Xhevat Mustafa: Të shprehësh publikisht kritika për ambasadoren Yuri Kim, nuk duhet të përkthehet si antiamerikanizëm!

382
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

 Normale dhe tejet demokratike! Të shprehësh publikisht vërejtje e kritika për ambasadorët e SHBA- së, siç ka folur shpesh herë dhe siç foli  ambasadorja Yuri Kim në intervistën në TV KLAN, më 18 maj 2021, nuk duhet të përkthehet apo kuptohet aspak si antiamerikanizëm! Në të kundërtën, shpreh dëshirë e kurajo për ta mbrojtur Amerikën nga disa zyrtarë dhe përfaqësues të saj, që, pa apo me dashje, mund të injektojnë zhgënjim e pakënaqësi ndaj saj! As vetë një president i SHBA-së, nuk ka menduar e nuk mendon, flet e vepron sikur është Amerika dhe mbi Amerikën!

Shkëputa nga intervista dy fragmente, sepse flasin shumë kuptueshëm në shqip dhe anglisht për pozicionimin apo tifozllëkun e saj si dhe për  “spërdredhjet” e saj, duke “harruar”  etikën dhe përgjegjshmërinë  diplomatike.

Yuri Kim: “Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë”
Xhevat Mustafa: Vërtetë zgjedhjet ishin të mira???!!!  E përsërit edhe sot, pas skandaleve të para në Berat dhe Gjirokastër, ku disa njerëz kanë votuar nga 5,10, 20 herë…???!!! Përse nuk llogarit se sa është shifra e saktë e kësaj “ushtrie” në mbarë vendin, në 12 qarqet, që kanë votuar shumë herë” A nuk ndjen turp nga vetja dhe përgjegjshmëri se turpëron me këtë deklaratë qesharake edhe AMERIKËN???

“Dy pyetje të tjera: mos vallë ambasadorja Yuri Kim nuk do të dijë se Shqipëria nuk është shteti i 51 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? As se është një shtet i pavarur, me sovranitet dhe integritet të pacënueshëm dhe panëpërkëmbëshëm, në perëndim të Ballkanit?”

Yuri Kim:…Në zgjedhjet e këtij viti listat e kandidatëve për deputetë përmbajnë emra më të mirë se vitet e kaluara…“disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u futën në lista ose u hoqën në kohë”, megjithatë disa arritën të hynin në to. Është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës, nuk është më në parlament” (Tom Doshi).

Xhevat Mustafa: Të gëzohesh se Tom Doshi  nuk hyri si individ në parlament, por mori si mori, bleu lirë apo shtrenjt, allarilindasçe, pjesën më të madhe të atyre  rreth 30.000 votave e do të ketë në parlament 3 Tom Doshë, është me të vërtetë për të vënë dy duart mbi kokë nga habia, për të qeshur dhe ulëritur njëkohësisht! Vërtetë kaq naivë i pandeh shumicën e shqiptarëve, znj. Yuri Kim?

 

Dy pyetje të tjera: mos vallë ambasadorja Yuri Kim nuk do të dijë se Shqipëria nuk është shteti i 51 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës? As se është një shtet i pavarur, me sovranitet dhe integritet të pacënueshëm dhe panëpërkëmbëshëm, në perëndim të Ballkanit?  Pavarësisht se është larg standardeve të shteteve më të përparuara e më demokratike në Evropën Perëndimore, në Amerikën e Veriut, në Lindjen e Largët, gjithsesi çdo ambasador i huaj, i  kujtdo vendi qoftë, nuk duhet t’i “harrojë” dhe nëpërkëmbë këto vlera, atribute, simbole…, që na kanë bërë dhe njohur në botë prej afro 109 vjetësh, shtet të pavarur dhe sovran!  Edhe pse nuk jemi një vend si Gjermania në të gjitha drejtimet dhe aspektet, ndoshta duhet të mësojmë nga përvoja dhe dinjteti i qeverisë dhe shtetit të këtij vendi në qëndrimin  ndaj ish -ambasadorit amerikan Richard Grenell më 2019-2020, të cilin duket sikur jo vetëm po e kopjon, por po e tejkalon ambasadorja Yuri Kim. Para më shumë se rreth 1 viti Richard Grenell, i cili e përfaqësoi SHBA prej dy vjetësh në Berlin, shkaktoi pakënaqësi në Gjermani, si në Ministrinë e Jashtme, ashtu edhe në zyrën e kancelares Angela Merkel, për shkak të mënyrës së tij të drejtpërdrejtë dhe jodiplomatike. Nga opozita madje pati zëra për ta shpallur atë “non grata,  apo  në shqip “person të padëshiruar”…

