Prof. Dr. Valter Shtylla: Portat e Arta (Golden Gates) të Via Egnatias në Ballkan

36
Sigal

Telegraf.al / Historia e rrugës antike Via Egnatia e meriton të ndriçohet dhe botohet për shumë arsye. Trasimi topografik mjaft komod, kalldrëmet solide, veprat e artit të shumta si urat e gurit e drurit, muret mbajtës, kanalizimet etj. formulojnë historinë e teknikës së ndërtimit të saj.

Ekspeditat e shumta ushtarake gjatë shekujve të ndryshëm përshkruajnë historinë militare të Via Egnatias. Veç këtyre kjo rrugë antike ka qenë bartëse e kulturave të ndërsjella. Ajo lidhte ndërmjet tyre qendra të botës antike si Durrachium, Skampin, Lychindin, Heraklean, Edesen, Pellen, Tesalonikun, Neapolis (Kavallën) dhe Kostandinopojën, duke qenë kështu një rrugë kulturore, e integrimit të traditave dhe e komunikimit human. Përveç treguesve të mësipërm, që përbëjnë historinë komplekse të Via Egnatias, kjo rrugë antike sot tingëllon mjaft interesante në aktualitetin euro-ballkanik.

Fragment nga traseja e Via Egnatias në Gjyrë të Librazhdit

Sot Via Egnatia përfaqësohet nga i ashtuquajturi “Korridori 8”, që aq shumë u përfol në projekt-ide, projekte teknike dhe preventiva kostoje të qeverive dhe organizmave projektuese nga Ballkani. Dhe nuk është punë e humbur kot. Romakët që kur e ndërtuan në shekullin e II para erës sonë e zgjodhën atë si variantin më të shkurtër dhe ekonomik ndërmjet Durrësit dhe Kostandinopojës, nëpërmjet Selanikut. Duke kaluar një terren të shkurtër malor në malet e Polisit, gjatë luginës së Shkumbinit në Iliri dhe qafat e buta në Bukovo e Xhavato në segmentin Lychnid-Heraklea në Maqedoni. Nga pikëpamja fizike Via Egnatia përfaqësonte një aks rrugor, i cili veç lartësive të cituara më sipër, përshkohej në ultësira bregdetare deri në Kostandinopojë. Rrugë e shkurtër, përgjithësisht fushore dhe që kalon nëpër qytete të rëndësishme të Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Turqisë.

Gjurmët e Golden Gate (Porta e Artë) në kalanë e Durrësit (tek ish Shtëpia e Pionerit)

Janë pikërisht këto avantazhet e kësaj rruge antike që e bëjnë atë të lakohet aq shumë në opinionet aktuale. Via historike Egnatia kalonte nëpër katër territoret e mësipërme dhe gjithë rrugët e tjera në veri e jug të saj janë veçse degë të asaj. Rigjenerimi i kësaj rruge, me të dy orientimet – Maqedoni – Bullgari, si dhe Maqedoni – Greqi – Turqi, përbën një faktor jetik për Shqipërinë. Në fazën e shfrytëzimit Shqipëria është tranzite e vlerave ekonomike-kulturore. Si të thuash vendi ynë do ta ketë pozitën në mesin e sofrës ballkanike e në këtë rast shansi historik është dhe ai duhet shfrytëzuar. Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ndërgjegjësohet se jo rastesisht Iliria – Shqipëria ka qenë shtrat i Via Egnatia të ndërtuar nga  romakët, të cilët janë dalluar për trasime rrugësh apo ndërtime të arrira të çfarëdolloji.

Gjurmët e Portës së Artë lindore në Kalanë e Elbasanit

Emergjenca të tilla, si faktori ekonomik, investimet e huaja dhe hapja e vendit drejt niveleve të larta të qytetërimit, nuk pranojnë zvarritje të problemeve kardinale të zhvillimit. Rrugët gjithmonë kanë shprehur zhvillimin e një vendi. Historikisht vendi ynë për vet pozitën, i ka pasur gjithmonë ato. Sot kemi të drejtën e rigjallërimit të tyre edhe në ndonjë rast në ballafaqime ekskluzivitetesh prej të tjerëve.

