-Në Alpet e Shqipërisë dhe në Mirditë gjendet alumin, naftë dhe gaz që qeveria nuk duhet t’i japë me koncesion
– Pse u godit sektori i naftës shqiptare? Sepse nafta e mbante në këmbë ekonominë e Shqipërisë.
-Qeveria duhet të shikojë perspektivën e jashtzakonshme për xeherorin e aluminit në Alpet Shqiptare (Malësia e Madhe).
Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici
Në këtë artikull do të shkruhet shumë shkurt se çfarë është paleontologjia dhe çfarë janë fosilet? Si janë të lidhura ato, dhe si i shërbejnë gjeologjisë? Kjo paraqitje mund t’u shërbejë jo vetëm gjeologëve, por edhe publikut të thjeshtë. Paleontologjia është studimi shkencor i jetës në të shkuarën gjeologjike, bazuar në studimin e mbetjeve fosile të organizmave të gjalla të dikurshme, të tilla si gjurmët, kockat (skeletet), dhëmbët, bimët dhe guackat etj. Pra, paleontologjia është studimi i historisë së jetës në tokë. Fosilet tregojnë jetën e dikurshme, peisazhet dhe klimat e dikurshme gjeologjike. Paleontologjia ndahet në dy degë. Ato janë: 1- Paleontologjia përshkruese; 2- Paleontologjia aplikative (e zbatueshme, e përdorshme). E para merret vetëm me përshkrimin e fosileve dhe përcaktimin e llojeve (specieve etj.). E dyta merret me zbatimin në praktikë të fosileve në gjeologji. Unë jam marrë pikërisht me këtë të dytën.
Në zbatimin praktik fosilet i tregojnë gjeologut shumë gjëra. 1- Ato i tregojnë moshën gjeologjike të shkëmbinjve, Në kërkimet e naftës, me anë të fosileve bëhet korelimi (bashkëlidhja) e puseve të kërkimit. Me anë të fosileve autori, për herë të parë, bëri parashikimin e takimit të gëlqerorve në puset e kërkimit qysh gjatë shpimit; 2- Fosilet i tregojnë gjeologut se ku ka qenë formuar shkëmbi, në ujë të kripur (në det) apo në ujë të ëmbël (në liqen, kënetë); 3- Ato i tregojnë gjeologut se si ka qenë thellësia e ujit ku u formua shkëmbi (e cekët apo e thellë); 4- Ato i tregojnë gjeologut se si ka qenë klima, kur u formua shkëmbi (ka qenë e ftohtë apo e ngrohtë. Ka qenë klimë e thatë apo me lagështi? etj.).
Cilat janë disa vlera të tjera praktike të fosileve në gjeologji?
Shkurt: Sikurse u përmend edhe më sipër, fosilet tregojnë moshën gjeologjike të shkëmbit. Harta gjeologjike pasqyron me ngjyra të ndryshme shkëmbinjtë e moshave të ndryshme gjeologjike. Shkëmbinjtë e të njëjtës moshë gjeologjike kanë të njëjtën ngjyrë. Sa më të sakta të jenë përcaktuar moshat gjeologjike, aq më e saktë është harta gjeologjike. Moshat e pasakta gjeologjike tregojnë ndërtim gjeologjik të deformuar të një rajoni (mbyllje të padrejtë të perspektivës për naftë dhe minerale, ose hapje falso të perspektivës).
Shkëmbinjtë, që përmbajnë fosile të ujrave të cekta apo të thella detare, janë shfrytëzuar nga autori i këtij shkrimi për përpilimin e skemave të kurrizoreve dhe hullive nëndetare në Albanide, gjatë Mesozoikut. Këto kurrizore dhe hulli nëndetare të dikurshme, sot shërbejnë për ndarjen e zonave dhe nënzonave tektonike të Shqipërisë. Çdo zone tektonike ka perspektiva të caktuara për naftë dhe minerale. Në bazë të këtyre skemave, autori i këtij shkrimi ka bërë ndryshime shumë të rëndësishme në ndarjen e zonave dhe nënzonave tektonike të Shqipërisë.
1- Autori i këtij shkrimi, për herë të parë e ka veçuar zonën tektonike të Krastës nga zona tektonike e Cukalit. Ky veçim e hedh poshtë ndërtimin tektonik shumë mbulesorë të Shqipërisë Lindore. Dhe ky është një revolucion i vërtetë në tektonikë.
2- Autori e ka ndarë zonën tektonike të Krastës në dy nënzona tektonike. Ato janë: Nënzona e Muriqanit në veriperëndim të Shqipërisë, dhe nënzona tektonike e Vermoshit në veri.
3- Ai ka bashkuar nënzonën tektonike të Valbonës me zonën tektonike të Cukalit.
4- Ai ka veçuar për herë të parë zonën tektonike të Shkopetit, dhe e ka vazhduar atë në sektorin e Gashit, në veri të Shqipërisë. Pra, është hedhur poshtë zona tektonike e Gashit.
