Hyqmet Zane: Padrejtësia në drejtësi, frut i reformës së padrejtë

539
Sigal

Ligjshmëria e së keqes, si vetvrasje kombëtare

Bisedat me qytetarë dhe intelektualë, por edhe me njerëzit e fushës së drejtësisë si në sinkron të shprehin shqetësimin se padrejtësia është bërë institucion mbi institucionet e drejtësisë në këtë vënd. Ky shqetësim jetik për fatet e një vendi dhe një populli po sfidon qeverisjen dhe vetë shtetin, por edhe po i vë në dyshim përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të pranishëm në Shqipëri. “Padrejtësia është ulur këmbëkryq në mes të prokurorëve dhe gjyqtarëve, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre duan të ruajnë integritetin e tyre profesional dhe moral”, – u shpreh një gjyqtar i respektuar në rradhët e gjyqësorit në Tiranë. U vura në mendim dhe thashë me vete “po çfarë bëhet kështu, si mundet të gjejë drejtësi një njeri i ndershëm që i ka rënë një hall? Ku do e gjejë të drejtën”, duke e sinkronizuar me një situatë që ka një njeriu im që, edhe pse në raporte të drejta ndërgjegjen dhe “llogaritë” me Zotin, ndjehet i trysnuar nga “ligjshmëria” e padrejtësisë që është bërë nga të tjerë në institucionin ku punonte dhe që ka ikur nga ajo punë pikërisht se nuk donte ta përfshinte veten në paligjshmëri? Me bindje them se sjelljet shantazhuese të një kryeministri që bën “gjyqe” politike për opozitën me fjalorin e një ordineri dhe që përsërit të njëjtat fjalë kudo ku shkon, është kthyer në një lloj “lufte klasash” ndaj pjesës së papajtueshme me të. E tregoi këtë sjellje të tij së fundi në Tropojë duke i dhënë “kartonin e kuq” një qytetari që i tha ballazi që të iki se e lodhi popullin me qeverisjen e tij. Po këtë sjellje paligjshmërie morale ky kryeministër e ka manifestuar me femrat e opozitës si me zonjën Grida Duma apo me drejtuesin e opozitës Sali Berisha duke i përmendur në opinion fjalën “foltore dhe non-grata” sikur të ishte një “armik i popullit” siç bënte diktatori apo “dosjet e spiunëve” duke lënë nënkuptimin për ish presidentin Ilir Meta, edhe pse pastërtia e tij është e dukshme, që tashmë është kryetari aktual i Partisë së Lirisë. Po të bësh një paralelizëm me sjelljet e diktatorit me këtë pasuesin e tij sot, konstatoj se kur Enver Hoxhës i thoshin që ekonomia merrte tatëpjetën, ai krijonte dhe shpallte armiq dhe pushkatonte dhe fuste në burgje intelektualë të niveleve të larta vetëm e vetëm për të mashtruar popullin, me justifikimin se ata ishin shkaktarët e së keqes dhe pas kësaj do ecim përpara dhe e mbyllte me fjalët “të rrojë partia, të rrojë populli, përpara nga fitorja në fitore”.

 

Këtë bënte nga 5–vjeçari në 5–vjeçar.  Përputhmërisht Edi Rama para një realiteti të shkatërruar në çdo gjë nga qeverisja e tij, me një hajdutëri galopante të deklaruar edhe nga institucionet ndërkombëtare sa edhe diktaroi nuk e bënte kaq hapur, gjen armiq te opozita reale dhe i shpall “luftë” edhe ndërkombëtarëve duke u sjellë si një shërbëtor puthador i shefit të tij Soros. Sipas mediave amerikane që i referohen Guvernatorit të Floridas, DeSantis, që në një prononcim të tij shprehet se i shpall luftë Sorosit me devizën se : Po shkatërron Amerikën, në lidhje me veprimet e tij në Shqipëri ai pohon se “Ndikimin e tij multi-miliarderi e ka shtrirë edhe në Shqipëri, ku akuzohet nga opozita se është një nga projektuesit e Reformës në Drejtësi”. Janë pohime që vijnë nga shteti që drejtësinë e ka të shenjtë nëse mund të thuhet kështu, ku edhe aty sipas Guvernatorit të Floridas, DeSantis që shton se “Një analizë e fundit nga Fondi i Mbrojtjes Ligjore të Zbatimit të Ligjit zbuloi se në total, më shumë se 75 prokurorë të mbështetur nga Soros aktualisht mbajnë poste në Shtetet e Bashkuara dhe kur dora e këtij sharlatani shtrihet në Amerikë, nuk e ka për gjë të gjejë sharlatanë të vegjël në Shqipëri, që të privatizojnë drejtësinë, sepse atij i duhet akuza, edhe pse mund të jetë e padrejtë. Por kur ta marrin vesh mileti padrejtësinë, kanë ikur vite dhe drejtësia futet në kalendat greke.

