Nga Gëzim Llojdia
1.Kur u nisa drejt Nivicës, udha më shpinte përmes Shurit të Kuçit një zallishte e thatë e gojëdhënave, e mbuluar nga zaje të mëdhenj e të bardhë që dukeshin si të mbetur pezull në kohë. Në krahun e djathtë, rrëzë një shkëmbi thikë ku gjarpëron rruga, lartësohej një ndërtesë e ftohtë betoni. Poshtë saj rridhte ende ujë.Kjo duhej të ishte vepra e marrjes së ujit, e ngritur për të furnizuar Himarën. Geografia e vendit e vendoste këtë pikë teknike brenda territorit të fshatit Kuç, në Luginën e Sipërme të Shushicës. Aty, në një kuotë që kapte afërsisht 500 – 600 m mbi nivelin e detit, ku rruga fillon e ngjitet fort, ndodhet burimi i Lëpushës i njohur në edhe si Burimi i Pordolecit. Ky burim i çmuar buron në pjesën lindore e juglindore të Kuçit, pikërisht rrëzë shpatit gëlqeror të maleve të Këndrevicës.Teksa ndalova, pashë një bari vendali dhe e pyeta duke treguar me dorë nga godina:
– Çfarë është kjo depo uji në anë të udhës?Ai më konfirmoi atë që e kisha dëgjuar t’i pëshpëritej më parë si një e vërtetë e hidhur.
– Është pika e marrjes së ujit për ujësjellësin e Himarës. Që këtu, nga Lëpusha, uji merr rrugën e zbret poshtë në bregdet.
-Po kur përfundoi kjo? U bë aq shumë zhurmë dikur, e pastaj…? Bariu me një buzëqeshje mezi të dukshme.
-E po, u bë… por pastaj gjithçka u harrua. Krerët i mbajtën me llafe të mira, pastaj merreshin me ata që bënin më shumë zhurmë. Në fund vinin edhe ca ambientalistë nga Vlora.Edhe ata bënin pak rrëmujë, tundnin e shkundnin parullat, flisnin e lodheshin dhe iknin. Një ditë nuk u duk më njeri. Kështu thonë të gjithë kur kalojnë këtej: “Ore, po kur përfundoi ky ujësjellës?”
2.Zona e Kuçit është një gjerdan i vërtetë pasurish ujore. Është e provuar dhe e dokumentuar se, si paku fshatra të tjerë në të gjithë krahinën e Kurveleshit, kjo tokë bekohet me një rrjet prej rreth 157 burimesh natyrore ujore.Pikërisht aty ndodhet edhe Burimi i Lëpushës një prej arterieve më vitalitetshme të kësaj krahine, i pozicionuar në juglindje të qendrës së fshatit Kuç. Nëse e sheh nga harta, ai shtrihet në veri-verilindje të fshatit Pilur, nga ku tubacioni i ftohtë përshkon e shpon masivin e egër malor për të dalë matanë, në anën e kaltër të detit.Kjo pikë teknike ndodhet rreth 60 kilometra larg qytetit të Vlorës, përgjatë gjarpërimeve të rrugës së Luginës së Shushicës. Qëllimi i devijimit dhe marrjes së ujit nga ky burim shekullor duket qartë se nuk buron nga një qëllim i mirë apo në dobi të komunitetit lokal.Mirëpo, dora e papërgjegjshme e shtetit zgjatet pa kufi e pa peshuar pasojat, duke copëtuar e tjetërsuar natyrën, e duke i nxjerrë edhe vetë ujërat nga binarët e tyre shekullorë.
3.Jemi diku në lartësinë mbidetare prej 500 -600 metra. Që këtej, përmes një tubacioni që përshkon tejpërtej kurrizin e egër të maleve, uji udhëton drejt depove të Pilurit për të zbritur më pas drejt bregut.
