Ismail Kadare: Krimet e pandëshkuara të komunizmit

316
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ky opinion i Kadaresë i botuar më 2005 – e ribotojmë, sepse është tepër aktual, edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e komunizmit

Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë.

Pesëmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit, një mjegull e helmuar vazhdon të rrijë pezull mbi ish-perandorinë e përmbysur. Ajo nuk gjen qetësi dhe, me sa duket, s’ka për të gjetur, pa kryer një operacion të dhimbshëm, por të domosdoshëm: spastrimin moral të saj. Thënë ndryshe njohjen dhe dënimin e krimit. Pikërisht për pengimin e kësaj njohjeje e sidomos e këtij dënimi është ngritur sot në këmbë një armatë e tërë. Me trysni, me kërcënim, me para, me dredhi, me lutje, me shantazh, shkurt me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën. Në fillim të viteve ’90 u duk se bashkë me përmbysjen e tiranisë do të shuhej edhe urrejtja që ajo prodhonte ditë e natë, burimi i parë energjetik i saj. Në një klimë besimi e mirësie u duk e natyrshme mëdyshja: të hapeshin bodrumet e errëta të së kaluarës, apo më mirë të mbylleshin?

Mëdyshja ishte e përligjur. Shumë njerëz menduan kështu me sinqeritet. Dhe jo vetëm njerëz, por edhe shumë institucione, madje disa qeveri demokratike, si ajo e Republikës Federale Gjermane, e para që u gjend përpara këtij problemi. Dihet se në atë kohë Boni i propozoi Gjermanisë Lindore shkatërrimin e arkivave të fshehta, që lidheshin me spiunimin.

Më pas, shumë shpejt u pa se iluzioni ishte i bukur, por megjithatë mbetej iluzion. Bota e përmbysur kishte qenë aq e egër dhe e pabesë saqë asnjë qokë e saj nuk i përshtatej lirisë. Ajo botë s’kishte njohur kurrë as falje e as mëshirë, ndaj si e tillë s’i meritonte ato.

Ngërçi u ndie shumë shpejt. Diçka themelore nuk ecte në demokraci. Diçka pengohej gjithkund. Prishej, shpërbëhej, fironte. Atëherë u kuptua se ç’gabim fatal ishe harrimi i asaj që s’duhej harruar. U krijua kështu paradoksi më i madh: e para që më së shumti fitoi nga demokracia ishte diktatura e rrëzuar. E inkurajuar kështu nga mosdënimi i krimeve, ajo përherë e më tepër nisi të përkëdhelë shpresën e kthimit në pushtet. Kishte pasuri brenda dhe jashtë vendit, kishte ende një pjesë të kulturës e të medias me vete, kishte sidomos dy armata të fshehta: atë të spiunëve, dhe tjetrën, atë për të cilën ende flitet pak, por që është, ndoshta, më e rëndësishmja, armatën e njerëzve që, pa qenë në listat e spiunëve, kanë qenë të përlyer më shumë se vetë spiunët. Në klimën e demokracisë të gjitha këto forca, duke u fërkuar nëpër gjysmëterr, duke nuhatur njëra-tjetrën, u afruan e u forcuan. Ato shtinë në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta e sidomos të ekonomisë. Ato arritën të infektonin opozitën e djathtë, një pjesë të së cilës e kishin pasur në dorë qysh në krijimin e saj. Një marrëveshje e heshtur u krijua midis të dy krahëve të politikës për të mos prekur ish-agjentët e fshehtë ngaqë secila palë kishte pjesën e vet në këtë thesar të zi. Mishmashi moral që u krijua nga kjo gjendje ishte humbja e plotë e qokave (referencave) morale. Gjithçka po kthehej kokëposhtë, njerëzit si në një ëndërr të keqe po mësoheshin me të keqen. Gjendje më të favorshme as që mund të ëndërronin xhelatët e djeshëm.

