“Rilindja” në ilegalitet po i bën mbledhjet në male, pyje, stane e oborret e inceneratorëve

310
Sigal

Nga Franca u soll Enveri në Shqipëri në vitin 1938 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PKSH e më pas, drejtues e sundimtar i saj! Po nga Franca u soll edhe Edi pas 60 vitesh në 1998 dhe fillimisht u bë anëtar i PS, më pas kryetar i saj dhe “tiran” i shqiptarve! Të dy deklaronin se “Pushteti buron nga populli dhe i përket popullit”, por mbi 2 milion shqiptarë kanë marrë arratinë. Ja takimet ilegale me shtetar, nënpunësa, ambasadorët e huaj dhe ngjashmëria mes tyre.

        (Pak me kripë, pak me piper)

Engjëll Musai   

Ngjashmëria: Nën shembullin e ilegalëve të  PKSH-së  dhe nën gjurmët e  të reabilituarëve të Ballit e Legalitetit  që nuk shkrepën një pushkë ndaj okupatorëve.

 

– Nga Franca u soll Enveri në Shqipëri në vitin 1938 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PKSH-së, e më pas, drejtues sundimtar i saj!

– Nga Franca u soll edhe Edi në vitin 1998 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PS-së e më pas, kryetar i saj!

– Enveri, thoshte: “Pushteti buron nga populli dhe i përket popullit”

– Edi, thotë: “Qeverisjen na e dha populli dhe t’i përulemi popullit e të bashkë-qeverisim me të”, por kur bëhet fjalë për grevën e naftëtarëve, Rama deklaron se shteti nuk ka punë me bizneset ku edhe vetë qeveria është aksionere.

– Një të besuar kishte Enveri dhe ai ishte Qemal Stafa, që u spostua nga pushtuesit e huaj.

– Edhe Edi një të besuar ka pasur dhe ai ishte Saimir Tahiri, Kryetar i Fondacionit “Qemal Stafa”, por u largua nga qeveria me urdhër të partnerëve të huaj dhe “Grupit të Xibrakës”

