Reagon Lush Përpali: Pasaktësitë në tregimet për largimin e Fatos Nanos nga burgu dhe nga Tirana në 1997, dhe biseda me Belul Çelon

86
Sigal

Reagim

Në lidhje me pasaktësi në tregimet për largimin e Fatos Nanos nga burgu dhe nga Tirana në vitin 1997

Këto ditë duke marrë shkas nga shtrimi në spital i ish- Kryeministrit Fatos Nano janë rikujtuar episode nga ngjarjet e vitit 1997, sidomos ato që kanë të bëjnë me daljen e ish- kryeministrit nga burgu dhe lëvizje të tjera. Para së gjithash shfrytëzoj rastin për t’i uruar Fatos Nanos shërim dhe normalizim të gjëndjes së tij shëndetësore. Sigurisht ky është një urim njerëzor, por përveç kësaj unë kam patur disa vite së bashku me Fatos Nanon qoftë në kryesinë e PS, në qeveri, në grupin parlamentar etj. Ajo që më nxiti për të shkruar këto rrjeshta është fakti që në tregimin e ngjarjeve, sidomos në atë të daljes nga burgu dhe në lëvizjen e Fatos Nanos nga Tirana në drejtim të Kavajës ka pasaktësi bile edhe aty ku përmendet emri im. Kam parasysh këtu sidomos kujtimet e një gardisti, por edhe tregime të individëve të tjerë, dhënë në TV dhe botuar në shtyp.

Unë po e shkruaj ngjarjen shumë shkurt, jo me të treguar nga të tjerët, por siç i kam jetuar vetë, duke qënë në krye të aksionit shumë të rrezikshëm për nxjerrjen e Fatos Nanos nga Tirana dhe dërgimin në Kavajë. Theksoj se është hera e parë që detyrohem të flas publikisht për shkak të rrethanave të krijuara. Nuk po flas për ngjarjet e marsit të vitit 1997 se për këtë siç thuhet “ do të duheshin netë dimri” për t’i treguar. Po e nis shkurt. Duhet të ketë qënë data 13 mars 1997 kur ishim në mbledhjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe na u dha njoftimi se është shpërthyer burgu i Tiranës. Mbledhja e qeverisë është ndërprerë menjëherë dhe unë kam shkuar drejt në Ministrinë e Brendshme ku i kam kërkuar informacion Ministrit Belul Çelo për gjendjen e Fatos Nanos. Ai më është përgjigjur se kishte biseduar edhe me Presidentin dhe janë marrë masa për sigurinë e Fatosit dhe të tjerëve, që ishin në burg. Por nuk ishte e vështirë për të kuptuar se shteti në ato dite nuk mund të dilte garant për askend. Sqaroj se unë atëhere isha Sekrtetar Shteti në Ministrinë e Brendshme me kompetenca ministri sipas marrëveshjes së 9 marsit. Menjëherë kam dalë nga ministria për të shkuar tek burgu i Tiranës. Kam kërkuar të marr një grup shoqërimi të armatosur, por në ministri nuk përgjigjej askush; ministria e Brendshme ishte shkretuar. Kur kam dalë dek dera e jashtme e ministrisë kam parë Paulin Stekajn, oficer policie, i armatosur dhe i shoqëruar nga disa persona po ashtu të armatosur, por që unë nuk i njihja. Paulini ka shprehur menjëherë gadishmërinë për të shkuar te burgu bashkë me mua. Jemi nisur dhe atje e kemi marre vesh se Fatosi sapo kishte dalë dhe jemi vënë pas tyre në drejtim të shtëpisë se Fatosit në rrugën Hoxha Tahsim në Tiranë, një shtëpi dy katëshe, ku me sa di unë Fatosi kishte një kat. Kam hyrë brenda dhe pas përshëndetjeve të rastit i shpreha gadishmërinë Fatosit për të bërë lëvizjet që ai mendonte, por që duhej ikur nga Tirana pa diskutim. Fjala e parë e Fatosit në kontakt me mua lidhur me këtë problem ka qënë: makina jote është e blinduar? – më tha. Jo i thashë nuk është e blinduar. Po mirë- shtoi Fatosi a mund të na gjesh një makinë të blinduar? Në këto kushte dhe me shpejtësinë e veprimeve që duhet të kryejmë është e pamundur – ju përgjigja. Por i thashë se makinen time me RSh e kemi në dispozicion dhe, unë do ulem në vend të parë, në krah të shoferit. Pra unë do isha i pari përballë rrezikut. Nuk e ka zgjatur dhe kemi hypur në makinë; unë Lush Përpali, në vend të parë shoferi në vendin e vet dhe, në sediljen prapa janë ulur Fatosi dhe Rexhina.