Pjellë e drejtpërdrejtë e këtij mishmashi ishte një korrupsion i paparë ndonjëherë në fytyrë të dheut. Historia jepte shumë pak ose aspak raste të ngjashme. Të shumtë ishin ata që mbeteshin gojëhapur nga kjo, por të paktë qenë të tjerët, ata që duhej të gjenin shkaqet dhe udhën e daljes.

Ndonëse me njëfarë vonese, vendet e ish-Lindjes, njëri pas tjetrit shpejtuan të qortojnë gabimin. Gjermania ishte e para që e kuptoi se me këtë gropë të zezë nën këmbë nuk mund të ngrihej asnjë e ardhme. Dosjet e Stasit (policisë së fshehtë) nisën të hapen qysh në vitin 1990. U shkaktuan natyrisht shumë drama, por procesi, në një bilanc të fundit u gjykua pozitiv. Në botën e letrave, midis dramave të tjera ishte ajo e shkrimtares së shquar Krista Wolf. Debati për fatin e saj qëlloi i frytshëm. E pranoi vetë që kishte qenë për ca kohë bashkëpunëtore, por nuk kishte dëmtuar kurrkënd. Shpjegimet e saj për rrethanat e rekrutimit dhe sidomos deklarata se s’kishte dëmtuar njeri u vërtetuan, gjë që e rehabilitoi moralisht përpara opinionit publik. Rasti i saj i bujshëm ishte një mësim emancipimi për shoqërinë gjermane, ende të pamësuar me çështje të tilla. Secili vend ish-komunist sillte befasimet e veta në këtë kronikë. Ndërsa në Hungari u bë problem mungesa e dosjeve, në Poloni dolën dosje të tepërta. Sipas një tradite famëkeqe të KGB-së sovjetike u fabrikuan dosje për poshtërimin e personaliteteve, sidomos të atyre që kishin luajtur rol në përmbysjen e komunizmit. Viktima e kësaj hakmarrjeje meskine ishte vetë udhëheqësi i “Solidarnosit”, Lech Valesa, i cili pati durimin që, me anë të një procesi gjyqësor ta hidhte poshtë shpifjen monstruoze. Një gjë e ngjashme kishte ndodhur më parë me shkrimtarin Solzhenicin, për të cilin KGB-ja hapte fjalë sikur e kishte njeriun e vet, gjë që askush nuk e mori seriozisht. Me vendet baltike, Letoni, Lituani dhe Estoni, padronia e vërtetë, KGB-ja, kishte marrë me vete dosjet. Ky rast do të përsëritej në Kosovë, pas çlirimit të saj më 1999, kur UDB-ja serbe, ishte zotëruesja e vetme e tyre. (Nisur nga kjo tingëllojnë të pasinqerta e si për të shpëlarë gojën propozimet e atyre njerëzve kinse të dijshëm në Prishtinë, që flasin për komisione që u dashkan të jenë të pranishëm, në çastin e hapjes së dosjeve, për të parë mos ka ndonjë paudhësi etj., etj.! Për ç’komisione të shqiptarëve të Kosovës mund të flitet kur gjithë arkivat e zeza ndodhen me qindra kilometra larg, në Beograd apo në pyjet e Shumadisë?!) Por le të kthehemi te tabloja e zymtë e botës komuniste. Në Poloni, pas ligjit të 1997-ës, pati zbulime, debate e skandale të pafundme. Në Çekosllovaki botimi i listës “Wildstein”, sipas emrit të gazetarit që e bëri publike, e vuri vendin në ethe. Një listë tjetër, “Lista e vërtetë” e një hungarezi iu rikthye kriminelëve të vërtetë, zyrtarëve të lartë komunistë, që dukej sikur kishin mbetur jashtë stuhisë. Një tjetër publicist, rumuni Rude Portokalla, me gjithë emrin e këndshëm e vitaminoz, tronditi Rumaninë me një letër të hidhur drejtuar presidentit, ku i kërkonte që vendi të shpëlante baltën, duke zbuluar të vërtetën.

