Prof.Dr. Vangjel Kici: Pse Shqipëria ndodhet në krizë energjie dhe nafte ?!

195
Sigal

 

  • – Sot, po t’a kishim naftën pronë shtetërore, shteti do të ndërhynte pa probleme për uljen e çmimit të karburanteve.
  • -Specialistët shqiptarë i ofruan kryeministrit idenë e rikonstruksionit të Ballshit me 20 milion dollarë.
  • – Kombinati i Ballshit po shkon për skrap dhe një kombinat i tillë sot kushton 200 milionë dollarë.
  • – Në qoftë se nafta, pas vitit 1990, nuk do ishte privatizuar (grabitur), nuk do kishin ndodhur të gjitha këto shkatërrime.
  • -Nafta shqiptare nuk u shkatërrua për arsye teknike, shkencore, ekonomike, por u shkatërrua për arsye politike.
  • – Në Shqipëri dhe në botë është rritur shumë çmimi i karburanteve, dhe i energjisë elektrike si pasojë e luftës në Ukrainë.
  • -Po ashtu është rritur shumë çmimi i transportit, i ushqimeve, i plehrave kimike për bujqësinë etj.
  • Populli shqiptar u ngrit në protesta, por Kryeministri Rama u justifikua se këtë rritje çmimesh i shkaktoi lufta në Ukrainë.

Të gjitha qeveritë, pas vitit 1990, goditën industrinë, naftën dhe minierat, domethënë goditën gjeologjinë dhe bujqësinë. Qeveritë shqiptare, pas vitit 1990, nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të administrojnë mirë pasuritë e pafundme të Shqipërisë. Bie në sy goditja e gjeologjisë. Pse? Sepse kështu qeveritë kanë goditur gjeologjinë ekonomike.

Pas vitit 1990, sektori strategjik shtetëror i naftës shqiptare u shkatërrua plotësisht. Kjo ndodhi sidomos pas vitit 1992. Me nxitje të fshehtë nga lartë, gangsterët dhe bandat filluan grabitjen e naftës nga depot e vendburimeve, apo duke shpuar tubacionet e transportit të naftës. Ata grabitën edhe naftën e përpunuar, që transportohej në linjën hekurudhore me vagona cisternë (nga rafineria e naftës në Ballsh etj.). Në vendburimet e naftës filloi grabitja e pajisjeve mbitokësore (elektromotora, pompa, tuba, astra, rripa transmesioni etj.). Për këto grabitje haptas, shteti bënte sehir. Ai nuk i dënoi keqbërësit, sepse vet i kishte nxitur.

Pse u bënë këto veprime të shëmtuara?

Këto u bënë për të treguar se gjoja vendburimet e naftës nuk mund të administroheshin nga shteti, sepse ato po grabiteshin dhe shkatërroheshin. Prandaj, ato duheshin privatizuar.

Pastaj u mbyllën institucionet tekniko-shkencore. U mbyll Instituti i Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit (bashkë me Sektorin e Gjeofizikës). U mbyll Instituti Teknologjik i Naftës. U mbyllën Ndërmarrjet e Shpim Kërkimit dhe Ndërmarrjet e Shpim-Shfrytëzimit të Naftës. U zhdukën sondat e shumta të shpimit. U mbyllën uzinat mekanike të naftës, U mbyllën rafineritë e përpunimit të naftës etj. Shkencëtarët dhe specialistët e naftës u hodhën në rrugë të madhe. Shumicës prej tyre u “doli lotaria”, dhe shkuan në SHBA, Kanada etj. Pjesa tjetër mbeti në Shqipëri. Ata janë pensionistë, dhe jetojnë me një pension të varfër shqiptar. Një pjesë janë ndarë nga jeta. Më të rinjtë punojnë në vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit. Ky shpartallim i shkencëtarëve dhe specialistëve të naftës është një humbje shumë e madhe për Shqipërinë. Duhet kohë që të përgatiten specialistë me përvojë.

Vendburimet e naftës iu hoqën shtetit (popullit) dhe iu dhanë të huajve me Marrëveshje Hidrokarbure korruptive (grabitqare). Ato po grabiten plotësisht nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar.

Fakulteti Gjeologji-Miniera nuk nxjerr më specialistë nafte, sepse nafta u është dhënë të huajve.

E gjithë Shqipëria, u nxor në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Kërkimet e naftës dhe të gazit nuk bëhen më nga shteti shqiptar. Këto kërkime u janë dhënë vetëm të huajve. Kompanitë e huaja të kërkimit të naftës dhe gazit kanë bërë vetëm pak kërkime. Ato i kanë bllokuar qëllimisht kërkimet e naftës dhe të gazit. Prandaj, gjatë 30 vjetëve të fundit, nuk është zbuluar asnjë vendburim i ri nafte dhe gazi. Për krahasim: Gjatë 30 vjetve (1960-1990), kur sektori i naftës drejtohej nga shteti, u zbuluan shumë vendburime nafte dhe gazi!!