Sjellja e qeverisë “Rama-2” është e tillë, sikur Shqipëria është e pushtuar dhe nuk e lënë të futet në Tiranë. Mirë gjatë 3 muajve, që derën e kryeministrisë e kishte “pushtuar” çadra e PD-së, po tani që PD-ja e shkretë ka afro 40 muaj nuk po ndihet, nga kush ka frikë qeveria “Rilindja”, që të “zbresë nga malet e të futet në Tiranë”?! Nuk e dimë, nëse ndoshta kjo shpërngulje e qeverisë në male ka lidhje me ndonjë monitorim të zonave të hashashit për t’ua treguar e dhënë “në dorëzim” edhe ministrave të rinj, por dimë vetëm faktin, që “Rama-2”, nuk po i zhvillon mbledhjet, takimet e konferencat në selinë e kryeministrisë, apo në salla e qendra rezidenciale pronë shtetërore, të cilat janë me shumicë e me hapësira të mëdha! Kryeministri fut në rresht ministrat dhe ngjitet nëpër pyje e male në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku zhvillon mbledhje qeverie e partie. Këto “takime pune” me ministra dhe me “shtabin e ngushtë të partisë”, po i bën në hotele e bujtina mes shkurreve, përrenjve, shpellave, maleve e kudo ku i thotë mendja, duke u justifikuar me covid-19, a thua se 1 milionë qytetarët e Tiranës nuk jetojnë në Kryeqytet! Vërtetë, që këto janë mbledhje informale, por po bëhen sikur qeveria është në ilegalitet, si qeveria komuniste gjatë Luftës! Ndryshimi i zonave të mbledhjeve e takimeve të qeverisë “Rama-2”, na kujton daljen në skenë dhe praktikat e Enver Hoxhës. Nga Franca u soll Enveri në Shqipëri në vitin 1938 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PKSH-së e më pas, drejtues i saj! Nga Franca u soll edhe Edi në vitin 1998 dhe fillimisht u bë anëtar i thjeshtë i PS-së e më pas, kryetar i saj! Një të besuar kishte Enveri dhe ai ishte Qemal Stafa. Edhe Edi një të besuar ka dhe ai është Saimir Tahiri, kryetar i Fondacionit “Qemal Stafa”. Ngjashmëri kanë edhe mbledhjet e zhvilluara prej tyre! Qeveria “hije” e Enver Hoxhës, që siç thuhej “ndiqej këmba këmbës nga gjermani”, mbledhjet e udhëheqjes së PKSH, të Shtabit të Përgjithshëm, takimet me të deleguarit e Titos dhe përfaqësuesit e aleatëve, i zhvillonte maleve, pyjeve e shpellave, nëpër kasolle, stane, hane dhe shtëpi larg qendrave të banuara, duke lëvizur nga Galigati, në Helmës, Mollas, Dhëmbel, Pezë, Mukje, Frashër, Martanesh, Labinot, Tomorricë, Tragjas, në dyqanin “Flora” e kudo… Në Kasollen e Galigatit e shpalli Enveri, qeverinë e re popullore! Atje pranë oxhakut, në lëndina, nën hije pemësh e kroje uji, merrte vendime se cila do të ishte qeveria e re dhe se si do të bashkë-qeveriste me popullin! Atje u vendos të spastroheshin “shushunjat që i kishin pirë gjakun popullit”. Atje thuhej, se si zyrat e pushtetit të ri popullor, do të mbusheshin me bij e bija të besuar të partisë e të popullit, se si partia dhe qeveria e re, megjithëse do të jetonte në vila në Tiranë, do të qëndronte pranë çdo halli të popullit fukara! Në mbledhjet ilegale, të bëra në male, pyje e shpella, Enveri vendoste se si do të zbuloheshin e sekuestroheshin sarajet, tokat, bagëtitë dhe florinjtë e fshehur të bejlerëve e agallarëve dhe se si ata, do të gjykoheshin nga populli. Në pyje e male vendosej, se si Shqipëria do të “rilindte” mbi gërmadha e do rindërtohej nga themelet brenda “Planit të Dytë 4-vjeçar” dhe se si populli, “do të hante me lugë floriri”! Pas çdo mbledhjeje, Sekretari i Parë i PKSH-së, Gjeneral-Kolonel-Kryeministër- Nderi i Partisë Komuniste Franceze, profesori i muzikës Enver Hoxha, bënte fotografi me bashkëpunëtorët e afërt dhe hartonte e shpërndante ndonjë trakt për popullin! Kështu po vepron edhe Kryetari i PS-së, Kryeministër-Kryetar i Legjionit të Nderit të Francës, profesori i pikturës Edi Rama! Qeverinë “Rama-2” e shpalli në një hotel, pranë një pylli në Tiranë! Mbledhjen e parë e bëri në një bujtinë mes pyjeve në Llogara, ku tha se Shqipëria do të “rilindë” e do rindërtohet nga themelet, brenda “Mandatit të dytë 4- vjeçar”. Mbledhjen e dytë e bëri në Velipojë. Takimin me kryeministrat e Rajonit dhe të dërguarin e BE-së e bëri mes “kaçubeve” të Rezidencës Qeveritare në Durrës. Aty u zhvillua edhe takimi i dy pasardhësve të Enverit dhe Titos, çiftit Rama-Vuçiç. Pas çdo mbledhjeje, bën fotografi me ministrat dhe shpërndan komunikatë për mediat dhe kronikë në “ER-TV”! Në çdo mbledhje e takim, shfaqet tamam si Enver Hoxha, herë me mustaqe, herë me mjekër, e herë pa mjekër, herë i veshur me qillota, herë si tregtar, e herë si katundar, herë duke ngritur dolli e duke ngrënë bukë e gjizë në shtëpitë e popullit! Këtë model kanë filluar ta kopjojnë edhe pushtetarët lokalë, duke e nisur “kryeministri” i Himarës Jorgo Goro, i cili e bëri mbledhjen në pyjet e Kuçit! Pasohet nga ai i Tiranës, Vlorës, Maliqit e me radhë. Mos i thëntë mendja, që edhe gjyqin e Hagës për ndarjen e Detit me sivëllezërit e tij të grupit “sorosiano-mavi”, të kërkojë ta bëjë në ndonjë majë mali, në ndonjë bujtinë apo në shpellat e Karaburunit!

