Prof.Dr. Alqi Naqellari : Diplomacia ekonomike shqiptare

314
Sigal

Për këtë artikull janë shfrytëzuar materiale të publikuara në rrjetet online, MPJ, artikuj publicistikë dhe artikuj shkencorë të autorëve të ndryshëm. Analiza tenton t’i japi përgjigje pyetjes: “A kanë shqiptarët diplomaci ekonomike e tregëtare”? Duke e parë nën këndvështrimin e Ballkanit të Hapur. Është parë Shqipëria në raport me Serbinë dhe Maqedoninë si 3 nga 6 vendet e BP që kanë rënë dakort të hartojnë një marrëveshje ku në themel të saj të qëndrojë lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitaleve. Për BH janë bërë debate të mëdha, ku pjesa më e madhe e ekonomistëve dhe tregëtarëve nuk kanë qenë dakort me këtë marrëveshje ose janë dakort me kufizime në interes të ekonomisë shqiptare. Mënyra si interpretohet nga ata që e kanë hartuar të duket sikur epiqendra e synimit shqiptar është Serbia dhe se pa hapur ekonominë me Serbinë, Shqipëria nuk do eci para, a thua se shqiptarët që në vitet ’90 kanë dashur të shkojnë në Serbi dhe jo në BE.

 

   01 Çfarë kuptojmë me Diplomaci ekonomike e tregëtare dhe si e konceptojnë shqiptarët?

 

“Diplomacia ekonomike përkufizohet tradicionalisht si vendimmarrje, politikëbërje dhe mbrojtje e interesave të biznesit të shtetit dërgues. Diplomacia ekonomike kërkon aplikimin e ekspertizës teknike, që analizon efektet e situatës ekonomike të një vendi në klimën e tij politike dhe në interesat ekonomike. Diplomacia ekonomike është arti i shërbimit të sigurisë ekonomike dhe interesave strategjike të vendit duke përdorur instrumentin ekonomik në zhvillimin e marrëdhënieve shtet-shtet. Diplomacia ekonomike është krijuar për të ndikuar në politikat dhe vendimet rregullatore të qeverive të huaja, si dhe në ato të organizatave ndërkombëtare. Ajo shkon përtej tregtisë dhe investimeve në zgjidhjen e shkaqeve të shumta të konflikteve ndërkombëtare”(MPJSH). Diplomacia ekonomike merret me çështjet e politikave ekonomike, p.sh. puna e delegacioneve në organizatat e përcaktimit të standardeve si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT). Diplomatët ekonomikë gjithashtu monitorojnë dhe raportojnë mbi politikat ekonomike në vendet e huaja dhe i japin këshilla qeverisë së vendit se si të ndikojë më mirë në to. Diplomacia ekonomike përdor burimet ekonomike, qoftë si shpërblime apo sanksione, në ndjekje të një objektivi të caktuar të politikës së jashtme. Fushëveprimi: çështjet ekonomike ndërkombëtare dhe të brendshme, këtu përfshihen “rregullat për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet shteteve” që janë ndjekur që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe për shkak të rritjes së globalizimit dhe ndërvarësisë së rezultuar midis shteteve gjatë viteve 1990 detyron “diplomacinë ekonomike të hyjë thellë edhe në vendimmarrjen e brendshme”. Kjo mbulon “politikat që lidhen me prodhimin, lëvizjen ose shkëmbimin e mallrave, shërbimeve, instrumenteve (përfshirë ndihmën zyrtare për zhvillim), informacionin për paratë dhe rregullimin e tyre” (Bayne dhe Ëoolcock (eds) 2007)

Diplomacia ekonomike është arti i shërbimit të sigurisë ekonomike dhe interesave strategjike të vendit duke përdorur instrumentin ekonomik në zhvillimin e marrëdhënieve shtet-shtet. Çfarë kuptojmë me Diplomaci Ekonomike e Tregëtare duke e parë nën këndvështrimin e Ballkanit të Hapur dhe si e konceptojnë shqiptarët?

