Asqeri Isufaj: Pak histori për elektrikun e naftës

1145
Sigal

Pak histori për elektrikun e naftës

 

Zbulimi i naftës në Shqipëri

Industria e naftës është industria më fitimprurëse e një vendi. Ekzistenca e naftës në vendin tonë është konstatuar nga shoqëritë e huaja që vepronin në vendin tonë qysh në vitin 1918, fillimisht në Drashovicë dhe më vonë më 1927-n në Patos dhe Kuçovë. Mbas çlirimit të vendit, qeveria e asaj kohe i kushtoi një rëndësi të veçantë kësaj industrie. Duke parë se kërkesa për naftën ishte jetike për të gjithë vendin. Ekonomia e vendit mbas çlirimit ishte shumë e dobët, mundësia për nxjerrjen e naftës nga nëntoka, pa ndihmën e të huajve, ishte pothuajse e pamundur, kështu që vendi jonë ishte lidhur me Sovjetikët. Shpimi i puseve të naftës bëhej me motorë me naftë, sepse nuk kishte energji elektrike.

Nënstacioni elektrik i Patosit

Në vitin 1955 u vu në punë nënstacioni elektrik në Patos të vjetër që furnizohej me energji nga TEC-i i Kuçovës, fillimisht me kapacitet të vogël. Industria e naftës varej nga kombinati i naftës që ishte në Kuçovë. Në vitin 1957 doli pusi i parë në zonën e Marinzës. Duke parë se perspektiva e industrisë së naftës ishte në zonën e Marinzës, Kombinati i naftës transferohet nga Kuçova në Patos, bashkë me kombinatin u transferua dhe brigada elektrike që mbulonte punët elektrike dhe telefonike të kombinatit. Intensifikimi i punimeve për nxjerrjen e naftës u përqendrua në zonën e Marinzës. Sondat e shpimit të puseve, makineritë e të cilave punonin me motorë nafte u zëvendësuan me makineri që punonin me motorë elektrikë, të cilat shponin dhe më thellë. Fuqia e instaluar e një sonde shkonte nga 800 kw deri 1000 kw që punonin me tension nga 500V deri 6000 V. Vetëm ne zonën e Marinzës shponin më shumë se 20 sonda, me mbarimin e shpimit të pusit, sonda largohej dhe në vendin e tij ngrihej pusi i ndërmarrjes së prodhimit. Si puset e shpimit dhe të prodhimit punonin me energji elektrike, puset e prodhimit punonin me tension 400 V. Si ndërmarrje shpim-shfrytëzimit dhe ndërmarrjet e prodhimit hyjnë në kategorinë e parë që kërkojnë energji 24 orë të pandërprerë, ndërprerja e energjisë sado pak shkaktonte bllokimin e pusit. Për të punuar 24 orë pa ndërprerë si puset e shpimit dhe prodhimit në zonën e Marinzës, Kallm, Patos, Visokë, Ballsh, Drenovë u ndërtuan mijëra km linje të tensionit 6000 V dhe të tensionit 400 V. U ndërtuan dhe montuan më shumë se 120 kabina elektrike, pa futur këtu zonat e Divjakës, Povelçë, Sarandë, Kuçovë, Gorisht, Amonicë. U ndërtuan dhe dhjetëra km linjë telefonike në këto zona. U ndërtuan centrale telefonike në Marinzë, Patos, Visokë, Ballsh, Kuçovë, Gorisht që shërbenin për ndërlidhjen me telefon si me kombinatin dhe qendrën në Tiranë, për çdo 24 orë jepej informacion mbi gjendjen e punimeve.

 

Organizimi i Kombinatit të naftës

Kombinati i naftës u organizua në dy drejtime:

  1. Drejtoria e përgjithshme e shpim-kërkimit të naftës e gazit me qendër në Kuçovë
  2. Drejtoria e përgjithshme e nxjerrjes së naftës e gazit me qendër në Patos

Në varësi të drejtorisë së përgjithshme të nxjerrjes së naftës u organizua dhe reparti Elektrik-Telefonik.

