Rrëfimet e Adriatik Kallullit në 2009/ Ja pse e kritikova romanin e Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”

633
Sigal

 

Mardhëniet me kryegjuhëtarin Aleks Buda, rojtarin e fjalës shqipe Eqerem Çabej dhe poeti e madh, Xhevair Spahiu

Kujtimet e kritikut dhe studiuesit të artit dhe letërsisë shqipe, Prof. dr. Adriatik Kallulli :

– Prej 50 vjetësh kam qenë në çdo shkollë të Shqipërisë dhe më njohin të gjithë mësuesit e letërsisë dhe historisë

-Në Universitet u njoha me historianin e shquar Aleks Buda, kryegjuhëtarin Eqerem Cabej, dhe  Jakov Xoxen

-Kam qenë redaktor dhe  kritiku i shumë veprave të Kadaresë që hyjnë në traditën e artë të letërsisë sonë

– Ishin poezitë e bukura, që e përgatitën Kadarenë, për të shkuar në prozë

– Më vjen droje që e kam kritikuar për romanin e tij “Dimrin e Vetmisë së Madhe”

– Doktoratën time e kam  titulluar “Kombëtarja dhe universalja tek Ismail Kadare”

– Unë habitem përse këtij shkrimtari të madh, nuk i japin çmimin “Nobel”.

 

Zenepe Luka

Me kritikun dhe studiuesin e artit dhe letërsisë shqipe, Prof.  Dr. Adriatik Kallulli, pedagog në  Fakultetin e Historisë dhe Filkologjisë si dhe në Akademinë e Arteve të bukura, pata fatin ta takoj dhe bisedoj pas një shfaqjeje që pamë në festivalin e teatrit që po zhvillohet në qytetin artdashës të Fierit.

Ai flet për herë të parë në jetën e tij në një intervistë ekskluzive, për punën e vështirë të kritikut për gjatë një gjysëm shekulli, përse i kërkon ndjesë Ismail Kadaresë dhe vlerëson lart Dritëro Agollin, përse mungon kritika letrare sot dhe cila është përgjegjësia e institucioneve të shtetit.

Ky zë i fuqishëm , ndoshta i vetëm në potencën e tij në fushën e kritikës letrare, rrëfen se nuk i vjen turp, që është i varfër, se një ditë do të largohet nga kjo botë nga një shtëpi me qira, por ai ndjehet krenar, që lë pas emrin e njeriut me shpirt të madh, që tërë jetën punoi me një çerek syri, për të ndriçuar historinë e letërsisë dhe artit të Kombit.

Ai pranoi me kënaqësi, që bisedën tonë disaorëshe, ta përcjellë në një ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

Cila është rinia juaj, si hyri Adrriatik Kallulli në rrugën e vështirë të kritikës së artit, për tu bërë më pas zëri më i fuqishëm në këtë fushë?

Rinia ime është e mbushur me ngjarje, me motive. Them se lumturia më e madhe është se në gjimnazin që kam kryer, kam pasur profesorë të shkëlqyer si Nard Kraja, bashkëshorti i artistes së madhe Maria Kraja, i cili na recitonte në gjuhën italiane Dante Aligerin, kam pasur përkthyesin e Dantes, Mark Ndoin, që përfundoi keq. Jam edukuar nga adhuruesi i madh i gjithë kulturës kombëtare, Mark Gurakuqi dhe them me plot gojën, se edhe në sajë të tyre kam hedhur hapat e para në këtë fushë, hapa,të cilat do të fitonin sigurinë gjatë rrugës së mëtejshme si student në fakultetin e Histori-Filologjisë. Këtu pata fatin që të edukohem nga gjigantë të kulturës shqiptare, si historiani i shquar dhe i pa përsëritshëm Aleks Buda, kryegjuhëtarin Eqerem Cabej, që poeti ynë i madh, Xhevair Spahiu, e cilëson rojtarin e rrënjës së fjalës shqipe, pata  Jakov Xoxe, që na jepte teorinë e letërsisë e kështu me radhë.

Këto personalitete të mëdhenj, jo vetë thelluan tek unë dashurinë për letërsinë, për traditën kombëtare dhe kulturën botërore.

