Na kërkoi të kursenim, Balluku, sërish brenda 20 ditëve në Dubai

227
Sigal

Fundjavën që shkoi ministrja e Transporteve dhe Energjitikës, Belinda Balluku, ka kryer një tjetër vizitë në Dubai. Ishte vizita e dytë në harkun kohor të 20 ditëve po në Dubai. Në 8 mars ajo ishte bashkë me Edi Ramën dhe disa ministra të tjerë për të marrë pjesë në panairin “Expo Dubai 2020”.

Ndërsa këtë fundjavë fluturoi sërish në vendin ekzotik dhe tejet të shtrenjtë për të marrë pjesë në “Atlantic Council Global Energy Forum”, një takim i përvitshëm që sivjet u mbajt në Dubai.

Vizita e Ballukut vjen në një kohë kur ajo jep këshilla për qytetarët që të kufizojnë lëvizjet dhe të kursejnë për shkak të krizës energjitike. Por ndryshe nga çfarë predikon publikisht, ministrja jo vetëm që nuk kursen, por fluturon në Dubai edhe me vajzën e saj e për më tepër me Business Class, i tha Lapsi.al një burim i mirëinformuar në ministrinë që drejton Balluku. Udhëtimi i saj është lehtësisht i provueshëm përmes sistemit TIMS. Nuk dihet nëse biletën e kripur me linjën “Fly Dubai” ministrja e ka paguar vetë apo është mbuluar nga buxheti i shtetit.

Kujtojmë që Rama deklaron publikisht se ministrave të tij ua ka ndaluar udhëtimin në klasin biznes. Përjashtim bën vetëm ai kur duhet të udhëtojë drejt SHBA-së për shkak të distancës së largët dhe problemit shëndetësor që ka me shpinën.

Duke e ditur për reagimet e pritshme që do t’i vinin, Belinda Balluku është kujdesur ta mbajë larg syrit të publikut vizitën e fundit në Dubai. Edhe pse ajo ishte ndër panelistet e forumit, deri më tani nga vëzhgimi që bëri Lapsi.al nuk ka asgjë të publikuar në faqet e saj në rrjetet sociale dhe as në faqen e Ministrisë së Transporteve dhe Energjitikës sipas lapsi.Por nuk ndodh kështu me mediat në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë raportuar për pjesëmarrjen e ministres shqiptare në forum. E po kështu fjala e saj është bërë publike në kanalet zyrtare të “Atlantic Council Global Energy Forum”. S’dihet nëse ministrja ka qenë apo jo edhe kësaj radhe në restorantin e famshëm e super të shtrenjtë të Nusretit, aty ku ishte filmuar kohë më parë duke darkuar me personazhe të njohur të politikës dhe biznesit.

Me siguri që 3 ditë të axhendës së saj në qytetin përrallor nuk janë shpenzuar vetëm për forumin energjitik, aty ku ajo ishte thjesht një prej shumë panelistëve në një prej sesioneve të “Atlantic Council Global Energy Forum”. Ku ka qenë tjetër, i takon asaj ta bëjë publike.