Msc. Albert HABAZAJ/ Profili meteorik i artistes Anita Bitri në monografinë për jetën e saj. Albert Zholi, si bletë puntore në kosheren e letrave shqipe

677
Sigal

Profili meteorik i artistes Anita Bitri në monografinë për jetën e saj

Nga Msc. Albert HABAZAJ*

 

Në vetëm 36 vjet jetë fizike artistja e shquar Anita Bitri e shkroi vrullshëm të pranvertë, me dinjitet njerëzor dhe artistik emrin e saj në historinë e muzikës shqiptare dhe fluturoi e fluturon si engjëll mirësie me zë hyjnor e shpirt të trëndafiltë hapësirave të kaltra ndëryjore, mbështjellë me tis të bardhë paharrimi.

15 vjet pas ikjes së saj absolutisht të pamerituar nga fatkeqësia me përmasa tragjike, imazhin e vlonjates së pavdekshme Anita Skënder Bitri, me rrënjë në Vranishtin e Labërisë me histori, këngë të trëndelinta lirike e valle madhërisht epike dhe me degë në Qytetin e Trëndafilave, Përmetin e traditës së gjatë kulturore, letrare dhe muzikore të nivelit kombëtar na e sjell në këtë monografi të tipologjisë kushtim shkrimtari, publicisti e gazetari i njohur shqiptar me rrënjë Labërie, kolegu, gati bashkëmoshatari dhe adashi im Albert Zoto Zholi. Nuk është e nevojshme t’ju paraqes autorin Albert Zholi, sepse emri i tij është i mbarënjohur në fushën e letërsisë dhe artit shqiptar dhe kërkon vëmendje dhe seriozitet në përditësimin bibliografik, aq më pak të Anita Bitrin, sepse virtuoziteti i zërit dhe shpirtit, tërë qenia e saj në muzikë dhe humanizmin altruist si një amazonë e pashoqe labe, vlonjate, shqiptare, evropiane, globale, ndërplanetare na kujton ëndrrat e çdo pranvere, zanat në përralla…

 

Albert Zholi, si bletë punëtore në kosheren e Letrave shqipe

Përurimi i librit “Anita Bitri, një meteor në qiellin e këngës shqiptare” me autor Albert Zholin në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës është një ngjarje e veçantë që do të shënohet në historinë e kulturës së qytetit, sepse pikërisht, këtu, në Tempullin e Kulturës vlonjate, ku Anita Bitri shkëlqeu në vitin 1987, qysh kur qe maturante, vetëm 18 vjeç, sepse e arriti stekën e lartë, aq të ëndërruar, të kërkuar, të zilishme dhe të admirueshme për kohën të këngëtares profesioniste të Teatrit të Estradës së Vlorës. Ky përurim ka vlera dhe le mbresa të pashlyeshme edhe tek ne, artdashësit dhe qytetarët e Vlorës, sepse na duket sikur Albert Zholi na e ka prurë të gjallë në këtë libër, që për mendimin tim është nga më të mirët, më të arrirët, ndoshta dhe më të vështirët e këtij autori, që ka përvojën e derisotme të 22 librave të botuar, 298 të redaktuar dhe gati unikal në gazetarinë shqiptare si autor i mbi 3800 intervistave, të cilat përbëjnë shkollë më vete.

Kemi në dorë një libër të pritur me kohë, të mirëpritur me shumë dëshirë e respekt, një libër i merituar në formë e në përmbajtje, i shkruar me dashuri e nivel të lartë nga një shkrimtar i dëgjuar shqiptar si Albert Zholi për një artiste të njohur shqiptare, si e paharrimta Anita Bitri, e madhe në mirësinë e saj, fatkeqe me përfundimin fatal të jetës në kub (nëna, vetë dhe e bija)… Duke folur edhe me gjuhën e shkencës së bibliotekonomisë, ngaqë ky libër së shpejti do të regjistrohet në Bibliotekën Kombëtare, libri “Anita Bitri, një meteor në qiellin e këngës shqiptare” është studim i gjerë e i hollësishëm shkencor, studim monografik që trajton dy disiplina të shkencave humane: muzikën me nënndarjet e saj, si çështje/ temë e veçantë, të cilës i është përkushtuar kantautorja Anita Bitri me ndihmesën e çmuar, të cilën autori e trajton në mënyrë të hollësishme, që merr karakterin e një monografie dhe përbën një monografi të mirëfilltë, më shumë se kronikë letrare në klasifikim. Ky libër vjen dhe si  realizim i nivelit më të lartë në fushën shkencore të diturisë e dijes siç është biografia e personave të shquar shqiptarë, realizuar për figurën e njohur të kulturës së re artistike Anita Bitri sipas standardeve nga autori i angazhuar dhe ndershmërisht i perfeksionuar Albert Zholi. Duke respektuar përcaktuesit e formës, në rrafshin e indeksimit bibliografik, kjo monografi na vjen si harmonizim korrekt i burimeve letrare, kronikave, ditareve, intervistave, kujtimeve, paraqitjes biografike të dritërores meteorike, Anitës sonë, 36 vjeçares së përjetshme, që rendi e rendi nëpër botë dhe i tha qytetërimit: është Shqipëria është “lule në mes shoqeve” dhe me muzikë, se ka qenë me Tefta Tashko Koçon e Vaçe Zelën, është me mua e Aurelën, do të vijojë si stafetë shpirti e arti sa të jetë mosha e kësaj toke.

