Riza Bregasi: Tefik Lapani – dëshmori i parë i LANÇ, për Qarkun e Beratit

239

-Me rastin e 80-vjetorit të rënies –

Sigal

Të shkruash për jetën dhe veprën e një heroi të përmasave të Tefik Lapanit është i rëndësishëm sfondi, palca e fakteve dhe ngjarjeve. Sa herë kemi biseduar me bashkëmoshatarët e bashkëluftëtarët e tij çdo gjë vinte e freskët, sikur të kish ndodhur dje. Tefiku ishte në qënien e tyre dhe fliste me gojën e tyre. Vendlindja e heroit: Lapani, ka qënë një fshat i vogël, sa një pëllëmbë, por me histori të madhe në shekuj, për luftëtarët e vatanit. I vendosur në një kodër me rëndësi strategjike, ku kryqëzoheshin rrugët për lëvizje drejt Përmetit, Korçës, Çorovodës dhe Beratit, banorët e tij janë ndeshur me armiqtë e ndryshëm, në mbrojtje të Atdheut. Një nga këto shtëpi, ajo e Qazim Lapanit dhe më pas e djalit të tij Rizait, ka qënë çerdhe luftëtarësh. I ati i Tefikut, Riza Lapani, përmëndet si përhapës e mbrojtës i abetares shqipe; pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, ku u plagos kundër garnizonit italian në Tepelenë; pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë; pjesëmarrës i Kryengritjes së Fierit me Riza Cerovën; luftëtar i çlirimit të Çorovodës, më 5 shtator 1942. Në një familje me tradita të tilla u lind më 25.07.1921 e u rrit Tefik Lapani. Nuk kishte sesi edhe Tefiku të mos ecte në këto gjurmë e të mos i çonte më lart këto virtute. Fëmijëria e Tefikut ishte e njejtë me atë të bashkëmoshatarëve të tij.Veç dhuntisë e karakterit të tij, ai shquan në Çepan për të mësuar. Shpejt do linte fshatin dhe do të punësohej në një shoqëri italiane asfaltimi, në Tiranë. Këtë, na ka treguar bashkëmoshatari Lake Dingo, që kishte diskriminim për ne, punëtorët shqiptarë: trajtoheshim ndryshe nga italianë në pagesë, por edhe në dhënien e pagës. Një i ri, me temperamentin e Tefikut, nuk mund të përkulej. U përlesh me sipërmarrësit italianë dhe krisi e iku. Edhe në Kuçovë nuk mundi të duronte diskriminimin dhe u largua. Më pas Tefikun do ta shohim për pak kohë përsëri në fshatin e tij. Skënder Malindi, një invalid i LANÇ, bashkëmoshatar i Tefikut, me miqësi familjare, tregon se Tefiku ishte qitës i shkëlqyer. Në verën e 1937, shkuam bashkë te ime motër, në Qesarak të Kolonjës. Në Orgockë, në një livadh, takuam disa burra: Tefik Selenica, Hajredin Orgocka, Xhelel e Dervish Kurtësi, të kalit e dyfekut. Na ftuan të qëllonim në nishan. Të parët qëlluan ata, por nuk e goditën dot shenjën. I thashë Tefikut: “Qëllo ti se shtie mirë”. Qëlloi dhe e goditi, me të parë.