Sot Shqipëria dhe bota ndodhen në krizë energjie, sidomos për naftë dhe gaz. Thonë se kjo krizë u shkaktua nga lufta pushtuese e Rusisë ndaj Ukrainës. Për këtë arsye, bota e bllokoi naftën dhe gazin rus.

Në Shqipëri dhe në botë është rritur shumë çmimi i karburanteve, dhe i energjisë elektrike. Si rezultat, është rritur shumë çmimi i transportit, i ushqimeve, i plehrave kimike për bujqësinë etj.

Populli shqiptar është ngritur në protesta. Kryeministri Rama justifikohet se këtë rritje çmimesh e shkaktoi lufta në Ukrainë. Ai thotë se edhe ne jemi në luftë, dhe na rekomandon të bëjmë kursime, domethënë të shtrëngojmë rripin….

Specialistët tanë të naftës, pensionistë të ndershëm dhe patriotë, tregojnë gjëndjen reale.

Dr. Vladimir Mici (ekonomist) analizon anën ekonomike të naftës. Prof. Dr. Jorgji Hanxhari (ing. nafte) analizon gjendjen e naftës shqiptare. Prof. Dr. Nako Petro (specialist i përpunimit të naftës) analizon si ishte gjendja e përpunimit të naftës në Shqipëri, dhe në veçanti në rafinerinë e naftës në Ballsh. Ai rekomandoi të përmirësohej teknologjia, duke investuar nga shteti rreth 20 milion dollarë, sepse prishja e rafinerisë, dhe ndërtimi i një rafinerie të re, kushton rreth 200 milion dollarë. Por kryeministri Rama, që i di të gjitha, vendosi të shkatërrohej rafineria e naftës në Ballsh. Ai nuk mendoi se ku do të punojnë banorët e Ballshit. Ai nuk mendoi se rafineria e naftës në Ballsh do i duhej Shqipërisë, sidomos në një situatë lufte. Dhe tani ka guximin t’i thotë popullit se jemi në luftë!!

Rafinerinë e naftës në Ballsh e shkatërroi Sali Berisha, që e “privatizoi”, duke ia falur Rezart Taçit. Pas Taçit, që e degradoi dhe e braktisi rafinerinë, Berisha shkoi në Azerbajxhan. Por Berisha nuk e përfundoi procesin e nisur në Azerbajxhan, se i humbi zgjedhjet në vitin 2013. Këtë proces e vazhdoi kryeministri Edi Rama. Fill pas Berishës Rama shkoi në Azerbajxhan, dhe takoi prap në një korridor të errët presidentin Alijev. Rama e nënshkroi “riprivatizimin” e rafinerisë së Ballshit. Ai e përfundoi procesin e lënë përgjysmë nga Berisha. Kjo ngjarje faktike tregon se Rama dhe Berisha janë NJË!!

Në verën e vitit 2014 isha rastësisht tek rafineria e naftës në Ballsh. Atje një punëtor më tha: “Ka ardhur një arixhi nga Azerbajxhani, dhe thotë se rafineria është pronë e tij…E ka blerë badihava…”. Ky ishte rezultati i shëmtuar i vizitës së Berishës dhe Ramës në Azerbajxhan!! (vizita të realizuara me paratë e popullit!!).

Në qoftë se nafta, pas vitit 1990, nuk do ishte privatizuar (grabitur), nuk do kishin ndodhur të gjitha këto shkatërrime. Pra, nafta nuk u shkatërrua për arsye teknike, shkencore, ekonomike, por u shkatërrua për arsye politike. Prandaj, për rregullimin e punëve në sektorin e naftës duhet kërkuar ndryshim politik për trajtimin e naftës.

Nafta dhe gazi duhen rishtetëzuar (nacionalizuar). Qeveritë, pas vitit 1990, duhet të japin llogari për grabitjen dhe shkatërrimin e sektorit të naftës.

Në shumë artikuj kam shprehur disa mendime, se si duhet vepruar në sektorin e naftës. Kriza e naftës dhe e gazit mund të vazhdojë gjatë, prandaj duhen marrë masa urgjente.

Sot, po t’a kishim naftën pronë shtetërore, shteti do të ndërhynte pa probleme për uljen e çmimit të karburanteve. Pra, nuk do të kishim krizë. Nuk do të rriteshin çmimet e ushqimeve, të transportit etj. Populli do të jetonte shumë më mirë.