Puna që kryente reparti elektrik

Kështu quhej reparti elektrik në atë kohë, se në vitin 1982 me vendim të Këshillit të Ministrave u bë Ndërmarrje Elektrike e Naftës që mbulonte të gjithë zonat e naftës për punimet elektrike dhe telefonike. Ndërmarrjet e naftës së shpimit dhe e nxjerrjes hynin në konsumatorët e kategorisë së parë, ishte e domosdoshme që të sigurohej energji 24 orë pa ndalesa. Për këtë u ndërtuan me mijëra km linjë të tensionit të mesëm në mënyrë të tillë që të gjitha kabinat të sistemit të naftës të kishin furnizim me energji nga 3-4 N/Stacione të ndryshme, nga n/stacioni i Jagodinës që është dhe kryesori, nga n/stacioni i Patosit, n/stacioni i Fierit dhe nga TEC-i i Ballshit. Të gjitha këto linja dhe kabina u projektuan nga specialistët inxhinier-teknik të degës teknike të ndërmarrjes. Ndërmarrjet e prodhimit kishin disa sektorë të prodhimit të naftës dhe zonën (sektorin) elektrike e që shërbente për të kryer punët teknike si në linjat e tensionit të lartë dhe tensionit të ulët dhe kabinat elektrike jo vetëm për ndërtimin e tyre, por duke i mirëmbajtur tërë kohën (24) orë në të gjithë zonën naftë mbajtëse, shërbenin në disa pika (dezhurn) shërbimi 24 orë për të pasur gatishmëri maksimale. Për këtë arsye punonjësit e elektrikut gëzonin të gjitha atributet e ndërmarrjes së prodhimit si në paga në antidote, veshmbathje si në atë kohë dhe tani. Në librezën e punës figuron vula ku shkruhet Ministria e Industrisë e Minierave, Drejtoria e Përgjithshme e Prodhimit të Naftës, Reparti Elektrik-Telefonik Patos. Sot nuk quhet më Drejtoria e Përgjithshme por quhet Alpetrol. Në vartësi të Alpetrolit janë ndërmarrjet e prodhimeve, ndërmarrja e grumbullimit (vajgur sjellësi), naftës e gazit, ndërmarrja Elektrike-Telefonike. Këto ndërmarrje kanë qenë dhe janë edhe tani.

Punonjësit e elektrikut dhe statusi i naftëtarit

Çuditërisht ndërmarrja elektrike shkon e para që ndërton si linjat dhe kabinat elektrike për t’i shërbyer puseve të prodhimit në çdo kohë. Përjashtohet nga statusi i naftëtarit me pretendimin absurd se nuk jemi listuar në vendimin e Këshillit të Ministrave në Dhjetor të vitit 1958, kur në këtë kohë nuk figuronte as ndërmarrje as Reparti Elektrik- Telefonik, por figuronte një brigadë e vogël elektrike, sepse puset shpoheshin me sonda që punonin me motorë nafte. Në dhënien e statusit të naftëtarit, vitin e kaluar pamë se ishin ndërmarre që nuk kanë as punëtorë dhe specialistë në territorin e naftës, por janë në Fier dhe Patos. Si mund t’i japësh statusin një zyrtari p.sh., në institutin e sizmikes, në uzinën mekanike e tjera. Si mund të mos e marrin punonjësit e elektrikut që kanë mbi 50 vjet që kontribuojnë në nxjerrjen e naftës, kur pjesa më e madhe e këtyre kanë vdekur dhe sot mund të jenë rreth 150-200 punonjës si pensionistë dhe ata që janë në punë akoma. E ndiejmë veten shumë të ofenduar, të tallesh me sakrificat e këtyre specialistëve, duke mos marrë parasysh kërkesat tona që i jemi drejtuar institucioneve si:

  1. Ministrisë të Energjetikes;
  2. Kryetarit të bordit të Alpetrolit;
  3. Avokatit të Popullit;
  4. Zoti Gramoz Ruçi në takim me pensionistët në Fier;
  5. Zotit Erion Braçe me letër;
  6. Zonjës Ermonela Felaj;
  7. Portalit të Kryeministrit për Shqipërinë që duam;

Përgjigjet e portalit dhe zonjës Felaj ka qenë: “Nuk jeni parashikuar në Dhjetor të vitit 1958”.

Ne pensionistët që kemi kontribuar 50 vjet, ju themi këtyre institucioneve: ejani në bazë bashkë me ne për të parë vendin ku ne kemi punuar, që ju të bindeni se sa e vërtetë është kërkesa jonë, që ju e injoroni.

Asqeri Isufaj