Qe rastësi, thanë ata të turpëruar nga një 15-16 vjeçar. Tefiku qëlloi për së dyti dhe prapë e goditi nishanin e vënë. -Ky qënka fenomen,- tha Tefik Selenica. Në moshën 18-vjeçare Tefikut do t’i ndriste fati për kohën, do të shkonte as më shumë e as më pak, por në Itali për të studiuar. Italia fashiste, për të treguar se kish ardhur në Shqipëri për ta futur atë në rrugën e përparimit e të dijes, dërgoi në vendin e vet të rinj shqiptarë, nga familje të dëgjuara. Po ç`ishte kjo rrufe në qiell të kaltër për Tefikun dhe familjen e tij?! Në Luftën e Parë Botërore i ati, Rizai, ishte njohur me oficerin italian Palandri, i cili ishte me trupat e tij, në Skrapar, që ishte  vendosur në krahun e majtë të Osumit, në Zabërzan e lartë, ndërsa në krahun e djathtë, Lapan- Koprënckë ,ishin trupat austriake që luftonin njëri tjetrin. Për këtë njohje me oficerin italian austriakët kishin pushkatuar vëllanë e Rizait, Karafilin dhe plagosën vëllanë tjetër, Hasanin, se i kujtonin zbulues italianë, – kujtonte Skënder Malindi. Pa dyshim, ky ishte një shans i madh për Tefikun: edhe për të mësuar por edhe për të njohur jetën italiane. Pas shuarjes së kureshtjes ai dhe shokët e tjerë, me të cilët studionte e kuptuan se fashizmi synonte t’i kthente ata në oficerë të italianizuar, për të mbështetur politikën koloniale fashiste. Në fund të vitit 1940, Tefiku kthehet në Shqipëri ku qëndroi pak ditë në Lapan, pranë xha Rizait e nënë Kules, motrave e vëllezërve më të vegjël se ai. Sipas zakonit erdhën për ta uruar miq e të afërm. Në mënyrë të veçantë ishin kuriozë bashkëmoshatarët e tij, të cilët krenoheshin me të. Tefiku u tregonte për Italinë e qytetërimin e saj të lashtë, por edhe për fytyrën e vërtetë të fashizmit, plagët e rënda që kishin hapur edhe për vetë Italinë. Në një nga këto ditë ai do t’i drejtohej Hasanit, xhaxhait të vet: -A e ke ruajtur mitralozin që u morëm grekëve? -Në strehë, në plevicë e kam. -Ruaje Hasan, se do të na duhet! Nuk do të rrimë duarkryq! Pas kthimit nga Italia Tefikun e emërojnë roje finance në Leskovik. Por shpejt puna nuk po e tërhiqte. Në shpirt i zjente urrejtja. Kërkesat për punën binin ndesh me luftën që populli kish filluar. Pas 6 muaj, ai do të transferohej në Berat, ku gjeti një mjedis të përshtatshëm për idetë e tij, për të vazhduar veprimtarinë revolucionare. -Një ditë pazari, u takuam me shumë mall, kujton Skënder Malindi. Më tha: “A shkojmë në Kuçovë dhe djegim avionët ushtarakë italianë që janë vendosur në aerodromeTerrenin e njoh unë mirë, se kam qënë disa herë aty. Pasi e biseduan me Kahreman Yllin që drejtonte qarkorin e Partisë Komuniste në Berat, aksioni u shty për më vonë. Qarkori i PK i kish caktuar detyra konkrete Tefikut, ku punonte, duke e bindur se këtu i shërbente më shumë Atdheut se dalja në mal. Nisur nga cilësitë e tij, si njeri guximtar e qitës i shkëlqyer, trim e besnik, ai u pranua pjesëtar i grupit atentator të Beratit, bashkë me Vasil Laçkën e Themi Bellon. Ditët e pazarit, ku grumbulloheshin nga disa rrethe, u kthyen në ditë të zgjerimit të veprimtarisë nga organizata e PK të Beratit. Në një ditë të tillë, 61-vjeçari Riza Lapani, do të ndjente në supe dorën e Kahreman Yllit. Fjalët e tij e bënë për vete. I erdhi mirë e sa nuk fluturonte që djali i tij i madh, Tefiku, nuk qënkesh i panjohur për Partinë. -Ti more djalë, i mikut tim, Sinanit, po më flet për ato që më do zemra mua. Që nga ky çast, unë e fëmijët e mi jemi kurbanë të Luftës Çlirimtare, për ta parë vatanë të lirë. Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Shtëpia e tij edhe pse e djegur dy herë nga pushtuesit, për disa muaj, u kthye në Komandën e Shtabit të Qarkut të Beratit, shkruan në kujtimet e tij komandanti i këtij qarku, Gjin Marku.­

X X X X

Në Berat, marshall Kria ishte bërë shqetësim me tradhtitë e tija. Rinia revoluconare, sidomos ajo shkollore, pjesa më e shëndoshë e lëvizjes dhe shoqërisë atdhetare, ndodhej në dosjet e tij të zeza. Disa prej tyre edhe ishin ekzekutuar. Qarkori i PK kishte vendosur që Tefik Lapani ishte njeriu më i përshtatshëm për atentatin ndaj tij. -Përgatitu, që në një ditë pazari, ku të ketë sa më shumë njerëz, të kryesh ekzekutimin e tij. Ky është vendimi i Qarkorit të Partisë, i tha Kahreman Ylli.

