Prof. Florian Toti: Sfidat dhe risitë e reformës të aftësisë së kufizuar

270
Sigal

Fillimi i zbatimit të skemës së ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar ka filluar që me miratimin e ligjit 9355/2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”. Që nga ky vit deri më tani ky ligj është ndryshuar shtatë herë, ku si qëllim ka qenë përmirësimi i këtyre skemave. Me ndryshimet e shumta të këtij legjislacioni dhe në kuadër të reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, lindi nevoja për hartimin e një ligji të ri. Skema e vjetër e Ndihmës Ekonomike ishte një skemë passive, e cila nuk shënjestronte familjet më të varfra, pasi përzgjedhja e tyre për t’u bërë pjesë e kësaj skeme lihej në vendimmarrjen nga këshillat bashkiake sipas një liste manuale aplikimesh nga qytetarët. Ekzistonin kritere përjashtuese, dokumentacion i rënduar për t’u plotësuar në 8 zyra të shtetit. Nuk kishte një regjistër me të dhëna të digjitalizuara dhe ekzistonte një ndihmë e plotë dhe e pjesshme, e cila rëndonte skemën e Ndihmës Eknoommike. Në vitin 2010-2012, Banka Botërore citon në Dokumentin e saj Politik të Asistencës Sociale se “Ndihma Ekonomike mbulon vetëm 7,3 % të të gjithë popullsisë, ndërsa mbulimi i familjeve të varfëra me Ndihmë Ekonomike, nga viti 2010 ishte ulur me 14%”.

Për arsyet e mësipërme, Banka Botërore i sygjeron Qeverisë Shqiptare të atëhershme të ndërmarrë këtë reformë duke përdorur një Formulë Pikëzimi me variabla e koefiçientë, të cilët janë relevantë për shënjestrimin e varfërisë dhe për gjetjen e më të varfërve mes të varfërve. Në vitin 2012 nënshkruhet edhe marrëveshja në Parlament dhe ratifikohet me ligjin nr. 84/2012 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të Modernizimit të Asistencës Sociale. Fillon pilotimi i skemës së re në tre rajonet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ku përfshihej rreth 40% e popullsisë dhe kishte një kategorizim në zona malore, urbane dhe rurale. Pas pilotimit, në 1 janar 2018 u realizua shtrirja e skemës së dixhitalizuar të ndihmës ekonomike në 9 qarqe të tjera të vendit. Gjatë shtrirjes së skemës së re të Ndihmës Ekonomike gjatë gjithë vitit 2018 u paraqitën disa problematika, të cilat tashmë janë reflektuar në ligj. Skema aktuale e vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazohet në kriteret mjeko-ligjore. Këto kritere përbëhen nga dy dokumenta, të cilët konsiderohen orientues dhe përshkruajnë rreth 387 diagnoza mjekësore, kryesisht nga këndvështrimi i prekjes së aftësisë për punë. Vlerësimi i aftësisë së kufizuar ka si pikësynim përcaktimin e të drejtës për të marrë përfitimet në pagesë apo përfitime të tjera të posaçme. Studimi i përfitimeve të aftësisë së kufizuar në sistemin e mbrojtjes sociale ka nxjerrë në pah se: (a) ka trajtim të privilegjuar e të pajustifikuar të disa kategorive të aftësisë së kufizuar, të cilët përfitojnë si nga sistemi i sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga sistemi i mbrojtjes sociale; (b) nuk ka përshkallëzim të pagesave sipas nevojave të shkaktuara nga efekti i aftësisë së kufizuar në kryerjen e veprimtarive bazë të jetës; (c) nuk ka përcaktime ligjore për moshën maksimale të komisionimit, gjë që bën që shumë nga sëmundjet e pleqërisë të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar, dhe (d) në kundërshtim me përvojën ndërkombëtare, nuk ka diferencime për pagesat për fëmijë dhe të rritur. Përfitimet që administrohen nga sistemi i mbrojtjes sociale për personat me aftësi të kufizuara bazohen në një sërë dokumentash ligjore, tre prej të cilëve janë statuse të veçanta. Kjo shpërndarje e përfitimeve sipas statuseve, ka krijuar një përshkallëzim të pagesave, që nuk përligjet plotësisht e në të gjitha rastet me shkallën e nevojave funksionale të individëve në këto kategori, krahasuar me kategoritë e tjera, ndërkohë që ka krijuar një pabarazi shoqërore në shpërndarjen e përfitimeve.

