Heroinë dhe kokainë në autobusin drejt Athinës! 38-vjeçarja i fshehu në çorape, arrestohet

179
Sigal

Një 38-vjeçare është arrestuar nga policia kufitare pasi tentoi të kalonte dhjetë pako me drogë drejt Greqisë.

Sipas policisë, shtetasja me iniciale E.V. po udhëtonte me autobus nga Berati drejt Greqisë.

Gjatë kontrollit në kufij, 38-vjeçares i gjetën 10 pako me lëndë të dyshuar kokainë dhe heroinë.

Tetë prej tyre, 4 kg dhe 160 gramë ishin heroinë, ndërsa dy pako ishin me kokainë.

Njoftimi i Policisë:

Policia Kufitare intensifikon kontrollet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 1 shtetase.

Sekuestrohen 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, pas verifikimit të të dhënave në sistemin TIMS, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë pasagjerët e autobusit të linjës Berat-Athinë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetases E. V., e cila udhëtonte si pasagjere në këtë autobus, është bërë e mundur gjetja e 10 pakove me lëndë të dyshuar narkotike, në 8 prej të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike heroinë(me peshë totale 4 kg e 160 gramë), ndërsa 2 pako kishin lëndë të dyshuar narkotike kokainë (me peshë totale 780 gramë.)

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. V., 38 vjeçe, banuese në Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.