X X X X

13 Dhjetor 1942. Berati dhe gjithë të mbledhurit në Pazar u elektrizuan. Ç`ishin ato krisma, pyesnin njerëzit?! -Nuk e muarrët vesh?! Iku edhe një qën! E qëruan edhe një fashist! Spiuni i pagoi tradhtitë ndaj djalërisë shqiptare! Kjo thuhej në vend të përshëndetjes, në ato ditë të acarta të dimrit të 43-shit. Ishte koha kur atentatorët ishin bërë tmerr i pushtuesit dhe larove të tij. Fytyrën e tyre armiku e njihte e se njihte, por e dinte mirë se me dorën e tyre qëllonte Shqipëria, se urrejtja e popullit pikëzohej në plumba. Vazhdonte të binte shi i imët, me borë. Hapat e Tefikut drejtoheshin në pijetoren në qendër të pazarit, ku mblidheshin fshatarët. Ishte ngritur herët dhe me nagantin me plumba të gërvishtur në majë zuri një  tavolinë. Nuk vonoi dhe marshalli kapadai u dha në derë. -Fashizmi dhe Shqipëria kanë të njëjtin fat, përparimin dhe progresin. Apo jo padron, iu drejtua të zotit  të pijetores. -Armatat tona po ecin përpara,- sinjor Lapani, iu drejtua Tefikut, që deri në këto çaste ish treguar mospërfillës dhe marshallin e kishte prekur thellë kjo sjellje. -Jo, marshall! Italia fashiste dhe tradhtarët si puna jote e kanë jetën e shkurtër në Shqipëri, ia ktheu me nerv Tefiku, i ngritur në këmbë. Marshalli që nuk e priste kurrë kundërshtimin e oficerit, aq më tepër të fliste hapur me zë të fortë, në sy të njerëzve,i zverdhur, iu drejtua Tefikut: „Bashkë bisedojmë në komandë! Po Tefiku, me një të shtënë e shtriu në tokë derrin fashist. -Vdekjen kish kërkuar dhe vdekjen gjeti ky korb i zi,- u tha të pranishmëve Tefiku. Kështu do ta pësojnë soji i tyre, tregonin guerrilasit e Beratit, Vasil Laçka e Themi Bello, vite më parë. Turma u elektrizua, -ndërsa Tefiku, me gjakftohtësinë më të madhe, kaloi disa kthesa dhe u drejtua në bazën e Partisë, ku e prisnin. Shpejt, sirenat e makinave çanë qytetin. Fashistët, të tërbuar, filluan kontrollet e bastisjet në rrugë e shtëpira, ndërsa Tirana njoftonte: P.T Mëkëmbësisë Mbretnore të Përgjithshme,Tiranë P.T Kryesisë së Këshillit të Ministrave P.T Ministrisë së Punëve të Mbrëndëshme P.T Komandës Eprore të F.A të Shqipërisë P.T Komandës së Përgjithshme të Fuqive S.B,Tiranë P.T Komandës R.M të Financave. Rishkruaj lajmërimin e Komandës së Grupit K.K 11, të Beratit: ora 1o dt 13 md, në Berat, në sheshin e grunit,(para kafenesë), rojtari i Financës,Tefik Bregasi, i Rizait, le në Lapan të Çepanit –Skrapar, 25.07.1920, i brigadës lokale të financës, mbasi ka përdorur pije alkoolike, ka shprehur me zë të lartë në një ushtrimtare publike, ndjenjat e tij komuniste. Me qëllim që brigadier i sigurimit publik Nikë Kria, të mos e denonconte pranë kuesturës lokale, ka dalë së bashku me të dhe në një largësi të pakët e ka gjujt me një të shtime arme lufte,tue vra vdekur. Financieri është arratisur dhe kërkohet në aktivitet. Gjeneral i Brigadës, Komandant Silvio Robino.