…Kuçi është një fshat i bekuar në perëndim të diellit, ashtu si vetë Himara që shtrihet më poshtë, buzë valëve të kaltërta të detit. Nëse Kuçi numëron mbi 157 burime ujore, pa dyshim më kryesori ai nga ku ngjizet e ushqehet vetë Lumi i Bardhë i Shushicës është Burimi i Lëpushës.Por, nëse e shohim përtej kornizës krahinore, historia e këtij uji lidhet me zanafillën vetë të Tokës. Në kuptimin e origjinës primordiale (shumë të hershme), ujërat e Burimit të Lëpushës ashtu si çdo pikë uji në oqeanet, lumenjtë dhe burimet e planetit tonë e kanë zanafillën kryesore nga kometat dhe asteroidet e akullta që goditën Tokën miliarda vjet më parë.Sot shkenca na tregon se uji riqarkullon vazhdimisht përmes shiut, borës dhe avullimit, por materia e tij origjinale lidhet me hapësirën e largët kozmike. Ja se si lidhet uji i fshehur i Lëpushës me këtë udhëtim kozmik në të dyja këndvështrimet. Nga erdhën në të vërtetë këto molekula uji? Kur Toka u formua rreth 4.5 miliardë vjet më parë, ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një sferë e nxehtë, e shkrirë nga magma. Çdo sasi uji fillestar u avullua menjëherë dhe u tret në hapësirë. Ajo që me kalimin e shekujve u kthye në burimin e Lëpushës, ishte dhuratë e trupave qiellorë që solli jeta mbi këtë tokë gëlqerore
4.Gjatë periudhës së njohur në shkencë si “Bombardimi i Rëndë i Vonshëm” rreth 3.8 deri në 4 miliardë vjet më parë miliona asteroide të pasura me ujë (të tipit karbonik C-type) dhe kometa gjigante u përplasën egërsisht me sipërfaqen e Tokës së re.Këta trupa qiellorë sollën me vete sasi kolosale akulli dhe mineralesh të hidratuara. Shkenca e sotme ka provuar se izotopet e hidrogjenit në ujin e planetit tonë përputhen pothuajse plotësisht me përbërjen izotopike të ujit që gjendet sot e kësaj dite te asteroidet përtej Rripit të Asteroidëve. Rrjedhimisht, ka një magji dhe një dhimbje të madhe në këtë histori. Çdo pikë uji që rrjedh sot nga gjoksi gëlqeror i shkëmbinjve të Lëpushës është po ai ujë primordial që erdhi nga hapësira e largët kozmike miliarda vjet më parë. I njëjti ujë, që riqarkullon pa pushim në ciklin e përjetshëm të planetit tonw.Dhe qw sot po pritet në mes e po tjetërsohet nga mjerimi i babëzisë njerëzore.
5.Si funksionon në të vërtetë Burimi i Lëpushës? Sot, në ciklin modern hidrologjik,Burimi i Lëpushës nuk furnizohet drejtpërdrejt nga hapësira, por nga mekanizmi i përsosur i vetë natyrës tokësore:Shiu dhe bora që bien pa kursyer mbi pllajën e magjishme të Kurveleshit dhe në thellësitë e Malësisë së Kuçit.Uji depërton në thellësitë e masivit gëlqeror përmes meandrit të çarjeve dhe shpellave karstike.Uji filtrohet natyrshëm në bazenin underground dhe shpërthen me vrull në sipërfaqe pikërisht aty ku takon barrierën e papërshkueshme të shkëmbinjve të flizhit.
Kjo do të thotë se, ndërsa molekulat e ujit të Lëpushës u sollën në Tokë nga asteroidet miliarda vjet më parë, riaktivizimi dhe shpërthimi i tyre i sotëm bëhet përmes ciklit të amshuar të reshjeve dhe gjeologjisë unike karstike të Labërisë.