Në lidhje me skemën e vlerësimit të Aftësisë së kufizuar është ndërmarrë nisma për rishikimin e saj dhe është testuar në terren në disa njësi vendore sistemi i ri i bazuar në kritere të reja vlerësimi për aftësinë e kufizuar sipas standardeve të OBSH-së. Kjo nëpërmjet Marrëveshjes me Bankën Botërore e cituar më sipër, por dhe me një dokument shtesë të miratuar në nëntor 2018. Testimi i kësaj skeme të re nxori në pah dobishmërinë e vlerësimit të ri, bazuar në një Regjistër Elektronik Kombëtar, në pagesa më të larta, në lehtësim dokumentacioni dhe në një vlerësim të nevojave të individit me aftësi të kufizuara, nëpërmjet një njësie të re vlerësimi të dedikuar, pranë Shërbimit Social Shtetëror. Efikasiteti i kësaj skeme pas testimit, orientoi për ndryshime ligjore duke parashikuar shtrirjen e skemës së re të vlerësimit, në vitin e parë në Tiranë dhe brenda vitit 2021 në Durrës dhe Elbasan, si rajone pilote. Procesi i vlerësimit të aftësisë së kufizuar, i cili aktualisht është i gjatë e i komplikuar, i ndryshëm për aftësi të kufizuara të ndryshme, i komplikuar për kërkuesin e përfitimeve dhe jo eficient, i vështirë për t’u menaxhuar nga pikëpamja administrative, dhe i kushtueshëm. Sistemi aktual bazohet tërësisht në kritere mjekësore dhe nuk merr në konsideratë aftësitë e individit për të realizuar aktivitetet e jetës së përditëshme. Qeveria ka realizuar shtrirjen progresive të vlerësimit bio-psiko-social, i cili bazohet në standardet ndërkombëtare të OBSH-së dhe Konventën për të drejtat e PAK të ratifikuar nga shteti shqiptar dhe që aktualisht po aplikohet vetëm në disa Bashki.

Reforma e Aftësisë së Kufizuar, risi përfshirja e fëmijëve 0-2 vjeç

Një ndër risitë e reformës së aftësisë së kufizuar është mbështetja për fëmijët 0-2 vjeç dhe që nuk ka qenë më parë. “Ende nuk është shtrirë në të gjitha qarqet, sepse reforma aktualisht po shtrihet në mënyrë graduale. që edhe të mësojmë nga shtrirja e saj, që të përmirësohemi nga shtrirja e kësaj reforme në strukturat e tjera. Por vlerësimi i fëmijëve 0-2 vjeç dhe në tërësi i fëmijëve 0-18 vjeç është përmirësuar dhe ka sjellë rezultate, që fëmijët, të cilët nuk ishin mbështetur me pagesa të aftësisë ndryshe, tashmë kanë filluar të mbështeten”,- tha Ogerta Manastirliu, në prezantimin e kësaj reforme në Krujë. Duke theksuar se skema e mbështetjes së personave me aftësi ndryshe, është jo vetëm ndihmë financiare, por tashmë një paketë e mirëfilltë shërbimesh, Manastirliu tha se janë mbi 160 mijë persona në nevojë, që mbështeten nga shteti.“Deri më sot ne kemi mbështetur dhe vijojmë të mbështesim mbi 160 mijë persona. 75 mijë prej të cilëve janë persona me aftësi ndryshe. 72 mijë janë persona, të cilët janë invalidizuar në punë dhe rreth 18 mijë janë ndihmës apo kujdestarë të personave, të cilët kanë problematika të thelluara shëndetësore”, u shpreh Manastirliu.

