Kur arsyeja errësohet nga pushteti

1153
Sigal

Ish-Presidenti Prof. Dr. Bamir Topi sjell për publikun librin  “NOKTURN”, me kujtime dhe mbresa nga jeta politike gjatë mandatit presidencial. Marrëdheëniet me Berishën, Ramën, ngjarja e Gërdecit, NATO dhe Drejtësia. Flasin: Ish-Presidenti Topi, Meksi, Kabo, Çili dhe Bashkim Hoxha

Ish-Presidenti Prof. Dr. Bamir Topi prezantoi mbrëmë librin e vet: “NOCTURN”

Bëra mirë që u largova nga Presidenca, njeriu ka nevojë të detoksifikohet

Gati shtatë vite pas largimit nga detyra e kreut të shtetit, Bamir Topi ka vendosur të vijë ndryshe para publikut me një botim, sa autobiografik, aq edhe politik. Libri, i botuar nga “UET Press” është një vepër e veçantë në formë edhe në përmbajtje. Rrëfimi i personalitetit dhe politikanit Bamir Topi është gërshetuar me kujtimet personale të autorit si dhe me përgjigjet e pyetjeve që shkrimtari dhe gazetari Bashkim Hoxha shtron në formë lakonike në hyrje të çdo kapitulli. Përmbajtja e librit është një hapësirë për të njohur më mirë, jo vetëm njeriun dhe politikanin Bamir Topi, por dhe një mundësi për të eksploruar zhvillimet politike dhe ngjarjet e forta në të cilat Bamir Topi ka qenë protagonist i dorës së parë, falë karrierës së gjatë në strukturat drejtuese të PD-së dhe më pas si kryetar i shtetit. Në këtë këndvështrim, libri sjell dhe dëshmi të rëndësishme për ngjarje, të cilat publiku i njeh në mënyrë zyrtare, por jo prapaskenat. Në libër gjenden dhe qëndrimet vlerësimet personale të Bamir Topit, për një sërë personalitetesh të njohura të politikës dhe shtetit shqiptar, duke nisur nga; Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bujar Nishani, Ilir Meta, Aleksandër Meksi, Fatos Nano, Edi Rama, Pjetër Arbnori, Sabri Godo etj. Raportet e Bamir Topi me Sali Berishën janë trajtuar në shumë pjesë të librit, por në përshtypjet e tij, ish-Presidentit Topi shprehet: …mendimi im për figurën e tij ndjek një trajektore gjykimi që të ofron jeta në një marrëdhënie thellësisht politike, pa ndarë as dhe një herë me të marrëdhënie miqësie familjare.” Ndërsa në vlerësimin për kryeministrin aktual, Edi Rama, ish-Presidentit Topi shprehet: “Edhe pse luftoi fort kundër meje në 2007-n në garën time për president, krijova një marrëdhënie politike dhe institucionale me të si lider i opozitës, fatmirësisht pa e bërë asnjëherë mik! E them këtë, pasi po të kisha ndërtuar marrëdhënie miqësore, zhgënjimi sot do të ishte i fortë, sikurse e kanë miqtë e tij që zgjodhën ta kishin mik. Edi Ramës i kam ofruar bashkëpunim për të mirën e klimës politike, edhe kur ai punonte pas shpine me Sali Berishën për minimin e themeleve të demokracisë dhe kufizimin e kompetencave të Presidentit të Republikës, sikurse e kam përmendur, 21 prillin 2008. Në sytë e mi, sjellja me dy standarde e tij, i përulur në nevojë dhe arrogant në ushtrimin e pushtetit, nuk më bëjnë të ruaj respekt për të. Në një vështrim jashtë kontekstit të marrëdhënieve të mia, e konsideroj atë eksperimentin më të dështuar të drejtimit të qeverisë, qysh kur në Shqipëri hyri demokracia. Nëse akoma qëndron politikisht në këmbë, këtë e bën falë opozitës së paaftë”. Politika është vetëm një pjesë e librit. Në rrëfimin e Bamir Topit gjenden të përmbledhura momentet më të rëndësishme të jetës së tij, që nga kujtimet e fëmijërisë, rinisë, por edhe pasionin e tij për sportin.

Ish-presidenti Bamir Topi

Në këtë ambient janë miq dhe shokë, që nuk i kam ndarë asnjëherë në miq dhe armiq, pavarësisht se politika në vetvete e ushqen jo debatin, por armiqësinë. I mirëkuptoj të gjithë. Kam tentuar të shkruaj jo për të qenë cinik, por aq sa për të demonstruar para lexuesit të vërtetat për ngjarje të mëdha që më kanë shoqëruar. Vendosa që këtë histori ta shkruaj pas 6 vitesh kur u largova në mënyrë ceremoniale nga institucioni i kreut të shtetit dhe bëra shumë mirë, sepse njeriu ka nevojë të detoksifikohet nga marrëdhëniet, ndonjëherë edhe të ndera, por ishte fati im i mirë apo i keq që pata një presidencë të trazuar.

Rrugëtimi në NATO dhe Pavarësia e Kosovës.

Mua më vjen keq që janë shumë episode që nuk mund të futen në libër, por nuk është libri që duhet ta demonstrojë këtë.

Folën në prezantimin e librit

Prof. Përparim Kabo: Libri është i vendosur mes politikës dhe jetës së presidentit. Në libër flitet edhe për babanë e Bamirit, që i tregoi të birit kulturën dhe njerëzinë. Në libër flitet për karaktere të ndryshme njerëzore. Biografitë janë ose të autorizuara ose të shkruara vetë. Libri mban aromë ballkanike, por ju nuk e keni mentalitetin ballkanik, përkundrazi. Ky është një libër i unit për unin por në marrëdhënie me të vërtetën. Në libër, dialog i hapur dhe shpotitës me Berishën. Ky dialog me të mendoj se është tipar i emancipimit së shoqërisë.

Bashkim Hoxha: Në libër përshkruhet mjaft bukur realiteti shqiptar, për çështjet më të rëndësishme të kombit tonë. Në libër janë përshkruar me hollësi ngjarje si Gërdeci, 21 janari, për pushtetin dhe sesi luhet për pushtet.

Aleksandër Meksi: Në libër përshkruhet edhe diktatura në Shqipëri, si erdhi demokracia dhe si rrodhën ngjarjet më tej. Sido që të jetë, situata ka ndryshuar, por mungojnë analiza për të evidentuar për atë që ka ndodhur. Në libër përshkruhet se si kundërshtarët konsiderohen armiq. Ky libër sjell me detaje ngjarje, pasi autori ka qenë edhe president i Republikës së Shqipërisë. Interesant se në libër flitet për shqiptarët në Ballkan, për mediat, ekonominë etj.

Henri Çili: Mendoj se ky libër ka shumë rëndësi për kulturën tonë politike, shoqërore apo të gjithë ata që studiojnë politikën. Ne jemi të nderuar që e kemi botuar atë. Unë e kam lexuar dhe do të thosha që ky libër ka zbërthyer shumë bukur realitetin tonë, na dëshmon me ngjarje dhe situata. Bamir Topi është një njeri me vlera dhe figurë konstruktive.

SKEDA E LIBRIT

Titulli: “NOKTURN”

(Kur arsyeja errësohet nga pushteti)

Autor: Bamir Topi

Redaktor: Alfred Cako

Korrektore letrare: Albana Bogdani

Kopertina: Indit Domi

Art grafik: Besnik Frashni

Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”