Lojtarët: aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë

Të gjitha agjencitë qeveritare që janë të përfshira në mandatet ekonomike ndërkombëtare janë lojtarë në diplomacinë ekonomike (edhe pse shpesh nuk i përshkruajnë si të tillë). Më tej, aktorët joshtetërorë si organizatat joqeveritare (OJQ) të angazhuara në aktivitete ekonomike ndërkombëtare janë gjithashtu lojtarë në diplomacinë ekonomike (Bayne dhe Ëoolcock (eds) 2007). Bizneset dhe investitorët janë gjithashtu aktorë në proceset e diplomacisë ekonomike, veçanërisht kur kontaktet mes tyre dhe qeverive nisen ose lehtësohen nga diplomatët. Berridge dhe James (2003) deklarojnë se “diplomacia ekonomike ka të bëjë me çështjet e politikave ekonomike, duke përfshirë punën e delegacioneve në konferenca të sponsorizuara nga organe të tilla si OBT” dhe përfshin “diplomacinë që përdor burimet ekonomike, qoftë si shpërblim apo sanksione, në ndjekje të një objektivi të caktuar të politikës së jashtme” gjithashtu si pjesë e përkufizimit. Rana (2007) e përkufizon diplomacinë ekonomike si “proces përmes të cilit vendet përballen me botën e jashtme, për të maksimizuar përfitimet e tyre kombëtare në të gjitha fushat e veprimtarisë, duke përfshirë tregtinë, investimet dhe forma të tjera të shkëmbimeve ekonomikisht të dobishme, ku gëzojnë avantazhe krahasuese.; ka dimensione dypalëshe, rajonale dhe shumëpalëshe, secila prej të cilave është e rëndësishme”. Shtrirja e gjerë e këtij përkufizimi të fundit është veçanërisht e zbatueshme për praktikën e diplomacisë ekonomike siç po shpaloset në ekonomitë në zhvillim.

02 Diplomacia tregtare është diplomacia që fokusohet në zhvillimin e biznesit ndërmjet dy vendeve.

Ajo synon të gjenerojë përfitime komerciale në formën e tregtisë dhe investimeve të brendshme dhe të jashtme me anë të promovimit dhe lehtësimit të biznesit dhe sipërmarrjes në vendin pritës. Diplomacia tregtare ndiqet me synimin për të fituar stabilitet ekonomik, mirëqenie ose avantazh konkurrues. Diplomacia tregtare është krijuar për të ndikuar në politikat e jashtme të qeverisë dhe vendimet rregullatore që ndikojnë në tregtinë, investimet dhe tregtinë globale. Në këtë kontekst, diplomacia tregtare është fitimprurëse në atë që e bën më të lehtë eksportimin dhe operimin jashtë vendit; është një instrument i vlefshëm për nxitjen e eksporteve dhe operimin jashtë vendit; u mundëson kompanive të kryejnë më shpejt detyrat jashtë vendit dhe rrit sasinë e eksporteve dhe rezultateve të kompanisë duke ofruar informacione për rregullat, rregulloret, kulturën, tenderët publikë dhe tregun e vendit pritës; duke ofruar mbështetje gjatë kërkimit të partnerit; dhe duke ofruar ndihmë në mosmarrëveshjet tregtare, panairet dhe misionet. Veçanërisht për kompanitë që kanë kufizime financiare, aksesi në informacione të besueshme dhe një rrjet i gjerë jashtë vendit janë thelbësore. Diplomacia ekonomike jo vetëm që promovon prosperitetin e shtetit, por gjithashtu, siç e kërkon rasti dhe e lejon mundësia, manipulon marrëdhëniet e saj të jashtme tregtare dhe financiare në mbështetje të politikës së saj të jashtme – si në rastin e sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit. Prandaj, diplomacia ekonomike është një temë kryesore e marrëdhënieve të jashtme të pothuajse të gjitha vendeve.

