Prof. Dr. Et’hem Ruka: Marshimi prej 49 kilometrash në këmbë

218
Sigal

Stërvitjes sonë ushtarake njëmujore në Drojë të Mamurrasit i kish ardhur fundi. Ishim stërvitur gati një muaj me regjim të fortë ushtari. Prisnim që si çdo vit mësimor kthimin për në Tiranë ta bënim me tren. Por nuk ndodhi kështu.

Komanda na bëri të ditur se kthimi në Tiranë, për arsye “luftarake” do të bëhej në këmbë. Ne duhet të jepnim një provë se në rast agresioni të mundshëm do t’na duhej të ecnim kilometra e kilometra të tëra, madje edhe në terrene të vështira.

Një marshim i gjatë prej gati 49 km, me gjithë pajimet ushtarake përfshirë dhe automatikun, do të fillonte në mbrëmje dhe do të përfundonte në orët e mëngjezit. Ne duhet të ecnim të paktën 5 km në orë që të mbërrinim në kohën e parashikuar në Tiranë.

Vërtet ishim të rinj, por askush prej nesh nuk e kish kaluar më parë një përvojë të tillë. Ndoshta më vështirë ishte për vajzat, të cilat kanë probleme të veçanta, që lidhen me gjininë e tyre. Megjithatë, në ushtri urdhërat e eprorëve nuk diskutohen, por vetëm zbatohen.

Në të gjitha rastet stërvitore, ushtarakët simulojnë situata të veçanta luftarake. Ata duhet të veprojnë psikologjikisht mbi ushtarin, duke e bërë atë të besojë se imagjinarja është e vërtetë. Për më tepër, kur bëhej fjalë për atdheun, sakrifica duhet të shkonte deri te më sublimja që është jeta.

Armiku ynë imagjinar në atë kohë ishte “NATO-ja agresive”. E pikërisht atë natë, forcat e NATO-s, kishin “sulmuar”, vendin dhe linjat hekurudhore dhe mënyrat e tjera të transportit ishin bërë të pamundura.

Ne duhej të mbërrinim në mëngjes në Tiranë për të “kapur pozicionet tona të luftimit”. Kolona jonë ishte e gjatë dhe lëvizja do të bëhej mbi bazë togash, kompanish e batalionesh. Natën armiku nuk do të kishte mundësi të diktonte lëvizjen tonë.

Pjesa e parë e marshimit u bë në kodra deri sa mbërritëm në rrugën automobilistike afër Thumanës. Terreni kodrinor dhe errësira e natës pa hënë nuk na lejonte të respektonim rrjeshtin. Herë mbas here qëndronim pak deri sa kolona kompaktësohej. Pedagogët tanë që kishin detyra si komandant toge ose kompanie ishin bashkë me ne dhe vazhdimisht kujdeseshin që kolona të mos shkëputej.

Kur mbritëm në rrugën automobilistike patëm një ndjesi lehtësimi, por nuk e kishim ditur që ecja në rrugë të asfaltuar do të kishte qenë edhe më e vështirë se në terren natyral. Kur ecën në asfalt për kilometra e kilometra të tërë, shputat e këmbëve kapin gjithmonë në të njëjtin pozicion dhe vihen në lëvizje të njëjtit muskuj. Ata fillojnë të lodhen, ndërsa shputat e këmbëve fillojnë të plagosen. Kjo e bën marrshimin edhe më të vështirë, veçanërisht në kilometrat e fundit.

Pas çdo ore ecje bënim dhjetë minuta pushim. Kur jepej komanda për të rifilluar marshimin ishte edhe më e vështirë. Muskujt edhe pse pak të çlodhur e kishin humbur nxemjen. Hapat e parë ishin të vështirë. Sasia e acidit laktik që grumbullohet në muskujt e pastërvitur mirë fillon të shkaktojë dhimbje.

Kur kishim bërë më shumë se gjysmën e rrugës, lodhja u bë më e dukshme. Ishin ende edhe njëzetë e ca kilometra që duheshin përshkuar. Ata që nuk e njihnin rrugën pyesnin vazhdimisht ku ndodhemi dhe sa kohe na duhet për të mbërritur deri në Tiranë. Dukej sikur rruga nuk do të mbaronte kurrë. Shumë prej nesh filluan të hiqnin këmbët zvarrë. Çdo hap që hidhej dukej sakrificë. Këpucët ushtarake dukeshin edhe më të rënda.