 Adriatik Kallulli, një emër i madh në kritikën letrare shqiptare. me se merret tani?

 Faleminderit për vlerësimin që më bëni, që padyshim duhen regjur pak, sepse kritika letrare-artistike, është një dukuri, që mund të zhvillohet vetëm në shoqëritë me një thellësi të madhe demokratike. Lidhur me personin tim, dua të them se unë e kreva misionin tim gati gjysëmshekullor si kritik, në një periudhë kur arti, kultura e shkruara, ishin rreptësisht të kontrolluara dhe njeriu kishte vështirësi të mëdha, për të shprehur ndjesinë e tij, për të shprehur atë, që ai mendonte thellë. Madje, kishte vështirësi për ta ndërtuar thellë brenda vetes së tij aftësinë, që jam unë i denjë për të thënë mendime të thella, apo jam një gjë e rëndomtë në këtë shoqëri.

Sidoqoftë, penda juaj ka goditur fort krijimtarinë letrare dhe artistike të kohës. Keni një statistikë të përafërt se sa a artikuj kritikë keni bërë gjatë kësaj periudhe?

 

Unë mund të kem shkruar mbi 1000 artikuj kritikë në shtypin e kohës dhe ndjehem vërtetë i gëzuar, që në këtë rrafsh prej 50 vjetësh unë kam qenë në çdo shkollë të Shqipërisë dhe që më njohin të gjithë mësuesit e letërsisë dhe historisë dhe për gjatë një gjysmë shekulli kam dhënë mijëra ligjërata veçanërisht në Akademinë e Arteve, që unë e quaj shtëpinë time të përjetshme, pastaj në fakultetin Histori-Filologji në atë të Gazetarisë. Deri edhe në Prishtinë e gjetkë. Mendoj se jam prononcuar për të gjithë shkrimtarët seriozë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe vende të tjera. Në një pikëpamje mua kjo më lumturon.

Tani që jam në këtë moshë dhe kam akumulime të mëdha, më vjen çudi se si brenda dhjetëra e dhjetëra dosjeve, që janë të futura në shtëpinë time, në një mënyrë shumë të vështirë, pasi aq është hapësira e shtëpisë, por që kam shënime të shumta për të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë refleksionet e mia aty brenda them :

Veçse një dashuri shumë e madhe e ka realizuar këtë punë kolosale, që kam aty, në arkivin e shtëpisë sime, që e konsideroj thesar të vërtetë.

Jam i lumtur që disa prej shkrimtarëve shqiptarë, unë i kam respektuar për veprat e tyre, për  krijimtarinë e tyre.

Ta fillojmë me Ismail Kadare?

 

Domosdo. Unë kam qenë edhe redaktor i tij, por në të shumtën e rasteve, kam qenë kritik i veprave të tij, i një vargu të gjatë veprash, të cilat mua më kanë pëlqyer dhe i konsideroj të denja dhe të traditës së artë të letërsisë sonë.

Cilat vepra do të veçonit?

 

Pa dyshim poezinë e tij, ndaj së cilës disa njerëz janë skeptikë. Edhe tek “Ëndërrimet”, ashtu edhe tek “Shekulli im”, tek “Përse mendohen këto male”,  tek “Motive me diell” etj etj, ka perla, që krijojnë personalitetin e madh të këtij njeriu. Janë pikërisht këto vepra të mëdha të tij, që e përgatitën Kadarenë, për të shkuar në prozë.

E keni kritikuar në ndonjë rast shkrimtarin e madh?

 

Po. E kam kritikuar njëherë, që mbetet rast i veçantë dhe për këtë shkak më vjen droje me veten time që e kam bërë atë kritikë. Bëhet fjalë për romanin e tij “Dimrin e Vetmisë së Madhe”. Ndoshta i indoktrinuar edhe nga atmosfera e rëndë e kohës, nga fakti që të gjithë po e kritikonin këtë vepër, edhe unë nuk mbeta pas të tjerëve, por radhita disa të meta të romanit.

Kujtoni për çfarë të metash bëhej fjalë?