Në vend, ministritë e ekonomisë, organet e tregtisë dhe nxitjes së investimeve, dhomat e tregtisë dhe natyrisht ministritë e jashtme, janë të gjitha pjesëmarrëse në punën ekonomike. Tendencat aktuale përfshijnë rritjen e bashkëpunimit ndërmjet agjencive shtetërore dhe jozyrtare, dhe rëndësinë e shtuar për çështjet e OBT-së, negocimin e tregtisë së lirë dhe marrëveshjeve tregtare preferenciale, dhe marrëveshjet që mbulojnë investimet, shmangien e taksimit të dyfishtë, shërbimet financiare dhe të ngjashme. Jashtë vendit, ambasadat, konsullatat dhe zyrat tregtare merren me diplomacinë ekonomike. Fokusi kryesor është promovimi, tërheqja e biznesit të huaj, investimeve, teknologjisë dhe turistëve. Diplomacia ekonomike lidhet ngushtë me segmentet politike, publike dhe të tjera të punës diplomatike.

A ekziston tek ne Diplomacia Ekonomike e Jashtme dhe a mundemi ne të bëjmë tregëti me serbët dhe maqedonasit pa kushte kufizuese. Si është kostoja e produkteve në vendin e origjinës dhe si janë subvencionet nga ana e qeverisë serbe. maqedonase dhe shqiptare  mbi këto lloj mallrash kur dihet që bujqësia shqiptare është thuajse e atrofizuar

A ekziston në Shqipëri Diplomacia Ekonomike e Tregëtare?

Në Shqipëri ka Ministri për marrëdhëniet me Parlamentin por nuk ka Ministri të Tregëtisë, Ministri të Ekonomisë, Ministri të Punës. Nga që nuk vlerësohen me objektivitet, janë përfshirë në një Ministri të vetme. Sot DE bëhet nga MPJ e Shqipërisë. Në Shqipëri nuk ka drejtime studimi për Diplomaci Tregëtsre apo Ekonomike. Në Shqipëri vazhdohet ende që MPJ të merret me problemet e dikurshme, askush nuk flet për diplomacinë tregëtare dhe ekonomike, por mëngjezi dhe darka reklamohet turizmi, a thua se ky do jetë shpëtimi i Shqipërisë, turizmi me 6% TVSH, me evazion të lartë fiskal, që nuk jep as 4% të PBB-së që boshatisi fshatrat dhe i ktheu tokat në djerrina? Shqipëria ka pasuri të lëna në harresë. Harrohet që Shqipëria është vendi 4 në Europë për pasuri ujore. Përse të mos bëhet diplomacia ekonomike e ujit kur vetëm në Tepelenë e Memaliaj mund të ngrihen mbi 10 linja të amballazhimit të ujit, kur në Shqipëri mund të ketë me qindra të tilla? Përse të mos të fillojnë të krijohen kompanitë aksionere të Ujit ku një nga aksionerët kryesorë të jetë Pushteti Lokal? A nuk do ujë Lindja e Mesme? Diplomatët ekonomik e tregëtar  të merren me gjetjen e tregjeve për të shitur patatetet e Shishtavecit, qepët e mollët e Korçës, mandarinat e Konispolit, luleshtrydhet e Fierit, dhe jo vetëm me reklamën e gjellëve dhe likove shqiptare. Të shijosh gjellët shqiptare duhet të vish në Shqipëri, ndërsa ujin e bostanin mund ta çosh në çdo vend të botës. Në Shqipëri duhet të ndryshojë mendësia e qeverisjes. Të qeverisësh do të thotë të menaxhosh jo të komandosh, do të thotë të decentralizosh, të lëshosh pushtet dhe jo të centralizosh. Mendësia e unit thjesht çon në një vend autarkik ku mbillet korrupsioni e sundon kleptokracia. Shqipëria duhet të shkëputet një herë e mirë nga këto fenomene e mendësira.

Çfarë theksojnë të huajt për këtë marrëveshje?