Por Tefiku tashmë kishte marrë rrugën e malit: në Tomorr ku mblidheshin trimat me fletë, tërësisht të lirë, si trimi mes trimave. Tregonte Hetem Bakiasi, ish luftëtar i kësaj Çete: -Një ditë u mblodhëm rreth tij. Unë, si mik i familjes dhe i njohur që më parë me të, mora guximin dhe e pyeta Tefikun: Si e vrave marshallin, në mes të Beratit?! Ndërsa prisnim, me sy e vesh nga ai të fillonte e tregonte ngjarjen që kish bërë aq bujë heshti, me kokën ulur. Më kujtohet si tani:-u skuq në fytyrë dhe u duk që nuk i erdhi mirë për pyetjen. Hoqi duart nga xhepat dhe u përgjigj: Bëra detyrën e Qarkorit të Partisë. Kushdo të ish nga ju, do kish vepruar si unë. Pasi u ndamë shoku që kisha në krah më tha:-Për trimin flet vepra e tij. Fjalët e tepërta janë fukarallëk.

* * *

Të gjitha rrymat e ndryshme, që u shfaqën kundër Luftës Nacional Çlirimtare ishin nën tutelën e okupatorit. Në zonën Fier-Roskovec-Berat, krimineli Isa Toska, u bë vegël e bindur e fashizmit. Ai dhe mercenarët e tij, hynin e dilnin në qytet, si në shtëpinë e tyre, se ishin legalë për administratën pushtuese. Madje i shoqëronte dhe me mjetet e saj. Për të ndihmuar rezistencën e popullit, për të ngritur këshillat nacionalçlirimtare dhe për të luftuar bashkë me armikun edhe bandën kriminale të Isa Toskës, e pajisur me armët e fashistëve italianë, u dërgua Çeta e Skraparit “Riza Cerova”, e komanduar nga Zylyftar Veleshnja. Kudo ku vinte Çeta, shkruan Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja, do të kish gjaqe të pajtuara, krijim të këshillave Nacional Çlirimtare, hapje e depove të bejlerëve dhe ndarja e bereqetit për të varfërit, atyre që e kishin vaditur me djersë. Populli i çliruar nga kthetrat e bandës, kudo na priste me gëzim e dashuri të patreguar. Kamber Kapo, një 85 vjeçar, kur kemi biseduar në Roskovec, kujtonte: “Erdhën një natë në shtëpinë time. Më kujtohet si sot Tefiku, një djalë i pashëm, me trup të lidhur, me një shikim si të shqiponjës, me një mitroloz, ku kish gdhëndur një yll dhe inicialet e emrit TL. Zylyftari e mbante afër dhe ja dëgjonte fjalën. Sa u gëzova kur mora vesh se ishte i biri i Riza Lapanit, me të cilin kishim qënë emigrantë në Kavallo të Greqisë, ish luftëtar me emër i çetës. Çeta disa herë e kishte paralajmëruar Isa Toskën e xhaxhain e vet Hysni Toska, ish- deputet i mbretit Zog, që me bandën e tyre të mos shkelnin në fshatrat ku ishin krijuar këshillat nacionalçlirimtare. Por banda nuk po i mbante premtimet. Ishin me dhjetra rastet ku fshatarë të varfër vinin në Çetë e ankoheshin për vrasjet e grabitjet e tyre. Shkurt: ishin bërë tmerr i zonës. Ç`u shinte syri thoshin “është për ne”, – kujton Zylyftari. Më tre mars 1943, Isa Toska me bandën e vet, ndërmorën një operacion kundër forcave partizane në zonën e Roskovecit, si kundërvënie nga distancimi i prerë dhe ultimatum i çetës. Hysni Toska dhe Allaman Krotia, me forca të shumta, rreth 100 vetë, kishin zënë krahun e sipërm të Roskovecit, kurse kryebanditi Isa Toska me forca të tjera, krahun nën xhade. Komandant Zylyftari, që e njihte mirë terrenin, i ndihmuar edhe nga populli i zonës, mendoi se pozicioni kyç, ishte Vau i Kënetës, në Belinë, një vend me kallamishte të mëdha. Pikërisht këtu duhet të pozicionohej pika më e fortë e Çetës së tij, me mitralierin Tefik Lapani. Në përleshjen e parë, pas mësymjes së tyrë, armiqtë u shpartalluan dhe të çoroditur u tërhoqën në panik. Siç dukej, Isa Toska nuk ish në qerren e pare, që u shpartallua plotësisht nga Tefiku me mitrolozin e tij. Ai kishte mbajtur peshë zemrat e shokëve dhe mendoi se ishte më mirë të ndërronte pozicion, buzë një ledhi, me shënjestër qerret e tjera, me banditët e Isait. -Tre prej forcave armike, duke parë rrezikun që do t`i kërcënonte tentuan t`i marrin krahët mitralierit. Drejtova pushkën andej dhe vrava njërin prej tyre, por dy të tjerët hodhën një bombë dore mbi mitralierin tonë. Thirra, me sa kisha: Tefik! Tefik! Tefiku ktheu kokën dhe një e rrënqethur i përshkoi shtatin. U ngrit për t`u drejtuar nga krahëmarrësit, por këmbët i ndjeu të rënduara. Mblodhi forcat dhe mbajti shkelur këmbëzën e mitralozit. Edhe një tjetër nga mercenarët iku me të shumtit. Veçse një plumb i kish përshkruar kofshën, duke i shkaktuar hemorragji të madhe. Kënga e mitralozit nuk po dëgjohej më“-shkruan komandant Zylyftari, në kujtimet e tij. Urrejtja e shokëve u kthye në forcë. Komandanti me shokët finalizuan aksionin: Zjarr e tym u mbulua vendi. Banda mori shpagimin e merituar! Vërtet armiku u dëmtua rëndë, por ishte hera e parë që na vritej një shok. Humbëm një nga trimat më të mirë, mitralierin e sprovuar Tefik Lapani, -shkruan Zylyftar Veleshnja. Mbrëmjen e tre marsit 1943 partizanët e Çetës bënë roje nderi mbi trupin e pajetë të shokut e vëllait të tyre. Ulur, nën dritën e mekur të një llampe me vajguri, Zylyftari filloi të hedhë në letër ato ç`ka i diktonte zemra:

Në zemër të Myzeqesë,

te Këneta, në Belinë,

Tefik, trëndafil me vesë,

re dëshmor për vegjëlinë.

Të nesërmen u organizua ceremonia e varrimit, me pjesëmarrje të gjerë nga Roskoveci e Fieri, Lushnja, Berati etj. Vajzat e Kallmetit dhe të fshatrave për rreth, të veshura me kostume popullore, me kurora me lule në duar, kishin thurur vargjet:

Tefik ne sot bëjmë varrimin!

Ne, vajza e djem myzeqarë,

mbi varrin tënd bëjmë betimin,

hak s`do lëmë pa marrë.

Ajo u shkri me këngën e heroit, për të rendur brez pas brezi si mesazh trimërie. Ajo ishte një sfidë për pushtuesin e huaj dhe bashkëpunëtorët e tij, që përjetësonte heroin si një mbishkrim në lapidarian e tij. Pas ceremonisë komandant Zylyftari, bashkë me drejtues të Qarkorit të Partisë të Beratit, njësitit guerril të qytetit, iu drejtuan Lapanit, për t`i dhënë mandatin xha Rizait e nënë Kules. Një barrë e rëndë, një sfidë me vetveten. -Mirë se erdhët, u tha Rizai tek porta e shtëpisë! E keqja mes shokëve e miqve ndahet përgjysmë, kurse e mira dyfishohet. -Dhimbjet e mëdha` si kjo jona, janë memece, xha Rizai. -Dy vdekje s`ka, nga njëra nuk shpëton dot. I falët vatanit,-tha plaku i urtë e i mënçur Riza Lapani, teksa ndjeu një goditje therëse. Tërë nata kaloi me kujtimet për Tefikun. Të nesërmen Rizai thirri dhëndërrin, në Zabërzan, Bajram Lamen, me që fëmijët e tij ishin ende të vegjël për të shkuar me të deleguarin në luftë, partizan. Lufta vazhdonte. Hakmarrja për shokun e vrarë dhe lirinë e Atdheut kërkonte përpjekje e sakrifica të reja. Mitralozi i Tefikut duhet të vazhdonte refrenin kundër pushtuesit e tradhtarëve të vendit, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Riza Bregasi ,nip i heroit.