Fatos Lubonja: Njerëzit me kurajo, mund të ndryshojnë fatin e vendit

273
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një lajm i mirë është ky. Është një lajm që ngroh pak zemrat e ftohura të njerëzve, që s’kanë besim fare në atë vend. Duhet parë me rezerva, në kuptimin se është një betejë e fituar. Një koment i parë është se, pak njerëz me kurajë mund të ndryshojnë fatet e shumë njerëzve në atë vend. Një koment i dytë është se, Gjykata Kushtetuese dihet se nuk është e kontrolluar nga pushteti, nga partia shtet, por rezultati që ka dalë 5 me 2, flet edhe për një integritet të atyre gjyqtarëve që i kemi menduar se mund të jenë instrumente të partisë shtet. Pra, jep kurajo, besim te njerëzit, por gjithmonë mbetet frika se kjo është një qelizë e vogël rezistence, ndërkohë që përmbytja që po bën partia shtet në të gjitha institucionet për t’i kapur e kontrolluar vazhdon.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i lidhur me veprime antiligjore, që meritojnë ndëshkim nga ana e drejtësisë. Nuk jemi të sigurt sa këto hallka mund të funksionojnë, të vënë para përgjegjësisë ata që kanë tjetërsuar këtë pronë, të hetojnë pse është bërë ky tjetërsim, e me radhë, pasi ka shumë bishta prapa. Ne e dimë shumë mirë si u prish teatri. Mënyra si u prish teatri ishte një arrogancë, u bë në një kohë pandemie, kur nuk kishte Gjykatë Kushtetuese, pra u bë në një mënyrë që e shpërfill drejtësinë, sepse thotë që ‘drejtësia jam unë’. Por, nga ana tjetër, këtu hapet një problem për ta. A do të pranojnë strukturat e drejtësisë apo do të fillojnë të përdorin mjetet, që kanë përdorur, për t’i bërë presion, për ta injoruar e neglizhuar drejtësinë. Këtu mbetem skeptik. Por ky lajm tregon se mbetet shpresa, se drejtësia vazhdon të jetojë në ajër.