Prof. Bernard Zotaj: Minoriteti Grek dhe Çamëria, ura lidhëse e bashkimi

1312
Sigal

(Në kuadrin e 76-vjetorit të formimit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër)

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Brezi kufitar u bë fushë beteje me pushtuesit

Lufta e armatosur antifashiste në Shqipërinë Jugore e në kufi me Greqinë Veriperëndimore, ka bërë që pushtuesit italianë dhe gjermanë të angazhonin forca të mëdha. Kufiri greko-shqiptar kishte të përbashkët nyje dhe objekte të rëndësisë së veçantë, që pushtuesit donin t’i kishin në dorë. Rrugët që përshkonin këto dy vende, pika të rëndësishme që duheshin mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm zgjoi gjithnjë e më shumë interesin dhe vëmendjen e komandave të ushtrive pushtuese. Nga ana tjetër, dhe shtabet ushtarake NÇ e të dy vendeve të tyre luftonin t’i kishin të çliruara ato se ishin baza të sigurta për veprime të mëtejshme. Ndaj dhe ky brez kufitar në në çdo cep të tij u bë fushë beteje me pushtuesit. Më 29 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 batalioni “Thanas Ziko”, në bashkëpunim me forcat e EAM-it, zhvilluan luftime në katundet Kostajan dhe Llavdan, duke dëbuar zervistët që i mbanin nën terror. Në një relacion që Shtabi i ZIOp i dërgon Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH thuhet: Në krahinat minoritare, disa pikëpamje të gabuara po skjarohen dhe kanë për t’u skjaruar edhe më tepër me largimin e dy ushtarakëve grekë dhe me zëvendësimin e shokëve të EAM-it që punojnë në minoritet me shokë të rinj, që do t’ju paraqesin më mirë sigurisht vijën tonë politike. Krahina e Konispolit ishte një një nyje e rëndësishme dhe ajo vlerësohej prej pushtuesve si një pikë lidhëse midis dy anëve të kufirit, por dhe me bregdetin e të dy vendeve. Nga ana tjetër, Shtabi i Përgjithshëm e shikonte minoritetin grek në Shqipëri dhe zonën e Çamërisë, si ura lidhëse e bashkimi midis dy popujve për të luftuar pushtuesin e përbashkët. Nga marrëveshja e arritur midis Këshillit të Përgjithshëm ANÇSH dhe Frontit Nacionalçlirimtar Grek (EAM), përfaqësues nga të vendet u dërguan në masat popullore për të shpjeguar këtë proces. Kjo bëri që të rreshtoheshin në forcat partizane të UNÇSH e të ELAS shumë luftëtarë nga dy vendet. Ndërsa në përshkrimin e luftimeve në sektorin e Konispolit, në prill 1944 thuhet: Pasi dështuan të gjitha tentativat nazi-balliste të mëparshme për të okupuar zonat e lira të Vurgut e të Konispolit, armiku me tradhtarët që nga data 16 prill me forca të konsiderueshme prej afro 3.000 vetash sulmuan rishtas nga 8 drejtime. Kudo u pritën me luftë nga batalionet e Grupit të 4-t Partizan të Z1Op. Në këto veprime kanë marrë pjesë nga ana e Greqisë dhe disa forca të Regjimentit 15 të UNÇ Greke.

Për formimin e batalionit të parë minoritar shqiptar

Shtabi i ZIOp i kërkonte Shtabit të Përgjithshëm “për të punuar në minoritetin shqiptar të Çamërisë, veç personave që kemi propozuar në relacionin e mëparshëm, shtojmë edhe këta, Sulejman Mushi e Teme Sejko nga Brigada I Sulmuese, Vehip Huso e Mustafa Huso nga Brigada IV Sulmuese Avdul Demi nga Berati. Edhe një herë theksojmë se është e nevojshme dhe e domosdoshme që të na dërgoni sa më parë elementët e kërkuar për të filluar punën në ato krahina, të mbajtura pas nga fanatizmi i reaksionit”. Më tej në relacion theksohet “Në vijim të bisedimeve që pati Komandanti i Shtabit të ZIOp, një takim i dytë është bërë më 12 prill 1944 ndërmjet shtabeve të Regjimentit 15-të dhe të Gr4P. Shokët grekë kërkuan që të shkojnë në Greqi, Çamëri elementë çam për të formuar batalionin e parë minoritar shqiptar, bile shokët e Regjimentit thanë që ky batalion të mbajë distinktivin yll e shkabë, të jetë indipendent dhe të udhëhiqet indirekt nga Regjimenti 15-të dhe, po t’a lejojë gjendja, të bëhet qysh në fillim i përzier me elementë që ELLASI do të disponojë për atë zonë”. Po aty, “jemi të mendimit që mbajtja e Shkabës dhe indipedenca e veprimit të mos u jepen, mbasi një gjë të tillë kanë për ta kërkuar dhe minoriteti grek në Shqipëri, e sepse reaksioni ka për të spekuluar mbi këtë”.

Ndaj dhe Shtabi i Përgjithshëm i kushtoi një vëmendje të veçantë bashkëpunimit midis të dy forcave partizane. Në një urdhër, dërguar Shtabit të ZIOp, thuhet se “Çamëria e jashtme mund të bëhet një thikë në kurrizin tonë. Ajo mund të bëhet një urë bashkimi midis popujve ose një faktor që të sabotojë bashkëpunimin e të dy popujve fqinjë. Në Çamërinë e jashtme, ju, në lidhje me Regjimentin e XV grek, mund të futeni ushtarakisht për propagandë e agjitacion, të ngrini popullatën shqiptare në luftë kundër armikut të njëjtë, që është gjermani okupator dhe luftëtarët çam të organizojnë çetat e tyre, të cilat të vihen nën komandën e Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (ELLAS).