 

Më vjen turp, që ti përsëris, që ti them në këtë moshë që jam sot, por jam i detyruar pse ju ma kërkoni dhe me të drejtë e bëni këtë pyetje. Unë kam kritikuar pikërisht kritikat që Kadare u bënte institucioneve të vendit tonë. Ai kish shumë të drejtë, pse ai realitet që jetonim, duhej kritikuar ashpër.

 

I keni kërkuar ndjesë Kadaresë, pas rënies së regjimit?

 

Po, i kam kërkuar të falur jo në formën e një rrëfimi, por duke bërë kritika të tjera.

Dua t’ju them se doktoratën time e kam  titulluar “Kombëtarja dhe universalja tek Ismail Kadare”, një punim, që së shpejti do të dalë si libër.K jo është një nga punët më të mëdha të jetës sime dhe shumë e vëllimshme si punë. Kam shprehur konsideratën time të madhe ndaj tij në një shkrim për 70 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh, ku e vlerësoj shumë dhe në shumë analiza  të tjera, për të mbërritur tek një shkrim i fundit, që është parathënia e librit “Nëntori i një kryeqyteti”, të cilin ma kërkoi Shtëpia botuese “Onufri”.

Dua t’ju them se nuk ka rëndësi nëse i kam kërkuar ose jo falje Kadaresë, e rëndësishme është që në ndërgjegjen time, në kuptimet e mia estetike, Ismail Kadare, është një figurë e madhe e popullit shqiptar dhe ju them pastërtisht, që unë habitem përse këtij shkrimtari të madh, nuk i japin çmimin “Nobel”.

 

Sikurse u shprehët, ju jeni një njohës io thellë i veprës së Kadaresë, keni arritur në përfundimin se ka qenë kundërshtar i regjimit?

 

Shiko, unë nuk i gjykoj artistët në planin nëse janë ose jo disidentë, sepse në fund të fundit ne kemi edhe shkrimtarë të tjerë, po përmend Petro Markon, i cili ishte shkrimtar me bindje të majta, madje e kish për nder që ishte i tillë, por, kjo nuk e ka penguar atë, që të thotë gjithnjë të vërtetat, që të hajë burgje, persekutime dhe ndalesa botimesh, për të gjitha këto të vërteta, që ai ka shprehur. Unë shikoj në radhë të parë, artin e madh tek Kadare, atdhedashurine e tij të jashtëzakonshme, shikoj zhvillimin e jashtëzakonshëm estetik, që i ka bërë letërsisë sonë dhe gjuhës shqipe. E vërteta është se pak shkrimtarë mund të gjenden si Kadare, që ta kenë krehur, ta kenë pasuruar, që ta kenë neologjizuar gjuhën shqipe duke i lënë kësaj gjuhe ato hapësira mendimi, ato hapësira abstraksioni që vetëm ai I ka dhënë.

 

Mund ta ilustroni me shembuj?

 

Po. Studiuesi, adhuruesi i Kadaresë, Tefik Caushi, përmend qindra fjalë neologjizma që ai ka krijuar, secila më e bukur se tjetra, që i gjejmë në një libër, që ka shkruar bashkë me Xhovalin Shkurtaj “Mbi Kadarenë si neologjist i fjalëve shqiptare”. Esenca ime është kjo, që ky shkrimtar me 50 libra apo më shumë, nuk ka lënë gjë të realitetit historik dhe realitetit kombëtar shqiptar, pa përmendur, pa interpretuar dhe pa shprehur pikëpamjet e tij mbi këtë gjë…

Ai ka kryevepra të tilla, sikurse janë “Nëpunësi i Pallatit të Ëndërrave”, që është pak ta quash disident, pasi, pikërisht këtu, Kadare, jo vetëm është disident i realitetit shqiptar, por, është disident i të gjithë letërsisë së lindjes.

Kështu edhe tek “Pashallëqet e Mëdha”, për të cilën kam shkruar një ese të gjatë prej 199 faqesh, e cila shpejt do të jetë në qarkullim. Kadare shpreh ide të mëdha, të raporteve midis  kryetarit të shtetit, të gjithë nëpunësve të një perandorie  dhe  njerëzve të zakonshëm të një vendi.