6.Mirepo ka edhe mite, legjenda dhe energjia e ujit. Sa e vërtetë është kjo lidhje misterioze? Gojëdhënat e vjetra tregojnë se që në kohët e antikitetit, udhëtarë e shtegtarë vinin nga tokat e largëta greke drejt burimeve të Kuçit me enë dhe qypa balte për të marrë ujë, duke e konsideruar këtë rrjedhë si të shenjtë e shëruese. Një tjetër legjendë e fshehur ,thotë se në kohët e hershme, një asteroid goditi tokën e fqinjëve të sotëm. Rrjedha e atij uji që lindi atje, pas disa shekujsh u thye e u shterua vetvetiu, për të shpërthyer papritur e për të “pëllcitur” pikërisht këtu, në Lëpushë.Pleqtë thoshin se uji iku nga ai vend sepse banorët e atjeshëm ishin krejtësisht paganë e të padrejtë, ndaj uji kërkoi një strehë të re. Dhe çfarë lidhjeje ka uji me të gjithë këtë? Sot dihet se në Univers gjithçka është energji uji, njeriu, shkëmbi e vetë yjet. Uji nuk është thjesht një lëndë kimike.Ai mban kujtesë, mbart energji dhe reagon me mjedisin ku rrjedh. Ndoshta prandaj, shkatërrimi i këtij burimi nga babëzia njerëzore nuk është thjesht një krim mjedisor, por një thyerje e vetë ekuilibrit energjetik të kësaj toke të shenjtë.
5.Përtej Kuçit,fshati i fundit që t’i del përpara rrugës para se të përballesh me pafundësinë e detit është Piluri. Pikërisht mbi këtë u projektua dhe u jetësua ujësjellësi i Pilurit i njohur zyrtarisht si projekti për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatrave të Bregut .Ky investim, me pretendimin për të zgjidhur problemin historik të etjes që mbërthente fshatrat e bregdetit të Himarës gjatë pikut të sezonit turistik, u kthye në një nga projektet më me debate, me përplasje e me plagë të hapura në të gjithë zonën e Labërisë dhe Rivierës Jugore.Uji u mor pa mëshirë nga burimet e pasura të Kuçit (në Luginën e Shushicës për t’u shpërngulur përmes tubacioneve që shpuan masivet malore drejt depove të Pilurit e më pas te fshatrat e bregut. Kjo ndërhyrje e dhunshme ngriti në këmbë një valë protestash nga banorët e Luginës së Shushicës e Kuçit, si dhe nga aktivistët e shoqatave mjedisore. Shqetësimi ishte jetik.Sepse devijimi i burimeve amtare do të thante përfundimisht Lumin e Kuçit dhe vetë Shushicën, duke shkatërruar ekosistemin, bujqësinë, blegtorinë dhe vetë jetën e të gjithë luginës.Meqenëse Lumi i Shushicës përbën një nga arteriet më kryesore të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, organizata ndërkombëtare dhe vendore të mjedisit kërkuan me forcë pezullimin dhe rishikimin e menjëhershëm të projektit për të mbrojtur këtë ekosistem uniko-kombëtar. Megjithatë, makineritë nuk ndaluan. Projekti përfshiu ndërtimin e stacioneve, depove ushqyese në lartësitë strategjike të Pilurit dhe një rrjeti të tërë shpërndarës për të çuar ujin me presion drejt bregdetit. Sot, me përfundimin e tubacionit transmetues, uji nga burimet e sipërme të Kuçit mbërrin në depot e Pilurit pikë kjo ku për shkak të lartësisë gjeografike, shërben si një nyje kryesore që e shpërndan ujin drejt gjithë bregdetit. Rruga e ujit u mbyll: merret te burimet e Kuçit, ngjitet në lartësitë e Pilurit dhe zbret drejt qytetit të Himarës Spile e Himarë Fshat) si dhe drejt fshatrave e plazheve përreth si Kudhësi, Vunoja, Jala, Livadhi.Por çmimi i këtij “zhvillimi” është i rëndë. Marrja e ujit nga burimet e Shushicës krijoi një plagë reale hydrogjeologjike. Sot, tek sa kaloj përmes kësaj lugine që dikur vlonte nga rrjedha, gjej vetëm një përrua të vogël e të pafuqishëm që me zor mban emrin Lumi Shushicë. Mbretëron një thatësirë e egër. Ka kohë pa rënë shi, por dhimbja më e madhe është se ujin nuk e thau qielli… ia mori dora e njeriut.