Ngatërresa në punën e minoriteteve

Në këtë periudhë u krijuan dhe shqetësime për Shtabin e Përgjithshëm dhe të shtabit të ZIOp krijimi nga zervistët në minoritetin grek në Shqipëri i një dege të quajtur “MAVI” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit). Por përfaqësuesit e EAM-it, që pranuan këtë platformë në marrëveshjen e arritur më 10 gusht 1943, të quajtur “Protokolli i Konispolit” nënshkruan se “…minoriteti të formonte një organizatë politike më vete…që do të drejtohej nga një komitet qendror…do të krijonte shtabin e minoritetit, i cili do të organizonte dhe komandonte forcat e armatosura të kësaj organizate”. Në fakt shtabi u krijua dhe venkomanda u vendos në Theollogo të Konispolit. Ky veprim ishte i njëanshëm dhe në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e firmosura, gjë që binte në kundërshtim me luftën e minoritetit grek në Shqipëri. Kështu që u morën masa të shpejta për t’u shpërndarë kjo organizatë dhe shtabi i tij i vendosur në tokën shqiptare. Populli i minoritetit me të vërtetë u lidh ngushtë me Frontin Nacionalçlirimtar, me ushtrinë partizane. Në Pogon e Dropull ishin krijuar dy çetat e para partizane. Pastaj u krijuan batalionet partizane “Thanas Ziko”, “Lefter Talo” e “Pandeli Boçari”. Nga këto forca u formuan Grupi 4-t partizan, më 11 tetor 1943, ndërsa më 30 gusht 1944 në Theollogo të Delvinës u formua Brigada XIX Sulmuese. Kështu minoriteti grek në Shqipëri u rreshtua natyrshëm në përbërje të shumë formacioneve partizane shqiptare dhe luftoi për çlirimin e atdheut të përbashkët, Shqipërisë.

Në një informacion që anëtari i Shtabit të ZIOp., Rexhep Plaku i dërgon këtij shtabi, përveç të tjerash propozohet për “lirimin e të arrestuarave që janë në burg, si reaksionarë zervistë, t’u vihet në dukje aleatëve që minoriteti çam lufton armikun shumë mirë krah për krah me vëllezërit e tyre të EAM-it dhe për kthimin e tyre në Çamëri duke i siguruar nga Zerva”.

Bashkëpunim në luftime dhe ndihmë të njeri-tjetrit

Në tërësi veprimet e përbashkëta të formacioneve të Ushtrisë NÇSH-së dhe të ELLAS-it, ishin luftimet të bëra nga forcat e Gr4P të ZIOp dhe të Regjimentit të XV të ELLAS-it. Ndër luftimet veçojmë, prillin e vitit 1944 në përballjen e operacionit gjerman në drejtim të Konispolit-Vurgut-Dropullit, si dhe luftimet e zhvilluara në operacionin e Qershorit 1944 në sektorin Kakavijë-Elea-Ura e Peratit. Por bashkëpunimi ka konsistuar dhe në drejtime të tjera si shkëmbime ndihmash materiale, dhënie ndihme mjekësore, si dhe mjekimi i partizanëve të plagosur në spitalet e ELLAS-it etj. Luftëtari Bexhet Mema në librin me kujtime “Në male të Labërisë” ka shkruar se udhëtimi ishte i vështirë dhe i gjatë. Kolonën e kafshëve e shoqëronin partizanë nga të katër anët. Anëtarë të KNÇ të EAM-it dhe popullsia fshatare greke nga kalonte kolona i priti me entuziazëm partizanët shqiptarë, i furnizoi me ushqime dhe i përcolli si miq dhe vëllezër, duke qenë gati që t’i mbronin nga çdo rrezik. Kështu shkruan një ndër drejtuesit e ZIOp për një ndër udhëtimet drejt tokës greke me qëllim mjekimi, nën mbrojtjen e forcave të EAM-it në atë kohë. Bashkëveprim efektiv u arrit veçanërisht në pjesën Jugperëndimore të Shqipërisë. Natyrisht pati edhe mangësi pasi nuk u shkëmbyen përfaqësues të shtabeve homologe dhe nuk u krijuan shtabe operative në brezin kufitar, që të arrihej një bashkëveprim i përhershëm në luftë kundër armikut të përbashkët dhe për ta dëmtuar sa më rëndë atë.

Lufta Antifashiste nga të dy anët e kufirit bëri që partizanët grek e shqiptar të vëllazëroheshin në luftë, por të ndaheshin pas çlirimit, si rezultat i kaheve të ndryshme që u pozicionuan, zhvillimi i gjenocidit çam dhe nisja e luftës civile që ju kushtoi shtrenjtë popullit grek, por dhe krahinës së Çamërisë.

Në tërësi veprimet e përbashkëta të formacioneve të Ushtrisë NÇSH dhe të ELLAS, ishin luftimet të bëra nga forcat e Gr4P të ZIOp dhe të Regjimentit të XV të ELLAS-it. Ndër luftimet veçojmë, prillin e vitit 1944 në përballjen e operacionit gjerman në drejtim të Konispolit-Vurgut-Dropullit, si dhe luftimet e zhvilluara në operacionin e Qershorit në sektorin Kakavijë-Elea-Ura e Peratit