Vërtet në këtë vepër vendin kryesor e zë veprimtaria e artistes Anita Bitri në fushën e muzikologjisë dhe natyrshëm, pa i nënvleftësuar, të dhënat biografike dalin në plan të dytë, por libri atje nis tek gjenetika, në vitin 1925, kur mes maleve të lartë të Vetëtimave lindi babai i Anitës, xha Skënderi, një lab tipik vranishtnjot, djalë idealist, partizan lirie, njeri korrekt, shok besnik, burrë serioz buzëqeshjekursyer, qytetar model, prind shembullor, ushtarak i kompletuar dhe i përkushtuar si ai. Libri vijon rezonueshëm në linjë me Hazbie Ndreçanin, të bijën e Rauf Ndreçanit, përmetarit aq të pasionuar pas muzikës, që u bë plotmëria e familjes qytetare dhe intelektuale të Skënder Bitrit. Pikërisht, Vranishti dhe Përmeti janë gjeneza e dinjiteti i talentit të Anitës sonë, Amazonës së muzikës së re shqiptare në këto hapësira dhe anembanë nëpër botë. Në ditë me diell e furtunë, në rrjedhat e kohës, Skënderi me të shoqen nuk u ulën, por udhëtuan denjësisht. U lindi Lulëzimi, u iki një Arben dhe një Anitë dhe ata përsëri bënë një Arben dhe një Anitë tjetër: Anitën, që shndriti si meteor e i la gjurmët e yllta qysh herët dhe këtë Arben, që vërtet nuk është Kostandini i legjendës për Doruntinën, por është vëllai që përmbush një amanet të merituar përjetësimi në këtë libër të shkëlqyer të Albert Zholit, vlerat letrare e humane të të cilit lartësohen dukshëm sot. Tek sjell në kujtesë familjen e Skënder Bitrit, më vjen para syve imazhi i dorës, që po ta mbledhësh bëhet grusht, po ta hapësh bëhen yje… Ja Anita jonë… por që shkëlqeu shumë, por nuk u zhduk dhe nuk zhduket asnjëherë, sepse ajo rron në zemrat tona, në kujtesën tonë, me ndjenjat e dëlira dhe shpirtin e gjerë, me këngët e saj, që ende i pëlqejmë dhe i duam aq shumë.

Edhe pse ka ikur, Anita është

 