E fundit në proces ishte Bullgaria, ku gjithçka zvarritej e vazhdon të zvarritet ende sot. Megjithatë, në kësi rastesh të vonesës ka gjithmonë një ngushëllim për gjithkënd. Dhe ky është vendi ynë i dashur, i pari në prapësi, i fundit në punë të mbara. Por, përpara se të vijmë te rasti ynë, duhet thënë se ethet e procesit ende vazhdojnë sot në gjithë trevat e ish-perandorisë së gjerë. Rasti i fundit, kur pa u tharë ende lotët për vdekjen e Papës së madh, Vojtilës, në vendlindjen e tij, “Komisioni i kujtesës” shpalli se ndihmësi dhe konfidenti i tij polonez, ishte spiun i ish-regjimit komunist, tregon se sa i ditës është ky problem. Janë sqaruar ndërkaq disa gjëra themelore. I pari mësim që u nxor nga kjo përvojë tragjike, ka të bëjë me gëzimin e parakohshëm të ish-sunduesve komunistë, të cilët kujtuan se mund të bënim sehir këtë krusmë skëterre, pa u hyrë gjembi në këmbë. Dalëngadalë kjo botë u bë e ndërgjegjshme se janë ata, e në radhë të parë ata që e sollën, e mbollën dhe e shpërndanë gjithkund këtë murtajë. Ndaj janë të parët ata, gjithmonë të parët ata, që do të përgjigjen e do të dënohen për të.

Tronditja që vinte prej arkivave e dosjeve të fshehta ka qenë e natyrshme edhe në Shqipëri. Ishte një nga pyetjet e para për të gjithë. Për disa pyetja kishte brenda ankth, dihet përse, për të tjerët, ata që donin hakmarrje kishte padurim. Për një palë të tretë, që s’ishin të përzier në këtë punë, zotëronte kureshtja. Ishte kjo palë që duhej të ishte në të vërtetë gjykuesja e paanshme e çështjes.

Nuk mund të thuhet se populli shqiptar, përgjithësisht pasionant, me traditë hakmarrjeje dhe i shquar për mëri të zgjatura, u tregua i papjekur në këtë provë që i vuri përpara jeta. Zotëroi përmbajtja më shumë se nguti, arsyeja mbi pasionin, së fundi, dhe kjo ishte tepër e rëndësishme, ashtu si në vendet e tjera u shtrua pyetja: i shërben apo nuk i shërben kombit hapja e këtij telashi? Mos vallë ishte më mirë të merreshim me të ardhmen se të shkuarën?

E gjitha kjo ishte logjike, e mençur dhe njerëzore. Mirëpo katërmbëdhjetë vjet më pas, në vitin 2005, Parlamenti Shqiptar mori vendimin e turpshëm kundër hapjes së dosjeve për deputetët. Asnjë parlament i vendeve të tjera nuk i ka bërë këtë, ndaj turpi mund të quhet historik. E, si të mos mjaftonte kjo, deklarata cinike e nënkryetares së Kuvendit se, përjashtimi nga kandidimi i deputetëve spiunë ishte një shkelje e të drejtave të njeriut (!), i vinte kapakun gjithçkaje.

