Prof. Dr. Elmaz Sherifi: SHBA dhe BE-ja e kanë izoluar autokratin Rama në “Dimrin e Madh”

271
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Duke e orientuar politikën nga Lindja, Rama po i bind institucionet e BE, se qëllimi i tij nuk janë plotësimi i standardeve demokratike të qeverisjes, por, fuqizimi i pushtetit personal për të sunduar

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf”  pohon se kryeministri Rama po i bind tashmë institucionet e BE-së se nuk ka ndërment të integrojë Shqipërinë, por të fuqizojë pushtetin personal për të sunduar. Prandaj, edhe SHBA dhe BE, po distancohen nga Rama. Prof. Sherifi thotë se “Nanon pranon që ka mashtruar, kur deklaroi se ofroi në qeverinë e tij “thonj paprerin”, të cilin sot e vlerëson dhe se adhuron qeverisjen autoritare të Ramës. Prof. Sherifi “i jep” një këshillë Nanos, që, nëse do të ndihmojë Ramën, është më mirë të heshtë. Prof. Sherifi thotë se një mandat i tretë për kryeministrin Rama  është për Oligarkinë politike.

Ja intervista e plotë dhënë për Telegraf.al: 

– Prof. Sherifi, është rastësi koha e tanishme, që kryeministri Rama në mënyrë të përsëritshme kritikoi Bashkimin Europian ambasadorin e Britanisë, iu kundërvu edhe ambasadores Yuri Kim për kritikat e kandidatëve për deputet me rekorde kriminale, ndërkohë që politika e diplomacia e Jashtme e kryeministrit Rama orientohet dukshëm nga Turqia?

– Edi Rama, kur erdhi në pushtet, pati mbështetje të madhe nga BE dhe SHBA. Në mandatin e parë Merkel e priti me cermoni. Në mandatin e dytë SHBA i “mbyllën syte”, kur opozita u largua nga parlamenti dhe Palmer inkurajoi zhvillimin e zgjedhjeve të vetëqeverisjes vendore pa opozitën reale. Tani Merkel i ka vendosur Ramës “kufirin te thana” dhe PE i ka vendosur plotësimin e kushteve para organizimit të Konferencës Ndërqeveritare dhe ambasadorja e SHBA Kim, i bën presion çdo ditë për të mos vendosur në listat e deputetëve të inkriminuarë. Rama, me karajon e të marrit, deklaron publikisht, se nuk ka kushte, dhe si adoleshent në politik mendon se i bën presion Perëndimit dhe, pasi ka shkuar disa herë në Stamboll e nuk është pritur më ndonjë cermoni, pikërisht tani, kur personalitetet e BE e kanë “futur në darrë”,ai pritet nga Erdogani me një cermoni të ngjajshme me ato të Sulltanit të Madhërishëm, si simbol i orientimit politik nga Lindja. Me këto veprime Rama po i bind institucionet e BE, se qëllimi i tij nuk janë plotësimi i standardeve demokratike të qeverisjes, por, fuqizimi i pushtetit personal për të sunduar.

“Edi Rama e di që me zgjedhje të lira, të barabarta e demokratike, nuk i fiton dot zgjedhjet. Prandaj ai ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor dhe tërbohet kur Ambasadori i Anglisë i kërkon KQZ-së, që të zbatohet me rreptësi Kodi Zgjedhor”


Cila arsye, shkak e bën kryeministrin Rama  kaq “sovran”, sa të deklarojë publikisht që “ambasadori britanik nuk ka  punë të përzihet me zgjedhjet në Shqipëri”, ndërkohë që ambasadori kërkoi që zgjedhjet të bëhen me standarte demokratike?

– Përgjigja është shumë lakonike. Edi Rama e di që me zgjedhje të lira, të barabarta e demokratike, nuk i fiton zgjedhjet. Prandaj ai i ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për të ndryshuar rregullat e lojës pa konsensus me opozitën, nuk respektoi marrëveshjen e 5 qershorit dhe tërbohet kur edhe Ambasadori i Anglisë i kërkon kryetarit të KQZ që të zbatohet me rreptësi Kodi Zgjedhor dhe udhëzimet që kanë nxjerrë. Rama, për të treguar se nuk pyet, as për keshillat e ambasadorëve dhe udhëzimet e KQZ, zhvilloi një tur elektoral në Jug të Shqipërisë dhe bëri një Konferencë Shtypi, që zgjati disa orë dhe u transmentua “live” nga të gjitha televizionet.

Prof. Sherifi, a mendoni se kritikat e drejtpërdrejta të Kordinatorit për Zgjerim të Parlamentit Europian Michael Gahler ndaj kryeministrit Rama shprehin distancimin politik edhe të PE, BE ndaj kryeministrit Rama?

– Kordinatori i Zgjerimit të Parlamentit Europian, nuk shfaqi mendimin e tij personal, por qëndrimin politik të institucioneve europiane. Ju e dini që PE ka vendosur plotësimin e 15 kushteve, të cilat nuk i ka pranuar Rama dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk guxon t’i artikulojë. Rama ka “kurajon e të marrit” dhe tallet publikisht edhe me Michael Gahler. Në këto kushte, nuk distancohen institucionet e BE nga Shqipëria, por, largohet Rama nga institucionet e BE, dhe kjo duhet konsideruar “këmbanë alarmi” për shqiptarët.