Me këngët e saj ajo jeton tek ne. Me librin e Albert Zholit ajo u përjetësua në letrat shqipe, sepse na vjen siç qe, Muzikante me tërë kuptimin e fjalës: këngëtare, instrumentiste, poete, kantautore, veprimtare shembullore, atdhetare qytetare, e guximshme, këngëngulëse, luftëtare e paepur e idealeve dhe pasionit të saj deri në realizim, në përsosmëri. Anita ka kënduar dhe na ka lënë shumë këngë të bukura. Ndërkohë portretin e saj e shoh të ngjizur në trininë gjenetiko-artistike: që kanë vendin e duhur në organogramën artistike të artistes: 1. kënga bulëzuese, me të cilën shpërtheu në botën e artit të saj “Hartimi dhe dëbora”, 2. kompozitori Aleksandër Vezuli i këngës mrekullore “Mos u nxito, mos u gabo” me tekst të Alqi Bosnjakut, që meritoi çmimin e parë në Koncertin e Pranverës, 1988 dhe 3. Vajza e vetme. Dritëza e syrit, yllkëza Sibora, e princëruar me buzëqeshjen e saj të pafajshme, 7 vjeçare, gonxhe paçelur dot… Kujtoj se kur dëgjova këngën “Askush s’do ta besojë” gjatë Festivalit të 29-të të Këngës në Radiotelevizion (24-27.12.1990, që ishte ngjarja kulmore artistike shqiptare e vitit, organizuar ato në funddhjetori në Pallatin e Kongreseve  në Tiranë, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të rinj dhe këngëtarëve të afirmuar, pa u shpallur çmimet, thashë me vete: kjo është kënga! Ky është kompozitori! I madhi, i pashfaqshmi i talentuar Flamur Shehu. Por edhe mjeshtri vizionar i fjalës së kënduar Jorgo Papingji, sikur e kishte thurur apostafat për Anitën tonë të artë dhe fatin e saj të zi tekstin që interpretoi aq bukur këngëtarja e furishme nga Vlora: “Dashurinë e parë kush nuk e provoi,/ Dhembjen që la pas kush nuk e këndoi./ E këndoi, e këndoi…/ Ku shkuan fjalët që m’i thoshe me aq zjarr,/ Ku shkuan lulet që m’i sillje plot vesë/ Ku fluturoi dashuria jonë e parë,/ Ku shkoi motivi që më zgjonte çdo mëngjes?”. Kujtoj se jo vetëm e dëgjova këngën me admirim, por e shijova dhe thashë: Po, kjo është këngëtarja! Artistja e plotësuar, e talentuar në interpretim, e kompletuar në arsim dhe kulturë. Modeli, që shumë shpejt fitoi aq shumë popullaritet, të cilin e gëzon dhe sot e kësaj dite. Synimi i këngës së re, emancipimit artistik e qytetar të saj – ky është profili i Anita Bitrit që na sjell Albert Zholi në këtë monografi me një strukturë krejt ndryshe, të zhdërvjellët, me një gjuhë të thjeshtë, por të lartë shqipe dhe letrare, jashtë kornizave të lodhura, që të bëjnë ta mbyllësh pa e hapur të ashtuquajturin libër. Nuk kam ndërmend të bëj recensionin e librit të Adashit, por është një lartësi e letërsisë biografike në formë dhe në përmbajtje, e ndërtuar me 7 kapituj dhe një bllok fotografik, në fund të tekstit, që na sjell shëmbëlltyrën e luleve te kujtimit në përjetësinë e artistes.

Kujtojmë që vjersha janë thurur për Anita Bitrin e këngë janë qëndisur për të. Libra po e ndoshta prapë mund të bëhen. Edhe në film dokumentar nëpërmjet shiritit celuloid, pllakës së tejdukshme apo teknologjisë digjitale na ka ardhur e riprodhuar me imazh gjigandja e bukur e muzikës sonë. Emri i saj është në një rrugë kryesore të Vlorës, në qendrën tradicionale, që ajo e deshi aq shumë. Anita, me talent, përkushtim e sakrifica u njoh në Vlorë e në Tiranë dhe bëri emër në muzikën shqiptare. U bë një emër kombëtar i muzikës së lehtë. Veçmas vlerat e saj kulturore-artistike rriten e marrin përmasa të paanë, sepse labovlonjatja nga Shqipëria e ndërkombëtarizoi muzikën tonë. Vetë realizimi mrekullor, vlerat që dha dhe suksesi që korri me Albumin “Çdo gjë është e mundur”, 2004 përtej Atlantikut, në “Tokën e premtuar” janë dëshmi autentike e kontributit të madh të kësaj këngëtareje magjike në fushën e muzikës. Kënga që ajo këndonte ishte po aq dinjitoze sa e zonja, sinonim i saj: e fortë, e shëndetshme, e bukur, energjike, diellore, frymëzuese. Kudo ku i shkelte këmba, asaj i çelte lule mirësie dhe të elektrizonte, krijonte një atmosferë bukurisht magjike në fisnikërinë e misionit të lartë të saj artistiko-atdhetar. Muzikën, zërin, interpretimin Anita i mbushte me pranverë, me Atdhe dhe me shpirtin e saj shkëlqimtar. Ndërkohë, Albert Zholi, mik i afërt dhe i përzemërt me ikonat e letrave shqipe, teatrit dhe kinematografisë sonë ka botuar shumë libra dhe shumë të mirë në poezi e prozë (skica, tregime, novela, romane), kritikë letrare, ese, reportazhe e intervista, po ashtu dhe biografi të mira e shumë të mira kushtuar figurave të njohura të skenës dhe penës shqiptare, të artit dhe kulturës shqiptare dhe ka fituar mirënjohjen e lexuesit, duke krijuar edhe dashamirësit e tij të shumtë. Por, por kur lexova këtë libër të tij me titullin domethënës “Anita Bitri, një meteor në qiellin e këngës shqiptare”, thashë me vete: Ky është shkrimtari, zotëruesi i ndershmërisë profesionale në mjeshtërinë e shkrimit. Ky na vlen, sepse bën libra të mirë, të bukur, të dobishëm, me mesazhe qytetare artistike dhe atdhetarie. Ky libër është një monument shkronjor i shkruar me germa shpirti, dashurie e dhembjeje për atë artiste të madhe, që u bë Fatmire për lumturinë e të tjerëve, se edhe sot e kësaj dite mbushemi me hojet e mjaltit të këngëve të pranverta të Anitës. E mira Anitë qe Fatkeqe për vete, se iku shpejt, pa bërë as një të tretën e jetës fizike dhe vetë e tretë, me mëmën dhe bijën, por sot na vjen si meteor. Drita e meteortë e Anita Bitrit ngrohtë zemrat e degëve dhe gjetheve të gjelbra të pemës së shëndetshme së Muzikës shqiptare! Dritë e mirësi! Na ndrit përherë ANITA!