Fosilet e ujrave të ëmbla (liqenore, kënetore) i kam shfrytëzuar në gjeologjinë e zonës së Alpeve Shqiptare. Ato janë mbetjet e fosilizuara të algeve jeshile harofita (Charophyta), që tregojnë diskordancë stratigrafike ndërmjet depozitimeve detare të poshtështruara dhe depozitimeve liqenore të mbishtruara. Me këto diskordanca në Malin e Zi lidhen boksitet e bardha (xeheror i aluminit, Al2O3). Kështu është hapur perspektivë e jashtzakonshme për xeherorin e aluminit në Alpet Shqiptare (Malësia e Madhe).
Tek fosilet mbështetet edhe stratigrafia, me të cilën autori është marrë gjithë jetën.
Ai gjatë verës ka punuar në terrenin e gjithë Shqipërisë, kurse në dimër ka punuar në laborator, për kryerjen e analizave mikrofaunistke (mikrofosileve) të kampioneve të mbledhur gjatë verës. Çfarë është stratigrafia? Ajo është degë e gjeologjisë, dhe ka të bëjë me rendin dhe pozicionin relativ të shtresave, dhe marrëdhëniet e tyre me Shkallën Kohore Gjeologjike. Pa njohjen e mirë të stratigrafisë së një rajoni nuk mund të bëhen interpretime të drejta gjeologjike.
Cila është vlera praktike e njohjes së stratigrafisë për rrethinat dhe vet zonën tektonike të Mirditës?
Të gjithë gjeologët, shqiptarë dhe të huaj, shkëmbinjtë magmatikë ofiolitikë të kësaj zone i konsiderojnë padrejtësisht të formuar në oqean. Kështu, zonës tektonike të Mirditës i hiqet padrejtësisht perspektiva e jashtzakonshme për naftë dhe gaz. Sipërfaqja e kësaj zone përfshin më shumë se çerekun e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë (rreth 7500 km2). Mendoj se të gjithë gjeologët e lartpërmendur gabojnë, sepse nuk e njohin mire stratigrafinë e kësaj zone. Autori i këtij shkrimi ka punuar shumë vite për stratigrafinë e kësaj zone. Ai ka vërtetuar me fakte bindëse, se shkëmbinjtë magmatikë ofiolitikë të zonës tektonike të Mirditës nuk janë formuar në oqean, por në një hulli kontinentale (hullia e Mirditës). Ky interpretim gjeologjik, i bazuar në fakte të shumta, hap perspektiva të jashtzakonshme për naftë dhe gaz në zonën tektonike të Mirditës (në gjithë Shqipërinë Lindore, që vazhdon edhe në Kosovë). Edhe ky është një revolucion i vërtetë. Për këtë, lutem lexoni librin me titull: “Nafta dhe Gazi në Shqipërinë Lindore, Botimi i Tretë, 2022. Ky libër ndodhet tek Skedaret e saitit Ari i Zi/facebook. Aty ndodhen edhe disa libra të tjerë të autorit. Ato libra tregojnë se Shqipëria duhet të mbështetet tek nafta, gazi dhe mineralet, për zhvillimin e shpejt të ekonomisë, për rritjen e mirëqënies së popullit. Më në fund, këtë shkrim e bëra për të treguar me fakte disa nga arritjet e mija për Gjeologjinë e Shqipërisë. Mua, dhe shumë shokë të tjerë gjeologë të ndershëm dhe të aftë, na dënuan më 1975. Akuza ishte gjoja për sabotim dhe dyshime për sabotim në sektorin e naftës. Goditja u përqendrua kryesisht në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe të Gazit në Fier. Disa nga shokët më të mirë dhe të aftë u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me shumë vite burg. Autorin e këtij shkrimi, në atë kohë Bashkëpunëtor Shkencor, e larguan padrejtësisht nga Instituti, dhe e çuan punëtor në prodhim (5 vjet). Pse u godit sektori i naftës shqiptare? Sepse nafta e mbante në këmbë ekonominë e Shqipërisë. Qëllimi ishte ky: Godit naftën, që të rrëzohet ekonomia e Shqipërisë. Goditja nuk u bë e plotë, prandaj edhe ekonomia e Shqipërisë nuk ra plotësisht. Shkatërrimi i plotë i naftës shqiptare u bë pas vitit 1990. Si u luftuan specialistët e ndershëm dhe të aftë në Institutin e Kërkimeve të Naftës? Partia nga lartë, në heshtje të plotë, nxiti dhe përkrahu të paaftët kundër të aftëve. Në këtë rast, u bashkuan të paaftët, dembelët, partiakët, spiunët, intrigantët, egoistat profesionalë dhe ambiciozë, servilat, imoralët, të gjithë kundër të aftëve! Mos ardhshin më ato kohë! Sot nuk është koha për studime gjeologjike, por besoj se shumë shpejt kjo kohë do të vijë.