Ky epilog i mbrapshtë tregoi se polemikat, mëdyshjet, dyshimet e sinqerta nëse duhej a s’duhej transparenca, nuk kishin shërbyer për asgjë. Në këtë kah, do të ishte e detyrueshme rishikimi i kësaj kronike të gjatë dhe jo fort të pastër, për të parë ku është gabuar. Në këtë rishikim po duket se dufet primitive të politikës shqiptare nuk i lanë vend shqyrtimit serioz të asgjëje, përkundrazi kanë çoroditur gjithçka, e në radhë të parë moralitetin e politikës. I kujtonim duke qeshur muajt e parë të demokracisë kur gra zyrtarësh të lartë nxirrnin nga çanta fletë dosjesh sekrete, për t’u kakarisur me shoqet në kafene. Na dukeshin groteske, gati-gati subjekte për teatrin komik, pa na shkuar mendja se përpara se të ishin të tilla, ato ishin tragjike. Pas këtij abuzimi të parë, erdhën të tjerat. Loja me emrat, pseudonimet e ish-spiunëve, dalja e tyre në gazeta, së fundi, shantazhet, që me siguri njëri krah i politikës i bënte tjetrit. Politika shqiptare njohu befas një shije të re, të panjohur, të rrezikshme: përdorimin e dosjeve të ish-spiunëve, për dobi të vet. Shantazhi ka qenë mekanizmi kryesor me të cilin ka funksionuar çdo mafie e çdo zhgan banditësh. Kjo vegël e diktaturës tregonte se klasa politike shqiptare sado të shpallej liberale, zemrën e kishte në diktaturë. Kështu shpjegohet që çështja e hapjes ose jo të arkivave të fshehta, nga një trazim i sinqertë, u kthye në një biznes të turpshëm politik. Me anë të kurthit të dosjeve, secila palë mbante në zap jo vetëm njerëzit e vet, por edhe një pjesë të palës tjetër. Kështu shpjegohen çuditë e pashpjegueshme, enigmat, thënë shkurt, qyfyret e politikës shqiptare. Kështu shpjegohet paradoksi i madh që ka zyrtarë të së djathtës, që janë po aq të zellshëm për të mbuluar krimet e komunizmit, njëlloj si të ishin të majtë. Kështu shpjegohet që diskutimi për arkivat dhe dosjet hyri në një zonë të mjegullt, në një muzg të qëllimshëm: gjersa u arrit te epilogu i turpshëm i Kuvendit Shqiptar.

A krijon probleme hapja e bodrumeve të errëta (arkiva, dosje etj.) në Shqipëri? Natyrisht që krijon

Ky është një problem i rëndë, serioz, me shumë peshë e përgjegjësi. Ndaj askujt nuk i lejohet që pozitën e tij “superiore” (thënë ndryshe “pa dosje”) ta përdorë në mënyrë abuzive, për të terrorizuar si prokuror “inferiorët” (thënë ndryshe “me dosje”). Në të gjitha problemet, sado dramatike qofshin, qasja njerëzore është ajo që më shumë se çdo tjetër, shmang gabimet e rënda. Mund të ketë qasje njerëzore për çështjen e errët të ish-spiunëve? Natyrisht që ka. S’duhet harruar kurrë se kjo ushtri e trishtuar e ka dramën e saj të brendshme. Sado që e ka humbur të drejtën e fjalës, sado që çdo përpjekje për t’u shpjeguar mund të kthehet kundër saj, kjo s’do të thotë se bota duhet të jetë e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj ferrit të brendshëm të saj. Është rekrutuar kjo ushtri me mënyrat më çnjerëzore që mund të përfytyrohen. Është kapur shumica e saj në gracka nga më makabret. Qasja njerëzore është ajo kur, sa më shumë të ndjeshëm ne të jemi ndaj kësaj katastrofe të ndërgjegjes, aq më të pandjeshëm na lejohet të jemi ndaj atyre që e kryen këtë punë me zell, e aq më të ashpër ndaj atyre që e kryen të njëjtën punë pa i detyruar kush. Sa për ata që e krijuan këtë mjerim dantesk, ata që përbënin kupolën e nomenklaturës së kuqe, ata s’ka pse të presin mirëkuptim.

Një orientim i tillë njerëzor mund ta çojë çështjen e zvarritur të dosjeve në Shqipëri drejt një zgjidhjeje të arsyeshme.

Për shkak të veçantive të vendit tonë (një traditë shekullore hakmarrjeje, pezmatimet e mërive të gjata, përftimi i veçantë i fisit, familjes e nderit, raportet atë-bir si raporte detyrimi e shkarkimi), këto e të tjera si këto, na çojnë natyrshëm drejt kërkimit të një zgjidhjeje që mund të ishte e veçantë.