 

 Si do ta vlerësonit “Kronika në Gur”?

 

Një kryevepër. Jo rastësisht të gjithë përkthyesit në botë, kanë thënë fjalët më të mëdha për këtë vepër, që është shumë autentike.Ajo ka brenda dashurinë e tij të madhe për Gjirokastrën , sikurse ka brenda edhe psherëtimën e tij, që kjo Gjirokastër, a do të mund të pastrohet nga primitiviteti, shijet e feudalizmit dhe të patriarkalizmit dhe të kthehet në një qytet sikurse e meriton. Kështu edhe romani “Kështjella”, që është shkruar me një fuqi të madhe filozofike, ashtu edhe vepra të tjera, për tu ndalur tek drama “Një stinë e mërzitshme në Olimp”, ku ai shtron probleme shumë të mëdha filozofike, ndërsa për të përmendur këtu eseistiken e tij, qoftë me “Eskili, ky humbës i madh”, me Hamletin e Shekspirit, apo për librin për Dante Aligerin e kështu me radhë.

Ndalesa e gjatë tek vepra e Kadaresë, të jep përshtypjen se jeni një adhurues i veprës së tij, z. Kallulli

Jo! Më falni, nuk shprehem me kaq pasion thjeshtë si adhurues i veprës së tij, unë kam pasur rastin, që ta takoj para disa muajsh dhe më ka bërë përshtypje, që ky shkrimtar i madh i lexonte gazetat, njëlloj si një politikan, që do të dijë se si zhvillohet tërë pulsasioni i shoqërisë shqiptare, ai kishte një njohje të plotë të gjithë shoqërisë shqiptare, të të gjitha tendencave, të gjithë prirjeve të shoqërisë shqiptare.Unë, ti  dhe të gjithë ne, themi: Shyqyr që e kemi të madhin Kadare.

 

Nuk më thatë ndonjë dobësi të veprës së Kadaresë?

Po. Ka qenë një kritik shumë i madh në Rusi, Visarion Belinski, që ka shkruar shkrime të hatashme për Pushkinin, Lermontovin, për Gogolin dhe shumë të tjerë. Ai ka thënë:Të mëdhenjtë edhe kur gabojnë, gabojnë si gjeni. Ndaj unë do të thosha, se edhe Kadare ka vepra, ku nuk është ai zjarri i madh, nuk është ai tension i madh dramatik, por, është më tepër mjeshtri, se sa e vërteta e jetës. Unë mendoj se, në radhë të parë duhet të kapemi tek vlerat e këtij shkrimtari të madh, që është i papërsëritshëm.

Dëshiroj ta mbyll kapitullin me Kadarenë, duke u  shprehur se:Nëse do të më vdesë im bir, do ta qaj si baba, nëse vdes Kadare, unë do të çjerr faqet, si Lek Dukagjini për Skënderbeun.

 ( Botuar në Telegraf 05.1 2009 )

Nesër do të lexoni:

Kujtimet e kritikut dhe studiuesit të artit dhe letërsisë shqipe, Prof. dr. Adriatik Kallulli :

 

  -Agolli mbetet një shkrimtar të papërsëritshëm  i jetës së shqiptare.

 

– Tek jeta e Dritëro Agollit unë shoh Shqipërinë, shoh rrënjët, shoh traditën, unë shoh  urtësinë popullore

– Agolli, mbetet një shkrimtar i madh, një gazetar i përkryer, një njeri që ka udhëtuar me lloj-lloj makinash

– Dera e shtëpisë dhe Sadia e gjorë e di se çfarë ka hequr nga mijëra vizita shtëpia e tij

– Kam qenë mik personal me Odise Paskalin dhe kam redaktuar librin e tij “Gjurmë Jete” ku më ka  tronditur kultura e tij e madhe

– Kam qenë mik fantastik me piktorin e madh, Abdurrahim Buzën, që ka krijuar vepra të shkëlqyera

– Ndjehem krenar që, 80% të shkrimeve të mia janë për vepra të denja si t De Radës, Naimit, Samiut, Vaso Pashës, Çajupit, Fan Nolit, Migjenit, Lasgush Poradecit…