Rinasi bëhet aeroporti më i madh në Ballkanin Perëndimor

27

Aeroporti i Tiranës ka shënuar rritje të jashtëzakonshme duke nisur me 2.9 milionë pasagjerë në vitin 2018 dhe duke e çuar në 7.2 milion për vitin 2023. Investimet e mëdha që Kastrati Group ka kryer në Aeroportin ‘Nënë Tereza’, kanë bërë të mundur që të pritet një numër më i madh linjash ajrore, të lidhen kontrata të reja, të shtohen destinacione, të rriten mundësitë për udhëtime direkte në shumë qytete të botës si edhe të vijnë më shumë vizitorë prej atyre vendeve.

Sigal

 

Për herë të parë në histori, Aeroporti i Rinasit ka shënuar numrin më të lartë të pasagjerëve në rajon duke lënë pas aeroportet e Serbisë dhe atë të Bullgarisë. Pasi arriti një shifër historike për numrin e pasagjerëve gjatë vitit 2023, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është rikonfirmuar edhe në këtë fillim të vitit të ri. Vetëm gjatë muajit janar nëpërmjet këtij aeroporti kanë udhëtuar mbi 652 mijë pasagjerë.

Një numër tepër i lartë për këtë muaj të vitit, duke e renditur atë në vend të parë ndër aeroportet e rajonit, madje duke kaluar edhe aeroportin e Beogradit, që mban një peshë të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor. Vetë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka postuar në rrjetet sociale këto shifra, ku verëhet qartë diferenca me homologët në rajon.

Vlen të kujtohet se vitin e kaluar 7,257,634 pasagjerë kanë përdorur këtë portë ajrore të Shqipërisë për të udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Kjo shifër është 40% me e lartë krahasuar me një vit më parë dhe 117% krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2023, destinacionet kryesore të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës luajtën një rol kritik në tërheqjen e pasagjerëve dhe nxitjen e lidhjes rajonale. Pesë destinacionet më të mira, të udhëhequra nga Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe, përbënin një pjesë të konsiderueshme të trafikut të pasagjerëve.

Italia mbetet tregu dominues, ku vetëm vitin e kaluar zuri 44% të totalit të udhëtimeve me 3,1 milionë pasagjerë. Më pas vjen Gjermania me 13%, ose rreth 1 milion pasagjerë, ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 8%, ose rreth 500 mijë pasagjerë, Turqia me 6% dhe Greqia me 4% të totalit të udhëtimeve.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria gjatë vitit 2023 u vizitua nga afro 10.2 milionë turistë të huaj, duke shënuar një rritje me 34.6%, krahasuar më një vit më parë. Kjo shifër padyshim që reflekton një rekord historik të padiskutueshëm.

“Kastrati Group” vizionar i tarifave të ulëta ajrore, bashkëpunimeve me kompanitë prestigjoze dhe realizimin e linjës së parë direkte me Amerikën


Menjëherë pasi Aeroporti i Rinasit u mor në pronësi nga kompania shqiptare Kastrati Grup, nisi procesi i uljes së tarifave për pasagjerët, proces që do çojë në uljen e biletave të udhëtarëve me çmime të përballueshme për qytetarët e Shqipërisë si edhe për të huajt.

Grupi Kastrati ka treguar të ketë plane ambicioze për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku po punohet për ta bërë realitet, lidhjen direkte me Amerikën e Veriut. Në muajin dhjetor nisi projektin për zgjatimin dhe riveshjen e pistës, e cila pritet të mbarojë në verë të vitit 2025, kur aeroporti do të jetë gati të mirëpresë avionët e mëdhenj transoqeanik.

Linja e parë që planifikohet të vendoset do të jetë Tiranë – New York dhe së shpejti pas saj, do të vijohet me pasurimin e linjave të tjera drejt SHBA , ku në fokus mbetet  edhe  Kanadaja.

Me investimet e fundit të kryera në këtë aeroport nga Kastrati Group, kryesisht për zgjerimin e terminalit, janë rritur ndjeshëm kapacitetet për të pritur deri në 10.5 milion pasagjerë në vit.

Një faktor i rëndësishëm i rritjes ishte edhe shtimi i linjave ajrore. Gjatë këtij viti filluan operimin kompani të njohura ndërkombëtare si, Iberia me linjë direkte për Madrid, Transavia për në Amsterdam, Air Baltic për në Riga por edhe gjigandi Air France drejt Parisit. Një sukses i jashtëzakonshëm ishte edhe fillimi i operimit të kompanisë loë cost, Ryanair, me 17 destinacione dhe mbi 200 frekuenca javore. Së fundmi Kastrati grup, ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme me konglomeratin e mirënjohur francez Lagardère, duke u angazhuar në përpjekje të përbashkëta për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit të dyqaneve duty-free, në të gjithë Shqipërinë.