Nisur nga kjo, e nisur gjithashtu nga orientimi njerëzor që u përmend më lart, mendoj se do të ishte, ndoshta, e arsyeshme që, për shumicën e popullsisë shqiptare, për njerëzit e thjeshtë e të rëndomtë, për ata që s’kanë pasur e s’mund të kenë asnjë rol në jetën politike, morale e administrative të shtetit e të shoqërisë, dosjet mund të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Së paku për aq kohë sa do të mund të vendosë në një formë referendare populli shqiptar.

E kundërta duhet të ndodhë me ish-nomenklaturën dhe me gjithë ata që, për ironi të fatit, u quajtën “elitë” e vendit dhe që luajtën një rol të ndjeshëm në jetën e tij. Sa më i lartë ka qenë posti, aq më i madh bëhet faji, për të arritur gjer te maja e kupolës. Në Shqipëri duhet të shkulet njëherë e përgjithmonë ideja e gabuar se, ishin si ishin udhëheqësit, punët e pista i bënin vetëm spiunët profesionistë. E vërteta është fare ndryshe. Mbi të ashtuquajturit udhëheqës, jo vetëm rëndon krimi madhor, ai i krijimit të kësaj murtaje, por edhe në një rrafsh të rrokshëm, kjo e ashtuquajtur “elitë” i ka bërë gjithmonë punët e pista të spiunimit. Qysh më 1941, në lindjen e partisë, krerët e saj, u mësuan të denonconin njëri-tjetrin te Stalini, te Titoja, te jugosllavët, te rusët. Ndaj më pas spiunimi u bë diçka familjare për ta, gjersa u kthye në një sistem zotërues.

Për fat të keq, në polemikën e hapur këto dy vitet e fundit është përzier, rastësisht ose jo, çështja e dosjeve me atë të arkivave të fshehta. Ndërsa për të parën kanë qenë disi të kuptueshme lëkundjet, hapja e arkivave është jashtë çdo diskutimi. Mëdyshja për këto nuk mund të cilësohet veç barbare. Për fat të keq, ka ndodhur pikërisht ajo: barbaria.

Botimi i paketës së parë të dokumenteve për përgjimin e shkrimtarëve dhe të artistëve, përpiluar nga drejtori i përgjithshëm i Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, dr. Shaban Sinanit, krijoi bashkë me nervozizmin një solidaritet të sëmurë kundër librit dhe autorit. Do të ishte e kuptueshme nëse do të kërkohej zgjerimi i hulumtimit me autorë të tjerë. Për fat të keq, nuk u kërkua kjo, ose më saktë u kërkua kjo sa për të larë gojën. Kurse thelbi i kërkesës ishte tjetër gjë: mbyllja e këtij procesi. Në të vërtetë duhej të ndodhte e kundërta. Me gjithë vonesën e saj në këtë problem kaq dramatik, Shqipëria pati shansin të hapë procesin, me një dosje të nivelit tepër të lartë. Nuk është fjala për dosje të rëndomta spiunësh e as për denoncime të vogla të lagjes, por për makinën kryesore të përgjimit e të terrorit kundër letërsisë dhe arteve. Është fjala për zyra të Komitetit Qendror, për anëtarë të tij, për anëtarë të Byrosë Politike, për kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, për gruan e diktatorit, për vetë diktatorin, në zyrën e të cilit përfundonin denoncimet kryesore. Me sa duket, pikërisht kjo kapje për brirësh e problemit, ky vizion nga lart, që nuk i lë mundësi nomenklaturës të fshihet pas spiunëve të thjeshtë, ka qenë një nga arsyet e reagimit të keq. Në këtë libër nomenklatura e lartë, qoftë politike, qoftë kulturore del lakuriq. Zyrtarët e lartë nuk mund të përdorin më legjendën aq shumë të përhapur se ushtruan terror ngaqë ishin të keqinformuar.

Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike rifitojë Shqipërinë

Nga ana e tyre, drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual, nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Të dy palët janë të përlyera gjer në grykë, të pleksura në një aleancë monstruoze, rrallëherë të ndeshur në histori.

Këtë vizion të qartë të tablosë nuk mund ta japë veçse bota e dokumentacionit. Ndaj reagimi i ashpër kundër librit është njëherësh reagim kundër dokumentacionit në përgjithësi. Gati-gati u ndien haptas thirrjet histerike: nuk duam dokumente!

Natyrisht që një botë e ngritur mbi mashtrim dhe mjegull mbuluese më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit. Oraliteti ballkanik, aq shumë joshës në rrafshin e artit epik të poezisë, është armiku i parë i së vërtetës në rrafshin e jetës shoqërore moderne. Libri i drejtorit të arkivave vuri ballë për ballë oralitetin dhe dokumentet. Në këtë ndeshje oralitetit (thënë ndryshe mjegullës mashtruese) nuk i mbetet veç humbja. Ky është edhe shkaku i panikut.

Njëqind e tridhjetë vjet më parë, në romanin e tij “Djajtë”, Dostojevski profetizoi makinën e ardhshme të terrorit komunist. Në këtë roman tregohet se si katër revolucionarë rusë mbytin të pestin, shokun e tyre, për t’u lidhur kështu me anë të të fshehtës së krimit. Sipas Dostojevskit, kështu do të punonin këtej e tutje “qelizat e revolucionit”, ato që do të mbytnin botën me gjak. Ne ballkanasit e kuptojmë mirë se ç’është kjo lidhje nëpërmjet njollave të gjakut. Gjatë luftës civile në Shqipëri ajo u përdor gjerësisht e po ashtu pas fitores së komunistëve. Lidhjen, solidaritetin nëpërmjet denoncimit nuk e ndan veçse një hap nga marrëdhënia që u përmend më lart. Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë se sa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare. Çdo shoqëri e pajisur me njëfarë ngrehe morale, kur gjendet përpara një prove ku vihen ballë për ballë moraliteti me të kundërtën e vet, në mënyrë të vetvetishme rreshtohet në anën e moralitetit. Për një pjesë të popullsisë shqiptare, për fat të keq, ndodh e kundërta. Kjo pjesë, me shpërfillje bën sehir të keqen. Nga dokumentet ajo merr vesh se dikush ka kallëzuar, ka marrë më qafë, ka dashur të hedhë në humnerë dikë, e megjithatë vazhdon të vështrojë me sytë e saj të pajetë (sytë e saj prej peshku, siç përfytyrohet shpërfillja në filmat e Felinit), pa dashur të vihet në mbrojtje të askujt.

Por kjo është gjysma e së keqes. E keqja më e madhe është kur kori i solidaritetit, ai që, jo vetëm është shpërfillës ndaj viktimës, haptas bëhet kundër saj, duke marrë në mbrojtje shtypësit. Merret me mend se nga ç’njerëz përbëhet ky kor. Së pari, janë bashkëpunëtorët në krim, ata që, sipas profecisë së Dostojevskit i lidh e fshehta e denoncimit. Me ta bashkohen një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, ata që dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që ende sot i gjen aty-këtu në jetën e sotme politike, deputetë të majtë e të djathtë, kryetarë partish, anëtarë të qeverisë, diplomatë, shefa, mbishefa e nënshefa pa fund. Në gjithë këtë tablo, pjesa më shqetësuese është shpërfillja e publikut. Ky zvetënim postdiktatorial është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e bjerrjes morale të epokës që vdiq.

