Pandeli Koçi: Për invalidin dhe shokun e Mujo Ulqinakut

750
Sigal

7 Prilli, historia dhe drama e luftëtarit Stefan Maliko.  Invalidi i parë i qëndresës së parë antifashiste të vitit 1939

 

Figura e harruar e një luftëtari të rrallë Stefan Maliko, bashkëluftëtar i Mujo Ulqinakut

 

( Intervistë me shkrimtarin Pandeli Koçi)

 

 

Dje u mbushën 80 vjet nga dita e zezë kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë në mënyrën më të paturpshme e barbare, për të realizuar ëndrrën sa utopike, aq dhe absurde të ringjalljes së Perandorisë Romake në shekullin XX. Shqipëria e vogël, e varfër, e copëtuar, e porsa dalë nga pushtimi shumëshekullor osman, nga dy luftëra ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore u gjet e papërgatitur përballë sulmit të pabesë të “aleatit” të madh që synonte ta “shpëtonte” nga pavarësia e saj. Por sidoqoftë, shqiptarët luftuan.

 

Gjaku i Stefan Maliko Gogës mbetet në fondin e artë të luftëtarëve shqiptarë që derdhën gjakun në emër të lirisë në Durrës, Vlorë, Shëngjin, Sarandë. Ju e keni njohur nga afër. Cili ishte ai?

 

Po! Unë kam pasur lidhje familjare me Stefanin. Ai ishte martuar me Vanon, një nga vajzat e xhaxhait tim, Koço Koçit, dhe unë e kam njohur që i vogël. I ati i Stefanit kishte ardhur në Durrës nga fshati Prongji i Gjirokastrës, për të punuar si murator. Stefani mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dhe hyri në marinë, së pari si marinar i thjeshtë, pastaj u bë nënoficer. Në udhëtimet e shërbimit Durrës – Vlorë – Sarandë – Korfuz – Shëngjin – Ulqin kishte zënë shokë e miq. Në Vlorë bujte te hoteli i babait tim, Mihalit, me të cilin zuri miqësi dhe shkëmbenin haptas opinionet e tyre politike. Që i vogël unë shkoja me gëzim nga Vlora në Durrës, ku Stefani dhe fëmijët tij më prisnin me shumë dashuri, si djalë i familjes. Kam qenë në gjimnaz, kur i kam çuar romanin “Lufta e paqja” të L. Tolstoit në italisht. Më vonë ai më tha: “Ky roman nuk është vetëm vepër artistike, po dhe filozofike e psikologjike”. Detarët lexojnë dhe Stefani kishte përvojë jete dhe horizont kulturor. Ishte i sjellshëm. Nuk e ngrinte kurrë zërin. Përpara qëndrimeve arrogante të ndonjërit, me zë të ulët thoshte: -Mirë, mirë, qetësohu , me një nënqeshje të lehtë ironie. Të tillë , të përkushtuar në punë e studime, të dashur e të edukuar i ka dhe fëmijët. Kur e takoje e flisje me Stefanin, nuk të shkonte në mendje se kishe përpara një nga “kokëkrisurit” që edhe pse e njihnin mirë forcën e kuçedrës fashiste, u “ngujuan” atje në breg të detit për t’i treguar vetes e botës se liria është vetë njeriu. Ai nuk fliste për veten. Me këmbënguljen time më tregonte vetëm pak gjëra nga akti i tij.

Çfarë të ka treguar ai për 7 prillin e 1939-ës?

 

7 prilli mbeti lavdia dhe drama e Stefanit. Kur u mor vesh se flota dhe ushtria italiane u nisën për të pushtuar Shqipërinë, Stefani, bashkë me Mujo Ulqinakun, që e kishte epror dhe shok të hershëm, edhe pse nuk morën ndonjë urdhër nga lart, hapën depot e armëve dhe ua shpërndan qytetarëve të Durrësit që ishin turrur të dëshpëruar e të revoltuar si asnjëherë nga lajmi kobzi i sulmit që pritej. (Shumë vite më vonë këta qytetarë shkonin te Stefani për të marrë vërtetim, se ai u kishte shpërndarë armë e municion më 6 e 7 prill, për të marrë 1000 lekëshin e Luftës. Paradoksi, vetë Stefanit, ky pension plus nuk iu dha kurrë). Atë mëngjes të 7 prillit sulmi fashist nga deti dhe qielli mbi portet e Shqipërisë ishte i pabarabartë; shqiptarët qëndruan burrërisht deri sa u vranë e u plagosën dhe iu mbaruan municionet. Stefani hapte zjarr me mitralozin e tij “Breda”, ndërsa Mujo Ulqinaku, rreth njëqind metra më në jug pranë Tores, gjuante me mitralozin e tij dhe jepte urdhra. Në librin “Mujo Ulqinaku” (1975, faqe 183) të M. Zeqos, shkruhet: “Hamit Dollani u vra dhe mitralozi i tij heshti. Pas pak u plagos rëndë Stefani dhe humbi ndjenjat. Kështu që heshti dhe mitralozi i tij”. Për saktësi, siç më ka treguar vetë Stefani, ky u plagos përpara se të vritej Mujoja.