Për më tepër mungesa e gjumit e vështirësonte edhe më shumë rrugëtimin. Hidhnim nga një pikë ujë në fytyrë për të larguar gjumin, por gjatë natës edhe uji i pagurit të gjithësecilit kish mbaruar. Në pushimet e shkurtra të gjithë uleshin aty ku mundnin, vinin çantën ushtarake nën kokë dhe i zinte gjumi menjëherë. Imagjinoni sa e vështirë ishte të rimerrje veten dhe të vazhdoje përsëri rrugën.

Në orën pesë të mëngjesit kish rënë agimi. Kur mbritëm në Kodër Kamëz, Tirana filloi të shfaqej në horizont. Dukej se po arrinim, por në fakt ishim ende shumë kilometra larg. Tani mund ta shikonim më mirë gjendjen e njëri-tjetrit. Ishin shumë të lodhur pedagogë e studentë.

Rrjeshti i kolonës filloi të shkëputej. Pedagogët dhe ushtarakët e karrierës që na shoqëronin donin që ne të mbërrinim në Qytetin e Studentit, kur Tirana të ishte ende në gjumë. Nuk ishte mirë që qytetarët e kryeqytetit të na shihnin aq të lodhur.

Nuk e harroj kurrë, që unë dhe miku im Profesor Zyri Bajrami, u ndalëm përballë “Hotel Dajtit” për të pushuar disa minuta. U ulëm në një nga stolat përbri bulevardit. Na zuri gjumi menjëherë. Imagjinoni të jesh i veshur me rroba ushtarake, me çantë dhe me automatikë në sup dhe të të shikojnë kalimtarët në gjumë.

Fatmirësisht na zgjoi buria e një autobuzi. As sot nuk e di sa fjetëm: disa sekonda a disa minuta. U hodhëm përpjetë, fërkuam sytë dhe vazhduam rrugën drejt Qytetit të Studentit. Ishim shkëputur nga kolona dhe kishim mbetur të vetëm.

Mbritja në Qytetin e Studentit ishte gëzim i madh, por jo mbarim i këtij kalvari të pafund. Ne duhet të dorëzonim pajimet ushtarake. Magazinierët e depove ushtarake ishin shumë të rreptë. Ata nuk toleronin askënd dhe asgjë. Paimet tona duhet të dorëzoheshin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Para dritareve ku bëhej dorëzimi, grumbulloheshin shumë studentë. Kur punonjësi i depos merrte armën, jo vetëm që duhet të ishte e vajisur dhe e grasatuar, por nuk duhet të kishte asnjë njollëz të vogël ndryshku. Arma duhet të shkëlqente.

Por nuk mbaronte me kaq. Edhe këpucët ushtarake duhet të dorëzoheshin pa asnjë pikë balte dhe të lustruara me bojë të zezë. Nëse magazinieri konstatonte qoftë dhe një mangësi të vogël, të kthente disa herë deri sa të bindej se arma dhe këpucët ishin ashtu si e parashikonte rregullorja.

Çdo armë kishte numrin e vet. Me atë numër e kishim marrë armën në dorëzim dhe po me atë numër duhet ta dorëzonim. E gjithë kjo procedurë zgjaste orë të tëra. Dukej sikur durimi kish mbaruar, e megjithatë gjërave u duhej shkuar deri në fund.

Ne u nisëm nga Droja e Mamurrasit me skenarin se NATO-ja na kish sulmuar. Të gjithë e dinim se asgjë nuk ishte e vërtetë. Tirana ishte e qetë dhe po rimerrte jetën e vet si çdo ditë tjetër. Vetëm kur mbaruam dorëzimin e materialeve na u duk se po merrnim frymë lirisht. Ju kthyem jetës normale e pak e nga pak lamë pas pagjumësinë e lodhjen rraskapitëse.

Sot është e vështirë të besohet një gjë e tillë, por unë dhe ata që bënë atë marrshim të gjatë nuk mund ta harrojmë kurrë. Kisha dëgjuar për zboristë, që kishin bërë rrugë të gjata duke përshkuar itineraret e brigadave partizane, kisha dëgjuar për të rinj e punëtorë, që e bënin me këmbë rrugën nga Tirana e deri në portin e Durrësit për të nderuar kujtimin e Adem Rekës, që kish humbur jetën në krye të detyrës.

Historitë e lodhjes së këtyre marshimeve kishin mbërritur deri në veshët tanë, por përsëri nuk e besonim. Duhet ta provosh vet një gjë që ta besosh. Ajo ishte koha jonë dhe ne e jetuam si të tillë: Thjeshtë mbase u lodhëm pak më shumë se duhet, por me siguri u bëmë më të fortë për të përballuar vështirësitë e jetës.

^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^