Siç shkruhet në një  informacion të “Deutsche Welle”, më 25 maj 2020, “ambasadori amerikan, Grenell kërcënoi hapur firmat gjermane me sanksione, nëse vazhdojnë të bashkëpunojnë me Iranin. Buxhetin ushtarak gjerman, Grenell e vlerësonte si shumë të vogël dhe kërcënonte me largimin e ushtarëve amerikanë nga Republika Federale. Po ashtu ai shprehej hapur kundër gazsjellësit të Balltikut “Nord Stream 2”…”. Të gjitha këto për qeverinë gjermane, për  pozitë dhe opozitë, u interpretuan si ndërhyrje flagrante e të patolerueshme në punët e brendshme të Gjermanisë…Duket se Trump, para se qeveria gjermane ta shpallte non grata, shpejtoi ta kthente Grenellin në Uashington, në një detyrë të re, në DASH. Këtu Grenell, së bashku me Palmer e Kushner, u angazhua për bisedimet Serbi-Kosovë dhe për sajimin e Marrëveshjes së MiniShengenit Ballkanik, me fituese të madhe Serbinë dhe humbëset më të mëdha, Kosova dhe Shqipëria…  Shpresoj se për këtë shkrim  të sinqertë e publik në mbrojtje të interesave dhe të dinjitetit të vendit tim, ambasadorja Kim të mos formulojë menjëherë kërkesën për në Uashington, për në DASH, që të mos më fusin edhe edhe mua tek lista e personave “non grata”, e cila, për të shmangur paragjykimet, dyshimet dhe rezervat për njëanshmëri, tendenciozitet, hakmarrje personale,  partiake…, mund të ishte më e gjatë.

“Shpresoj se për këtë shkrim  të sinqertë e publik në mbrojtje të interesave dhe të dinjitetit të vendit tim, ambasadorja Kim të mos formulojë menjëherë kërkesën për në Uashington, për në DASH, që të mos më fusin edhe edhe mua tek lista e personave “non grata”.”

Edhe më me shumë emra nga “e majta”, edhe nga ekipet ish dhe aktualisht parlamentare dhe qeveritare të të dy krahëve. Idealja dhe e duhura do të ishte që “mëkatet” e njerëzve në këtë listë të peshoheshin me “kandar farmacie” dhe jo me mend e sy nga një ambasadore dhe një shef  i saj në Uashington…!

Edhe pse fatmirësisht nuk jam i përmasave politike dhe pushtetase  të Metës dhe Berishës dhe me “njollat korruptive” të Doshit, edhe pse  sinqerisht, e dua shumë Amerikën për gjithçka është dhe përfaqëson brenda hartës së saj e për mbarë botën, përsëri, tani në moshën 74- vjeçare,  nuk e kam as dëshirë dhe as peng të shkoj për vizitë turistike apo tek miqtë e mi të shumtë në atë vend, që nga shumica e atyre që jetojnë atje apo e kanë vizituar, me të drejtë cilësohet “parajsë tokësore”. Nga ana tjetër, kam parë dhe do të shikoj kaq shumë filma e dokumentarë për Amerikën (njëherazi “parajsë” dhe “ferr”) sa më mjaftojnë për të mos pasur dëshirë të zjarrtë një udhëtim për në SHBA…Edhe Evropa është shumë e madhe dhe me shumë shtete, ku kënaqesh, ndoshta edhe  më shumë se në Amerikë. Pastaj është edhe Azia Jugore e Lindore, Lindja e Mesme, Afrika, Amerika Latine… Unë jam gjermanofil, adhuroj Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën…Pastaj Italinë, Greqinë, Portugalinë, Spanjën, Holandën, Belgjikën, Danimarkën, Finlandën, Suedinë, Anglinë, Norvegjinë, Islandën, Irlandën, Zelandën e Re, Singaporin, Malajzinë, Japoninë, Tajvanin, Korenë e Jugut…! Sikur janë boll apo jo???  Të gjitha bashkë mund të bëjnë përafërsisht një Amerikë tjetër apo jo???