Kronika e zvetënimit të jetës letrare artistike në Shqipëri ka nisur qysh më 1945, në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Në atë kohë, Lidhja ishte fare ndryshe nga ç’u katandis më pas. Më 1945, në kryesinë e Lidhjes ishin zgjedhur Dhimitër Pasko, Sejfulla Maleshova, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Ymer Dishnica e të tjerë zotërinj të kulturës shqiptare. Në këtë kulturë ishin ende zotërinj të tjerë si Vinçens Prenushi, Vedat Kokona, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Frano Alkaj, Henrik Lacaj, Fejzi Dika e të tjerë. Një frymë intelektuale, një atmosferë gjysmë e lirë vinte nga epoka e përmbysur. Regjimi komunist e ndjeu menjëherë se ky ekip shkrimtarësh, këta mohikanë të fundit, ishin të huaj për të. Ata ishin dëshmitarë bezdisës për krimet e tij. Në vend të vështrimit të tyre depërtues ai do të parapëlqente vështrimin e ngrirë të peshkut felinian. Dhe kështu nisi luftën kundër “borgjezëve”, duke hedhur në sulm shkrimtarët e dalë nga lufta, më saktë, nga njëra barrikadë e luftës, ajo komuniste. Pëshpërima që u hap në Tiranë, më 1946, se anëtari i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, Lasgush Poradeci, ka thirrur në duel ministrin e Kulturës së qeverisë komuniste, ngaqë ky e kishte fyer publikisht, ishte edhe bëma, ose më saktë, skandali a mondaniteti i fundit me shije evropiane në Shqipëri.

Një shoqëri me ndërgjegje të gjymtuar, siç është sot një pjesë e shoqërisë shqiptare, gjëja e parë që bën kur dikush i vë përpara pasqyrën për të parë vetveten, është refuzimi i pamjes. Një reagim i dytë, edhe më i keq, është përpjekja për ta thyer pasqyrën.

E mësuar këto 15 vjet të tranzicionit me mjegullën e mashtrimit dhe me dokrrat e kafeneve, këto balsame aq shumë të parapëlqyera për të, kjo shoqëri e ndien veten kaq keq dhe të pambrojtur përpara saktësisë së pamëshirshme të dokumenteve. Ajo bën çmos për të penguar daljen e tyre dhe ajo do të bëjë çnuk e çmos për të kufizuar veprimin e tyre shelbues. Ajo do të donte shumë që në vend të tyre, në vend të së vërtetës së arkivave, të vazhdonte në Shqipëri surrogati i së vërtetës.

Ky surrogat është një mjet i vjetër, i përdorur shumë herë në periudha pastiranike. Thelbi i tij, mbulimi i krimeve, shfaqet e kryhet me forma nga më të larmishmet. Mbulimi i drejtpërdrejtë, zhdukja, djegia e dokumenteve, është pa dyshim mënyra më e ngutshme, e kryer shpesh në rrethana paniku. Një tjetër formë është transferimi i krimit. Kjo është një mënyrë dredharake që përzien qëllimisht krimin e mirëfilltë me sofizmat për të, ose kriminelët e mirëfilltë me kinse burimet teorike të tij. Kështu, në rastin e holokaustit, vënia e emrit të Hitlerit, midis emrash filozofësh e shkrimtarësh të njohur, që, për fat të keq, janë përzier në mëkatin kundër hebrenjve, ngjan gati-gati si një përpjekje lehtësimi për kryekriminelin nazist. Të natyrës së përafërt janë raportet e krahasimit të intelektualëve shqiptarë me Enver Hoxhën. Zërat e avokatëve të këtij të fundit, se tirani s’paska bërë ndonjë krim më tepër se një pjesë e intelektualëve është gjithashtu përpjekje e mjerë për të shfajësuar diktatorin.