 

Ja vendet më të dashura të mbledhjeve të qeverisë “Rama-2”, për periudhën shtator 2017- Prill 2021

  1. Mbledhjen e parë të qeverisë, pas dekretimit: Në pyllin e Qafë-Mollës, prapa Dajtit.
  2. Mbledhjen me grupin e ri parlamentar: Në Labinot -Mal paradite dhe Kompleksi ‘Luca’ për drekë dhe pak relaks sipas preferencave.
  3. Mbledhjen me këshilltarët e tij: Në “Bunk-Art”.
  4. Mbledhjen e kryesisë së PS-së: Në malin e Gramozit.
  5. Mbledhjen me ambasadorët e Lindjes: Në Manastirin e Ardenicës
  6. Mbledhjen e KKRT-së: Në malin e Shpiragut.
  7. Mbledhjen me ALUIZN-n: Në Bjeshkët e Namuna.
  8. Mbledhjen me Agjencinë e Tenderëve dhe Koncesioneve: Në Malin e Tomorrit.
  9. Mbledhjen me Zv/ministrat e rinj: Në pyllin e Divjakës.
  10. Mbledhjen me drejtorët e rinj të Inspektorateve: Në Liqenin e Prespës.
  11. Mbledhjen me krye-bashkiakët e PS-së: Në pyjet e Razmës.
  12. Mbledhjen me drejtorët e Turizmit: Në Karaburun.
  13. Mbledhjen me prefektët: Në bujtinat e Thethit.
  14. Mbledhjen me drejtorët e Policisë të Qarqeve: Në malin e Dukatit.
  15. Mbledhjen me “Taskë-Forcën Anti-Drogë – OFL”: Në jaht, në Ishullin e Sazanit.

16- Mbledhje me gratë ministre në harremin e Stambollit me çarterin kryeministror, ku secila në vend të biletave. duhet të ketë 1 kopje të librit të Liderit, “Kurbani”.

17-Mbledhje me oligarkët e PPP-ve në kodrinat e Mbishkodrës.

18- Mbledhje me ndërtuesit e ‘Rilindjes Urbane’ që përmbytën qytetet në Pezë. Nëse Peza është e përmbytur në Vilën e Zogut në Durrës ose Vlorë.

19- Mbledhje me familjet nacionaliste në Bujtinën e Butkajve në Kolonjë.

20- Mbledhje me trojkën e ambasadorëve të huaj në Tiranë që e mështetën për krijimin e Parlamentit, Qeverisë dhe Pushtetit Lokal monist afër Dajtit, tek ish-‘Mak Albania’, mbi tunelet e rezervave të Bakës së Shqipërisë, ku u vodh edhe  Thesari.

 

21- Mbledhjen për infrastrukturën urbane dhe rrugët do ta zhvillojë në  në ish-Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sot Bulevardi “Zogu i Parë”.

  1. Mbledhjen për Historinë e LANÇ do ta zhvillojë pranë shtëpisë së Mit’hat Frashërit ose në Sarajet e  Ali Bej Këlcyrës në Përmet.
  2. Takimin për Vlerat dhe Traditën Kombëtare do ta zhvillojë pranë staneve të Safet Butkës.
  3. Takimi për çështjet e higjienës, mjedisit dhe pastrimit do të zhvillohet në oborrin e inceneratorit të Elbasanit, dorëzuar me “çelësa në dorë” me gjysëm çmimi nga ‘Siemens’.
  4. Dy takimet e tjera me ambasadorët dhe mbledhjen e përbashkët me qeverinë greke do të bëhen në sheshet imagjinare të inceneratorëve të Tiranës dhe Fierit.