O’Brian thekson: “Nëse hedh sytë në rajon, sheh se vetëm Serbia është duke marrë investime të mëdha. Kjo është mënyra se si pasurohen vendet, dhe si futen në zinxhirin e vlerave të vendeve fqinjë më të pasura europiane. Po vetëm Serbia është duke e bërë këtë gjë”. “Fuqia punëtore serbe nuk është në gjendje të përballojë të gjithë punën që është duke iu ofruar. Që të jetë në gjendje të vazhdojë të zhvillohet Serbisë i duhet të dërgojë punishtet dhe fabrikat në vende të tjera, ose i duhet të marrë punëtorët nga vendet e tjera”,- thotë ai dhe e quan këtë hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit”. Ai shtron pyetjen “a duhet mbështetur tregu i krijuar vetëm nga tre vende”? Pyetjen se “a duhet mbështetur tregu i krijuar vetëm nga tre vende shtron edhe Heather A. Conley, eksperte e CSIS. Ajo thotë se SHBA dhe BE duhet të kenë një strategji të përbashkët për Ballkanin. “Ballkani i Hapur” është diçka tjetër nga tregu i përbashkët për të gjashtë vendet. Si duhet trajtuar ai”?

03  Diplomacia ekonomike e jashtme.

Përse nuk duhet të lihet i lirë qarkullimi i mallrave midis 3 vendeve të marrëveshjes së quajtur Ballkani i Hapur.

E para, është kostoja e produkteve në vendin e origjinës.

Si e konceptojnë shtetarët tanë konceptin e Ballkanit të Hapur? “Neve nuk na intereson fare çfarë përfiton Serbia, ne na intereson sa përfiton Shqipëria dhe Kosova, por dhe Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku janë popullsi shtetformuese dhe kudo janë pakicat shqiptare në Ballkan”. “Nëse nuk paraqitet si popull i përkushtuar ndaj paqes, populli shqiptar është i destinuar të humbasë. Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me facebook, kolltukë, ekrane, ka vetëm rrënim dhe izolim, këtë di të them unë”. Këto thënie bien ndesh me objektivat e diplomacisë e tregëtisë ekonomike, sepse ne na intereson, nga njera anë, sa do fitojë Serbia, sepse nga ana tjetër do shikojmë sa do fitojë Shqipëria, si do jetë Bilanci Tregëtar sepse nëse ky Bilanc thellohet atëherë nuk kemi asnjë arsye që të vazhdojmë tregëtinë me Serbinë. Serbia nuk synon të investojë në Shqipëri por, thjesht ta kthejë në një treg mallrash, aq më shumë nga heqja e doganave. Sa i përket izolimit të Shqipërisë nuk është raporti ndaj Serbisë ai që përcakton hapjen apo mbylljen e saj. Ne sot bëjmë me rreth 100 shtete tregëti dhe kemi marrëdhënie politiko-ekonomike me mbi gjysmën e shteteve të OKB-së. Kështu raporti me Serbinë nuk ka qënë ndonjëherë i rëndësishëm, rëndësi këtij raporti i është dhënë në vitet e fundit. Serbia që nga viti 1946 dhe deri para 10 vitesh nuk ka pasur kurfarë rëndësie për ekonominë shqiptare. Vendet kryesore tregëtare të Shqipërisë kanë qenë historikisht Italia, Greqia, Turqia etj, ndërsa të Serbisë kanë qenë ish republikat e RFSJ-së dhe tash së fundi, Italia, Gjermania, Rusia, BiH etj. Shqipëria bazohet përgjithësisht në një ekonomi shërbimi me një bujqësi të prapambetur. Nuk bëhet fjalë këtu për shfrytëzimin e pasurive nën e mbi tokësore, të karburanteve, të energjitikës, të mineraleve etj. Në këtë mënyrë ka pak produkte për t’i eksportuar. Rreth 40% e tregëtisë e zënë eksportet në fushën e fasoneve. Produktet bujqësore, pavarësisht nga rritja në përqindje në shifra absolute janë shumë të ulta.

 

E dyta: Bujqësia shqiptare është thuajse e atrofizuar.