Rruget lidhin popujt, zhvillojnë vendet ku kalojnë dhe ato duhen hartuar aq më tepër sot në pretendimet për një Europe Komunitare. Korridori 8 (pjesërisht dhe tërësisht Via Egnatia), rruga Durrës- Prizren, edhe ajo me origjinë antike, rruga transversale Veri-Jug nuk janë veç se shansi i Shqipërisë.

Harku (Kamara) i Triumfit në Via Egnatia në qendër të Selanikut

Për ndërtimin e Via Egnatias shprehet një gur miliar i zbuluar në vitin 1974 në rrethinat e Selanikut. Në këtë gur në latinisht dhe greqisht, lexohet emri i Prokonsullit të Maqedonisë Knaesus Egnatius, biri i Gajusit, sunduesit të Romës si dhe distanca prej 260 miljesh ndërmjet Dyrrachiumit (Durrësit) dhe Tesalonikut 7. Ky shënim me emrin e shtetarit më të lartë të provincës së Maqedonisë, nën pushtetin e të cilit u ndërtua kjo rrugë, shpreh se Via Egnatia u realizua në periudhën republikane të Romës, ndërmjet viteve 146-143 para erës sonë, në fillimet e prokonsullit të Egnatiusit në Maqedoni, emrin e të cilit mori dhe vet rruga Via Egnatia në Ballkan ishte vazhdim i Via Apias së njohur të Gadishullit italik të Apenineve, ndërtuar në vitin 312 p.e.s. nga censori Apius Klaudit, i ngarkuar me pasurinë shtetërore dhe me punët publike.

Via Apia nga Roma zbriste drejt jugut deri në skelën e Brundisium (Brindisi) për t’u hedhur matanë Adriatikut në Dyrrachium. Ndërsa Egnatius e ndërtoi këtë aks romak, perandori Trajan (98-117) ndërmori gjatë Via Egnatias punime të tilla të rëndësishme saqë emri i këtij perandori konfondohet me emrin e krijuesit të rrugës Egnatia. Via Egnatia si një rrugë antike me vlera të njohura funksionale, përveçse ishte një zgjidhje teknike optimale e pasur me elemente strukturore, ajo ka qenë trajtuar dhe si një vepër monumentale. Në qytetet antike ku ajo kalonte, ishin te njohura Harqet e Triumfit me relieve dekorative si dhe Portat madhore.

Hyrja jugore e Kalasë së Elbasanit

Nëpërmjet Portave, Via Egnatia hynte në sistemet e fortifikuara të qyteteve të asaj kohe. Portat e qyteteve antike, ku kjo rrugë duke çarë muret e fortifikuara, futej në qytet mespërmes duke dalë nga faqja simetrike e fortifikimit, quheshin Porta e Artë – Golden Gate. Deri më sot Golden Gate të Via Egnatias në Ballkan, diku të ruajtura apo diku sipas burimeve, hasen në Dyrrachion (Durrës), Scampis (Elbasan), Tesalonik (Selanik) dhe në Kostandinopojë (Stamboll).

Gjurmët e Portës së Artë në Kalanë e Durrësit dolën pas prishjes së godinës së ish Shtëpisë së Pionierit, karshi Inter Klubit. Ajo ndodhet në murin më të hershëm të kalasë, trakt muri i shek. III-IV të erës sonë ndërtuar me tulla. Punimet e çlirimit të kryera në fundin e vitit 2000 evidentuan konstruksionin e Portës së Artë të Durrësit.