Ato që parashikuan me alarm ambientalistët nuk janë më thjesht paralajmërime në letra janë një realitet i hidhur që e prek me dorë sot në këtë luginë, sidomos kur qielli nguron të falë shira. Tharja progresive e shtratit gjatë muajve të nxehtë të verës, atëherë kur prurjet natyrore të Shushicës bien në nivelin më kritik, po kthehet në një tragjedi mjedisore.Devijimi i kësaj sasie kolosale uji dëmton pamëshirshëm faunën ujore, përfshirë specie autoktone e të rralla si trofta e lumit pestrova dhe organizma të tjerë biologjikë që mbijetojnë vetëm falë rrjedhës së pandërprerë e të çlirët të ujit.Por goditja më e rëndë bie mbi njerëzit dhe tokën. Fshatrat e tërë të Luginës së Shushicës si Kuçi, Kallarati, Vranishti, Bolena, e të tjerë varen që prej shekujsh nga ky lumë për vaditjen e pakësuar të tokave, ujitjen e bagëtive dhe ushqimin e puseve ujëmbajtës. Rënia e nivelit të ujit cenon drejtpërdrejt bazën e tyre të jetesës. Ekspertët më të mirë të hidrogjeologjisë e mjedisit e kanë theksuar njëzëri. Zgjidhja e vetme ideale dhe ekologjike është që uji të merret dhe të përdoret vetëm brenda të njëjtit pellg ujëmbledhës. Devijimi i dhunshëm i ujit nga pellgu i Shushicës ujërat e së cilës derdhen natyrshëm në Vjosë e më pas në Detin Adriatik për t’u kaluar drejt bregdetit të Himarës që derdhet në Detin Jon, përbën atë që shkenca e quajtur “tjetërsim baseni“. Ky është një krim gjeografik që prish ekuilibrin natyror të ujërave në të gjithë rajonin.Uji merret pikërisht te Burimi i Lëpushës, brenda territorit të fshatit Kuç. Ky burim gëlqeror malor, që ushqehet nga masivi i fuqishëm i maleve të Cikës , është një nga ushqyesit kryesorë që furnizon me ujë të pastër kristallin Lumin e Kuçit dhe vetë Shushicën. Nga Burimi i Lëpushës (Kuç) në Qafën e Vishës , maleve të Kudhësit. Uji shkëputet nga pika e kaptazhit në Kuç dhe transmetohet përmes një tubacioni me presion të lartë përgjatë gjithë Luginës së Kuçit. Tranzitimi përmes Trazës Malore (Kuç – Kudhës – Pilur. Tubacioni transmetues shpon e kalon përmes shpatit të egër të maleve që ndajnë Luginën e Shushicës nga vargu bregdetar, duke kaluar tranzit përmes territorit të fshatit Kudhës.Nyja më e rëndësishme teknike e këtij ujësjellësi është vendosur në fshatin Pilur, i cili gëzon një lartësi strategjike gjeografike mbi Himarën. Këtu janë ndërtuar e përshtatur depo ushquese gjigante. Uji grumbullohet në këto depozita për të krijuar një presion të fuqishëm gravitetshëm, i cili eliminon nevojën e pompimit elektrik për etapën vijuese.Shpërndarja drejt Himarës dhe Bregdetit: Nga lartësitë e Pilurit, linjat kryesore zbresin si dega drejt detit:Degëzimi Himarë – Qendër , Spile , Himarë Fshat. Furnizon me ujë qytetin e Himarës dhe zonat e plazheve qendrore.Degëzimi Zonat e Poshtme .