Ju, besoni se SPAK, do të hetojë me “rrënjë përgjimet e Antimafies Italiane për bashkëpunimin e Ndragjetës me qeveritarët më të lartë të Rilindjes, apo, si me dosjen 184, do të bëhet, “amnisti” e këtij krimi dhe korrupsioni?

– Nga efikasiteti i SPAK-ut do të vërtetohet, se sa e drejtë është Reforma në Drejtësi. SPAK, nuk krijoi mpakt pozitiv kur anashkaloi hetimin e dosjes 184. Me goditjen ndaj krimit të kryer nga familja e ish deputetit të “rilindjes” bëri një hap. Le të “ecë me vrap” në hetimet e përgjimeve të Ndraghetës.

“Rama ka “kurajon e të marrit” dhe tallet publikisht edhe me koordinatorin për Zgjerim të PE. Në këto kushte, nuk distancohen institucionet e BE nga Shqipëria, por largohet Rama nga institucionet e BE dhe kjo duhet konsideruar “këmbanë larmi” për shqiptarët”

Zoti Sherifi, ju keni jetuar nga afër kohën kur Fatos Nano si kryeministër solli në qeverinë e tij Edi Ramën. Madje, mund të dini edhe prapaskenat kush e detyroi Nanon atëhere, por edhe pse më vonë Fatos Nano e sulmoi Ramën, duke e stigmatizuar me thënien “Thonj paprerë, shitës ikonash në Paris”. Çfarë përshtypje ju lanë lëvdatat e pardjeshme të Fatos Nanos për kryeministrin Rama? Kush ka ndryshuar? Nano, apo Rama?

– Për intervistën e dhënë nga Nano ditët e fundit ka patur një reagim të fortë kundërshtues nga shumë analistë seriozë dhe mbrojte, nga disa analistë, që kur Nano ishte në pushtet e akuzonin dhe e denigronin. Unë kam kundërshtuar që Rama të bëhej ministër, sepse, Rama nuk kishte asnjë kontribut politik për PS, përkundrazi, ai kishte bërë edhe një libër, ku i akuzonte socialistët si “punistë” e duhej të ndëshkoheshin. Opinionin tim e ka botuar Gazeta “Zëri i Popullit”, të cilën Rama e “shkriu”.  Nano mund të shprehet ashtu si mendon, por unë nuk mund ta pranoj tezën se Edi Rama u fut në radhën e socialistëve “si njeri me ide novatore, që të provokonte mendimin e ndenjur, të trashëguar” ! Në atë kohë në institucionet e PS-së glonte mendimi intelektual i idealistëve, edhe pse Nano kishte mendësi demokratike. Por socialistët kishin fituar zgjedhjet vendore në 1992, referendumi për Kushtetuten më 1994 dhe zgjedhjet parlamentare të 1997, duke e patur kundër “rebelin novator”. Nano pranon se e ka mashtruar opinionin publik, kur deklaroi se ofroi në qeveri “thoj paprerin e shitësin e ikonave”, teë cilin sot e vlerëson edhe për ekipin që “vërteton përputhshmërinë e vendimeve, të tij, me ligjet”. O temporas, o mores ! Pranoi se janë njehësuar.

Sa vërtetësi ka pendesa e Fatos Nanos, për mungesën e delegimit të përgjegjësive si kryeministër, nga krahasimi që vetë Nano bëri, duke deklaruar se sot kryeministri Rama ka deleguar më shumë pushtet nga Nano-kryeministër?

– Nano befasoi edhe kur u shpreh se ishte pishman që “delegonte kompetenca”, duke pranuar, se ka bërë “mëkatin e madh”  të “largimit nga beteja”, pasi dorëheqjen si kryetar partie  nuk e bëri në Kongres. Duket që adhuron qeverisjen autoritare të Ramës.

Mendoni se tashmë Fatos Nano ka (akoma) reputacion, ndikim, influencë tek elektorati socialist, saqë kryeministri Rama ta përdorë  Nanon si ” komardare” për të përfituar votat e socialistëve?

– Mendoj se Nano do i shërbente më shumë Ramës, duke heshtur.

“Nano befasoi edhe kur u shpreh se ishte pishman që “delegonte kompetenca”, duke pranuar, se ka bërë “mëkatin e madh”  të “largimit nga beteja”, pasi dorëheqjen si kryetar partie  nuk e bëri në Kongres. Duket që adhuron qeverisjen autoritare të Ramës”

Zoti Sherfi, a mendoni se strategjia e Edi Ramës për të fituar me çdo çmim mandatin e tretë, se ” më të mirë se unë nuk ka” (sado i keq është Rama, ama të tjerët janë më të këqinj) ose, ” Opozita nuk ka lider, nuk ka program” mund të ndikojë tek vota e elektoratit në 25 prill?

– Për këtë pyetje do dëshiroja të citoja Refik Toptanin, i cili ishte anëtar i Këshillit të Naltë, pra kryetar shteti në vitet 1922-1924. Ai mendonte se “punët e mira i nisin intelektualët, i marrin në dorë hajdutët dhe i shfrytëzojnë kriminelët”. Shqiptarët janë të pakënaqur dhe të gjitha raportet dhe të dhënat statistikore të organizmave ndërkombëtare të bindin, se qeverisja është larguar nga parimet e shtetit të së Drejtes dhe amoraliteti politik është sundues. Për kë duhet mandati i tretë, për Oligarkinë politike?