Një ndër alibitë me tingëllim kinse filozofik, siç janë shpesh ato që ndërtohen me ndihmën e konceptit “kohë”, është shfajësimi “ashtu ishte koha”. Është e tepërt të zgjatemi këtu, për të kuptuar se në historinë e njerëzimit ka pasur disa akte që nuk kanë pasur kurrë kohën e tyre. Bota ka ndërruar epoka, rende e sisteme të menduari, por disa vepra, ndër të cilat kallëzimi i pabesë, nuk janë pranuar nga asnjë kohë. Denoncimin që 2000 vite më parë e degdisi në internim poetin e Romës, Ovidin, shteti romak e mbajti në shekuj të fshehtë, sepse ai kallëzim ka qenë atëherë, njëlloj si sot, i turpshëm.

Që surrogati, thënë ndryshe mashtrimi, të ngadhënjejë, atij i duhet pushtimi i hapësirës mediatike. Vërshimi në shtyp nën pasaportën e kujtimeve, i një vale nostalgjie për kohën e përmbysur dhe për personazhet e saj, ka shqetësuar me të drejtë pjesën më të shëndoshë të opinionit shqiptar. S’do të kishte ndonjë të keqe, përkundrazi, nëse këto dëshmi të njerëzve të ish-nomenklaturës, qofshin ata të kupolës komuniste, qofshin rojet, hetuesit, madje torturuesit, do të tregonin të vërtetën. Mirëpo, me përjashtime të rralla, rrëfimet e tyre s’kanë lidhje me të. Tabloja rozë që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli.

Në kushte të tilla, maksima e njohur “historinë e shkruajnë fitimtarët”, mund të ketë një fat të çuditshëm në Shqipëri. Ajo mund të përmbyset duke u bërë “historinë e shkruajnë të mundurit”, ose edhe më keq, të mundurit të ndihen vërtet fitimtarë, çka do të ishte turpi më i madh për këtë vend. Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmon pikërisht shpresën e saj për t’u kthyer. Kori i solidaritetit alla dostojevskian, i inkurajuar nga vështrimi shpërfillës i peshkut të Felinit, shfaqet në të gjitha rrafshet. Është kjo frymë e keqe që nxit qëndrimin mohues ndaj popullit shqiptar. Ai konsiderohet mëkatar për përmbysjen e komunizmit, ndaj në mënyrë të tërthortë ndaj tij mund të bjerë hakmarrja. Vetëm kështu mund të shpjegohet mungesa e skrupujve në drejtimin e punëve të tij, ngritja e imoralitetit në rangun e një doktrine, korrupsioni i paparë, talljet e pareshtura me varfërinë e vendit, së fundi sëmundjet kronike të politikës shqiptare: mosnjohja e zgjedhjeve, e bojkotimi i parlamentit, dy nga turpet e neveritshme të jetës sonë. Sipas kësaj mbrapshtie, sa herë që vendi ia refuzon votën dhe besimin një krahu politik, ai quhet prej këtij krahu, vend mëkatar. Lufta për shëndoshjen morale të Shqipërisë së sotme nuk është çështje përkryerjeje apo luksi kulturor. Ajo është kthyer në kusht të ekzistencës sonë të mëtejshme.

E treguar me gisht nga komuniteti ndërkombëtar për korrupsionin e saj, Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë.

Mbrojtja e mjedisit, luftëtarët mjedisorë shqiptarë, duhet të përkrahen sot si një ushtri e shenjtë. Por një tjetër ushtri, edhe më e shenjtë, pritet të shfaqet përkrah tyre, ajo e rimëkëmbjes shpirtërore. Nuk është koha as për vaj e as për berihaj. Në jetën e popujve janë të njohura gjendjet e krizave morale, ato që mund të quhen “orë e vetëvrasjes”. Për një paradoks të madh, ato, më së shumti ndodhin në liri, atëherë kur rreziqet e tjera shmangen. Procesi i rigjetjes së drejtpeshimit shpirtëror, është i lidhur natyrshëm me kurajën për shqyrtimin e ndërgjegjes, sidomos kur ajo është e dëmtuar. Një gjë e tillë është vështirë të përfytyrohet pa hapjen e zgafellave ku është strukur e keqja.

Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj. Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandorisë komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë.

Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë.