Vendimi, investitorët strategjik marrin edhe 5561 ha të rezervat natyrore në Pishë Poro-Nartë, për t’a betonizuar

370
Sigal

 

Babëzia e kryeministrit Edi Rama, ministrave, oligarkëve të kullave ka “shqyer” edhe parkun rezervat natyror të Pishë Poro- Nartë, klasifikuar “Zonë e mbrojtur” qysh prej vitit 1960.

Me Vendim Qeverie Nr. 694, datë 26 tetor 2022, të firmosur nga Edi Rama, këtij parku me sipërfaqe 21 mijë e 238 hektarë, iu hoqën 5551 hektarë rezervat të zonës bregdetare qendrore, të cilët kanë kaluar në zonë e lirë për ndërtime.

Sipas vendimit, krejt parkut “Pishë Poro–Nartë” që shtrihet në zonën bregdetare Vlorë- Fier deri përtej grykëderdhjes së Lumit Vjosë në det, duke filluar nga data 4 nëntor 2022, i është hequr statusi i ekosistemit natyror- ligatinor “Rezervat Natyror i Menaxhuar”.

Me këtë vendim, përveçse ka bërë “kurban” 5551 hektarë park për resorte, vila, pallate e çdo lloj ndërtimi, kryeministri Edi Rama ka hapur rrugën, që me ndërtime të mbushet dhe sipërfaqja e mbetur 16 mijë e 124 hekarë në Pishë Poro-Nartë.

Kjo zonë që do shkatërrohet nga betoni, përveçse është habitat i mbi 200 gjallesave e shpendëve migrues, përbëhet nga sipërfaqe pyjore, bujqësore, heterogjene bujqësore, shkurre, kullota, këneta, sipërfaqe ujore detare etj.

Por gjithçka do zhduket, pas këtij vendimi kriminal të kastës së babëzitur mafioze qeveritarë-oligarkë-trafikantë, të cilët kanë vendosur ta pushtojnë e kthejnë në zonë përfitimi, siç kanë bërë me shumë parqe natyrore të betonizuara me HEC, resorte, vila e hotele.

Kësaj masakre mjedisore e natyrore, kryeministri Rama i ka hapur rrugë, duke shfuqizuar Vendimin nr. 1, datë 25 korrik 1977 të ish-qeverisë komuniste, që me rregullore të posaçme e kishte shpallur sipërfaqen 21 mijë e 238 hektarë të parkut Pishë Poro-Nartë, me statusin “Zonë e Mbrojtur Rezervat Natyror i Menaxhuar i Rëndësisë së Veçantë”.

Ndërsa tani, ky rezervat natyror ka më shumë rëndësi të mbushet me ndërtime që prodhojnë miliarda lekë fitime për kastën mafioze që ka në dorë shtetin dhe ekonominë kombëtare, se sa të jetë pasurore natyrore siç e ka krijuar Zoti e nuk u prek deri sot nga asnjë regjim.