një lider egoist që nuk bëhet dot atraktiv me idetë e tij thelbësore, tenton të bëhet i tillë me përformancën e jashtme sipërfaqësore.

-Një politikan pa filozofi politike nuk zotëron dot batutat politike, por luan me politikë batutash. Batutat politike shprehin mprehtësi dhe humor. Politikat e batutave shprehin mediokritet dhe vulgaritet.