Hoxha: Skema e re nuk ka reflektuar kërkesat tona

Pavarësisht risive që ka sjellë skema e re e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në procesin e shtrirjes së saj ajo është shoqëruar edhe me problematika dhe ankesa nga ana e përfituesve. Ankesa për këtë skemë ka patur edhe tek Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit. Konkretisht, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori në shqyrtim ankesën nr. 54, datë 15.06.2020, të S.T kundër Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, Elbasan (DRSHSSH Elbasan), në të cilën pretendohet për diskriminim për shkak të “gjendjes shëndetësore”. Ankuesja, ka informuar se “Djali i saj, që në moshën 2-vjeçare është diagnostikuar me “surdomutizëm” dhe deri në muajin dhjetor 2019 është trajtuar me KEMP. Në muajin janar 2020 i është ndërprerë përfitimi i KEMP-it me arsyen se djali vazhdon arsimin e mesëm…, dhe se aftësia e tij mendore është pengesë për të”.

Adivije Hoxha, Kryetare e shoqatës së paraplegjikë-tetraplegjikëve Durrës, e kontaktuar lidhur me zbatimin e skemës së re është shprehur se: “Ne, jemi dakortësuar me vlerësimin sipas formulës së ICF-s, por këtu vlerësimet po bëhen online dhe nuk shihen e nuk vlerësohen problemet në tërësi. Shpesh paraplegjikët po privohen nga statusi, me pa të drejtë. Në skemën e parë ishin krijuar lehtësira për ata, që kishin statusin e Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve: d.m.th, ata nuk paraqiteshin më dyerve të komisioneve vetëm shkonte dosja. Ne, si shoqatë, patëm rënë dakort me Ministrinë e linjës që përfituesit e statusit të mos prekeshin nga skema, duke e ditur se diagnozat e tyre janë të parikuperueshme. Komisionet të ishin korrekt me përfituesit që hynin për herë të parë në skemë”,- u shpreh Hoxha

Shoqëria civile nis vlerësimin e skemës së re

Edhe në diskutimet që shoqëria civile ka patur në Kuvend me përfaqësues të MSHMS lidhur me zbatimin e skemës së re, ka patur pretendime që nuk është bërë një vlerësim i problematikave që kjo reformë ka shfaqur në procesin e shtrirjes graduale. Duke e evidentuar si një nevojë, Shoqata e Diabetit në Shqipëri ka nisur vlerësimin e reformës së re, bazuar te dëshmitë e ofruesve dhe përfituesve. Me në detaj do të monitorohet perfitimi i ndihmës ekonomike nga personat e targetuar në zonën e aktivitetit të projektit dhe respektimi i dispozitave ligjore, ligji 57/2019, sipas parashikimeve të së cilit konkretisht thuhet:

– Neni 2 Qëllimi. Ky ligj ka për qëllim: Pika ç) mirorganizimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse për ofrimin dhe administrimin e asistencës sociale.

– Neni 21 Roli i këshillit bashkiak. Këshilli bashkiak miraton kriteret për dhënien e ndihmës

ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik të kryer nga administratori shoqëror. Familjet në nevojë trajtohen nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike, duke përfshirë ose jo edhe fonde të buxhetit vendor. Përdorimi i fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

– Neni 23 Roli i administratorit shoqëror të njësisë administrative. Pika c) të verifikojnë nëpërmjet vizitave në familje dhe në terren gjendjen social-ekonomike për familjet që aplikojnë për herë të parë dhe, dy herë në vit, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike. Verifikimipër familjet që aplikojnë për herë të parë kryhet brenda muajit të aplikimit. Të dhënat e verifikuara nëpërmjet vizitave në familje hidhen në Regjistrin Elektronik Kombëtar;

Raporti i monitorimit, një dokument i shoqërisë civile, i konsultuar me grupet e interesit dhe përfaqësuesit e institucioneve të përfshirë në këtë proces (MSHMS, Shërbimi Social Shtetëror në nivel qendror dhe rajonal dhe njësitë e vetëqeverisjes vendor) do të diskutohet në takime teknike me MSHMS dhe do të ofrojë rekomandime domethënëse për politikbërësit.

Aftësimi i komuniteteve dhe grupeve të cënueshme për të njohur dhe përdorur shërbimet vendore”  është një projekt i zbatuar nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, mbështetur nga Lëviz Albania, me qëllim angazhimin e shoqërisë civile për përmirësimin e sistemit të ri të vlerësimit bio-psikosocial për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa vazhdon shtrirja graduale nëpër gjithë qarqet e vendit