Shqiptarët shpërngulen, Shqipëria shpopullohet, “importojnë” punëtorë nga Bangladeshi

319
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, janë shpërngulur nga Shqipëria mbi 500 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 70 % e të rinjve në Shqipëri, shprehin dëshirën, që të emigrojnë nga vendi. Shqipëria po mplaket, fshatra dhe qytete të tëra po shpopullarizohen, sepse në Shqipëri nuk ka të ardhme, as për të mbijetuar, ka pllakosur mjerimi, papunësia. Mirëpo, para zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri Rama, duke vizituar në biznes privat në Shkodër, e inkurajoi pronarin që të “importojë” punëtorë nga Bangladeshi. Madje, kryeministri Rama e “këshilloi” pronarin që punëtorët nga Bangladeshi, t’i mbajë në punë deri sa të mësojnë gjuhën, pastaj, t’i ndjekë e të “importojë” të tjerë.

“Bizneset në Shqipëri, që ankohen se nuk gjejnë dot fuqi punëtore, kanë filluar të “importojnë” punëtorë nga Bangladeshi, duke u siguruar edhe strehim edhe ushqim”

Bizneset në Shqipëri punësojnë të huaj

Bizneset në Shqipëri, që ankohen se nuk gjejnë dot fuqi punëtore, kanë filluar të “importojnë” punëtorë nga Bangladeshi, duke u siguruar edhe strehim, edhe ushqim. Nazmul Haque, 40 vjeç, prej një muaji ka ardhur në Shqipëri nga Bangladeshi, për t’u punësuar në një fabrikë të trajtimit të mbetjeve shtazore, në qytetin e Lezhës. “Unë jam i martuar dhe kam dy fëmijë, por duke qenë se në vendin tonë nuk na jepet mundësi punësimi, u detyrova të vi këtu,” thotë Haque, i cili thotë se është i kënaqur me kushtet e punës, ndërsa pronari i ka siguruar gjithashtu ushqimin dhe fjetjen. “Problem mbetet gjuha, por po mundohemi ta mësojmë,” shtoi 40-vjeçari. Haque nuk është i vetëm. Në fabrikën e përpunimit të mbetjeve me origjinë shtazore “INCA” në qytetin e Lezhës, janë punësuar rishtazi 10 punëtorë nga Bangladeshi. Drejtuesit e kësaj sipërmarrje, theksojnë se, mungesa e krahut të punës në vendin tonë, i ka detyruar që t’i kthejnë sytë nga vendet e tjera të botës dhe janë në pritje të lidhjes së kontratave të tjera me punëtorë të huaj. “Me zgjerimin e kompanisë tone, lindi nevoja për fuqi punëtore,” tha Iris Gruda, drejtoreshë e prodhimit të kompanisë. “Duke qenë se nuk kemi mundur të sigurojmë fuqi punëtore këtu në Shqipëri, po detyrohemi të marrim punonjës të huaj,” shtoi ajo. Ndërmarrjet prodhuese nuk janë të vetmet që përballen me mungesë të burimeve njerëzore në bashkinë e Lezhës. Probleme raportohen edhe nga sipërmarrjet e shërbimeve në fushën e turizmit, të cilat kanë vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar gjatë sezonit të verës. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës çdo vit, 400 mijë punëtorë, migrojnë nga Bangladeshi për t’u punësuar jashtë vendit, në punë të pakualifikuara dhe me rroga të ulëta. “Do qëndroj këtu për një kohë të gjatë, se nuk kam zgjidhje tjetër, pasi në vendin tonë nuk ka punë,” tha  Abudalep, një tjetër punëtor nga Bangladeshi i punësuar në fabrikën “INCA” në Lezhë. “Nevoja për bukën e gojës na ka detyruar që të vimë në Shqipëri, sepse nuk kemi asnjë të ardhur e më duhet të mbaj familjen,” shtoi 28 -vjeçari. Kryeministri Edi Rama shkaktoi debat gjatë fushatës zgjedhore, kur i sugjeroi një sipërmarrësi fason në qytetin e Shkodrës, që të rekrutonte punëtorë nga Bangladeshi. “Shtatë ditë është procedura me marrë punëtorë të huaj dhe po të them që me pagën që ke ti këtu, e ke të garantume – se unë e shof të marrin edhe të tjerët, nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India,” tha Rama. “Kur të fillojnë të mësojnë shqip, fillo ndërroi, se i hyn krymi, mësojnë thashethemet, i hyn krymi, jo politika, jo demokracia, jo liria, jo Evropa, jo bota,” shtoi ai. Me një shkallë zyrtare papunësie prej 11.7 %, Shqipëria mbetet një vend ku shumë të rinj emigrojnë në Perëndim për të gjetur punë. Ndërkohë që opozita dhe mazhoranca, debatojnë për investitorët dhe punëtorët e huaj, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme vendase, në mënyrë të veçantë ato në sektorin e turizmit, ankohen se rekrutimi i stafit gjatë sezonit të verës, është kthyer në një sfidë për bizneset. “Këtë vit e kam hapur prej datës 15 maj, por kam hasur problem në sigurimin e stafit,” thotë Nureman Hasani, i cili prej 7 vitesh administron një piceri-fast food në plazhin e Shëngjinit.

“Gjatë 8 viteve të qeverisjes së ‘Rilindjes’ Socialiste, janë shpërngulur nga Shqipëria mbi 500 mijë shqiptarë, ndërsa mbi 70 % e të rinjve shprehin dëshirën, që të emigrojnë nga vendi. Shqipëria po shpopullarizohet”

“Shumë prej atyre që kanë punuar tek unë vitet e shkuara, janë larguar jashtë vendit, e të tjerë, që kam kontaktuar, nuk kanë interes fare për të punuar,” shtoi ai. Në mungesë të krahut të punës, 60-vjeçari thotë se është detyruar që të punësojë familjen e tij, pasi nuk po gjen zgjidhje tjetër. “Mua më nevojiten të paktën 10 punëtorë, por vetëm 4 kam arritur të siguroj,” tha Hasani. “Kam djalin me nuse e gruan, të cilët janë vendosur tek biznesi prej disa ditësh, sepse nuk po kemi zgjidhje tjetër,” shtoi ai. Sigurimi i stafit është kthyer në sfidë për bizneset në zonën turistike të Shëngjinit. Në hyrje të bizneseve apo dhe në vende të tjera, vëren lehtësisht, njoftime për vende të lira pune. Besnik Sula, administrator i një hoteli, thotë se prej dy muajsh po rendet në kërkim të stafit, por ende nuk ka arritur ta sigurojë. “Kam vendos njoftime e po kërkoj në shkolla profesionale – deri në Tiranë, por shoh që nuk ka fare interes,” tha Sula, i cili theksoi se ka nevojë për 5 punëtorë shtesë. “Deri tani jam munduar t’ia dal duke punuar bashkë me familjen, por kjo nuk është zgjidhje, sepse numri i pushuesve sa vjen dhe rritet dhe nevojat për krah pune në hotelin tim, janë të mëdha. Unë e kam hotelin prej 15 vitesh këtu në Shëngjin, por problemet me sigurimin e stafit, janë shfaqur vetëm vitet e fundit,” – tha ai. Ded Pronoka, administrator i një hoteli dhe restoranti, shprehet se pagat dhe kushtet e punës për punëtorët vendas janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, por ndërkohë, shumë të rinj janë larguar nga vendi.