Sot 82-vjetori i “gruas së luleve”, këngëtares së madhe Vaçe Zela

380
Sigal

Në Paris, ajo është  krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina

Vaçe Zela këngëtarja brilante dhe “gruaja e luleve”

-Me rastin e 82-vjetorit të lindjes-

Gazet Telegraf

Vaçe Zela, kjo këngëtare hyjnore shqiptare, i këndoi si askush atdheut, flamurit, dashurisë,  vendlindjes, trimërisë dhe guximit, besës dhe traditave shqiptare. Si artiste e madhe, ajo hapi një epokë të re në të kënduarën e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur. Edhe lashtësinë e këngëve popullore e afroi dhe e bëri të sotme dhe moderne. Edhe krijimet e kompozitorëve i pasuroi dhe ua rriti vlerat. Kjo vajzë e thjeshtë nga Lushnja, e lindur më 7 prill të vitit 1939, që është dekoruar  “Artiste e Popullit”, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve më me shumë influencë në botë. Edhe sot mbetet  e vetmja shqiptare, që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris, ajo është  krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina.

Zbulimi i talentit dhe rruga e suksesit

Vaçja do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë paskësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio- Televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga  skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë të muzikës së filmave. Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri-pas tjetrit çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë. Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” në ’73-in, “Artiste e Popullit” në ’77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjes”. Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust. Presidenti Alfred Moisiu i akordoi  titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi ”  e Qarkut të Fierit. Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ’97, është zgjedhur gruaja e vitit ’97-98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga Ministria e  Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan, e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj mungonte fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa mbeti “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ndonëse e larguar prej vitesh në Zvicër, e lumturonte fakti që njerëzit e kujtonin , që nuk i kishin harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve. Vaçe Zela jetoi me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irmën në Zvicër derisa ndërroi jetë në 6 shkurt të vitit 2014 .

Por rikthimi në Shqipëri, mbeti dëshira më e madhe për Vaçen

Ajo i donte shumë lulet. Kudo nëpër shtëpi shihje vazo lulesh. E qetësonin dhe i jepnin forcë. Atyre që e njihnin u  kishte rënë në sy ballkoni i saj plot me lule në qendër të Tiranës, pranë Sheshit “Avni Rustemi” .  Një ballkon me lule sikur të ishe në kopshtet e famshme hollandeze. Të gjithë mikeshat janë shprehur se Vaçja nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe “gruaja e luleve”.  Kur ajo u largua në Zvicër la porosi për lulet. Dhe me të njëjtin kujdes për to kujdesej motra e saj, sigurisht  me shpresën se një ditë ajo do t’i prekte  sërish.  Por jo….Artistja e madhe ndërroi  jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare  më 6 shkurt 2014, rreth orës 01:20 duke u gdhirë e enjte. Ikja e saj ngjalli trishtim tek  shqiptarët. Ditën e nderimit të saj për në banesën e fundit arkivoli dhe një pjesë e rrugës u mbushën vetëm me lule. Lule ashtu si i donte e madhja Vaçe. Dominonin karafilat e bardhë.  Mes duartrokitjeve dhe me lotë në sy, ajo u përcoll për në banesën e fundit ashtu siç e meritonte me këngën e bukur  të Ëhitney Houston, “I alëays love you”.

Kanë thënë për Vaçe Zelën:

  • Dritëro Agolli, shkrimtar : “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”
  • Nexhmije Pagarusha, këngëtare : “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.”
  • Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”
  • Tish Daija, kompozitor : “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s’i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”
  • Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”
  • Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”
  • Zijà Saraçi, kantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erëz e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione, të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”
  • Limoz Dizdari, kompozitor : ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
  • Nora Çashku, pedagoge e pianos : “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”
  • Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”