8.Te depo e ujit në Lëpushë zgjas dorën. Uji më ftoh deri në palcë.Sasia e ujit që ikën që këtej është plot 140 litra për sekondë një lumë më vete prej rreth 12,000 metra kub në ditë që thithet nga tubacioni dhe merr rrugën drejt depove të Pilurit për të shuar etjen e Himarës dhe fshatrave të bregdetit.Sipas studimeve hidrologjike, Burimi i Lëpushës ka një prurje mesatare që varion nga rreth 600 l/s në periudhën më të thatë të verës, deri në mbi 2,000 l/s gjatë dimrit dhe pranverës. Roli i strukturës që shoh këtu në Lëpushë është thjesht kapja dhe filtrimi i ujit të rrjedhshëm direkt nga burimi gëlqeror. Sasia prej 140 l/s futet menjëherë në tubacionin e mbyllur transmetues me presion natyror ajo nuk qëndron në asnjë rezervuar brenda Kuçit.Kjo zgjidhje teknike u përzgjodh sepse terreni i Lëpushës serviret si pika e nisjes, ndërsa Piluri funksionon si “ballkoni” dhe nyja rregulluese e presionit për të gjithë Rivierën e Himarës.
9.Mrekullia gjeologjike: Si lind “Uji i Begatë”?Mali nga buron uji i Lëpushës në Kuç pjesë e masivit malor Çikë-Këndrevicë në Malësinë e Kurveleshit zotëron një përbërje gjeologjike kryesisht gëlqerore. Kjo strukturë e veçantë është edhe arsyeja kryesore pse kjo zonë është bekuar me burime aq të pasura dhe me një ujë që shquhet për pastërti kristalore.Masivi përbëhet thuajse tërësisht nga shkëmbinj gëlqerorë të Mesozoikut (kryesisht të periudhave Kretak dhe Jurasik). Nga lëvizjet tektonike historike të rajonit, këto struktura gëlqerore janë mjaft të thyera, të çara dhe me një rrjetë të dendur mikro-çarjesh.Reshjet e bollshme që bien mbi pllajën e Kurveleshit dhe malet e Kuçit nuk humbasin në sipërfaqe, por depërtojnë menjëherë në thellësi përmes gropave karstike, meandrave dhe shpellave nëntokësore. Ky ujë akumulohet në basene kolosale nëntokësore. Në bazën e masivit gëlqeror, pikërisht në kuotat e fshatit Kuç, ndodhet një shtresë gjeologjike e përbërë nga flizhi (argjila, siltite dhe ranorë). Flizhi është krejtësisht i papërshkueshëm nga uji. Kur uji nëntokësor gëlqeror takon këtë barrierë të fortë e të pakët, ai detyrohet të dalë në sipërfaqe me një presion të fuqishëm natyror pikërisht aty ku lind Burimi i Lëpushës.Falë këtij filtrimi shumëvjeçar përmes shtresave të thella gëlqerore, uji i Kuçit mbart vetitë e një uji bikarbonatik-kalcik, i pasur me minerale të dobinshme, me një pastërti të lartë mikrobiologjike dhe me një temperaturë konstantisht të ftohtë prej 8-10 °C gjatë gjithë vitit.
10.Zbres nga Lëpusha përmes një shirit të ngushtë asfalti të zi, që gjarpëron tejpërtej e që mezi mban dy makina. Nën këtë udhë të ftohtë e të zymtë, i fshehur thellë nën dhé, shtrihet tubacioni i çeliktë që çon ujin e rrëmbyer drejt bregdetit.Në krahun e djathtë të rrugës më shoqëron vija e ujit apo ajo çfarë ka mbetur prej saj. Lumi i stërmadh i Shushicës tashmë është rudhur e tjetërsuar në një përroskë të vogël e të pafuqishme. Thatësira e egër e kësaj vere ka lënë vulën e saj mbi gjithçka.K a mbi tre muaj që nga qielli nuk bie asnjë pikë shi.Lumi që dikur gëlonte me egërsi e vërshonte qoshe më qoshe, duke përmbytur jo pak herë arat e begata anës tij, sot duket si një hijenë e vetvetes. Çdo sekondë që kalon, trupit të tij të lodhur i hiqen me dhunë plot 140 litra ujë një gjakderdhje e vazhdueshme që e lë shtratin e Shushicës pa frymë e pa jetë.






