 

Pena flori, jetë të gjatë e të begatë, adash dhe koleg i nderuar, Albert Zholi!

 

*) Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, Vlorë.

Vlorë, e shtunë, 07.12. 2019

 

 

II

NË VEND TË LAMTUMIRËS

Albert Z. ZHOLI

Po pse kaq shumë njerëz janë mbledhur dhe mblidhen çdo vit për kujtimin tënd?! Mos është premierë festivali, apo kujtimi yt engjëllor, ku çdo vit mbushur me kurora të pafundme lulesh shumëngjyrëshe. të kujtojnë vëllezërit, të afërmit, miqtë, fansat besnikë?  Ti rri e i vështron se  të gjithë po lotojnë! Mendon se është recitali Yt! Sa e i pate pritur ato çaste, sa i ke ëndërruar! I shikon dhe buzëqesh. Aty janë vëllezërit, shumë mikesha, miq, familjarë, fansa, njerëz pa fund. Ti i shikon me nënë Hazbien  dhe mban Siborën në krah. Qielli ndizet. Deti krihet nën valë. Vlora e kuqe të ngre në qiell…

Buzagazin tënd të përjetshëm nuk mund ta zhduki jeta dredharake.

Ja, po afrohesh pranë, e padukshme si një shtojzovalle, a Zanë e rrallë. Po afrohesh pranë, aq pranë, mes miqve si dikur. Ke udhëtuar nga parajsa qiellore, sa të çmallesh pak, të ledhatosh këngën, të përkëdhelësh jetën si dikur. Para syve na shpërfaq ditarin tënd të jetës të titulluar “Ditari qiellor“…Retë e bardha po të shoqërojnë. Qielli merr ngjyra ylberi. Nën velin e kujtesës, të ëndrrës, të ka mbetur gjurma besnike e fytyrës së Krishtit. Si vetëtimë kthjelltësie, sillje ndërmend çdo gjë; agimet e përflakura në qytetin tënd dhe valët kaltëroshe që loznin bregdetit pa fjalë. Flakërima e dritës po dhe Drita hyjnore e shpirtit tënd po na përshëndet në pafundësi…Ti përcjell jehonë mirësie brenda shpirtit, kohë e pa kohë se  e doje si askush tjetër emrin e bukur Shqipëri.

Mbi kalldrëmin qiellor, tingujt melodioz të këngëve të tua trokasin harmonishëm. Qielli përhap magjishëm këta tinguj përjetësie dhe mesazhi hyjnor për pavdekësinë tënde, endet si tufë trëndafilash në çdo skaj, petal pas petali. Në kopshtin e pafund të muzikës hyjnore, ti mbetesh, një trëndafil me vesë që nuk do vyshkesh kurrë. Sot të kujtomë mes lotësh si margaritarë; lotmalli, lotkujtimi, lotkrenarie, lotpërjetësie. Sot habitesh me të vërtetë me mizërinë e njerëzve që po përmendin emrin tënd të bukur. Sot për ty po shkruhet një libër malli, me penë të ngjyer në lot shqiptare. Sot në këtë libër po hidhet me filigrame ari jeta jote magji për të çuar në vend vazhdimin e “Ditarit” tënd jetësor të lënë në mes mbushur me mistere. Ti Anitë rron, sepse emri Yt është vepër përjetësie që kumbon skajshëm, në germat e alfabetit, në pentagramet e notave muzikore, që fillojnë si ndriçues me germën e parë të emrit tënd pishtar!