Porta e Artë (Golden Gate) përmbyllëse e Via Egnatias në Ballkan, në fortifikimin Jedikule (7 Kullat) të Stambollit

Nën asfaltin e rrugës doli gjurma e fillimit të qemerit të madh me tulla, në mbështetjen e djathtë të saj. Pas llogaritjeve, ky qemer rezultoi me hapësirë drite rreth 9.6 m. Djathtas tij ndodhet qemeri i vogël i kalimit të këmbësorëve me hapësirë drite 2.5 m. Qemeri i majtë nuk ruhet, por gjurmët e tij mund të jenë nën lulishten pranë. Porta e Artë e hyrjes së Via Egnatias në Dyrrachion dhe në vetë Gadishullin Ballkanik ka formë klasike. Një hark i madh qendror për kalimin e qereve, me dy harqe simetrike më të vegjël anash për kalimin e këmbësorëve.

Në dekadën e fundit të shekullit XVII studiuesi Coronelli jep një gravure të Durrësit ku dallohet hyrja nga deti e qytetit te fortifikuar. Harku i portës ndodhet në pjesën e poshtme të një kulle katrore. Mbi harkun janë hapur dy dritare. Kjo kullë është po ajo që shihet në fotografitë e viteve 1909 e 1914, në botimet për Durrësin. Mbështetur në krahasimin e niveleve ndërmjet gjurmës së themres së zbuluar të qemerit të madh dhe të themres së qemerit të hyrjes se pas 1690-ës është e qartë se pavarësisht se ndodhen në të njejtin vend, Golden Gate i Via Egnatias nuk është porta e Jallisë e skices së 1680-ës apo e fotove të fillimit të shekullit XX.

Është e qartë se pas shkatërrimeve historike që ka pësuar qyteti i Durrësit, Golden Gate i Via Egnatias është dëmtuar, ndoshta për shkaqe të uljes së tokës. Pas dëmtimit të saj, të paktën që prej shekullit XVII në të njejtin vend të ish hyrjes monumentale romake, Golden Gate, me të njejtin model nga turqit në vitin 1502 është rindërtuar hyrja e re e qytetit nga ana e detit. Në vazhdim të traditës së Golden Gate, si hyrja klasike e Via Egnatias së famshme, në periudhën turke hyrja nga deti për në qytetin e fortifikuar të Durrësit është quajtur “Porta e Jallisë”, me sa duket në gjuhën shqipe – “Porta e xhadesë-rrugës”, pasi turqit “Jallu” i thonë rrugës. Kjo dëshmon përsëri faktin se kemi të bëjmë me Portë monumentale të një vije-rruge, të njohur gjatë kohërave.

Porta e Jallisë (Jolluse), ish Golden Gate. Rikostruksion i periudhës turke. Foto e vitit 1909.

Portë të Artë të Via Egnatias duhet të ketë pasur dhe në fazën më të hershme të Kalasë së Elbasanit, shekulli i IV i erës sonë. Në fortifikimin e Scampias (Elbasani) Via Egnatia hynte në mesin e murit perëndimor pranë muzeut të luftës dhe pasi përshkonte qytetin dilte nga lindja. Nga Golden Gate i Scampisit nuk ruhet asgjë në këmbë përveç fondamenteve arkeologjike të nëndheshme. Siç vërehet nga gjurmët e kullave në daljen e Via Egnatias, në Scampis hyrja e dalja e Via Egnatias kanë patur një strukturë tjetër, të paktën gjykuar nga faza mesjetare, pasi sqarimi i fazës antike kërkon gjurmimin arkeologjik. Portat me qemere nga të dy anët mbroheshin me kulla gjysëm rrethore që dilnin jashtë mureve gjatësore.

Qyteti i Selanikut ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme ku kalonte Via Egnatia në Ballkan. Bulevardi kryesor i saj mban emrin Via Egnatia. Sipas planimetrisë së fortifikimit, hyrja Golden Gate futej nga muri perëndimor që mbyll dhe aksin e sotëm “Odhos Ignatia”.