Në kushtet kur kemi mbi 350 mijë ferma të ndara në afro 1.8 milionë parcela, 84% e tyre me më pak se 2 ha tokë dhe vetëm 14% me mbi 2 hektar tokë me mundësi për tregëtim nuk mund të pretendohet një rritje e dukëshme për ta kthyer në një sektor kryesor eksporti. “Me gjithë zgjerimin e eksporteve, bujqësia vijon të jetë sektori më pak produktiv i ekonomisë, kurse rritja e të ardhurave nga shitjet po shkon më shumë te zinxhirët e furnizimit se sa te prodhuesit. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, paga mesatare mujore bruto në bujqësi ishte rreth 32 mijë lekë, ose 40% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi. Sipas një studimi të Programit Botëror të Ushqimit (FAO), shumica e fermave në vend, ato me sipërfaqe 1 hektar, rezultojnë me humbje dhe prodhojnë vetëm për vetëkonsum. “Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, afërsisht 98% janë ferma familjare të vogla. Një e pesta (20%) e fermave kanë më pak se 0.5 ha tokë, ndërsa pak më shumë se një e katërta (25.6%) kanë ndërmjet 0.6 ha dhe 1 ha. Nga totali i fermave rreth 45% e tyre kanë sipërfaqe deri në 1 hektarë. Rreth 40% kanë mes1,1 dhe 2 hektarë. Të dhënat tregojnë se 86% e fermave kanë deri në 2 hektarë, ndërsa pjesa tjetër (14%) kanë më shumë se 2 ha. Fermat mbi 2 ha kanë potencial dhe mund të jenë të vlefshme, nëse kanë të kombinuara llojin e aktivitetit bujqësor, njohuritë dhe cilësinë e tokës. Ekspertët e bujqësisë në vend kanë arritur në konkluzionin se një fermë duhet të jetë të paktën 3 ha, ose më e madhe në rastin e perimeve ose frutave që të prodhojë për treg. Nga të dhënat statistikore të Ministrisë së Bujqësisë, vetëm 1.1% e fermave në vend ose 3918 në total, janë shumë të mëdha, me mbi 10 ha ose më shumë. Duke i kategorizuar si të mëdha fermat mbi 2.1-10 ha rezulton se, vetëm 14% e fermave kanë potencialin për të qenë të orientuara drejt tregut për kulturat bujqësore. Tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura të ulëta nga bujqësia, shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht të qëndrueshme. (B.Hoxha). Nuk mund të pretendosh për një bujqësi intensive kur ka vetëm 1700 hektar sera dhe vetëm 12 mijë traktora me goma. Bujqësia shqiptare kërkon sot një rishpërndarje të tokës, duke shëmbur Ligjin shkatërrues 7501. Në këtë mënyrë kostoja e prodhimeve bujqësore është e lartë dhe pa asnjë mundësi konkurimi me produktet e bujqësisë Serbe. Futja e produkteve të tyre do godiste rëndë bujqësinë shqiptare.

 

E treta: A      është subvencioni nga ana e qeverisë mbi këto lloj mallrash ?

Qeveria Serbe subvencionon bujqësinë në një masë shumë herë më të madhe se qeveria shqiptare. Para 5 vitesh “Pjesëmarrja e llojeve të caktuara të subvencioneve në pagesat direkte për bujqësinë në Republikën e Serbisë ka qenë:

Ndarja e Stimujve (%)

-Primet e qumështit 20.02

-Stimujt bazë për prodhimin bimor 20.78

-Stimujt për mbarështimin e lopëve cilësore të qumështit, mbarështimit të viçave, mbarështimin e deleve dhe dhive, dosat, pulat prindërore të tipit të lehtë dhe të rëndë, gjelat e farës, krapi dhe trofta mëmë cilësore 30.98

-Stimujt për majmërinë e lopëve, qengjave, kecave, derrave 5.30

-Stimujt për lopët e qumështit 0.12

-Stimujt për koshere bletësh 1.89

-Stimujt për prodhimin e peshkut 0.17

-Ulje çmimi për plehrat 20.78

-Ulje të çmimeve për kostot e magazinimit 0.01.”( Serbian Agriculture Policy: Economic Analysis Using the PSE Approach Katarina Đuri´c, Drago Cvijanovi´c, Radivoj Prodanovi´c, Miroslav Cavlin, Boris Kuzman and Mirjana Lukaˇc Bulatovi´c).

 

(  Vijon në numrin e nesërm )