Kështu po bën Edi Rama, kështu bënte Enver Hoxha, sepse padrejtësinë e kanë ngritur në institucion dhe e cilësojnë reformë mbi reformat dhe reforma e vërtetë  në drejtësi struket në skutat e heshtjes se shantazhimi dhe hakmarrja bien mbi këdo. Kur këtë e bëri me lidershipin e opozitës dhe me këdo që është kundërshtar i qeverisjes së rilindjes së zezë, mendo se çfarë i bën ky qytetarëve të thjeshtë, që frikësohen para drejtësisë së munguar. Mungesa e shpresës dhe më shumë se kaq, zhgënjimi që kryeministrit ia thanë ballazi ndërkombëtarët në samitin e Berlinit, edhe pse atij nuk i vinte mirë dhe reagoi harbutërisht ndaj anglezëve që i kanë deklaruar të vërtetat e sjelljeve të pushtetit të tij me popullin dhe veçanërisht të rinjtë, kjo është sjellja si e Enver Hoxhës që shante shtetet europiane dhe Amerikën për të keqen që ai mbillte në vendin e tij. Ata të rinj e ato familje shqiptare që ikin nga Shqipëria se janë shpresëvrarë, më sjellin në mendje një deklarim të aktorit të shquar francEz Alen Delon që në fund të jetës së tij ka thënë “Do të largohem nga kjo botë pa ndjerë aspak keqardhje. Jeta nuk ka më asgjë për të më ofruar, kam parë gjithçka, kam përjetuar gjithçka. Por mbi të gjitha e urrej epokën aktuale, më dhemb! Gjithçka është false, gjithçka është e mbivendosur, nuk ka më respekt për fjalën e dhënë, tani gjithçka që ka rëndësi është paraja dhe pasuria! E di që do të largohem nga kjo botë pa u penduar”! Kur aktori Alen Delon me famë dhe një barrë të madhe vlerash në artin botëror ndjen zhgënjim në shtetin e tij që mendohet se ka drejtësi, po një shqiptar në shtetin e padrejtësive më të mëdha që ka njohur historia e këtij shteti, ku do e gjejë drejtësinë? Ku do e gjejë mundësinë që ta shprehë zhgënjimin, sepse po të dalë në media, kryeministri i shantazhon, i paragjykon, i ironizon, i hipokrizon dhe i dhunon psikologjikisht. Nëse para një grupi banorësh të një qyteti apo të një lagjeje, Edi Rama i shantazhon me patronazhistët e tij dhe ai bën monolog si shprehje e armiqësisë ndaj opozitës reale dhe lidershipit të tij, ku do ta gjej të drejtën dëgjuesi i pranishëm aty? Kryeministri nuk të lë të flasësh dhe dëgjon veç fjalë të ndyra dhe shikon sjelljen poshtëruese të kryeministrit. E kundërta ndodh me liderët Sali Berisha dhe Ilir Meta që flasin dhe dëgjojnë qytetarët, bashkëbisedojnë me ta si shprehje e demokracisë për hallet e mëdha dhe problemet e padrejtësisë. Kur një prokuror i drejtësisë thotë në konfidencë se reformën në drejtësi e ka kapur mat padrejtësia, hajt pastaj të mendosh se i gjykuari në një gjyq do gjejë drejtësi. A i shkon ndonjëherë në mendje kryeministrit për këtë realitet që ta bisedojë më qytetarët? Kurrë, sepse është ai frymëzuesi i padrejtësisë në çdo sektor jetik të vendit. Kur qytetari shikon se si bizneset ulin qepenat dhe i mbyllin dyert dhe ikin nga vendi, kush e ndalon atë të gjejë pak mundësi shprese për jetën e tij dhe familjen e tij. Vajza ime që mbaroi për drejtësi me mesatare 9.5 dhe me diplomim 10, pati frikë të fillonte punë në këtë sistem, sepse e mendonte që do kishte presionin e banditëve dhe askush nuk do ta mbronte, ndaj dhe iku atje ku gjeti veteveten në shtetin fqinj dhe jeton me shpresën për fëmijët dhe familjen. Kush do ma rikthejë vajzën në shërbim të vendit të vet ? Ku është drejtësia që na thanë se do bëhet reformë ? Ku janë ata që na thanë se do kapen peshqit e mëdhenj dhe peshku i madh i padrejtësisë i rri popullit si çekiçi i gjyqtarit mbi kokën e tij që e shikon, e ndjen, dhe e përjeton padrejtësinë dhe nuk beson, ndaj ikën për të gjetur drejtësi në vendin tjetër. Nuk dua të besoj tek një e vërtetë e Leon Trocki, kur thotë se “Popujt që kanë lejuar tiraninë me shekuj meritojnë një lloj përçmimi”, sepse ky populli ynë nuk e dëshiron përçmimin ndaj dhe nuk do të durojë as tiraninë dhe as nënshtrimin para padrejtësisë që bën një diktator si Edi Rama.