Nuk mbaj mend që në makinën time të ketë patur person tjetër, pra as gardist; por këtu edhe mund të gabohem. Në makinat e tjera janë sistemuar vetë shoqëruesit e Fatosit, Paulin Sterkaj etj dhe jemi nisur. I kemi rënë nga rruga Hoxha Tahsim mespërmes sheshit Skëndebeg, rrugës së Kavajës në drejtim të Kombinatit dhe në vazhdim. Nuk po ndalem këtu në rreziqet e mëdha të paparashikuara që na kanoseshin, pasi shteti praktikisht kishte rënë dhe kudo ishte një kaos i paparë. Por po permend vetëm një episod. Kur kemi kaluar nga ish- fabrika e miellit pa hyrë në qytetin e Nxënësve, megjithëse errësira kishte filluar të binte, dukeshin turma njerëzish, që kishin hapur fabrikën e miellit dhe secili merrte thasë mielli aq sa mundesh; të armatosur, me pushkë, dikush në krah, dikush në dorë dhe të tjerë, që hapnin zjarr sa dukej se plumbat po kalonin rrotull nesh. Natyrisht në nocionin e kohës, kjo nuk zgjati shumë aty, sepse ne lëviznim me makina, por disa herë jemi penguar për të ecur nga njerëzit me thasë në krahë që kalonin rrugën. Kur kemi kaluar nga Kavaja kishte pamje tjetër: me topa dhe mortaja etj që i tërhiqnin njerëzit sekush për vete. Ka plot nga këto, por nuk është vendi për të treguar më shumë.

Sapo jemi afruar rreth një kilometër nga vendi ku do strehohej Fatosi, kemi ndaluar lëvizjen për të koordinuar veprimet. Në këtë moment i jam drejtuar Fatosit: a të them një fjalë në vesh- i thashë. Po- tha. Tani i them pothuajse kemi mbërritur. A t’i marrë unë këta njerëzit e mi dhe ca të tjerë dhe t’i largoj për në Tiranë? Fatosi e kuptoj menjëhere domthënjen dhe tha- po merri.

Pas kësaj ne jemi nisur në drejtim të Kavajës dhe me Fatosin kanë vazhduar atë pak rrugë që kishte mbetur me njerëzit e tij të besuar. Pra nuk ka qënë vetëm makina e Lush Përpalit që ka mbajtur Fatos Nanon për në Kavajë, por në makinë bashkë me Fatosin ka qënë edhe vetë Lush Përpali, bile në ballë të rrezikut ashtu sikurse edhe të gjithë ata që e shoqëruan dhe që është rasti i parë pas kaq vitesh që mund t’i falenderoj për trimërinë, kujdesin dhe konfidencialitetin, që kanë treguar. Kjo pasi për këtë ngjarje unë kurrë më parë nuk kam folur publikisht dhe kurrë nuk ja kam kujtuar as Fatosit apo ndonje tjetri. Në të vërtetë as Fatosi nuk na i ka kujtuar dhe as e ka përmendur kurrë. Dua të sqaroj gjithashtu se për këtë aksion të kryer nuk kam marrë porosi nga askush në ate kohë, as nga ish-kryrministri etj dhe askush nuk ka marrë vesh se si e nxorrëm Fatos Nanon nga Tirana. Fundja kjo nuk ka qënë detyra ime as institucionale dhe as funksionale. Ka qenë vetëm ndjesi njerëzore dhe shoqërore. Kjo mund të jetë edhe një arsye që dikush mund të shprehë edhe pasaktësi në ato që mundohet të rikujtojë. Kaq e vërtetë është kjo sa që të nesërmen pas shkuarjes në Kavajë, në një mbledhje që kishim të Kryesisë së Partisë Socialiste dikush më pyeti: zoti Përpali keni ndonje informacion për Fatos Nanon? Po ju përgjigja- di që është mirë. Kaq. Ndonjë gjë më shumë,- shtoi bashkëbiseduesi. Në këtë moment ndërhyn Rexhep Meidani: mos i kërko më shume Lushit- tha, ti e di që tash zoti Përpali është në krye të Ministrisë së Brendshme. Nuk tregon gjë- tha si me shaka Rexhepi.

Në burgun e Tiranës ishte edhe Ramiz Alia, ish President i Shqiperisë.

Pasi shpërtheu burgu u informuam që Ramiz Alia është nxjerrë dhe sistemuar tek vajza e tij. Mirëpo situata siç thashë dhe siç dihet, sidomos nga ata që e kanë jetuar ishte e tillë që në çdo moment mund të kishte të papritura, që mund të shkaktonin turbullira të tjera.

Në këto kushte mendova se çfarë mund të bëhet.

Mora në telefon Kleanthi Koçin, ish Kryetar i Gjykatës së Lartë, avokat që mesa di unë kishte bërë edhe mbrojtjen e Ramiz Alisë në gjyq.

Ishte vonë, ndoshta nga 10 e darkës dhe i them që të takoheshim të nesërmen për kafe nga ora 8 e mëngjesit tek kafja afër Estradës së Tiranës ku është sot Albania University. Pas përshendetjeve të rastit e pyes për Ramiz Alinë dhe me tha ato që dinim.

Po përse nuk e nxirrni jashtë shtetit- i them unë Kleanthit. Pasi u mendua pak Kleanthi tha- mirë e ke, por të them të drejtën nuk na ka shkuar mendja.

Pimë kafe dhe u ndamë. Edhe këtë episod është hera e parë që e them dhe publikisht.

Pas dy tre ditësh shoh në lajme në televizion se Ramiz Alia ka kaluar pikën kufitare në Kakavijë.

 Prof. Dr. Lush Përpali

Ish- Sekretar Shteti në Ministrinë e Brendshme