Italianët e çuan Stefanin për mjekim në Brindizi. Në anije kishte dhe shumë ushtarë të plagosur italianë. Në spital mjekët i thanë Stefanit se krahun e majtë duhet t’ia prisnin, përndryshe do t’i bëhej gangrenë, por ai nuk pranoi.. E pati në krah atë plumb gjithë jetën deri në varr.

 

Ç’qëndrim mbajti Goga gjatë Luftës?

 

“Ai mbeti invalidi i parë i Luftës për liri”. Stefani ishte nga të parët që u aktivizua në veprimtaritë ilegale dhe në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Ai ishte i pari që e ngriti lart, figurën heroike të Mujo Ulqinakut. Ishte e paçmueshme ndihmesa e tij në organizimin e flotës sonë detare në ato vite. Ai u emërua komandant i distriktit detar të Durrësit dhe komandanti i parë i Kapitanerisë së Përgjithshme.

Ç’mund të na thoni për incidentin që i ka ndodhur Stefanit në Detin Adriatik?

 

Duke lundruar me shërbim nga Vlora për në Durrës u këput kavoja e dragaminës dhe Stefani me 11 marinarë të rinj mbetën në det të hapur në mëshirë të dallgëve. Pas ca ditësh rrymat i nxorën në afërsi të Barit në Itali. Në Shqipëri i quajtën të humbur, sepse s’kishte asnjë informacion për fatin e tyre. Vetëm me ndërhyrjen e Ambasadës sonë në Bullgari u mor vesh se ishin gjallë në Itali. Stefani, bashkë me marinarët, me gjithë propagandën dhe presionin e autoriteteve italiane që ata të qëndronin atje si të arratisur politikë (duhet të kemi parasysh se kishte nisur Lufta e Ftohtë), nuk pranuan dhe vetëm pas disa muajsh u lejuan të ktheheshin në Atdhe, ku u pritën me nderime dhe u dekoruan.

 

Më pas u hesht, nuk u përmend ky luftëtar e kuadër i vlefshëm, por u persekutua deri me rrëzimin e diktaturës?

 

Ai u godit rëndë, u hoq nga të gjitha funksionet dhe u çua të punonte punëtor krahu në bonifikimin e fushave të Kavajës për vite të tëra. Ai nuk u thirr asnjëherë në ceremonitë që zhvilloheshin në Durrës në përkujtim të rezistencës së popullit tonë, më 7 prill 1939. Kur ishte me një këmbë në varr, organet e diktaturës mbajtën në Degën e Brendshme 5 ditë dhe i bënë shantazhe dhe presione që të pranonte se ishte bërë agjent i italianëve. Një akt i tillë e vrau shumë shpirtërisht këtë atdhetar të vërtetë. Dhe i gjithë ky persekutim konsekuent – vetëm pse gjoja nuk i kishte rrëfyer Partisë se italianët i kishin akorduar një dekoratë (për efekte propagandistike) me rastin e “unifikimit” të ushtrisë shqiptare me atë italiane, dekoratë që, siç më ka treguar vetë Stefani, nuk e mori kurrë.

 

Si është vlerësuar sot?

 

Vetëm në nëntor të vitit 1997 Presidenti i Republikës i dha “Urdhrin e Artë të Shqiponjës”. Nëse sot historianët duan të kenë një relikte, një fakt material të padiskutueshëm të sulmit të 7 Prillit dhe të qëndresës shqiptare, le të hapin varrin Stefan Maliko Gogës. Mes eshtrave të këtij luftëtari do të gjejnë edhe plumbin e armikut pushtues, që ai e mbajti në trup tërë jetën e tij të dallgëzuar.

70 vjet më pas, bash më 7 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel po valëvitet flamuri shqiptar krahas flamurëve të anëtarëve të NATO-s dhe atij italianë.

Intervistoi: Albert Zholi