Në Selanik, në mesin e këtij bulevardi ndodhet harku i triumfit i Galerios, nga vendasit njohur me emrin Kamara, nën të cilin kalonte Via Egnatia. Galeri, ka qenë ushtarak i lartë romak me origjinë ilire. Me 1 mars 293 Galerio u bë një nga pjesëtarët e “Tetrarkisë” (Pushteti i të Katërtve) i krijuar nga Diokleciani Galerío nga Iliria në periudhën 293 – 305 u shpall Cezar dhe më pas deri në 311 ai ishte “August-perandor”. Në vitet 297-298 Galerio arriti një fitore të bujshme mbi persianët. Kësaj fitoreje Galerio i kushtoi pikërisht Harkun e Triumfit në qendër të Selanikut. Harku i Galerios është një konstruksion solid me kompozim simetrik – qemer i madh me tulla me hapësirë drite 9.7 m – me dy qemere më të vegjël me hapësira 4.85 m. Lartësia e harkut të madh arrin në 12.5m. Në Kamaranë e Galerios këmbët e harqeve janë veshur me pllaka guri të bardha, ku janë gdhendur skena interesante nga jeta e këtij perandori romak me origjinë ilire, përfshirë edhe skenën e fitores së tij me persët.

Rikostruksion i Portës së Kështjellës Weisenburg në Bavari Mynih. Tipologjikisht identike me Portat e Arta të Kalasë së Elbasanit

Së fundi pasi përshkon gjithë Ballkanin, Via Egnatia arrin në Kostandinopojë (Stamboll) duke hyrë në qytetin e fortifikuar nëpërmjet Golden Gate të njohur në Jedikulen e Stambollit. Jedikule është një citadele e vogël në formë trapezi të çrregullt me shtatë kulla në muret perimetrale, prandaj quhet edhe “Jedikule” (Shtatë kullat). Ndërtuar në vitet 1457-58 nga Sulltan Mehmeti II Fatih, Jedikule përfaqëson një shembull të arkitekturës ushtarake otomane të shekullit XV. Gjatë këtij ndërtimi, Golden Gate është përfshirë brenda tij.

Porta e Artë është një hark triumfi i ndërtuar në vitin 390 nga perandori Teodosius I. Gjatë sundimit të perandorit Teodosius II në vitet 408-450 u ndërtua muri rrethues i Kostandinopojës, i cili në sistemin difensiv të tij përfshiu dhe Portën e Artë. Në qendër të kompozimit të kësaj Porte ndodhet Harku i madh punuar me blloqe guri të gdhendur me finesë, me hapësirë drite 7.75 metra, anash, të cilit janë dy harqet e vegjël me hapësirën 5.7 metra. Pas hyrjes duken qartë gjurmët e kalldrëmit të Via Egnatias i punuar me gurë të mëdhenj plloçakë të lëmuar sipër. Portat e Arta (Golden Gates) të via Egnatias në Ballkan e kategorizojnë këtë aks antik si një rrugë perandorake në antikitet dhe si një arterje mbretërore në mesjetë, kur për arsye të luftërave dhe pushtimeve të ndryshme ajo e humbi disi rëndësinë e saj, bile hera-herës edhe u pezullua.

Për historinë e Via Egnatias, është shkruar dhe folur shumë. Në kushtet e sotme të krijimit të shumë organizmave kulturore kombëtare e ndërkombëtare, kjo vijë antike meriton status të veçantë si Pasuri e Kulturës Botërore, Itinerar Kulturor Ballkanik, etj.

Evidentimi i elementeve të kësaj vije antike si dhe i qendrave dhe objekteve monumentale përgjatë saj përbëjnë një tematikë që duhet trajtuar, pasi përveç vlerave historiko-dokumentare, ato janë të lidhura organikisht me turizmin kulturor, të cilin ende nuk po e ndjejmë në masën e duhur.